Tre muajt dhe netët e mira
"Rexhepi është muaj i Zotit (xh.sh.), Shabani është muaj im kurse Ramazani është muaj i ummetit tim", Muhamedi (a.s.).
Jemi duke i përjetuar ditët e para të muajt Rexhep, ditë këto që për nga vlefta dallojnë nga ditët e muajve tjerë, pos të atyre të muajt Shaban dhe Ramazan. Pra, janë ditët e njërit nga tre muajt e mëdhenj apo të bekuar, të cilët All-llahu (xh.sh.), për të mirën e besimtarëve të Tij, i bëri që të jenë të bekuar e të begatshëm.
Vlera e muajt Ramazan përmendet drejtpërdrejtë në Kur'anin famëlartë duke theksuar se Libri i All-llahut (xh.sh.), Kur'ani iu shpall njerëzimit mu në këtë muaj.
Rëndësinë e këtyre tre muajve e tregon edhe fakti se në këta muaj gjenden katër netët e mira: Nata e Regaibit që është në natën e parë të ditës së premte (xhuma) të muajt Rexhep. Nata e Miraxhit e cila është nata e njëzetë e shtatë e po të njejtit muaj. Nata e Beratit e cila është natën e pesëmbëdhjetë të muajt Shaban dhe Nata e Kadrite cila është me të njëzetë e shtatën natë të muajt Ramazan.
Me hyrjen e këtyre muajve, besimtarët pos ibadeteve të përditshme, duhet ta shtojnë vëllimin e punëve të dobishme, siç janë agjërimi, namazi nafile, dhënia e lëmoshës, (sadakasë), zeqatit, të mësuarit, etj.. Muhamedi (a.s.) në fillim të muajt Rexhep, Zotit (xh.sh.) i është drejtuar me këtë lutje: "O Zot, na beko në Rexhep e në Shaban dhe na mundëso që ta presim Ramazanin".
Po ashtu, Muhamedi (a.s.) e ka praktuar agjërimin në muajn Shaban. Kështu ai në një hadith i përgjigjet Usame ibn Zejdit, i cili shpreh habinë e vet duke e vërejtur Pejgamberin (a.s)., nuk agjëron në asnjë muaj (pos ramazanit) më së shumti se sa në muajn Shaban: "Ky është muaj që e kanë lënë anash njerëzit edhe pse është në mes Rexhepit e Ramazanit. Në këtë muaj i shkojnë veprat Zotit të gjithësisë, ndërsa unë më së shumti dua që veprat e mia të shkojnë derisa jam duke agjëruar", (transmeton Nesai, Ahmedi, Ebu Davudi).
Nata e Regaibit
Nata e Regaibit, siç u përmend më lartë, gjithnjë bie në natën e xhumasë së parë të muajt Rexhep. Sipas emrit kjo natë konsiderohet si natë e dëshirave dhe e shpresave. Rëndësinë e kësaj nate, respektivisht mund kuptojmë edhe nga ky hadith i Pejgamberit (a.s.), transmetohet nga Ebu Bekr Es-Sidiku (r.a.) se Pejgmaberi (a.s.) ka thënë: "Kur kalon pjesa e tretë e natës së xhumasë së parë të muajt Rexhep, nuk mbetët melek në qiell e as në tokë, sepse ata mblidhen në Qabe", e All-llahu (xh.sh.) i shikon ata dhe u thotë: "O melekët e mia, kërkoni çka të doni"! Ata thonë: "O Zoti ynë, kërkesa jonë është që të i falish ata që e agjërojnë muajn Rexhep". All-llahu (xh.sh.) u përgjigjet: "Janë të falur ata".
S'ka dyshim se për "tre muajt" dhe netët e bekuara në ta mund të thuhet edhe shumëçka. Kjo sidomos vlenë për muajin e Ramazanit dhe Natën e Kadrit. Kjo që u tha më lartë për ta, ka për qëllim që t'i nxisë besimtarët që sa më shumë ta shfrytëzojnë praninë e këtyre muajve.
Përgatiti: albafonika