Themeluesi i Behaizmit



Themelues i këtij grupi quhej Mirza Husein Ali - i quajtur Beha Ullah - themelues i lëvizjes moderne reformiste të islamizmit, e përshkruar me ide humanitare e paqësore, vazhdim i Babizmit, ndërsa babai i tij quhej Abas Bezrek En-Nuri El-Mazen Derani.

Husein Ali En-Nuri El-Mazen Derani u lind në vitin 1233 hixhri / nëntor 1817 miladi, në një fshat nga fshatrat e Mazen Deranit në Iran, i cili quhej Nur. Babai i tij ka qenë nëpunës i financave dhe pas vete la shtatë fëmijë. Huseini u edukua me vëllezërit e vet në Teheran.

Shoqërohej me sufitë dhe ndiqte babistët. Meqë tentoi të bënte atentat ndaj Nasirudin Shahut më 1852, u burgos dhe iu shqiptua dënim me vdekje, por me intervenimin e qeverisë ruse u lirua dhe u internua në Irak. Pas daljes nga burgu, në kontakt me një grup çifutësh hartoi një program për rrënimin e shoqërisë myslimane. Filloi Behai dhe pasuesit e tij ta realizojnë këtë strategji. Myslimanët kishin dëgjuar për këtë fraksion, andaj Shahu, edhe pse qëndronte larg kufirit të tij, mendonte se ata paraqesin rrezik, kështu që kërkoi nga halifeja Uthman (turk-otoman) që t'i largojë nga Bagdadi.

Mirëpo, para se të largohej nga Bagdadi, Behaullahu më 1863, në një kopsht, shpalli se ishte pikërisht ai për të cilin Bab-i kishte paralajmëruar se do të vinte dhe të cilit ia bëri detyrim ta përmbaronte misionin e tij. Fillimisht misionin e filloi me anëtarët e familjes dhe me një numër të vogël pasuesish.

Duke parë rrezikun nga përçarja e Behaut me vëllanë e tij, Perandoria Osmane në vitin 1868 i ndau në dy grupe: "njërin e vendosi në Akra të Palestins, kurse tjetrin në Famagusta të Qipros". Behaiu u përpoq që t'i shpartallonte pasuesit e vëllait të vet duke përdorur metoda të ndryshme, madje filloi ta quante veten Edh Dhikr, duke thënë se ky është për qëllim në ajetin kuranor: "Ty ta zbritëm Kuranin që t'u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kuranin)".

Behau shkroi fletushka dhe libra të ndryshëm. Nga më të njohurat janë El-Ikan dhe Kitub'ul Akdes. Besohet se ato janë të bazuara në shpallje. Leximi për çdo ditë i një pjese nga ky libër (Kitub'ul Akdes ) është Vaxhib. Sipas behaizmit, Krijuesi i Universit, Zoti i Madh, është i fshehur, emri dhe cilësitë e tij njihen nëpërmjet të të dërguarve të tij. Zoti është manifestuar në Behaullahun, kurse cilësitë Hyjnore janë dukur në Behaullahun. Ai është edhe Zot edhe Pejgamber, i cili bart shpalljen deri te njerëzit. Ai gjithashtu është edhe Mehdi dhe Mesih, të cilin e presin të krishterët.

Behau ishte i dhënë pas asaj që kishte të bënte me Mehdiun, lajmeve rreth tij, leximit të librave mistik, filozofik dhe batinije. Mirëpo, kur u rrit filloi të merrej me legjenda ateiste, shpalli se është analfabet, nuk di asgje dhe se Allahu e ka inspiruar me shkencë e njohuri. Ka shkruar shumë dhe konsiderohet nga gënjeshtarët më të ndyrë.



Autor: Muzemmil OSMANI



Shkëputur nga Artikulli: "Behaizmi dhe doktrinat e tij".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...