Israja dhe Miraxhi
Kur ka ndodhë Israja dhe Miraxhi?
- Ka ndodhë para hixhretit.
- Ka ndodhë gjatë periudhës së Mekës, 11 vite pas pejgamberisë.
Dijetarët janë dakorduar për këtë:
Isra: Udhëtimi i Xhibrilit me pejgamberin a.s. nga Meka në Mesxhidi Aksa, hipur në Burak.
Miraxh: Ngritja e pejgamberit a.s. nga toka në qiell.
Trego argumentet e Israsë dhe Miraxhit?
- Në atë se ka qenë me trup dhe me shpirt dhe a ka qenë zgjuar?
- Allahu i Madhërishëm ka thënë: "I Lartësuar është Ai i Cili e ka bartë robin e tij (Abdihi), ...", (Isra, 1).
Fjala "rob" (abd) është shprehje e cila përdoret për trupin dhe shpirtin së bashku.
Kurejshitët e kanë mohuar. Po të kishte qenë në gjumë nuk do ta kishim mohuar. Kjo sepse ndodhia në gjumë nuk do të ishte mohuar.
Trego për disa gjëra të cilat i ka parë pejgamberi a.s. në Isra dhe Miraxh?
Pejgamberi a.s. ka thënë:
- Kur jam ngritur në Miraxh, kam kaluar pranë një komuniteti të cilët i kishin thonjtë prej hekuri të cilët i shponin fytyrat dhe gjokset e tyre, kam pyet: O Xhibril kush janë këta?
Është përgjigj: Ata janë ata të cilët e kanë ngrënë mishin e njerëzve duke keqpërdorë.
- Në natën e Israsë dhe Miraxhit kam kaluar në një hapësirë ku ndija aromë të mirë.
E kam pyetur Xhibrilin: Çka është kjo aromë kaq e mirë?
Xhibrili më ka thënë: Kjo aromë buron nga floktorja private e vajzës së firaunit dhe e fëmijëve të saj. Pastaj e ka treguar historinë e saj, Ahmedi).
- Në natën e Israsë dhe Miraxhit kam takuar Ibrahimin a.s. i cili më ka thënë: O Muhamed, përshëndete umetin dhe informoi se xheneti është i mirë, me ujë të ëmbël, me hapësira të gjera, në ta ka pemë të mbjella nga: SubhanAllahi, vel-hamdulil-lahi, ve la ilahe ilall-llahu vall-llahu ekber ve la havle ve la kuvvete il-la bil-lah, (Tirmidhiu).
- Kam kaluar pranë një komuniteti të cilëve u preheshin gjuhët e tyre nga gërshërë prej zjarri, e kam pyet Xhibrilin: Kush janë këta?
Më është përgjigjur: Ata janë ligjëruesit të cilët e thonë atë çka nuk e veprojnë, (Ibn Habani).
Çfarë qëndrimi kishin Kurejshitët për ngjarjen e Israsë dhe Miraxhit?
- E kanë mohuar dhe e kanë përgënjeshtruar.
Xhabiri tregon se e ka dëgjuar pejgamberin duke thënë: "Kurejshitët më kanë përgënjeshtruar. Isha në dhomë por Allahu më përfytyroji Mesxhidi Aksanë dhe unë ua sqaroja atyre duke i parë ato", (Buhariu).
- Kanë shkuar disa njerëz te Ebu Bekri dhe ia kanë përmendë ndodhinë.
Ebu bekri u ka thënë: Unë i besoj atij.
Beson se ai ka shkuar në Sham brenda një nate dhe është kthyer po atë natë në Mekë?! - i kanë thënë.
Po - ka thënë - por, unë i besoj më shumë se kaq. Unë i besoj se ai informohet nga qielli. Për këtë arsye është quajtur "Siddikë" (Dëshmuesi i së vërtetës).
Çka përfitohet nga Israja dhe Miraxhi dhe ngjarjet brenda saj?
- Kjo mrekulli ka qenë sprovë dhe testim për pejgamberin a.s. që të bëhet më i vendosur dhe që t'i tregohet se ajo me çka ballafaqohet me popullin e tij nuk duhet të jetë arsye për të heq dorë nga misioni i tij, por është ligj i Allahut për çdo kohë dhe për çdo vend.
Israja dhe Miraxhi është vërtetuar me Kur'an, me sunet dhe me dakordimin e dijetarëve Islam. E ka dëshmuar edhe Ebu Bekri Sidiki, dhe për këtë arsye e ka marrë nofkën "Sidik" (Dëshmues i së vërtetës).
Pas kësaj, çka ka vepruar pejgamberi a.s.?
- E ka vazhduar thirrjen edhe më shumë, në periferi dhe në vende tjera: Rebiatu bin Abad ed-Duliji ka treguar se: Para se të migronte në Medine, e kam pa pejgamberin a.s. në Mine dhe nëpër shtëpi rreth Minës dhe thoshte: O ju njerëz, Allahu ju urdhëron që ta adhuroni vetëm Atë dhe krahas Tij mos adhuroni askënd tjetër.
Pastaj ka vazhduar duke treguar se: Një njeri ka shkuar pas tij dhe thërriste: O ju njerëz, ky po ju urdhëron që të largoheni nga feja e baballarëve tuaj.
Kam pyet se si quhej ai njeri. Më është thënë se ai ka qenë Ebu Lehebi. (Hakimi)
Çka përfitohet nga ky hadithë?
- Dëshira e madhe e pejgamberit a.s. për të thirr në rrugë të Allahut, pa u lodhë dhe pa neglizhuar.
- Në rrugë të Allahut ka thirr duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë të cilat i ka pasur në disponim.
- Thirrësit duhet të trokasin në çdo derë, nuk duhet të dëshpërohen, por duhet të angazhohen maksimalisht për të përhapë fenë në çdo vend të globit.
Kush i është përgjigj pejgamberit a.s. deri sa ai i ftonte fiset në Islam?
- Një turmë e fisit Hazrexh, në Akabe.
Kjo ka ndodhë në vitin 11 të pejgamberisë.
Kush ka ndikuar që ata t'i përgjigjen thirrjes së pejgamberit a.s.?
- Jehudët, ata kanë jetuar në vendin e tyre në Medine, ata kanë qenë pasues të librit dhe kanë pas njohuri dhe e kanë pas premtim se do të dërgohej një pejgamber në një moment të caktuar.
Sa ensarë Medinas kanë shkuar në Meke në vitin në vijim dhe çka ka ndodhë?
- Në vitin e dymbëdhjetë të pejgamberisë, në kryerje të haxhit kanë shkuar 12 burra nga Medineja. Atë vit janë takuar me pejgamberin a.s. dhe i kanë dhënë besën, e që është quajtur Besëlidhja e grave (është quajtur besëlidhja e grave sepse nuk është përmend lufta dhe ka ndodhë para se të bëhej lufta detyrim).
- Ibadetu tregon se pejgamberi a.s. u ka thënë atyre: Ejani dhe jepeni besën se:
- Allahut nuk do t'i përshkruani ortak.
- Nuk do të vidhni.
- Nuk do të bëni Imoralitet.
- Nuk do t'i vritni foshnjat tuaja.
- Nuk do të shpifni ndaj grave të ndershme.
- Nuk do të kundërshtoni të mirën.
Kush e zbaton besën do të shpërblehet nga Allahu. Cilin e godet ndonjë fatkeqësi dhe duron për Allah, çështja i takon Allahut. Nëse dëshiron dënon, nëse dëshiron falë.
Kur janë nisur për t'u kthyer në Medine, cilin ua kanë bashkangjitur dhe të shkonte me ta?
- E ka dërguar Mus'ab bin Umejrin. Ai ka banuar te Es'ad bin Zerari.
Kush e ka pranuar Islamin me mbështetjen e bin Zerarit para Mus'ab bin Umejrit?
- Shumë ensarë e kanë pranuar Islamin, e prej tyre: Usejd bin Hudejri, Sead bin Muadhi. Pasi e kanë pranuar këta Islamin, atëherë e kanë pranuar Islamin që të gjithë pjesëtarët e Abdul Eshhelit.
Kur dhe për çka ka ndodhë besëlidhja e dytë e Akabes?
- Gjatë sezonit të Haxhit të vitit të trembëdhjetë të pejgamberisë dhe kjo pasi ishte përhapë Islami në mes të Ensarëve të Medinës, atëherë një grup i banorëve të Medinës kanë marrë vendim të shkojnë në haxh dhe ta takojnë pejgamberin a.s. fshehtazi dhe së bashku me të ta shqyrtojnë mundësinë e migrimit te ta.
Sa ka qenë numri i tyre?
- Numri i tyre ka qenë 70 burra dhe dy gra.
Emrat e grave janë: Nesibete e bija e Keabit dhe Esma e bija Amrit.
Kush dhe pse ka prezantuar në atë mbledhje të besëlidhjes me pejgamberin a.s.?
- Axha i tij Abas bin Abdul Mutalibi, në atë kohë ka qenë ende në fenë e të parëve të popullit të tij. Ka prezantuar për çështjen e djalit të vëllait të tij, që të sigurohet në besëlidhjen me ta.
Cilat kanë qenë pikat e kësaj besëlidhje?
- Xhabiri ka thënë: I kemi thënë pejgamberit a.s.: Në çka të lidhim besën me ty?
Ka thënë:
- Dëgjueshmëri dhe zbatim në çdo çështje, që të financojmë dhe shpenzojmë si në gjendje të mirë ekonomike, ashtu edhe në gjendje të vështirë ekonomike.
- Të urdhërojmë në të mirë dhe të parandalojmë të keqen.
- T'i lutemi Allahut, të jemi të vendosur në qaste kritike.
- Të ndihmonim kur do të qëndronte në Medine.
- Të më mbështetni dhe të më ndihmoni ashtu siç e mbështetni veten tuaj, bashkëshortet tuaja dhe fëmijët tuaj.
Për këto veprime shpërbleheni me Xhenet.
Kurejshitët kur kanë dëgjuar për këtë besëlidhje, janë hidhëruar më shumë, i kanë shtuar torturat ndaj besimtarëve, atëherë pejgamberi a.s. i ka urdhëruar që të migrojnë në Medine.
Autor: Abdullah Ebu Majha
Përktheu: Dr. Musli Vërbani