'E gjetsh prej Zotit'!



- I -

Jo rrallëherë, njeriu kur s'ka çka i bën zullumqarit, i thotë 'E gjetsh prej Zotit'!

Në fakt, përtej nëmjes e mallkimit, ky rënkim është edhe një lloj ankese tek Allahu kundër zullumqarit.

Me qenë njeriu hakikat, edhe përnime që i është bërë zullum, mallkim më të madh nuk ka. Për këto raste, Pejgamberi a.s. ka thënë: "Keni kujdes nga lutja e të shtypurit, sepse në mes tij dhe Allahut nuk ka perde".

Zoti i Madh e përmend në Kur'an një person besimtar nga populli i Faraonit, ku hakmarrjen kundër Faraonit për padrejtësitë që ia bënte, ia kishte lënë në dorë Zotit. "Ani! Juve do t'ju bjerë ndërmend çka po u them, e çështjen time ia besoj Allahut, vërtet, Allahu mbikëqyr robët", (Kur'ani, Gafir, 44).

Në fund, Allahu e shkatërroi Faraonin, kurse e shpëtoi besimtarin.


- II -

Pjesa e fundit e ajetit "Vërtet, Allahu mbikëqyr robët" është domethënëse. Nuk ndodh që klithmën ose atë ofshamën e të dëmtuarit që del nga thellësia e shpirtit, Allahu mos ta dëgjojë.

Nuk ndodh, një gjeth me ra prej pemës, e që Allahu mos ta dijë atë.

Në kaptinën El-Muxhadele, Allahu e ka njoftuar Pejgamberin a.s. për rastin e asaj gruasë e cila teksa bisedonte me Pejgamberin a.s., ankohej tek Allahu për padrejtësitë e burrit të saj.

Besimtari duhet të jetë i bindur se Allahu i përgjigjet ankesës së tij. Ai fëmija sirian, teksa kishte mbetur pa askënd dhe vetë kullonte gjak nga plagët, ishte i bindur në takimin me Allahun, dhe në çastet e vdekjes, e kishte lënë amanetin që pati bërë bujë mdiatike: "Kur të vdes do t'i tregoj Zotit gjithçka".


- III -

Allahu e ka cilësuar Ibrahimin a.s. 'evvahun halim', që ia ka qarë hallin Allahut për çdo gjë.

Pejgamberët e Zotit, për padrejtësitë ndaj tyre i janë drejtuar Allahut. Nuhi a.s. tha: "Unë jam i mundur, prandaj më ndihmo", (El-Kamer, 10).

E, Muhamedi a.s. ishte ankuar te Zoti, kundër armiqëve, në disa raste.

Kur armiqtë ia vranë në pabesi 70 hafizë të Kur'anit, te kroi 'Bir Maun', në viti 626.

Pejgamberi a.s. u trondit, dhe në fund të namazit të jacisë, pasi u drejtua nga rukuja bëri lutje mallkimi (kunut) kundër atyre që e shkaktuan këtë katastrofë. Këtë mallkim e vazhdoi gjatë tërë muajit duke e përsëritur në çdo vakt.

Zot, lësho rahmetin Tënd mbi popullin e pafajshëm të Palestinës, dhe le të mbretërojë paqja në atë vend mubarek!



Autor: Orhan BISLIMAJ

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...