Padronët fitnexhinj dhe 'vehabitët' perfidë
Nga fillimi i muajit tetor u mbajtën zgjedhjet në BI të Maqedonisë. Konkretisht u mbajtën zgjedhjet për myfti nëpër Myftinitë e Bashkësisë Islame në të gjitha qytetet e Maqedonisë. Epilogun e këtyre zgjedhjeve e përcolla me afshin më të madh. Thjesht me padurim prisja të dëgjoj për emrat e myftinjve të rinj. Përshtypje të thellë, parasëgjithash, më bëri zgjedhja për myfti në Kumanovë e Haxhi Jakup Hasipit.
Kjo thjesht për faktin se, Jakup efendiu ky hoxhë e patriot zulmëmadh, ka kohë që me veprimtarinë e begatë prej fetari e atdhetari të zjarrtë i ka dhënë gjallëri të njëmendtë jetës fetare dhe kombëtare në trevat iliro-dardano-shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë.
Personaliteti i tij me të drejtë të përkujton gjithë atë plejadë të hoxhallarëve kolosë nga periudha e Rilindjes Kombëtare dhe pas saj, të cilët nëpër shekuj mbajtën ndezur prushin e shqiptarizmës. Me këtë rast Jakup efendiut i dëshirojmë sukses në punën e tij.
Gostivarasit kanë bërë një hap jashtëzakonisht të shkëlqyeshëm me rizgjedhjen e profesor Shaqir Fetahut në postin e myftiut. Figurë ky poliedrike: orator i shkëlqyeshëm si vaiz, profesor i admirueshëm nga nxënësit e Medresesë "Isa Beu", publicist, përkthyes, punëtor i zellshëm dhe kreativ në të gjitha organet e Bashkësisë Islame ku punoi dhe një Mufti perspektiv për Gostivarin dhe më gjerë. Aferim gostivaras! Të lumtë Shaqir efendi!
Dibra kreshnike votoi sërish për profesor Ruzhdi Latën. Natyrisht! Pse, për kë tjetër do të votonte Dibra e Mulla Vehbi Agollit, Hoxhë Vokës-Said Najdenit, Hasan Muglicës, Haxhi Vildanit e shumë e shumë hoxhallarëve të tjerë atdhetarë? Lexues të nderuar, vallë ka nevojë për ndonjë koment tjetër!
Në postin e myftiut në Shkup u rizgjodh Hafëz Zenun Berisha. Personalitet ky i regjur në rrafshin administrativo-juridik të Bashkësisë Islame, i cili me dekada ka dhënë kontribut të çmueshëm në avansimin e jetës fetare në vend. Prandaj edhe Shkupi ka bërë mirë që ka dhënë votën për të. Pse, për kë tjetër të jipte votën? Për Taxhudin efendiun? Po Taxhudin efendiu, përjashto këtu "ilmin" ose dijen e tij të thellë mbi skolastikën islame (për ç'gjë ia heqim kësulën), s'ka i gjori haber fare në rrafshin administrativo-juridik, edhe atë jo vetëm të jetës fetare (për këtë ai është i vetvetëdijshëm, por hmmm!). Madje, për më keq, ai naivisht është bërë viktimë e ca padronëve të tij fitnexhinj, të cilët nëpërmes tij me çdo kusht synonin të eliminonin Hafëz Zenunin. Padronëve të gjorë (emrat e tyre veçmë janë "sekret publik") fitneja u shkoi huq.
Por, me këtë rast u tërheqi vërejtjen që të mbledhin mend në zgjedhjet e radhës, sepse falë fitnes së tyre nëse jo këtë herë bën vaki që në të ardhmen në këtë post (pra të myftiut) apo në ndonjë post tjetër më të lartë të ngjitet ndonjë monstrum nga rradhët e "VEHABITËVE" (ruana Zot!), përkatësisht nga rradhët e "selamalejqumave" sikundër i quajnë ndryshe shkupjanasit. Deklaratat e shtabeve të Taxhudin Bislimit dhe të "vehabitëve", të cilat i lexova në "Fakti", kundërmonin erë blasfemie.
O Zot, gënjeshtra është blasfemia më e madhe! "Vehabitët", si perfidë që janë, në deklaratën e tyre, ose thënë më thuktë në deklaratën e njërit nga mesi i "kryevehabinjve" dhënë për shtyp (shih në "Fakti": "Ndal dhunës, përçarjes, copëtimit të mëtutjeshëm në BIM", nr.711 (1641), 9 tetor 2003), eksplikon se ka tërhequr kandidaturën e tij nga gara për myfti për t'i ikur fitnes që, sipas tij, qenkësh bërë nga ata të Bashkësisë Islame. Ndërkaq, shtabistët e Taxhudinit, në deklaratën e tyre harakiri ("Fakti", 15 tetor të këtij viti) bënin be e rrufe se janë bërë manipulime në votim nga ithtarët e fituesit.
Pash Zotin, po ku ka më fitnexhinj se "vehabitët", të cilët fitnen e kanë "virtyt" ose dogmë inherente të komplet koncepcionit të tyre doktrinor dhe ku mund të gjesh më fitnexhinj se padronët e apostrofuar më lartë të cilët nuk kanë pasur lot në sy të manipulojnë myzevirçe me padjallëzinë, sinqeritetin dhe virtytshmërinë e një imami të vyeshëm dhe profesori të nderuar Mr. Taxhudin ef. Bislimi.
Përsëris: në këtë rast ka bërë mirë Shkupi që s'i dha votën as skolastikut - i cili, për mendimin tim, Myftininë do ta shpiente në epokën e "tërllikut" mesjetar, dhe as "vehabiut" - i cili Myftininë do ta shndërronte në "butik" shallvaresh e fustanellash, apo, mozomëkeq, në "ahure a grazhd" devesh.
Më në fund, uroj që të gjithë myftinjt e sapozgjedhur të vëndojnë nga një guriçkë në godinën e Fesë e të Atdheut tonë.
Autor: Qatip Hoxha, Saraj.