Si t'i qasemi dhunës në emër të fesë?!



Sulmi fizik ndaj Xhabir Hamitit që ndodhi kohë më parë, nga persona të panjohur bëri që çështja e dhunës fetare të bëhet objekt diskutimi në faqet e shtypit ditor të Kosovës. Interesimi ishte i madh, sepse ishte sulmua një personalitet i lartë i Bashkësisë Islame. Dr. Xhabir Hamiti është sekretar në Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës dhe ligjërues i lëndës së tefsirit. Kurse në zgjedhjet e fundit të nivelit qendror që u mbajtën gjatë muajit tetor, në Bashkësinë Islame, ai u zgjodh kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo kishte bërë që sulmi ndaj tij të konsiderohej edhe sulm ndaj Bashkësisë Islame, ashtu siç ishte thënë në deklaratën për opinion të publikuar nga ana e Kryesisë së Bashkësisë Islame.

Në mungesë të kapjes së aktorëve të aktit kriminal nga ana e policisë, kishte mbet vend për spekulime se kush mund të qëndroj pas këtij veprimi. Në opinion i përgjithshëm ekzistonte mendimi se pas këtij akti mund të qëndrojnë elementë ekstrem islam. Kjo akuzë e pa mbështetur në fakte bëri që në forume të ndryshme islame, të ketë reagime prej më të ndryshmëve për shkak të një akuze të këtillë, siç e quanin ata paushall. Reagimet që vinin nga forume të ndryshme islame, të cilat në të shumtën e rasteve ishin drejtuar në adresë të Dr. Xhabirit, por edhe të Bashkësisë Islame si institucion, ishin tejet ofenduese, që nuk u bënin nder forumeve dhe individëve prej nga ato drejtoheshin. Çdo forum apo shoqatë që veten e atribuon me islam, duhet të jetë shumë i kujdesshëm në shprehjet dhe vokabularin që ai përdor, se për ndryshe me sjelljet dhe shprehjet e tij, ai mund ta dëmtoj shumë islamin dhe kauzën e tij.

Po në këtë fatkeqësi, nuk mbeten të heshtur edhe ata individ, të cilët për shqiptarët duan një islam sipas kutit të tyre, duke u dalë në ndihmë viktimës, që në këtë rast ishte Dr. Xhabiri, që në emër të sulmit ndaj fundamentalistëve islamik të sulmojnë çdo gjë ka të bëjnë me islamin dhe myslimanët. Disa prej tyre shkojnë aq larg sa që rastin e Dr. Xhabirit e krahasojnë me ngjarjet e shekullit të pare të Islamit. Andaj, analizat, vështrimet dhe opinionet e tyre nuk janë më pak të dëmshme dhe më qëllimkëqija se ata që përfaqësojnë krahun më ekstrem të islamit. Me këtë rast nuk do të ndalem në analizën e atyre shkrimeve, sepse kjo do të jetë objekt trajtimi i një teme të veçantë. Por, ajo që vlen të thuhet me këtë rast është se në asnjë mënyrë nuk duhet të shfrytëzohet fatkeqësia e askujt 6 dituria për tu sulmuar asnjë religjion, për shkak të gabimeve që bëjnë besimtarët e tij. Në mesin e besimtarëve të cilit do besim mund të ketë besimtarë të mirë dhe të këqij të denjë dhe të padenjë, mirëpo me këtë nuk duhet të fajësohet religjioni, cilido qoftë ai, por individi, i cili devijon principet dhe parimet e atij religjioni. Andaj, gjëra të këtilla mund të ndodhin edhe tek ne në Kosovë, por në asnjë mënyrë Islami, apo cili do besim tjetër nuk duhet të jetë fajtorë për të këqijat, të cilat i bëjnë pasuesit e tij.

Kosova me gjithë krajatat e shumta me të cilat u ballafaqua, gjatë dy dekadave të fundit të shekullit njëzet, por edhe këtij dhjetëvjetëshi të mileniumit të tretë, në aspektin fetar nuk pati probleme që vlen të theksohen. Me gjithë provokimet e shumta, populli i Kosovës u tregua i përmbajtur dhe nuk lejoi asnjë herë që të luhet me kartën e fesë. Sepse ajo është shumë e ndjeshme dhe me pasoja të paparashikueshme për cilën do shoqëri qoftë ajo. Në veçanti për shoqërinë tonë, për shkak të diversitetit fetar, etnik e gjuhësor dhe pozitës së Kosovës në një udhëkryq ku bashkohen Lindja me Perëndimin dhe Islami me Krishterimin. Pas përfundimit të luftës dhe kthimit të shqiptarëve nga exili i imponuar nga okupuesit serb. Në Kosovë invaduan me qindra shoqata humanitare si të Lindjes ashtu edhe të Perëndimit, me qëllim që ta ndihmojnë popullin e Kosovës nga pasojat e agresioni serb. Si çdo kund edhe këtu në prapaskenë zhvilloheshin edhe aktivitete të propagandës fetare, ku secili dëshironte të fitojë sa më shumë simpatizues në anën e tij. Në veçanti, në momentet e pas luftës, kur njerëzit kanë nevojë për shumë çka.

Në këtë aspekt, mediat tona, më tepër nën ndikimin e mediave botërore, se sa nga të dhënat burimore paralajmëronin rrezikun e mundshëm e depërtimit të islamit ekstrem, apo nga ajo që në media njihet si rryma vehabite, e cila mund të përhapej nga shoqatat islame që po vepronin atë botë në Kosovë. Zakonisht kjo mund të ndodh pas krajatave dhe luftërave, kur njerëzit kanë nevojë për një mbështetje shpirtërore, të cilën mund ta gjejnë në fetë dhe besimet e ndryshme. Këtë, e din shumë mirë personat përgjegjës që punojnë dhe veprojnë në kuadër të shoqatave të ndryshme humanitare, qofshin ato islame apo të krishtera, sepse ato kanë sektorët për propagandë fetare.

Në Kosovë, ku përqindja e popullatës së besimit islam (është mbi 90%) u ka dhënë legjitimitet të plotë veprimit të shoqatave humanitare islame, ashtu siç nuk ka munguar edhe aktiviteti i shoqatave humanitare të krishtera me qëllim të përfitimit të aderuesve dhe simpatizuesve të rinj në një terren të ri, por që për shkak të së kaluarës komuniste rinia mund të konvertohet në një besim të ri. Në eçanti kur asaj mund ti shtohen stimulset që ato mund të ofrojnë për rininë kosovare, si dhe orientimit properëndimor të establishmentit politik, pas ndihmës së pakursyer që Perëndimi në momentet më të vështira i dha popullit të Kosovës. Në këto rrethana, në Kosovë po zhvillohej një luftë jo e barabartë në mes vazhdimësisë së popullit të Kosovës në identitetin islam apo kthimit të tij në rrënjët tij të kahershme të krishtera. Kjo, propagandë në fillim të dekadës së fundit të shekullit njëzet nuk po vinte nga qarqet kishtare, por ajo po vinte nga mendjet më të ndritura të inteligjencës shqiptare. Një intelektual i yni, emigrimin e shkrimtarit tanë të madh, Ismail Kadare nga Tirana në Paris e kishte përshkrua emigrim të shqiptarëve nga Lindja në Perëndim dhe kishte profetizuar se pas këtij akti pritet konvertimi kolektiv i shqiptarëve nga feja Islame në fenë e Krishterë. Vet polemika e zhvilluar kohë më parë lidhur me identetin e shqiptarëve, në mes dy kolosëve të mendimit shqiptar Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes dëshmon më së miri për rëndësinë e tij.

Në këto rrethana, te çdo popull instinktivisht aktivizohet ndjenja e vetëmbrojtjes për ruajtjen e identitetit. Kjo ndjenjë u aktivizua edhe tek populli shqiptar jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Edhepse në kushte dhe rrethana jo barabarta ruajtja e identitetit islam jo vetëm se u ruajt, por ai edhe shënoi një përparim të dukshëm. Kjo vërehet në pjesën më vitale të shoqërisë kosovare, ajo është tek të rinjtë dhe të rejat. Kjo masë mbrojtëse tek ne kosovarët është manifestuar me një fanatizëm të rrallë gjatë sundimit afër një shekullor të okupimit serb. Andaj, qasja sterotipe, që i është bërë deri më tash kësaj dukurie, qoftë në media, apo në qarqe shkencore, nuk ka zbuluar diagnozën e duhur, sepse nuk ka pasur rezultate të duhura. Shfaqja e dukurive fetare në shoqëri, donë një studim shumë dimensional dhe multidisiplinar për të arritur rezultate të duhura, të cilat për fat të keq tek ne deri më sot nuk janë prezente. I tërë faji për dukuri të këtilla në të shumtën e rasteve i drejtohet Bashkësisë Islame, e cila asnjë herë nuk i ka ikur përgjegjësisë, por ajo nuk mund të jetë përgjegjëse e vetme për tërë atë që ndodh në shoqërinë tonë.



Autor: Mr. Qemajl Morina, prill 2009.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...