Mesele mbi Vehabizmin-Vehabistët 4
Pyetja:
Esselamu alejkum!
Profesor i nderuar, sipas asaj që ju keni pubilkuar së fundmi mbi Vehabizmin, ku lexova shumë gjëra të çuditshme për to, a mund të themi se pjesëtarët e tij janë pabesimtarë (qafira), dhe se a u lejohet muslimanëve që t'i mbysin apo t'i vrasin ata?
(Tekstin mbi Vehabizmin mund ta lexoni në artikullin: "Çka nuk dimë tjetër rreth vehabizmit?!").
Përgjigjja:
Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim
I nderuar, teksti nuk është përpilim i imi por është vetëm përkthim. Sa i përket vehabistëve, disa herë kam thënë dhe po e përsëris: "Vehabizmi është lëvizje fetaro-politike". Nuk është e drejt e imja që të shpalli dikë për qafira, e as që do ta bëjë këtë punë ndonjëherë, vetëm nëse ndonjë këtë e pranon vetë. Vëlla nuk është e lehtë që dikë ta shpallësh për qafir, sepse në rastin kur dikë e shpall si të tillë, atëherë njëri prej të dyve duhet patjetër të jetë qafir, ose i shpalluri ose shpallësi, andaj unë nuk mund të marr guximin që ndonjë njeri që ka bërë ndonjë gabim ta shpalli për qafir, siç veprojn disa të tjerë.
Çështja tjetër, pyetja e juaj se: "A lejohet që muslimanët t'i vrasin ata", mendoj se është ekstreme. Jo, kurrsesi jo, nuk lejohet vrasja dhe mbytja e askujt, absolutisht askujt në këtë mënyrë që po mendoni ju. Në Islam ka sistem juridik i cili duhet të jetë funksional dhe ne muslimanët duhet të mundohemi ta vemë në zbatim, andaj nëse dikush meriton të mbytet për shkak se ka dëmtuar Islamin apo ka dëmtuar dikë tjetër, kjo punë duhet të kalojë përmes procedurave juridike, respektivisht gjykatës, sepse vetëm gjykata ka të drejtë të sjellë vendim kush meriton sanksion kapital e kush nuk meriton. Ky rregull vazhdon edhe për jomuslimanët, e të mos flasim për muslimanët. Pra, i nderuar, mendoj se një veprim i tillë është rreptësisht i ndaluar, jo të veprohet por edhe vetëm të mendohet. Po ju përkujtoj edhe njëherë se Islami është fe dhe sistem, andaj nuk lejohet shkelja e asnjërës prej tyre. E drejta islame në mënyrë precize ka rregulluar këto çështje dhe nuk toleron kurrëfar anarkie.
Allahu e di më së miri!
Shejh - Jusuf ZIMERI