Metafizika e Agjërimit të Ramazanit



Muaji i Ramazanit është muaji i nëntë i kalendarit hixhrijj dhe i fundit prej tre muajve me rëndësi të posaçme në traditën Islame. Ramazani është muaj i rahmetit, magfiretit, ngritjes shpirtërore, respektivisht me ardhjen e tij në brendinë e atyre që agjërojnë paraqitet një klimë shpirtërore e cila e ushqen dhe ndërton metafizikën e njeriut.

Agjërimi, namazi i teravisë, iftari, syfyri dhe mukabelet që vijnë së bashku me muajin e Ramazanit inicojnë ndryshim bazorë në shpirtin e besimtarit.

Si çdo ibadet tjetër ashtu edhe agjërimi ka rregullat e veta të parapara me fikhun (drejtësinë) islamik, mirëpo unë në këtë shkrim do të ndalem kryesisht rreth metafizikës dhe anës shpirtërore të agjërimit.

Ibadeti i agjërimit nuk është i posaçëm vetëm për periudhën pas ardhjes së Muhammedit a.s., por të gjitha shoqëritë dhe popujt duke filluar prej Ademit a.s. kanë qenë të obliguar me agjërimin. Madje edhe disa fe pa shpallje brenda formave të adhurimit të tyre rëndësi të veçantë i kanë kushtuar agjërimit. Kështu p.sh.: Sabiijtë kanë agjëruar 46 ditë në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit. 30 ditë kanë agjëruar duke filluar prej 8 Marsit, 9 ditë pas 21 Dhjetorit dhe 7 ditë pas 9 Shkurtit. (Shiqo: Biruniye Gore Dinler ve Islam Dini, Gunay Tumer, Ankara1991, f. 196).

Prezenca e agjërimit si ibadet në një numër të madh të feve dhe doktrinave tregon se njeriu dhe metafizika e tij janë kalitur me këtë ibadet. Përderisa trupi i njeriut ushqehet me produktet materiale, fizike, shpirti i tij ka nevojë për ushqim transcedental. Shpirti këtë ushqim të lartë në mënyrë më të përsosur ka mundësi ta pranojë kur trupi dhe fizika e tij është në pushim dhe larg prej kënaqësive simbolike, kurse në kërkim të kënaqësisë dhe pasioneve reale-absolute.

Kurani Famëlartë flet për agjërimin e popujve të mëparshëm ku thuhet: "O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm", (Bekare 183).

Edhepse mënyra e besimit dhe praktikës fetare në fetë e shpallura nuk është identike, të gjitha fetë prej ithtarëve të vet kanë kërkuar agjërimin si formë të adhurimit. Vazhdimësia historike e këtij ibadeti argumenton vlerën e tij në ndërtimin e tipit të njeriut besimtar.

Nuk ka dyshim se urdhërat dhe ndalesat e Allahut xh.sh janë për të mirën e njeriut. Çdonjëri i cili i pastër prej barierave të jashtme dhe paragjykimeve i afrohet fjalës hyjnore e sheh dhe e kupton këtë realitet. Asnjë arsye reale nuk mund të pranojë se në avanturën, alkoolin, mashtrimin, nuk ka dëm për njeriun dhe shoqërinë ku ai jeton. Gjithashtu edhe largimi prej tyre përmban dobi të panumërta për individin dhe shoqërinë.

Në Kuranin dhe Praninë Hyjnore nuk ka asnjë urdhër ose ndalesë e cila është në kundërshtim me arsyen e pastër dhe origjinale të njeriut. Arsye e cila bazët e saja i ka në zemër(fuad) dhe shpirt. Kurani përmban parime dhe mesazhe universale dhe mbikohore, prandaj edhe arsyeja e kufizuar me vend dhe epokë të caktuar dhe pa shpirt has në vështirësi evidente gjatë zbërthimit të disa momenteve që kanë të bëjnë me zemrën dhe shpirtin. Ky fakt u mundëson atyre që Kuranin dhe Islamin e konceptojë me shpirt të mendojnë dhe studjojnë ate dhe vokabularin e tij me një dinamizëm maratonik.

Një numër i madh i ibadeteve të prezentuara në fjalën Hyjnore krahas dobive praktike individuale ka funkcion të posaçëm në pastrimin dhe ngritjen e personalitetit (nefsit) të njeriut. Përderisa dobitë fizike, materiale të agjërimit janë vërejtë nga ana e dijetarëve, produktet metafizike të tij janë prezentuar dhe evidentuar në ekranin e zhvillimit historik të njeriut.

Feja Islame ka vendosur një sistem nëpërmjet të cilit individi bëhet besnik, tolerant, koherent në shoqërinë ku ai jeton, por njëkohësisht fjala hyjnore e ka sistematizuar edhe kontaktin, respektivisht relacionin e njeriut me Krijuesin, ka mundësuar që ky relacion të ndjehet dhe dendësohet edhe më. Pjesën bazë të këtij relacioni e përbëjnë ibadetet, ndërsa agjërimi është i pari në këtë rradhitje, për arsye se agjërimi është një ibadet përplot me ndjenja shpirtërore dhe moment ku dashuria dhe respekti mes njeriut dhe Krijuesit të tij arrinë kulminacionin. Njeriu gjatë agjërimit është bashkë vetëm me të Plotfuqishmin, pasi agjërimi nuk ka asnjë demonstrim formal si namazi dhe haxhxhi. Për pasojë, themi se agjërimi është një ibadet shpirtëror gjegjësisht ibadet i zemrës (fuad).

Allahu i Lartmadhërishëm në një hadith-i kudsijj thotë: "Çdo vepër që njeriu e bën e ka për vete. Përveç agjërimit. Ai bëhet për Mua dhe Unë do të jap shpërblimin për te", (Buhari Savm 29, Muslim Sijam 30). Pikështrirja e këtillë e agjërimit pengon në masë të madhe hipokrizinë e brendshme të personit.

Njeriu gjatë agjërimit me vullnet të lirë qëndron larg prej pasioneve të epshit dhe duron pa ngrënë dhe pa pi. Në këtë mënyrë ai edukon vullnetin e tij dhe përfiton një kulturë të durimit. Suksesi i individit në të gjitha lëmitë e jetës është ngushtë i lidhur me edukimin e vullnetit dhe këmbënguljen e cila kushtëzohet me durim. Individët me vullnet të dobët dhe pa këmbëngulje nuk bëhen të suksesshëm as në këtë e as në botën tjetër.Edhe vet kryerja e ibadeteve është e karakterizuar me vullnet të lartë dhe të fortë. Agjërimi duke marrë nën kontrol dëshirat e epshit (nefsit) mundëson çiltërsinë e shpirtit respektivisht bën pastrim psikologjik. Për pasojë, shohim që agjërimi në të gjitha fetë dhe kulturat është përdorur si metodë e ngritjes shpirtërore (muxhahede, rijazat).

Trazirat të cilat paraqiten në jetën shoqërore të njeriut në masë të madhe janë pasojë e zhytjes së tepërt në ngopjen e kënaqësive materiale. Ndërsa agjërimi është një ilaç i cili e largon njeriun prej kënaqësive dhe epsheve momentale dhe i mundëson që në mënyrë të shëndoshë të rrokë kënaqësinë e amshueshme. Pejgamberi në një hadith thotë: "Agjërimi është mburojë. Kur dikush prej jush të jetë duke agjëruar le të mos folë fjalë të liga e as të përleshet. Nëse dikush tjetër i bën një gjë të tillë le të thotë: Unë jam duke agjëruar", (Buhari Savm 29, Muslim Sijam 29-30, Tirmidhi Iman 8).

Sipas këtij hadithi agjërimi është një mburojë për ata që e ndjejnë ate si duhet. E mbron njeriun prej të ligave. Respektivisht agjëruesi ngarkohet me obligimin e vendosjes së paqës dhe unitetit në shoqërinë njerëzore. Ramazani përveç lukthit kërkon që edhe të gjithë organet tjera të agjërojnë dhe të jenë larg prej ligësive dhe gjynaheve. Kështuqë iftari i gjuhës të jetë fjala e bukur, iftari i zemrës ndjenja e mirë, iftari i dorës puna e hajrit, iftari i syrit shiqimi në bukuritë e qenësisë, iftari i arsyes të jetë kultivimi i mendimeve dhe projekteve për të mirën e njerëzimit dhe ngritjen shpirtërore. Ndërsa iftari i vërtetë i tyre do të jetë në shiqimin në Xhemalin (bukurinë) e Allahut xh.sh., në ditën e ahiretit.

Thënë shkurtë, muaji i Ramazanit është momenti kur e keqja dhe jonjerëzoreja duhet të zbresë në minimum. Hapja e dyerve të xhennetit dhe mbyllja e dyerve të xhehennemit në hadithin e Pejgamberit a.s. (Buhari Savm 5, Muslim Sijam 1) simbolizon kryerjen e veprave të cilat na afrojnë në xhennet si, namazi, zekati, solidariteti, vizitat dhe largimin prej veprave të cilat afrojnë në xhehennem.

Në një hadith tjetër Pejgamberi a.s. thotë: Për agjëruesin ka dy gëzime, njëri në momentin e iftarit kurse tjetri në takimin me Allahun xh.sh. (Buhari Savm 9, Muslim Sijam 30). Në këtë hadith Hazreti Pejgamberi bashkarisht përmend dy momentet më të larta për qenien njerëzore. I pari shpreh shpërblimin e vullnetit të edukuar kurse i dyti shpërblimin e shpirtit të ngritur.

Fjalët do ti përfundoj me disa vargje të Jahja Qemalit:

"Me zërin e furishëm të topit kaloi edhe një ditë në bregdet
Prej momentit kur u dëgjua zëri i topit, momentit të iftarit
Një hare me nur i kaploi shtëpitë e ulta
Ja Rabb sa e gëzuar bota, sa e pastër më duket
Mbeta pa agjërim dhe hare në sokakun e qetë".



Autor: Dr. Metin IZETI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...