'Martesa e përkohshme' e rrënon dinjitetin femëror ...!



'Martesa e përkohshme', që e zbatojnë sekti i shiitëve me qendër në Iran, e kthen femrën në periudhën e primitivizmit, kur ajo trajtohej mall.

Para 14 shekujve, feja Islame si asnjë tjetër e sublimoi dinjitetin e gruas në të gjitha aspektet, ndërkohë që shumë vende të Evropës, Perëndimit e botës në përgjithësi, deri vonë (Shek. XX) akoma diskutonin nëse femra është njeri apo jo!?

Po i përmendim vetëm tre elemente kruciale që kanë të bëjnë me dinjitetin:

1). Martesa përmban dy komponenta, dashurinë dhe mëshirën, e që Allahu i ka saktësuar (Kur'ani, 30/21).

E, martesa e përkohshme është krejtësisht në kundërshtim me këtë parim. Ajo, nuk ka fare dashuri e as mëshirë, por interes epshor e material.

Në funksion të këtij parimi, është ajo që Pejgamberi a.s. ka thënë: 'Hallalli më i urrejtur te Zoti është shkurorizimi'. Domethënë, shkurorizimi mund të ndodhë kurdoherë, por veç si një përjashtim i dashurisë së thyer, e assesi si pasojë e skadimit të datës.

2). Përse feja islame kërkoi që mos të bëhet kurorizim pa prindin e vajzës (Kur'ani, 4/25) dhe dy dëshmitarë të tjerë, a mos ndoshta është e rastësishme!?

Jo, por në funksion të dinjitetit të femrës, sepse gjersa është prindi, evitohen të gjitha dyshimet qëllimkeqe të akëcilës martesë apo shantazhimet mashkullore mbi femrën.

3). Pastaj, përse feja Islame kërkoi që femrës t'i jepet 'mehri' (dhurata e martesës)?

Dikush mendon për t'iu gjetur për mbijetesë në rast të shkurorizimit. Jo, përtej kësaj, 'mehri' ka të bëjë me urtësinë e dinjitetit femëror.

Për shembull, në kohën e xhahilijetit (para Kur'anit), ka qenë e pa imagjinueshme që burri të obligohej me diçka në raport me gruan, ngaqë kjo e fundit trajtohej si mall.

E këtë ambivalencë të tepruar burrërore, feja islame e shembi, duke e ngarkuar me detyrimin e 'mehrit', ashtu që burrit ia uli kokën, kurse femrës ia ngriti pozitën, si qenie njerëzore.

Përndryshe, për një femër që ka pasuri, çfarë urtësie do të kishte, ta zëmë një unazë ari që po i jepka asaj mehër!?

Këtu buron edhe arsyeja përse mehri rekomandohet që mos të jetë shumë i lartë, sepse nuk është për qëllim pasurimi i femrës, por obligueshmëria e burrit me detyrime ndaj bashkëshortës ...!



Autor: Dr. Orhan BISLIMAJ

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...