Arabia Saudite dhe islami i moderuar Vehabist
Monarkia e Arabisë Saudite rangohet si një ndër shtetet më të pasura në botë, mirëpo parashikimet e fundit për ekonominë e këij shteti nuk janë fare të mira, ngaqë sipas Fondit Monetar Ndërkombëtarë, parashihet një stagnim ekonomik gjatë vitit që vjen, meqë çmimi për energjinë ka rënë për 50 përqind në mbarë botën.
Arabia Saudite tashmë për një kohë të gjatë është mbështetur në çmimet e larta të naftës, e cila është burimi kryesor i të ardhurave materiale i këtij vendi. Andaj si rrjedhoj e kësaj, brenda një kohe fare të shkurtër, monarkia ka qenë e detyruar të paralajmëroj reforma drastike. Megjithëse shumë qarqe këto thirrje për reforma, i kanë cilësuar vetëm si marifete marketingu. Arabia Saudite, monarki kjo e cila gjendet në qendër të gadishullit arabik, ka arritur që përmes çasjes së saj pragmatiste, ta krijoj nje imazh aspak të mirë, si në sytë e të botës islame, një ashtu edhe në sytë botës demokratike, perendimore. Ajo gjithëmonë ka qenë e përfolur për shkak të ligjeve strikte shtetërore, që shpesh herë, shtetet dhe organizatat e ndryshme për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të njeriut, u janë referuar si të padrejta, e nganjëherë edhe çnjerëzore.
Tani së fundmi, nëpër gjithë mediat botërore u perhap lajmi i deklarates së princit saudit Muhamed bin Selman, i cili proklamoi se Arabia Saudite do të angazhohet për implementim të një islami të moderuar. Disa qarqe këtë lajm e mirëpriten, kurse shumë të tjerë mbesin skeptik për konkretizimin e këtij premtimi, ndërsa tek myslimanët u krijua kogja huti. Lajmi u mirëprit nga njerëz të ndryshëm të vullnetit të mirë, të cilët shpresojnë për një përmirësim të të drejtave dhe lirive të njeriut, ku veçanerisht shtypja ndaj gruas ka qenë mëse e pranishme në këtë vend. Kurse pjesa më e madhe e analistëve politik, njohës të politikave globale, si dhe kleri mysliman, praktikues i shkollave tradicionale islame, janë mjaft skeptik përkitazi kësaj çeshtjeje, dhe atë për disa arsye. Fillimisht duhet të theksojmë se vetë emri i shtetit "Arabia Saudite" tregon për një privatizim të plotë vendit nga një familje, ajo Al-Saud, prej nga edhe shteti quhet Saudit. Ndërsa rrol kyq në këtë privatizim ka luajtur feja, respektivisht ideologjia që i referohet fesë islame, e ajo është vehabizmi.
Kjo ngaqë vetë themeluesi i idelogjisë vehabiste, Muhamed ibn Abdulvehabi, nje mediokër sa i përket njohurive fetare dhe i qortuar në shkrime nga vetë prindi dhe vëllai i tij që ishin hoxhallar, ishte aleati kyq i Muhamed ibn Saud, të cilit i ndihmoi në marrje të pushtetit dhe instalimin e monarkisë, e cila është në kundërshtim me normat Islame. Nga dijetarët mysliman, unaninimisht, ideologjia vehabiste konsiderohet të jetë ideologji eksremiste. Dhe është pikërisht kjo ideologji përmes së cilës familja Saud ka ardhur në pushtet dhe e ka mbajtur atë, duke instrumentalizuar tërësisht fenë islame, për qellimet e veta pushtetare. Përmes interpretimit të ngurtë të Kur'anit dhe thënieve të profetit Muhamed a.s., kanë manipuluar me masën dhe kanë aplikuar ligj të egër dhe të padrejtë ndaj popullit, vetëm e vetëm për t'i mbajtur nën kontroll ata.
Andaj duke patur parasysh mishërimin e pushtetit të monarkisë saudite me ideologjinë vehabiste, skepticizmi për ndonjë reformë thelbësore është i bazuar në fakte dhe argumente, sepse kundërshtimi i vehabizmit nga monarkia, do të thoshte kundërshtim i vetës dhe rrezikim i pushtetit të tyre. Vlen të theksohet se në shkollat dhe universitetet e arabisë saudite, Muhammad ibn Abulvehabi lavdërohet dhe i referohen si reformator dhe rilindas, ngaqë ka qenë person kyq i venies së themeleve të shtetit saudit. Dhe së fundi duhet permendur hutinë e myslimanëve, që u shkaktua nga deklaratat e princit të kurores, Muhamed bin Selman. Premtimi për reformim të islamit, ndryshimin dhe korrigjimin e ligjeve të shtetit, nënkupton se diçka nuk ka qenë apo nuk është në rregull. Kohëve të fundit, 'monarkia saudite e mbështetur nga hoxhallarët e dëgjueshëm të oborrit mbretëror', bënë të ditur se është anuluar vendimi për ndalimin e gruas që të ngas makinën, si dhe paralajmërimi për lejimin e kinemave dhe aktiviteteve të tjera kulturore.
Nga ky korrigjim i vendimeve të mëhershme, mund të vijmë në dy konkludime të mundshme, ose vendimet e mëparshme kanë qenë në kundërshtim me normat islame, ose vendimet e reja janë kundërshtim me normat islame, e që është ajo e para. Dijetarët e mirëfillt islam kanë argumentuar që moti se me zbatimin dhe promovimin e vehabizmit, monarkia saudite po deformon normat islame, dhe duhet kuptuar se kjo çasje dhe ideologji ekstreme, krejtësisht e pa bazë në mësimet fetare islame, ka kaluar kaherë kufijtë shtetëror saudit dhe është propaganduar anë e mbanë globit. Studentët indoktrinuar, e diplomuar në universitetet vehabiste saudite, që janë nga të gjitha kombësitë e botës, pas kthimit në vendet e tyre, kanë predikuar vijën ekstreme të fesë dhe permes predikimeve të tyre që sfidojnë logjikën e shëndoshë, në vazhdimësi kanë radikalizuar pjestarët e shoqërive të ndryshme. Të sprovuar me radikalizmin vehabist jemi edhe ne në trojet shqiptare dhe në ballkan.
Pra ideologjia tashmë është përhapur dhe do të vazhdoj të perhapet, pavarësisht deklaratave të monarkisë saudite për moderim. Njerëzit tashmë janë indoktrinuar dhe do vazhdojnë të radikalizohen, shkaku i kësaj janë humubur me mijëra jetë njerëzish dhe miliona jetë të tjera janë shkatërruar dhe miliona njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre që tashmë nuk ekzistojnë fare. Kurse popujt anë e mbanë botës do të vazhdojnë të jetojnë nën rrezikun permanent të dhunës së radikalëve vehabist. Reformat në shtetin saudit janë mëse të nevojshme dhe do të ishin të mirëpritura, sikur këto reforma të ishin substanciale dhe të njëmendëta, por çasja dhe politik-bërja e deri tanishme e monarkisë, vërtetë lë shumë për të dëshiruar, andaj edhe shkalla e lartë e skepticizmit është e arsyetuar.
Përgatiti: foltash