Rikthehet kërcënimi nga Wahhabistët



Të shtënat në Sarajevë nga myslimani i ri i lindur në Serbi ngrenë pyetje të shumta lidhur me ekstremizmin islamist në Bosnjë dhe në rajonin e Sanxhakut në Serbi.

Në oborrin e një shtëpie në dalje të Novi Pazarit në Serbinë jugperëndimore, një i moshuar rri ulur, ndërsa duket se është thellë i prekur.

Shahin Jashareviq, njeri i respektuar në këtë komunitet me shumicë dërmuese myslimane, është shqetësuar nga bastisjet e policisë.

Më 29 tetor, policia e Novi Pazarit i shoshiti në detaje të dy shtëpitë e tij në Banjën e Novi Pazarit, duke kërkuar në çdo cep të tyre.

Ai nuk ua zë këtë për të madhe, por është tepër i prekur me arsyen e kërkimit - veprimet e fundit të nipit të tij 23-vjeçar, Mevlidit.

"Nuk mund t'iu besoja syve kur pashë në televizion se çfarë kishte bërë Mevlidi", kujtonte ai.

"Lajmet e sulmit të tij në ambasadën e SHBA-së në Sarajevë na kanë befasuar të gjithëve".

Mevlid Jashareviq tani është bërë i njohur për të keq në tërë Novi Pazarin.

Në orët e pasdites së të premtes së kaluar, ai mbajti qendrën e Sarajevës në shtetrrethim për pothuajse një orë, duke i shkrepur 105 plumba dhe duke e plagosur rëndë një polic.

Atë e ndaloi në këtë veprim një plumb në këmbë i shkrepur me saktësi nga një snajper.

Video-incizimet paraqitën Jashareviqin të veshur me pallto të gjatë me ngjyrë të errët, duke shtënë nga kallashnikovi i tij.

Shahini tregon se Mevlidi ka lindur në shtëpinë e tij, si fëmijë i vogël kishte shkuar me familjen në Austri, dhe kohët e fundit jetonte në Bosnjë.

"Herën e fundit e pashë në qershor, kur erdhi të na vizitojë", tha Jashareviqi plak.

Ai beson se Mevlidi kishte pasur kontaktet e para me grupet radikale islamike në Austri, sepse ai nga atje ishte kthyer me mjekër të gjatë dhe me predikime për islamin dhe kishte kërkuar nga familja e tij që t'i përmbahet fesë.

Një burim nga Ministria e Sigurisë e Bosnjës i tha të njëjtat fjalë për Gazetën Jeta në Kosovë. Ka pretendime se Jashareviqi ishte takuar me ekstremistë wahhabistë nga Austria dhe me gjasë ishin grupet radikale islamike nga Vjena që kishin financuar veprimtarinë e mëtejme të tij.

I njëjti burim ka thënë se zbulimi i hallkave të këtij zinxhiri mbase do të jetë pjesa më e vështirë e këtij hetimi dhe se niveli i bashkëpunimit mes autoriteteve të Bosnjës dhe Austrisë ishte i ulët.

Shahin Jashareviqi ritheksoi se ai ishte munduar që "nipin e tij ta kthejë në rrugë të duhur", në disa raste, porse nuk kishte arritur ta bënte këtë.

"Atë rrugë të wehhabizmit unë nuk e kam përkrahur", thotë ai. "Ne jemi përpjekur që ta sjellim atë këtu, por më pas ai iku për Bosnjë dhe për një kohë të gjatë nuk kemi pasur ide se ku gjendej dhe çfarë po bënte".


Raste të ngjashme "të izoluara"

Në rrugët e Novi Pazarit, qytetit më të madh në regjionin e Sanxhakut në Serbi, popullata lokale është e brengosur dhe këto ditë nuk ka shumë dëshirë të flasë me gazetarë.

Pjesëtarë të lëvizjes së wehhabistëve, me mjekrat tipike dhe pantallonat e shkurtra, janë paraqitur më pak që nga e premtja e kaluar.

Semiha Kacar, udhëheqëse e Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore në Sanxhak, thekson se shumica e njerëzve kanë ndier neveri kur kanë dëgjuar për të shtënat e së premtes së kaluar.

"Ky veprim është i dëmshëm për të gjithë boshnjakët [myslimanët], jo vetëm në Bosnjë e Hercegovinë por edhe në Sanxhak", thotë ajo.

Aida Corovic, drejtoreshë e organizatës joqeveritare Urban In, pajtohet me këtë.

"Radikalizimi nuk është gjë e mirë. Për shkak të asaj që ka ndodhur, njerëzit tani po na shohin me një sy të keq [Novi Pazarin]", tha ajo.

"Ky rajon është i varfër, ndërsa askush në dëshiron të investojë këtu, pikërisht për shkak të tregimeve si kjo. Të gjithë e kanë marrë vesh se ai [Jashareviqi] është nga Novi Pazari, respektivisht nga Sanxhaku", shtoi ajo.

Ajo nuk beson se numri i wahhabistëve në Novi Pazar është shtuar gjatë viteve të fundit, por pajtohet me Kacarin se shumica prej tyre janë të rinj.

Derisa pakica myslimane në Serbi vazhdon të përballet me zymtinë e pasojave të veprimeve të Jashareviqit për komunitetin e tyre, përtej kufirit në Bosnjë po vazhdon të zhvillohet një debat lidhur me atë nëse autoritetet kanë mundur të bëjnë më shumë për të parandaluar zhvillimin e islamizmit radikal në përgjithësi.

Burime brenda strukturave të sigurisë shtetërore të Bosnjës thonë se Mevlidi ka kaluar dy muajt e fundit në Maocën e Epërme, një fshat i vogël në juglindje të Bosnjës, në të cilin popullata lokale i përmbahet versioneve wahhabi apo salafi të islamit.

"Jam i bindur se ai [Mevlidi] ka vepruar individualisht, por kjo nuk do të thotë se ne këtë rast e shohim si të izoluar nga veprimet tjera terroriste të mëparshme në Bosnjë", i tha Gazetës Jeta në Kosovë, ministri për Siguri, Sadik Ahmetoviq.

Ahmetoviqi tha se ministria ka propozuar vazhdimisht ndryshime për Ligjin për Shpëlarjen e Parave dhe Financimin e Veprimtarive Terroriste.

Por ai fajësoi deputetët e opozitës nga entiteti më i vogël i Bosnjës - Republika Serbe, të cilët nuk e kanë përkrahur ligjin dhe nuk kanë lejuar kalimin e tij në Parlament.

Politikanët e Bosnjës, serbë dhe myslimanë, janë të njohur për faktin se për çdo hap të gabuar politik të vendit e fajësojnë njëri-tjetrin.

Pavarësisht nëse serbët e Bosnjës duhet të fajësohen për dështimin në përmirësimet legjislative në fushën e sigurisë apo jo, sulmet terroriste në Bosnjë e Hercegovinë po shënojnë ngritje.

Haris Causevic, i njohur me nofkën Ox, the ndihmësit e tij, aktualisht janë duke u gjykuar para një gjykate të vendit për një sulm me bombë kundër stacionit policor në qytetin qendror të Bugojnos, gjatë të cilit u vra një polic, Tarik Lubuskic, dhe u plagos kolegia e tij Edina Hindic.

Një tjetër gjykim është duke u zhvilluar kundër grupit të Rijad Rustempashiqit, i cili është i akuzuar për përgatitjen e një sulmi terrorist.

Nusret Imamoviqi, një lider joformal i vahhabistëve në Maocën e Epërme, e dënoi veprimin e Jashareviqit, menjëherë pas ngjarjes.

Por, leksionet e Imamoviqit, të cilat mund t'i gjeni në faqen e internetit putvjernika.com, përkrahin veprimet radikale wahhabiste në Bosnjë, përfshirë edhe sulmet vetëvrasëse.

Bashkësia Islame në Bosnjë e Hercegovinë gjithashtu është vënë në plan të parë.

Ky komunitet i ka dënuar veprimet e Jashareviqit në Sarajevë, por disa ekspertë e kanë kritikuar atë për shkak të dështimit të tyre për të vënë nën kontroll wahhabistët dhe ekstremistët tjerë.

Kjo ndodh pjesërisht për shkak se ky komunitet nuk dëshiron ta humbë përkrahjen zemërgjerë financiare nga Arabia Saudite, vend ky nga i cili buron lëvizja wehhabiste.

Kur u pyet lidhur me vlerat e donacioneve nga Arabia Saudite, Mustafa Ceric, kreu i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, u përgjigj: "Askush nuk do duhej ta presë degën në të cilën është ulur".

Që nga fundi i luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë, Arabia Saudite ka dhënë shuma të mëdha parash për ndërtimin e xhamive dhe qendrave islamike, disa prej të cilave e kanë shpërndarë ideologjinë wahhabiste.

Lëvizja wahhabiste ka filluar depërtimin në Bosnjë dhe Sanxhak në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, në kohën kur Jugosllavinë e kishte kapluar lufta.

Kur qeveria e Bosnjës e udhëhequr nga myslimanët, atëbotë apeloi tek bota arabe për ta ndihmuar atë kundër serbëve, të cilët ishin superiorë nga këndvështrimi ushtarak, të ashtuquajturit luftëtarë muxhahedinë nga Arabia Saudite, Jordani dhe Siria filluan të arrijnë në vend për t'iu bashkuar Ushtrisë së Bosnjë e Hercegovinës të udhëhequr nga myslimanët.

Nuk ishte ndonjë numër i madh. Vlerësohet se në Bosnjë kanë ardhur jo më shumë se 400 sish, dhe shumica prej tyre u larguan nga Bosnja menjëherë pas luftës. Por disa prej tyre mbetën në vend dhe vazhduan së shpërndari tek të tjerët versionin e tyre të islamit - një version tejet jotolerant.

Sipas Ministrisë së Sigurisë të Bosnjë e Hercegovinës, në vend aktualisht janë aktiv mes 3.000 dhe 4.000 anëtarë të lëvizjes vahabiste.

Ahmet Alibasic, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Islame dhe drejtor i Qendrës për Studime Progresive, thotë se Bashkësia Islame nuk reagoi si duhet në lidhje me kërcënimet që vinin nga ekstremistët islamistë.

Profesor Alibasic rikujtoi një dështim personal të tij, kur ai tentoi që ta organizojë një diskutim lidhur me wahhabizmin në nivel institucional me Bashkësinë Islame. "Kjo u shënua si e vetmja përpjekje për të hapur debat lidhur me këtë temë me Bashkësinë Islame të Bosnjës", tha ai.

Vlado Azinovic, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, dhe ekspert për terrorizëm, beson se "incidentet e izoluara" janë thjesht tepër të shpeshta, për t'u konsideruar si të izoluara.

"Problemi ynë është se imamët tonë nuk janë të gatshëm të debatojnë me këta radikalë. Në studimet tona ne jemi përgatitur se si të diskutojmë me ateistë por jo me militantë", tha ai.

"Ne vonë filluam ta kuptojmë rolin e muxhahedinëve në radhët e Armatës së Bosnjës dhe Hercegovinës gjatë luftës", shoti profesori.

Një ish-wehhabist dhe anëtar i skuadrës El Mujahidin në Armatën e Bosnjës, Adnan Mesanovic, thotë se veprimi terrorist i Jashareviqit sigurisht se do të tërheqë prapë vëmendjen tek "çunat me mjekra të gjata dhe pantallona të shkurta".

"Nuk janë të gjithë wahhabistët terroristë", ai tha, "por derisa të ketë wehhabistë do të ketë edhe sulme terroriste, sepse ideologjia e tyre është tejet jotolerante", thotë ai.

"Në këndvështrim afatgjatë, problemi i madh është se wahhabistët janë vënë në pozita të larta brenda Bashkësisë Islame, si dhe në institucione shtetërore".


I dyshuari nuk e njeh gjykatën

Gjatë marrjes në pyetje para Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës më 31 tetor, Jashareviqi ishte i vendosur. "Nuk njoh gjyq tjetër përveç gjyqit të Allahut, e tëra kjo për mua nuk ekziston fare", tha ai.

Kur u kërkua nga ai të jep emrin e tij, ai tha se nuk bën dallime mes emrit të tij 'zyrtar' dhe emrit 'Abdurahman', siç e quan veten tani.

Prokurori Dubravko Campara tha për Gazetën JnK se deklarata e Jashareviqit e dhënë në spital, ku ai ishte duke u rikuperuar nga plagosja në kofshë, ishte konfuze.

"Për momentin nuk mund të themi se ky incident ka prapavijë politike apo se është i ndërlidhur me ndonjë ngjarje konkrete", tha prokurori Campara.

Senad Dupovac, avokati mbrojtës që i është caktuar Jashareviqit nga gjykata, tha se klienti i tij nuk kishte për qëllim që ta lëndojë askënd - por vetëm të bëhej dëshmor.

Dupovac tha se klienti i tij nuk ka pasur ndonjë ndihmës të njohur në këtë vepër dhe se askush nuk e ka ditur për këtë plan të tij kur ai u nis me veturën e tij Opel Kadet nga fshati Maoca e Epërme me Dino Pecenkoviqin, dhe një person të quajtur Ahmetspahic, drejt Sarajevës, të premten e kaluar.

Të dy këta individë kanë përmendur se kanë udhëtuar me Jashareviqin për në Sarajevë për shkak të parave, por të dy kanë pohuar se nuk kanë ditur asgjë për qëllimet e tij.

Prokurori i shtetit, Campara, nuk pranoi të flasë për përfshirjen e ndihmësve të mundshëm në këtë vepër, apo për rrjetet e mundshme të cilave ka mundur tu përkasë Jashareviqi, duke thënë se këtë po e bën në 'interes të hetimeve'.


Masat ndaj wehhabistëve të Sanxhakut

Në pranverë të vitit 2007, në Novi Pazar policia shtiu dhe vrau Ismail Prenticin, i cili dyshohej se ishte lider i wahhabistëve në Sanxhak.

Një muaj para këtij sulmi, në malin Ninaja afër Novi Pazarit policia e zbuloi një të ashtuquajtur kamp wehhabist, ku gjendeshin armë, municion, eksplozivë, pajisje ushtarake, materiale mjekësore dhe ushqime.

Në shtator të vitit 2007, Prokurori Special i Serbisë për krim të organizuar, ka ngritur aktakuza për 15 wehhabistë të dyshuar për terrorizëm nga Novi Pazari.

Dënimet me burg që u janë shqiptuar ishin drastike. Departamenti i veçantë i Gjykatës së Qarkut në Beograd i ka dënuar 12 anëtarë të këtij grupi me gjithsej 64 vjet burgim për "planifikim të veprimeve terroriste dhe bartje të paautorizuar të armëve".

Lideri i grupit Senad Ramoviq u dënua me 13 vjet burgim, ndërsa 11 anëtarët e tjerë të grupit kishin marrë dënime mes gjashtë muaj dhe tetë vjet burgim. Tre anëtarë tjerë u liruan nga akuzat.


Kush është Mevlid Jashareviq?

Mevlid Jashareviq, biri i Izet Jashareviqit, është i lindur më 20 dhjetor 1988 në Novi Pazar, në pjesën jugperëndimore të Serbisë, ku ai sipas policisë e ka të regjistruar vendbanimin.

Në disa raste, gjatë dy viteve të kaluara, ai ka marrë pjesë në takime të Salafive në fshatin Maoca e Epërme. Drejtori i zyrës për informim të mediave në Qeverinë e Serbisë, Milivoje Mihajlovic, e ka përshkruar Jashareviqin si anëtar ekstrem të lëvizjes wahhabiste, të lidhur ngushtë me komunitetin në fshatin Maoca e Epërme në Bosnjë, ku ai posedon një shtëpi.

Para gjashtë vitesh, gjatë kohës kur jetonte në Vjenë, Jashareviqi ishte dënuar me tri vjet burgim për vjedhje të 100.000 eurove. Më pas, ai u dëbua nga Austria.

"Pas kësaj, Jashareviqi jetoi në Sarajevë dhe Tuzëll, ndërsa vitin e kaluar kaloi në Novi Pazar, ku policia e arrestoi atë më 29 nëntor për shkak se bartte një thikë në afërsi të një grupi diplomatësh, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i SHBA-ve në Serbi", tha Mihajlovic.

Gjatë vitit të kaluar, Jashareviqi ka kaluar pjesën më të madhe të kohës jashtë Serbisë, shtoi ai.



Autor: Eldin HADZOVIC dhe Zoran MAKSIMOVIC

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...