Mosveprimi nuk nënkupton ndalim



Jo rrallë herë gjejmë nëpër faqe të ndryshme të internetit, besa edhe nëpër shkrime të ndryshme se një punë që nuk e ka vepruar Pekgamberi a.s. është bidat, dhe si i tillë me automatozëm merr dispozitën e ndalimit! Pra, i tërë potenciali shkencor i tyre është i mbështetur në argumentin se një veprim të tillë nuk e ka vepruar Pejgamberi a.s..

Ky parim nuk është kriter shkencor për përfitimin e dispozitave juridike islame thjesht vetëm, nga arsyeja e njriut të thjeshtë, sepse atëherë në bazë të kësaj konkluojmë se disa njerëz duke mos bërë analiza të hollësishme në motivin e tekstit, në motivin e veprimit apo mosveprimit, në specifikat tjera që janë kritere për përfitim të dispozitave, pastaj duke mos bërë analiza të hollësishme në jetën e Pejgamberit a.s., në sunnetin e tij dhe në historinë e islamit, shpejtojnë të gjykojnë se një çështje që nuk e ka vepruar Pejgamberi a.s. është bidat dhe si i tillë është e refuzuar-papranuar në islam, e ai që e vepron këtë është kështu e ashtu e shpeshëherë akuzohet edhe me qafir e xhehenemlij.

Ky përshpejtim po më jep një bindje sikur këta njerëz të kenë ndonjë autorizim të veçantë për përcaktimin e fateve të besimtarëve islam, se kush është musliman, kush mëkatar, kush xhenetlij e kush xhehenemlij etj., etj.. Këto shpejtime jo që nuk plotësojnë kriteret shklencore islame, por ulin edhe imazhin e islamit dhe të muslimanëve dhe bëjnë dobërimin e tyre. Kësaj radhe po sqarojmë një rregull islam, ndoshta na bëhen të qarta disa çështje.

Ekziston një rregull shkencor islam që shkencëtarët e Usuli Fikhut dhe juristët tjerë gjithnjë e kanë mbi tavolinën e tyre, ku thotë: "braktisja - lënia e sendit, nuk nënkupton ndalimin e sendit".

Nga ky rregull qartë na bëhet me dije, se ekzistojnë veprime që Pejgamberi a.s. nuk i ka vepruar, por kjo nuk nënkupton se ato veprime janë të ndaluara thjesht vetëm nga fakti se Pejgamberi a.s. nuk i veproi, ngase për ndalim patjetër të ketë tekst të qartë që e ndalon veprimin, ngase siç potencuam edhe më parë sendet në parim janë të lejuara, përveç atyre që janë të ndaluara me tekst.

Me nocionin lënie, braktisje "terk" nënkuptojmë: */mosveprimi i Pejgamberit a.s. një çështje, ose mosveprimi i selefit të ndershëm një çështje, për pa pasur tekst që e ndalon çështjen e braktisur i cili gjykon në urrejtje apo ndalim.

Këtë që e thamë e vërtetojmë me hadithin e transmetuar nga Ibni Abbasi r.a. i cili ka thënë: Unë dhe Halid b. Velidi bashkë me Pejgamberin Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme hymë në shtëpinë e Mejmunes, e ajo solli një hardhucë të pjekur në prush, e kur Pejgamberi a.s. zgjati dorën të marrë, i është thënë: "Ky është hardhucë o i Dërguari i Allahut", e ai i ngriti duart, e unë i thash: "A është i ndaluar ky o i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme": Tha "Jo, por ky nuk jeton në vendin tim, andaj trishtohem nga ai" Halidi tha: "e zvarrita nga veti dhe e ngrëna, e i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme shikonte". [1]

Nga ky hadith qartë vërehet se Pejgamberi a.s. nuk e hëngri hardhucën, pra e braktisi këtë veprim, por të njëjtën nuk e ndaloi për të tjerët, ngase Halidi e hëngri në prezencën e Pejgamberit a.s. pa i thënë gjë i Dërguari i Allahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme. Anadaj nëse shkojmë sipas logjikës se nuk e ka vepruar Pejgamberi a.s. dhe duhet të jetë bidat, atëherë Halidi qenka bidatxhinj!

Shejh Abdullah Es-Sidik El-Husnij El-Gamarij (1320-1380 h.), në librin e tij "Er-redu elmuhkemil metin ala kitabil kavlil mubin" thotë: Lënia e sendit, mosveprimi nuk shpien në ndalim, sepse lënia e sendit nëse nuk shoqërohet me tekst se sendi i lënë është i ndaluar nuk është argument për ndalimin e tij, por përkundrazi kjo nënkupton se sendi i lënë në esencë është i ligjësuar. Nëse sendin e lënë e shoqëron teksti për ndalimin e tij, në këtë rast argument për ndalim është teksti e jo lënia e sendit. [2]

Është interesantë edhe një analizë tjetër rreth kësaj çështje që e paraqet dijetari i jonë Islam Shejh Vehbi Sulejman Gavoxhi, i cili duke u mbështetur në shkoqitjet e shkencëtarëve të Usuli Fikhut konstaton se dispozita braktisje "terk" nuk ekziston në sheriatin islam. Gavoxhi thotë: Usulistët kur bënë përkufizimin e normës juridike (hukmu et-teklifi), nuk kishin përfituar normën braktisje "terk". Disa dijetarë të usuli fikhut normën juridike e ndan në shtatë lloje që janë: farz, vaxhib, mendub, haram, mekruhi tahrimen, mekruhi tenzihen dhe mubah, kurse disa e ndanë në pesë lloje që janë: farz-vaxhib që konsiderohet një dispozitë, pastaj mendub, mubah, mekruh dhe haram.

Pavarësisht se cilin mendim do ta përkrahim, te asnjëri nuk gjejmë dispozitën braktisje-terk. Atëherë[si është e mundur që disa njerëz të shpejtojnë me vlerësimet e tyre që sendit të braktisur, të lënë nga Pejgamberi a.s. ti japin menjëherë vlerën e bidatit, kur dihet e vërteta se ndonjëherë çështja e lënë në esencë është e lejuar, ndonjëherë e preferuar, ndonjëherë është sunnet. [3]



Autor: Jusuf ZIMERI



Referncat:

[1] - Mutefikun alejhi.
[2] - Vehbi Sulejman Gavoxhi El-Albani, Kelimetun ilmijetun hadijetun fil bid'ati ve ahkamiha, daru imam Muslim Liban.
[3] - Vehbi Sulejman Gavoxhi El-Albani, Kelimetun ilmijetun hadijetun fil bid'ati ve ahkamiha, daru imam Muslim Liban.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...