Muxhahedini i Bosnjës - Ali Hamad, ish-oficer i Al-Qaeda's, bashkepunon me Serbinë!



Terroristi pishmanxhi, e do Serbinë!

Prokuroria serbe për Krime Lufte është e interesuar për rastin e ish-oficerit të Al-Qaeda's dhe të njësitit 'Al-Mujahedin', Ali Hamad, i cili synon që të kërkojë qëndrim të përkohshëm në Serbi.

Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë po punon në zbardhjen e ngjarjeve të cilat në deklaratën e tij i kishte përmendur ish-oficeri i Al-Qaeda's nga Bahreini, Ali Hamad, derisa po paralajmëronte gatishmërinë për të folur për krimet e "luftëtarëve të Allahut" gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

"Jemi të interesuar për deklaratën e Ali Hamad. Nëse do të mund të vinim deri te dëshmitë, edhe lënda do të mund të formohej",i tha gazetës serbe 'Poltika', Bruno Vekaric, zëdhënës i Prokurorisë për Krime Lufte.

Ish-oficeri i Al-Qaeda's dhe komandanti i njësitit 'Al-Mujahedin', Ali Ahmed Hamad (38), emri i luftës i të cilit ishte Abu Ubeyda, konfirmoi për gazetën se e kishte tërhequr ankesën në vendimin për dëbim nga Bosnja e Hercegovina. Ai, në një bisedë telefonike, tha se me asnjë kusht nuk dëshiron të mbetet më në BeH, sepse ajo, siç theksoi, "është një shtet që nuk i respekton ligjet e veta". Për shkak të kësaj, siç sqaroi, ai synon që të kërkojë qëndrim të përkohshëm në Serbi. Ali Hamad aktualisht ndodhet në Qendrën e Imigracionit në BeH, në Sarajevën Lindore (serbe), ku edhe pretë depërtimin e tij nga BeH.

Ndryshe, Ali Hamad është një terrorist i bërë pishman. Ai ka dëshmuar para Këshillit Hetues të Tribunalit të Hagës kundër komandantit të Shtabit Qendror të Armatës Boshnjake, gjeneralit Rasim Delic, dhe organeve kompetente u ka treguar të gjitha që i dinte për krimet e muxhahedinëve dhe për lidhjet e tyre me politikanët dhe oficerët boshnjakë. Një pjesë e deklaratave të tij, të dhëna agjencisë së dikurshme për Hetime dhe Dokumentim - gjegjësisht, shërbimti të fshehtë boshnjak - janë shfrytëzuar për zhvendosjen e varrezave masive në Ozren, në të cilat kanë qenë të varrosur ushtarë dhe civilë serbë.


A do të zbardhen edhe krimet e muxhahedinëve?

"Kam kërkuar që të mundësohet ardhja në Serbi dhe qëndrimi i përkohshëm atje. Tash për tash nuk mendoj që të kërkoj azil në Serbi. Nëse më lejohet hyrja në Serbi, dhe nëse vendosi të mos mbetem atje, do të doja të kthehesha në shtëpi, në Bahrein. Në atë rast, në atdhe s'do të hyja si një person i dëbuar, që ka një sërë problemesh me policinë, por si një njeri i lirë", i pohoi gazetës Ali Hamad.

Ai beson se qeveria serbe do të ketë ndjenja të fuqishme për atë që ai di lidhur me krimet e luftës, të cilat muxhahedinët i kryen ndaj serbëve dhe kroatëve gjatë luftës në BeH.

Ali Hamad u bë objekt qendror i vëmendjes së opinionit boshnjako-hercegovinas kur foli për rolin e rrjetit terrorist të Al-Qaeda's në luftën e Bosnje e Hercegovinës dhe për krimet e muxhahedinëve.

Ai, veç të tjerash, revistës gjermane 'Der Spiegel', i deklaroi se udhëheqësi i Al-Qaeda's, Osama bin Laden, nuk i kishte dërguar luftëtarët e tij në BeH shkaku i brengosjes aq të madhe për fatin e myslimanëve boshnjakë, por para së gjithash për shkak të krijimit të një strehimi për veprim të terroristëve të tij në Evropë. Këtë vlerësim e përsëriti edhe gjatë dëshmisë së tij kundër Rasim Delic, në Gjykatën e Hagës. Ai edhe sot deklaron se në BeH S veprojnë qeli të Al-Qaeda's, brenda të cilave një rol me rëndësi e luajnë myslimanët nga BeH.

Për shkak të telasheve familjare, Ali Hamad qysh si 17-vjeçar ra "pre" e Al-Qaeda's. Stërvitjen ushtarake e përfundoi në kampin 'Quliet Javer Al Askaria', në Afganistan, ku edhe luftoi kundër forcave të ish-Bashkimit Sovjetik. Në BeH erdhi në vitin 1992, përmes Frankfurtit, Zagrebit dhe Splitit. Fillimisht ishte vetëm luftëtar në njësitin 'Al-Mujahedin', e pastaj u bë komandant i tij. Pas luftës u dënua me 12 vjet burg, për shkak të pjesëmarrjes në një sulm me auto-bombë në pjesën kroate të Mostarit, të kryer gjatë vitit 1997, e në të cilin, siç pohon sot, nuk mori pjesë fare. Al-Qaeda's dhe Bin Laden'it përfundimisht ua ktheu shpinën në shtator të viti 2001, pas sulmeve terroriste në Qendrën Tregtare Botërore dhe në Pentagon. Prej asaj kohe është pjesëmarrës aktiv i fushatave anti-terroriste.



Përgatiti: express, janar 2009.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...