Me rastin e ditëlindjes së Muhammedit a.s.



Asnjëherë sikurse sot nuk ndihet nevoja që të kuptohet dhe ndihet mesazhi i Muhammedit a.s. për njerëzimin.

Kjo nuk është e befasishme për ata që dinë dhe besojnë se Muhammedi a.s. është mëshirë dhe gëzim për botët, që ai është pejgamberi i fundit, dëshmitar, përgëzues, fanar, shembull, model, mik besnik, këshillues dhe bashkudhëtar fisnik, i cili na udhëzon në rrugë të drejtë deri te qëllimet e larta.

Nuk ka fjalë njerëzore e cila mund të shprehë tërë madhështinë e njeriut dhe pejgamberit tonë, Muhammedit a.s., por ekziston fjala e Allahut të Madhërishëm: "Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!", (El-Kalem, 4).

Pra, madhështia e Muhammedit a.s. nuk është në pasuri sepse, ka qenë i varfër, por madhështia e tij është në modestinë e tij ndaj të dobtëve, në trimërinë e tij ndaj të fuqishmëve, ai nuk ka qenë mister, por ndikimi i tij ka qenë misterioz ndaj atyre që e kanë mohuar.

Ai vet nuk ishte hyjni, por mesazhi i tij kishte fuqi hyjnore. Ai nuk u nda prej njerëzve, por mënyra e jetesës së tij ka qenë mbinjerëzore.

Vetëm ky u ka lejuar pasuesve të tij që armiku t'i mësoj të shkruaj dhe të lexoj. Vetëm ky ka mundur armiqtë më të ashpër t'i kthej në miq të sinqertë. Vetëm Muhammedi a.s. ka mbetur në përkujtim të përhershëm të njerëzve, të cilët nuk e kanë parë, por e kanë ndjerë shpirtin e tij dhe prekin derën e tij të shpëtimit në botën të cilën e ka kapluar errësira e amoralitetit.

Për këtë, kur sot e kremtojmë datëlindjen e tij, duhet të na forcoj feja në vlerat e larta morale, mu ashtu si ka besuar dhe vepruar Pejgamberi ynë i dashur a.s.

A ka diç më madhështore se njohuria që në Ditën e Gjykimit me qenë pranë Muhammedit a.s. sikur që ka thënë: "Më i afërt te unë ditën e Gjykimit do të jenë ata që më kanë besuar e nuk më kanë parë kurr". A ka diç më të vlefshme se njohuria që Muhammedi a.s. do të jetë mbrojtës në ditën e Premtuar, atë ditë kur nuk ndihmon as pasuria, as pushteti, as fama, as krenaria, përveç veprave të mira.

A ka diç më të bukur se mendimi që një ditë do të jemi nën mëshirën e Allahut xh.sh. me ndërmjetësimin e Pejgamberit a.s. A ka diç më të fuqishme në zemrat tona se besimi që e kemi trashëguar nga Pejgamberi ynë a.s., i cili i jep kuptim jetës dhe na udhëheqë nga qëllimi më i lartë.

Nuk ka asgjë më të vlefshme se feja jonë, që nuk jemi vetëm në këtë botë, e që në botën tjetër na pret miku ynë. Nuk ka asgjë më madhështore se njohuria që jemi së bashku në rrugën e Pejgamberit tonë, a.s. Nuk ka asgjë më të bukur se dashuria jonë ndaj Muhammedit a.s. të cilën e ndjejmë dhe e bartim në zemër, nuk ka asgjë më të bukur se dashuria jonë që të jetojmë në dashuri vëllazërore, të cilën na ka dhuruar Pejgamberi a.s..

Ja pse datëlindja e Muhammedit a.s. në shtëpitë dhe xhamitë tona ka kuptim që tek ne të zgjoj këto mendime fisnike dhe të gjitha ato vepra bujare të cilat zbukurojnë më të mirin e njerëzisë dhe më fisnikun në mesin e pejgamberëve.

Kujtimi për Muhammedin a.s. forcon besimin tonë, qëllimin tonë që të bëhemi si një trup e një shpirt në përpjekje për të drejtat dhe lirinë tonë.

Allah i Plotfuqishëm, na forco në qëllimin tonë që ta pasojmë sunnetin e Muhammedit a.s.!



Autor: Dr. Ali F. ILJAZI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...