Hixhreti nga e mira në të keqe dhe nga e keqja në të mirë
Ademi a.s. ka bërë hixhretin nga xhenneti dhe është vendosur në tokë. Ai u largua nga ajo që ishte e mirë dhe e përgjithmonshme, për në tokën që është kalimtare dhe e përkohshme.
Shumica e bëjnë hixhretin nga Islami i cili është rrugë e xhenetit të përgjithmonshëm për në të mirat e kësaj bote kalimtare.
Nuhu a.s. me besimtarët tjerë e ka bërë hixhretin me anije nga një vend ku njerëzit nuk donin t'i përgjigjeshin thirrjes së Allahut, duke ikur nga përmbytjet ndërkombëtare, dhe është vendosur në kodrën e quajtur Xhudij.
Nuhu a.s edhe sot thërret për të bërë hixhretin në anijen e shpëtimit të përmbytjeve të dallgëve të jetës, por sot njerëzit fundosen në dallgët e jetës dhe nuk e bëjnë hixhretin për në anijen e shpëtimit të Nuhut a.s. .
Ibrahimi a.s. me Haxheren dhe të birin Ismailin e bëri hixretin për në Meke.
Haxherja dhe Ismaili nuk iu frikuan furnizimit (rizkut). U vendosën në tokën e thatë ku nuk kishte shenja për jetë por kishte shenja të besimit në Zot, ndërsa besimi në Zot u solli atyre furnizim edhe nga toka e thatë.
Sot, njeriu duke u brengosur për rizkun e fëmijëve, i ushqen ata me haram, pastaj fëmijët bëhen të pasur por nuk përkujdesen për prindërit e tyre.
Musai a.s. e bëri hixhretin duke ikur nga Firauni, edhe pse kishte pozitë të lartë tek ai dhe u vendos në qytetin Medjen te Shuajbi a.s..
Sot, njerëzit për të arritur pozita të larta dhe për t'i mbajtur ato pozita i pëlqejnë edhe padrejtësitë e pushtetarëve ndaj popullit vetëm e vetëm për të mbajtur apo për të arritur në pozita të larta, e që prej atyre pozitave fitojnë pasuri e që pastaj ajo pasuri e tyre varroset në piramidat e kësaj bote.
Muhamedit a.s i është premtuar dhe i janë siguruar poste dhe pasuri të kësaj bote, por Muhamedi a.s. nuk i pranoi postet dhe pasurinë e idhujtarëve por e bëri hixhretin nga Meka në Medine vetëm e vetëm të ngrihet Fjala e All-llahut.
Autor: Musli VËRBANI