Forma dhe lëvizja e tokës sipas islamit



Pyetje:

Në çfare forme është toka dhe a lëviz ajo?

Po yjet dhe dielli a janë planete?

Desha të di a flitet në lidhje me këto realitete ndër dijetarët muslimanë?


Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!


Së pari: Realiteti i formës së tokës ndër dijetarët muslimanë

Fakti që toka është e rrumbullakët bazohet në realitetin e dëshmuar dhe për më tepër në fjalët e dijetarëve muslimanë të mbështetura në kontekstin kuranor ku ky realitet shprehet me fjalën arabe "JUKEU-UIRU / mbështjell (rrokullis)", që nënkupton mbështjellën apo rrokullisjen e ngjashme me atë të çallmës. Nga ana tjetër kjo rrumbullakosje nuk e mohon realitetin tjetër se toka është në formë vezake (e shtypur në pole). [1]

Janë disa dijetarët muslimanë që mbështetesin mendimin se për rrumbullakësinë e tokës ka konsensus ndër dijetarët muslimanë.

Argumenti bazë i përmendur në këtë kontekst është thënia kuranore: "Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën për të shpallur të Vërtetën. Ai e bën natën të kalojë (mbështillet / rrokulliset) në ditë dhe ditën në natë, Ai e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën. Të gjitha lëvizin për një kohë të caktuar. Vërtet, Ai është i Plotfuqishëm dhe Falës i Madh"! [2]


Së dyti: Realiteti i lëvizjes / rrotullimit të tokës ndër dijetarët muslimanë

Rrotullimi i tokës rreth vetes e sistemit diellor, i këtij të fundit reth galaktikës ..., përbëjnë një fakt shkencor. Po në këtë kuadër theksohet edhe parimi juridik islam se "shpallja hyjnore kategorike (që shpreh një kuptim të prerë e të padiskutueshëm islam), nuk ndodh të bie kurrsesi ndesh me arsyetimin kategorik", pra logjika (arsyetimi) që i përket nivelit të kategorizmave, e mbështet gjithmonë shpalljen hyjnore kategorike.

Në Kuranin fisnik nuk ka argumente mbi mohimin e rrotullimit të tokës rreth vetes së saj (prej të cilit rezulton dukuria e ditës dhe natës), rrotullimin e hënës rreth tokës (prej të cilit rezulton muaji hënor) dhe rrotullimin e tokës rreth diellit (prej të cilit rezultojnë katër stinët), por për më tepër nëse meditohet me kujdes në tekstet kuranore do të vërehet lehtësisht se ato e mbështesin sa në fjalë.

Pikërisht në lidhje me faktin e lartpërmendur në Kuranin fisnik qëndron:

"Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. Kështu e ka paracaktuar i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi". [3]

"Allahu është Ai, i Cili krijoi natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën; e të gjitha këto lundrojnë në gjithësi". [4]

"A nuk shihni se Allahu e kthen natën në ditë dhe ditën në natë, se e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën e secili lëviz për një kohë të caktuar dhe se Allahu e di mirë çfarë punoni ju"?! [5]

Të gjitha këto thënie kuranore vërtetojnë qartë lëvizjen e diellit, hënës dhe pjesës tjetër të trupave qiellorë në orbitat e tyre.

Ndërsa pretendimi se thënie të caktuara kuranore [6] bien ndesh me realitetin e rrotullimit të tokës, nuk qëndron, pasi këto thënie kuranore orinetojnë në fakt lidhur me realitetin se toka është e qëndrueshme në raport me ne krijesat që jetojmë mbi sipërfaqen e saj, siç edhe po e përjetojmë dhe kjo nuk bie aspak ndesh me realitetin tjetër se toka në vetvete rrotullohet dhe lundron në orbitën e saj qiellore.

Po kështu, fakti se toka rrotullohet nuk do të thotë se ajo është e lëkundshme, pasi palëkundshmëria dhe bërja e saj e qëndrueshme me male të patundura që toka të mos lëkundet bashkë me kë gjendet në sipërfaqen e saj ... janë fakte të vërtetuara kuranore. Sa në fjalë bazohet edhe në logjikën (aksiomën) kategorike se "nëse dielli lëviz (siç është vërtetuar nga Kurani) dhe toka është e palëvizshme (e fiksuar në vendin e saj) e nuk rrotullohet bashkë me diellin e qepur pas tij, atëherë do të kishim mbetur pa diellin, dhe e njëjta vlen edhe për hënën". Realiteti se universi lundron dhe lëviz, siç e ka vërtetuar shkenca ekzakte, është fakt dhe lidhur me të nuk vjen asnjë mohim autentik kuranor apo profetik. [7]


Së treti: Realiteti islam i emërtimit të trupave qiellorë me termin "yll"

Së fundi, lidhur me faktin nëse yjet dhe dielli janë apo jo planete, duhet ditur se në gjuhën arabe fjala yll përdoret për të gjithë trupat qiellorë: yjet, meteorët, planetet, etj., teksa përdorimi i veçantë i termit "yll" për trupat qiellorë të zjarrtë ndriçues në vetvete si: dielli dhe yjet, dhe termit "planet" për trupat qiellorë jo të zjarrtë që e kanë të huazuar ndriçimin që reflektojnë si: planetet e sistemit tonë diellor; është një terminologji astronomike e kohëve të fundit.

Ata që ngatërrohen në këtë çështje i ngjajnë kujt ngatërron fjalën arabe "sejara / karvan" të ardhur në Kuran [8] me fjalën arabe "sejara / makinë", mjetin e njohur mekanik të transportit, që përdoret nga njerëzet sot, dhe pastaj me naivitet i kundërvihet Kuranit duke thënë: "Si e ka përmendur Kurani makinën në kohën e Jusufit (Paqja qoftë mbi të!), kur dihet se ajo nuk ka ekzistuar në atë kohë"?! [9]

Allahu e di më mirë.



Pergatiti: islamqa.info - Numri i fetvasë 220.



_________________________

[1] - Shih: https://islamqa.info/ar/answers/118698/, realiteti se toka është e rrumbullakosur në formë vezake është shprehur qartë ndër të tjera në thënien kuranore: "Pastaj e shtriu rrafsh (e zgjeroi në formë vezake) Tokën", (En-Naziat:30), ku fjala arabe "DEHAAHA / e shtriu (zgjeroi në formë vezake)" që bart kuptimin e shtrirjes por edhe atë të rrumbullakosjes në formë vezake..
[2] - Ez-Zumer:5.
[3] - Ja-Sin:38.
[4] - El-Enbija:33.
[5] - Lukman:29.
[6] - Më konkretisht këtu synohen thëniet kuranore: "Allahu është Ai që jua ka bërë Tokën vendbanim (karar / të qëndrueshme) e qiellin kulm, ju ka dhënë formë e jua ka përsosur atë dhe ju ka furnizuar me ushqime të mira. Ja, ky është Allahu, Zoti juaj. Qoftë i lartësuar Allahu, Zoti i botëve!", (Gafir:64), "A ka më të mirë se Ai që e ka bërë Tokën të qëndrueshme (karar), ka bërë në të lumenj, ka ngritur në të male dhe ka bërë midis dy deteve pengesë të padukshme?! Vallë, a ka krahas Allahut, zot tjetër?! Jo, por shumica e tyre janë të paditur", (En-Neml 61), dhe "Ne vendosëm nëpër Tokë male të patundura, që ajo të mos lëkundet bashkë me njerëzit dhe bëmë lugina dhe rrugë për të udhëtuar në to", (El-Enbija:31)
[7] - Shih: http://www.islamweb.net/ar/fatwa/index.php?page=showfatwa&Option=FatwaId&lang=A&Id=12870 dhe http://www.islamweb.net/ar/fatwa/index.php?page=showfatwa&Option=FatwaId&lang=A&Id=22383.
[8] - "(Ndërkohë në pus) erdhi një karvan (arabisht 'sejara / gjësend lëvizës'). Ata dërguan ujëmbartësin e vet dhe ai lëshoi kovën e tij dhe thirri: 'O sa gëzim! Qenka një djalë'! Ata e fshehën atë si plaçkë tregtie, por Allahu e dinte mirë çfarë bënin ata", (Jusuf:19).
[9] - Shih: https://islamqa.info/ar/answers/243871/.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...