Zekati i Fitrit



Zekati i fitrit është një lloj lëmoshe që jepet në fund të muajit të Ramazanit. Fjala zekat është e lidhur me fjalën fitr nga idaafa (rasa gjinore e gjuhës arabe), e si rezultat i ndërprerjes së agjërimit zekati bëhet i obligueshëm.


Për cilat arsye jepet zekati?

Ibn Abasi thoshte: "I dërguari i All-llahut s.a.v.s. e bëri zekatul fitrin të vaxhib si mjet për dëlirësimin e agjëruesit nga fjalët e kota e nga lapërdhia (sjellja e ulët dhe e pamoralshme) dhe për t'i ushqyer skamnorët. Gjithsecili që e jep atë (zekatin) para namazit (të bajramit) - ajo është e pranuar, përndryshe (nëse jepet pas namazit) konsiderohet vetëm si lëmoshë", [Transmeton Ebu Davudi (1371). Imam Neveviu thotë se Ibn Abasi e ka transmetuar këtë hadith me zinxhir hasen].

Është thënë se kjo që u tha më lartë është marrë prej ajetit kur'anor ku All-llahu i Lartësuar thotë: "Ka shpëtuar ai që është pastruar. Që e përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet", (Kur'an 87: 14-15).

Është transmetuar prej Umer ibn Abdul Azizit dhe Abu'l-'Aaliyah të kenë thënë: "Ai, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të, e jepte zekatin pastaj shkonte në namaz për t'u falur".

Zekati është plotësues i lëshimeve që mund të bëhen gjatë agjërimit sikurse rukutë dhe sexhdet që janë plotësuese për namazin.


Cila është dispozita për zekatin e fitrit?

Pikëpamja më korrekte është se ai është vaxhib, duke u bazuar në fjalët e Abdullah ibn Umerit, i cili thoshte: "I dërguari i All-llahut, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi të, e bëri atë (zekatin) të obligueshëm (vaxhib)", e gjithashtu edhe konsensusi i dijetarëve e pohon të njëjtën dispozitë.


Kur duhet të jepet zekati i fitrit?

Zekati i fitrit duhet të jepet kur të perëndojë dielli në ditën e fundit të Ramazanit. Nëse dikush martohet atë natë, duhet ta japë zekatul fitrin edhe për bashkëshorten e tij. Nëse dikujt i lind fëmijë atë natë, duhet ta japë zekatul fitrin për fëmijën e tij. Edhe nëse dikush bëhet musliman para perëndimit të diellit, duhet ta japë zekatul fitrin. Madje, duhet dhënë zekatul fitr edhe për atë njeri që vdes pas perëndimit të diellit.


Kush obligohet ta japë zekatin e fitrit?

Zekatul fitri është obligim për muslimanët. Ibn Umeri r.a. thoshte: "I dërguari i Allahut e bëri zekatul fitrin një saa' hurme ose një saa' elb për muslimanët qofshin ato skllevër apo të lirë, meshkuj apo femra, të rinj apo të moshuar", [Buhariu (1407)].

Imam Shafiu r.a. thoshte: "Hadithet që i transmeton Nafiu dëshmojnë se i dërguari i All-llahut zekatin e bëri farz vetëm për besimtarët për t'ia dhënë besimtarëve, e kjo gjë është në pajtim me Librin e All-llahut, qoftë i lartësuar Ai, sepse Ai zekatin e bëri për t'u pastruar, e ky pastrim duhet të jetë vetëm duke ua drejtuar atyre që kanë besim të drejtë". Ky kolos gjithashtu ka thënë: "Çdo kush që në fillim të muajit Sheval ka ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë për veten e tij dhe për ata, për të cilët përkujdeset, duhet të japë zekatul fitr për vete dhe për ata që përkujdeset. Nëse ka mundësi të japë vetëm për disa nga ata të cilët i ka nën përkujdesje, atëherë duhet të japë vetëm për ata. Por, në qoftë se nuk ka mundësi, atëherë nuk duhet të japë as për vete e as për të tjerët".

Imam Neveviu r.a. thoshte: "Ai i cili është në vështirësi financiare, nuk është i obliguar të paguajë zekatul fitr. Nuk ka kundërthënie mes dijetarëve, lidhur me këtë çështje. Pra, obligimi i dhënies së zekatit te fitrit është i kushtëzuar vetëm për ata që kanë mundësi. Gjithkush që ka një saa' më shumë se i nevojitet për vete dhe për ata që i ka nën mbikëqyrje, në natën dhe në ditën e Bajramit, i mjafton (do të thotë nuk është në vështirësi financiare). Gjithsecili që nuk ka aq sa i nevojitet, është në vështirësi, kështu që nuk është i obliguar të paguajë asgjë".

Muslimani duhet ta japë zekatin e fitrit për vete dhe për ata që i ka nën mbikëqyrje, si p.sh. gratë e tij apo të afërmit e tij, poqëse ata nuk kanë mundësi ta japin atë vetë. Në rast se janë në gjendje për ta dhënë atë, më mirë është ta japin vetë, sepse urdhri i është drejtuar secilit njeri.

Ibn Umeri r.a. thoshte: "I dërguari i All-llahut e bëri zekatul fitrin të obligueshëm një saa' hurme ose një saa' elb për muslimanët qofshin ato skllevër apo të lirë, meshkuj apo femra, të rinj apo të moshuar dhe urdhëroi që të jepet para se të falet namazi i Bajramit", [Buhariu (1407)].

Imam Shafiu r.a. thoshte: "Mbrojtësi i të çmendurit dhe i të miturit duhet të japë zekat për ta, sikurse i shëndoshi apo i rrituri që e jep për vete. Nëse dikush ka dikë në mbikëqyrje që është pabesimtar, nuk duhet të japë zekat për të, sepse ai (pabesimtari) nuk mund të pastrohet përmes zekatit".

Burri duhet të japë zekatin e fitrit për veten dhe për gruan e tij gjithashtu, madje edhe nëse gruaja e tij ka të holla të veta personale. Ai gjithashtu duhet të japë zekatin e fitrit për fëmijët e tij dhe për prindërit e tij nëse janë të varfër. Madje, zekatin e fitrit duhet dhënë edhe për bijën e tij e cila është e martuar, por nëse martesa e saj ende nuk është përsosur. Nëse biri i tij është i pasur, ai (prindi) nuk duhet dhënë zekatin e fitrit në emër të tij (do të thotë vet biri, në këtë rast, duhet të japë për vete). Burri duhet të japë zekatin e fitrit edhe për gruan e divorcuar (për ish - gruan), nëse divorci i tyre ende nuk është përfundimtar. Biri nuk e ka obligim të japë zekatin e fitrit në emër të gruas së varfër së babait të tij (do të thotë nuk duhet të japë zekatin e fitrit për gratë tjera të babait të tij, në rast se ato janë të varfra).

Në të dhënurit e zekatit te fitrit duhet filluar prej njerëzve më të afërt. Pra, së pari duhet dhëne për vete, pastaj për gruan, për fëmijët, pastaj pjesa tjetër e të afërmve ... .

Imam Shafiu r.a. thoshte: "Gjithsecilit që i lind një fëmijë apo merr ndonjë rob në pronësinë e tij para perëndimit të diellit në ditën e fundit të muajit të Ramazanit, duhet dhënë zekatin e fitrit për atë". Nuk është e obligueshme të jepet zekatin e fitrit për fetusin që ende është në mitrën e nënës, mirëpo nëse jepet zekati i fitrit për të, nuk asgjë të keqe.

Nëse dikush që është i obligueshëm të japë zekatin e fitrit vdes para se ta japë atë, zekati i fitrit për të duhet të jepet nga më i afërmi i tij, e nëse edhe ky vdes para se ta japë, dikush tjetër duhet ta japë në emër të tij ... Punëdhënësi nuk duhet të japë zekatin e fitrit për punëmarrësin, sepse ai (punëmarrësi) e merr rrogën e vet dhe ky tjetri nuk ka pse të japë zekatin e fitrit për të.

Për çështjen se a duhet dhënë zekatul fitr për jetimin apo jo, Imam Maliku r.a. thoshte: "Mbikëqyrësi i jetimit duhet të japë zekatul fitr prej pasurisë që e posedon ai jetim, madje edhe nëse është i mitur".


Sa është sasia e dhënies së zekatul fitrit?

Sasia për t'u dhënë si zekatul fitr është sa një saa' nga ushqimi, duke u bazuar në matjen e asaj (saa') që e ka bërë profeti, paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të! Said el - Hudri r.a. thoshte: "Në kohën e profetit a.s. ne e jepnim sa një saa' nga ushqimi ...", [Buhariu (1412)].

Pesha e një saa' ndryshon varësisht prej ushqimit që e kemi, kështuqë duhet ditur se sa është një saa' e atij lloji të ushqimit tjetër.


Çfarë gjëra mund të jepen si zekat?

Gjërat që duhet dhënë janë ato gjëra që janë për t'u ngrënë. Ibn Umeri r.a. thoshte: "I dërguari i All-llahut e bëri zekatul fitrin të obligueshëm sa një saa' hurmash ose një saa' elb për muslimanët qofshin ato skllevër apo të lirë ...". (Në atë kohë, elbi ishte ushqim që hahej nga ata), [Buhariu (1408)].

Ebu Said el-Hudri r.a. thoshte: "Në kohën e profetit a.s. zekatin e jepnim një saa' ushqim." [Buhariu (1408)].

Zekati duhet dhënë në atë formë që është e përdorur nga të gjithë, qoftë grurë, oriz, hurmë ... .

Imam Shafiu r.a. thoshte: "Nëse ushqimi bazë i njerëzve (të një vendi të caktuar) janë drithërat apo është orizi, atëherë këto mund të jepen si zekatul fitr".

Imam Neveviu r.a. thoshte: "Shokët tanë thonin: Është kusht të jepet diçka si zekatul fitr, e kjo të jetë prej gjërave ushqimore bazë dhe të jetë me vlerë 1 ndaj 10. Asgjë tjetër nuk pranohet përveç akitit (jogurt i tharë), djathit dhe qumështit".

Imam Mavardi r.a. thoshte: "Kjo, madje vlen edhe për ata që jetojnë në ishull e edhe për ata ushqimi bazë i të cilëve janë vezët dhe peshqit". Këta nuk janë të pranueshme si zekatul fitr dhe lidhur me këtë çështje dijetarët nuk kanë mospajtim. Sa i përket mishit, pikëpamja më korrekte është ajo e imam Shafiut, e që është konfirmuar edhe nga el-Musanifi se kjo gjë (ajo që u përmend më lartë) nuk është e pranueshme si zekatul fitr. Shokët tanë thonin: "Kjo normë vlen edhe për ata, ushqimi i të cilëve janë pemët, të cilët nuk janë të obliguar ta japin një të dhjetën, si p.sh. fiku. Këta gjëra (ushqimore) nuk pranohen si zekatul fitr aspak". Ibn Kajim el-Xhevzi r.a. thoshte: "Nëse do të ishte thënë jepni një saa' hurme (kudoqoftë që jetoni), qoftë nëse ushqimi bazë i atij vendi janë hurmat apo jo, atëherë do të ishte më lehtë, mirëpo pasi çështja është kështu dhe është diskutabile, i lihet ixhtihadit. Ka disa njerëz që thonë se duhet dhënë një saa' hurme, por ka edhe të atillë që thonë se duhet dhënë një saa' nga ushqimi bazë i atij vendi. Kjo është më korrekte dhe është më afër parimeve të Sheriatit. E logjikisht, si mund disa njerëz, ushqimi bazë i të cilëve janë peshqit të japin hurme? E All-llahu e di më së miri.

Është e lejuar për zekatul fitri të jepet pastë (makarona, shpageta), mirëpo për një gjë duhet qenë të sigurt se a janë ato makarona ... të bërë prej gruri dhe a është ajo masë e grurit ekuivalente me masën e një saa'!

Shokët e profetit s.a.v.s. e jepnin atë në formë ushqimi dhe ne duhet të shkojmë në rrugën e tyre, e jo ta ndryshojmë! Të dhënurit e zekatit në formë ushqimi ka dobi të dukshme. Një e tillë është për shembull kur biznesmenët kanë të mbledhur mall të caktuar në depot e tyre e në të njëjtin rast çmimet ngritën, apo rast tjetër është gjendja e luftës apo inflacioni. Në këtë vijë, nuk mund të jepet zekatul fitr për t'ia paguar borxhet ndokujt, për t'ia paguar dikujt qëndrimin në spital,bpër t'ia paguar shkollimin një studenti e kështu me radhë ... Ka burime tjera për llojin e këtyre ndihmave, siç u cek më lartë.


Kur duhet dhënë zekatin e fitrit? Zekati i fitrit duhet dhënë para se të falet namazi i Bajramit, ashtu sikurse është shënuar në hadithe që Profeti a.s. "urdhëroi që zekatul fitri të jepet para namazit të Bajramit", [Buhariu (1407)].

Është një kohë e cila është mustehab (e preferuar) për t'u dhënë zekati i fitrit dhe kohëra kur është e lejuar të jepet ai. Koha kur është mustehab të jepet ai është dita e Bajramit (mirëpo para namazit, të kuptohemi). Për këtë shkak është sunnet të shtyhet namazi i Bajramit për t'i dhënë kohë atyre që nuk e kanë dhënë ende atë. Në anën tjetër, poashtu është sunnet të nxitohet për namazin e bajramit.

Koha kur zekatul fitri lejohet të jepet është dy apo tri ditë para Bajramit. Në Sahihun e Buhariut transmetohet se Nafiu thoshte: "Ibn Umeri e jepte zekatul fitrin ne emër të të rinjve dhe në të të moshuarve një ditë para Bajramit".

Është punë e urryer (mekruh) të vonohet dhënia e zekatul fitrit, gjegjësisht të jepet pas namazit të Bajramit. Disa dijetarë thonë se kjo gjë është e ndaluar (haram) dhe e llogarisin kadaa' [1], e tërë kjo duke u bazuar në hadithin: "Gjithsecili që e jep zekatul fitrin para namazit pranohet si zekat, ndërsa ai që e jep pas namazit llogaritet vetëm si lëmoshë", [Ebu Davudi (1371)].

Ai që e jep zekatin e fitrit pas namazit të Bajramit është njëjtë sikur mos ta kishte dhënë hiç. Disa dijetarë mendojnë se të dhënurit e zekatul fitrit para namazit të Bajramit është vetëm mustehab dhe se mund të jepet gjatë tërë ditës së parë të Bajramit, por ky mendim hudhet poshtë nga hadithet. Rreth kësaj, Ibn Ruslani thoshte: "Kjo punë është haram nga konsensusi, sepse ai është zekat dhe ai që e vonon atë bën mëkat e kjo është e njëjtë sikurse vonimi i namazit". Pra, është haram të vonohet dhënia e tij pa pasur ndonjë arsye të fortë, e qëllimi apo urtësia e kësaj (dhënies në kohë) është që të varfrit, të paktën, në këtë ditë të mos dalin për të lypur.

Zekatul fitri duhet t'i dorëzohet atij që e ka marrë përsipër për ta kryer atë punë. Nëse dikush dëshiron t'ia japë zekatin dikujt, mirëpo nuk mund ta gjejë atë e as nuk mund të gjejë ndonjë person të besueshëm për t'ia dhënë atij dhe nëse (zekatdhënësi) e sheh se koha mund të kalojë, atëherë duhet të shpejtojë për ta dhënë zekatin tek turma - aty ku mblidhet tërë zekati.


Kujt mund t'i jepet?

Zekatul fitri mund t'u jepet 8 kategorive të njerëzve të cilëve mund t'u jepet zekatul mali. Ky është mendimi i shumicë së dijetarëve. Malikijtë, Ahmedi dhe ibn Tejmije janë të mendimit se zekatul fitri duhet dhënë ekskluzivisht të varfërve dhe nevojtarëve.

Imam Shafiu r.a. thoshte: "Zekatul fitri duhet të ndahet mes atyre të cilëve është ndarë zekatul mali dhe nuk duhet të shpenzohet askund tjetër... Duhet të ndahet mes të varfërve dhe nevojtarëve, skllevërve të cilët kanë bërë kontratë me zotërinjtë e tyre për ta blerë lirinë e tyre, borxhlinjve, luftëtarëve në rrugë të All-llahut dhe udhëtarëve".

Imam Neveviu r.a. e transmeton hadithin që e ka thënë ibn Abasi r.a. se profeti s.a.v.s. i ka thënë Muadhit r.a.: "Thuaju atyre se duhet dhënë prej pasurisë së tyre drejtuar të varfërve dhe nuk është e lejuar t'i jepet zekat pabesimtarit, qoftë ai zekatul fitr apo zekatul mal".

Zekati duhet t'u jepet të varfërve, atyre që kanë borxhe të mëdha dhe atyre, rrogat e të cilëve nuk janë të mjaftueshme për të dalë në fund të muajit, e kjo duhet bërë në pajtim me nivelin e nevojave të tyre. Nuk lejohet që ai zekat që i është dhënë dikujt, të kërkohet për t'iu kthyer mbrapa atij dhënësit!


Si të ndahet zekati i fitrit ?

Është e preferuar që vet dhënësi ta ndajë atë. Imam Shafiu r.a. thoshte: "Unë më shumë preferoj ta japë atë vet sesa t'ia japë ta ndajë ai që është duke e mbledhur". Imam Neveviu r.a. thoshte: "Zekatul fitri duhet të ndahet mes atyre, të cilëve u është ndarë nga zekatul mali. Unë preferoj që ai t'u jepet të afërmve. Nëse ia jep atij që është duke e shpërndarë, kjo është mirë, por nëse e shpërndan vet, kjo është edhe më mirë".

Është e lejuar që zekati t'i jepet ndonjë njeriu për t'ia dhënë dikujt të cilit ne dëshirojmë, mirëpo të cilin për momentin nuk e dimë se ku gjendet, mirëpo vetëm në atë rast nëse jemi të sigurt se ky (përcjellësi) është i besueshëm, në të kundërtën nuk është e lejuar. Abdullah ibn el-Muameli thoshte: "E dëgjova Ebu Mulejken duke biseduar me një njeri, i cili i tha: "Unë dua ta lë zekatul fitrin në xhami". E ai ia ktheu: "Shko jepe vet te vendi i caktuar sepse ibn Hishami (mbledhësi i zekatit në xhami), nuk e di se i kujt është ky zekat dhe do t'ia japë tjetër kujt!""

Imam Ahmedi r.a. potencoi se: "është e lejuar të jepet një saa' tek një grumbull njerëzish apo të jepet një saa' vetëm tek një njeri ...".

Imam Maliku r.a. thoshte: "Nuk ka asgjë të keqe nëse dikush zekatul fitrin për veten dhe për familjen e vet ia drejton vetëm një njeriu". Është e lejuar për një person i cili merr më tepër ushqim sesa i nevojitet që ta shpërndajë me të tjerët, kështuqë të arrihet barazi ... .


Ku duhet dhënë zekatul fitrin?

Ibn Kudame r.a. thoshte: "Zekatul fitri duhet dhënë aty ku është bërë obligim (do të thotë obligohesh ta japësh në atë vend ku të zë obligueshmëria)". Është pyetur një njeri se ku duhet ta japë zekatin një njeri që është nga Afrika, e obligueshmëria e ka zënë derisa ishte në Egjipt. Ai është përgjigjur se duhet ta japë në Egjipt, e nëse familja e tij e japin në emër të tij, kjo gjë nuk prish punë, mirëpo edhe ky për vete duhet ta japë aty ku është.

E lusim All-llahun e Madhëruar t'i pranojë adhurimet tona dhe të na bashkojë me të drejtët. All-llahu e bekoftë profetin tonë, paqja dhe mëshira e Tij qoftë mbi të, shokët e tij dhe gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!



Nga Anglishtja: Arsim JONUZI
Redaktoi: Hamdi NUHIJU

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...