Vetë Pejgamberi s.a.v.s. e ka shënuar mewludin (lindjen) e tij!
Pejgamberi s.a.v.s. e ka festuar ditën e tij të lindjes. Në një hadith të transmetuar nga Enesi (r.a.), në Sunenin e Imam Bejhekiut, (vëll. 9, fq. 300, nr. 43), tregohet që Pejgamberi s.a.v.s. i bëri kurbanë disa kafshë dhe kreu akikën për vetveten, pas shpalljes së pejgamberisë.
Imam Sujutiu deklaron që kjo nuk ishte akika e tij në kuptimin tradicional, sepse gjyshi i tij tashmë e kishte bërë akikën për të. Sheriatikisht nuk është e lejuar të përsëritet një akt sheriatik që tashmë është kryer. Imam Sujutiu deklaron se arsyeja për prerjen e kafshëve është akt i falënderimit ndaj Allahut dhe përkujtim nga Pejgamberi s.a.v.s. për lindjen e tij.
Imam Sujutiu konkludon që është mustehab (e pëlqyeshme) për ne që ta festojmë mevludin bashkërisht, pasi që Pejgamberi s.a.v.s. sakrifikoi kafshë dhe e shpërndau ushqimin, prandaj, bazuar në këtë, edhe ne duhet të bëjmë tubime dhe të shpërndajmë ushqime dhe të gëzohemi në mënyrë të mire, (Shih: Husn Mekasid fi 'Amel-il Mewlid nga Imam Xhelal ud-Dîn es-Sujuti, fq. 64-66).
Disa kritikë të mevludit mund të kundërshtojnë me fjalët se pasiqë akika e Pejgamberit s.a.v.s. është bërë në periudhën e xhahilietit, ai, Muhammedi s.a.v.s. deshi ta rikonfirmojë atë veprim, që ta sigurojë efektshmërinë e saj. Mirëpo, ky argument nuk është i pranueshëm, sepse sipas kësaj logjike do të duhej të përsëritheshin edhe veprat tjera të Pejgamberit s.a.v.s., e jo vetëm akika?
Këtë e fuqizon edhe fakti vijues: Përse Muhammedi s.a.v.s. nuk e ka ripërsëritur (përsëritur) nikahun e tij me Hazreti Hatixhen (r. anha) që e ka bërë para pejgamberisë? Ndërsa është e ditur që nikahu është më e rëndësishëm sesa akika (pasiqë nikahi është farz, ndërsa akika është mustehab). Sikur të ishte e nevojshme ripërsëritja, Muhammedi s.a.v.s., por edhe ne, do fillonim prej akteve prioritare (si nikahu) e jo prej akteve dytësore jo të detyrueshme, të pëlqyeshme (si akika).
Përgatiti: Fatih IBRAHIMI