Në orbitën e Natës së Kadrit



Nata e Kadrit është mundësi zgjimi ... Nga hutimi, nga egoizmi, nga vetëkënaqësia, nga dëshira për t'u dukur ç'ka realisht nuk jemi, për t'u pastruar nga hilet, hipokrizia, varfëria e shpirtit, rendja pas botës, ndjenjat e madhështisë dhe ato të diktatorit të fshehur brenda nefseve të sëmura ...

Nata e Kadrit, ajo që vlen sa njëmijë muaj, në fakt është një prag pendimi, ku vullnetmirët mund të ulin kokën, me bindje absolute, se e shkuara nuk vlen më shumë se një kujtim i errët, që trazon shpirtin e kthyer nga kibla e së vërtetës ...

Nata e Kadrit është Nata e besës, jo e ekspozimit si besimtarë të devotshëm, që nuk prezantojnë dot as sabahun me xhematin e xhamisë më të afërt, pas një nate të kaluar zgjuar, në cepat e xhamive ...

Nata e Kadrit është thirrje e heshtur shpirti, që përsërit me të madhe, teksa lexon suren me të njëjtin emër, se muslimanët janë njerëz me peshë, njerëz KADRI! Se muslimanët jetojnë me peshë e vdesin me peshë, se janë njerëz KADRI! Se muslimanët mund të përulen, mund të mashtrohen, mund të thyhen e mund të prekin edhe kufijtë e vdekjes, por, muslimanët janë bartësit e sures së KADRIT, sures së rizgjimit e rimëkëmbjes së krejt jetës së tyre! Se muslimanët, nuk mund ta humbin asnjëherë shpresën e tyre në përkrahjen hyjnore nga Zoti i Kur'anit, Inxhilit, Teuratit, Zeburit e Sahifeve të shkuara, ku e vërteta është NJË, ashtu si vetë ZOTI i saj, ZOTI i krejt gjithësisë dhe Mbikqyrësi i saj i vërtetë!

Nata e Kadrit është stacion shpirtrash, prej atyre që besojnë se kjo katrahurë ku jetojmë, (ku Zoti është bërë tregëti, ku matrapazët e jetës mbajnë predikime me Zot e fjalë të urtësh të shkuar shekullorë, ku të drejtët heshtin nga frika, ku hipokrizia dhe servilizmi është kthyer në levë fati, për mashtrues historie e feje, që duan me çdo kusht të imponohen, si trend, në një kohë me njerëz të hutuar, pa busull udhëzimi ...), e ka një fund, si krejt zullumet e historisë së afërt e të largët… Se ende ka mundësi e shpresë për t'u ngritur në këmbë!

Nata e Kadrit është Nata e takimit me Mikun më të shtrenjtë të qiellit, Xhibril Eminin, në një përshpirtje që zgjon nga grahmat e vdekjes së pandershme, ndjenat fisnike, që i kanë rezistuar harbimit të shfrenuar të nefsit me arrogancën e tij ...

Nata e Kadrit është Nata e ZGJIMIT, për të dëshmuar me duart lart, se nuk ka Zot tjetër pos All-llahut dhe, për të kapur me ato duar, që kurrë nuk dridhen, "fatet" e Jetës që vijon ...

Për të dëshmuar haptas e pa frikë, se: 'Ne jemi muslimanë, të thirrur nga Zoti i gjithësisë për ta ndërtuar jetën, si prijës të saj, mbrojtës të saj, të panënshtruar para errësirave, rrugëtues me dinjitet drejt mëshirës dhe kënaqësisë së Zotit një, All-llahut mëshirëplotë'!

Nata e Kadrit, ky sekret i madh, që zgjon krenarinë e besimit, veshur me prekje melekësh, drejt Kadereve të pakthyeshme, drejt Lavdisë shekullore të premtuar ...



Autor: Imam - Muhamed B. SYTARI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...