Nyja e ndërmjetësimit (shefa'atit) në Islam



Hyrje

Doktrina e ndërmjetësimit (shefa'atit) është ndër çështjet me rëndësi në besimin islam. Këtë rëndësi ndërmjetësimi e ka në Kur'an dhe në Hadith, por edhe në veprat dhe diskutimet e dijetarëve të mëdhenj klasikë e bashkëkohorë muslimanë.

Nëse do t'i analizojmë kuptimet e fjalës "esh-shefa'atu" (الشَّفَاعَة) do të shohim se kjo shprehje rrjedh nga gjuha arabe, që do të thotë: "ndërmjetësim apo ndërhyrje për dikë, zotim për dikë", pastaj ka edhe kuptimin: "mjet, mënyrë, metodë dhe kërkim". Në kuptimin terminologjik shprehja esh-shefa'atu ka një shtrirje të gjerë dhe do të thotë: "Ndërhyrje e dikujt për dikë për t'i kryer punë atij, lutje për falje në emër të dikujt", respektivisht "ndërmjetësim e ndërhyrje pranë Allahut, me lejen e Tij, e profetëve, dijetarëve dhe dëshmorëve në favor të besimtarëve mëkatarë që t'u falen mëkatet dhe në favor të besimtarëve jomëkatarë për t'ua lartësuar nivelin shpirtëror".

Sipas dijetarëve muslimanë fjala shefa'at (dhe derivatet e saj gramatikore) do të thotë edhe "të bëhet që njëra anë të bëhet qift me tjetrën, respektivisht të ngjitet njëra anë me një të ngjashme me atë". Po ashtu, shefa'at do të thotë: "bashkim i një njeriu me tjetrin i cili e ndihmon, sidomos kur njeriu me autoritet bashkohet me njeriun nga rangu më i ulët".

Shprehja shefa'at ka edhe kuptime të tjera, sikur në procedurat civile e gjyqësore, por me këtë rast nuk do ta trajtojmë.

Kur'ani i jep rëndësi të merituar shefa'atit dhe e lidhë me çështjen e njësisë së Zotit. Po ashtu, sipas Kur'anit, shefa'ati është funksion që i përket jetës së ardhme (ahiretit), veprim ndihme që do ta bëjë Zoti për njerëzit ose njerëzit e lejuar prej Tij për njerëzit, me synim për t'i shpëtuar dënimit në botën tjetër, për njerëzit e kategorisë mëkatbërës: "Ndërmjetësimi im është për umetin tim i cili ka bërë mëkate të mëdha",(Hadith sipas Ibn Hanbelit). Mirëpo, masa të caktuara muslimane, të kapur gabimisht pas disa ajeteve dhe haditheve për ndërmjetësimin, besojnë se "dispozitat e ndëshkimit janë abroguar, se zjarri i xhehenemit është duke u ftohur dhe se do të jetë paqë për besimtarët mëkatarë". Shumë nga këta injorantë e kanë përgjithësuar institucionin e ndërmjetësimit, e kanë absolutizuar rolin e tij, duke e vënë në pikëpyetje të vërtetën e shpërblimit dhe ndëshkimit. Në ahiret, në xhehenenem do të ketë edhe grupe muslimanësh, të cilët me mëshirën e Allahut do të rivendosen në xhenet.


Allahu i madhërishëm si ndërmjetësuesi i mirëfilltë

Shefa'ati është kompetencë ekskluzive e Allahut xh.sh.. Këtë nuk e konteston askush nga shkollat serioze besimore apo nga dijetarët e mirëfilltë muslimanë, pos ndonjë grupi të devijuar. Në Kur'an thuhet se Allahu i madhërishëm është ndërmjetësuesi (shafi'u) i parë:

{... لَيْسَ لَهُم مِّن دُونِهِ وَلِيٌّ وَلَا شَفِيعٌ ...}, "... sepse pos Tij nuk do të ketë as mbrojtës as ndërmjetësues", (El-En'am, 51).
{... لَيْسَ لَهَا مِن دُونِ اللَّهِ وَلِيٌّ وَلَا شَفِيعٌ ...}, "... e që s'ka mbrojtës as ndërmjetësues për te pos All-llahut. ...", (El-En'am, 70).
{قُل لِّلَّهِ الشَّفَاعَةُ جَمِيعًا ۖ لَّهُ مُلْكُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ۖ ثُمَّ إِلَيْهِ تُرْجَعُونَ .}, "Thuaj: I tërë shefa'ati (ndërmjetësimi) i takon vetëm All-llahut, i Tij është pushteti i qiejve dhe i tokës, e më vonë vetëm te Ai ktheheni", (Ez-Zumer, 44).

Nganjëherë flitet për ndërmjetësimin në lidhje me kontrollin e Zotit mbi gjerat sikur në ajetin:

{اللَّهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ وَمَا بَيْنَهُمَا فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَىٰ عَلَى الْعَرْشِ ۖ مَا لَكُم مِّن دُونِهِ مِن وَلِيٍّ وَلَا شَفِيعٍ ۚ أَفَلَا تَتَذَكَّرُونَ.}, "All-llahu është Ai që krijoi qiejt dhe tokën dhe gjithë ç'ka ndërmjet tyre, brenda gjashtë dite, pastaj mbizotëroi Arshin. Përveç Tij nuk keni ndonjë ndihmëtar tjetër e as ndërmjetësues, pra a nuk jeni kah mendoni!", (Es-Sexhde, 4).

Kështu, sipas Kur'anit ndërmjetësimi është në duart e Zotit, sikur që është pushteti mbi gjerat e tjera në duart e Tij dhe qëndrimi shpesh i përsëritur është se askush nuk mund të ndërmjetësojë te Zoti pos me lejen e Tij, (Junus, 3 dhe El-Bekareh, 155).

Ndërmjetësimi është i përjashtuar dhe nuk do të zbatohet për ata të cilët janë kryeneç dhe në këtë botë sillen si zota:

{وَلَمْ يَكُن لَّهُم مِّن شُرَكَائِهِمْ شُفَعَاءُ وَكَانُوا بِشُرَكَائِهِمْ كَافِرِينَ.}, "Ata nuk do të kenë ndërmjetësues (ndihmëtarë) prej shokëve (zotave) të tyre, e me shokët (zotat) e tyre ishin jobesimtarë", (Er-Rrum, 13).
{قُل لَّوْ شَاءَ اللَّهُ مَا تَلَوْتُهُ عَلَيْكُمْ وَلَا أَدْرَاكُم بِهِ ۖ فَقَدْ لَبِثْتُ فِيكُمْ عُمُرًا مِّن قَبْلِهِ ۚ أَفَلَا تَعْقِلُونَ.}, "Thuaj: Sikur të kishte dashur All-llahu, unë nuk do t'ua kisha lexuar juve atë, as nuk u kisha njoftuar me të. Unë para tij kam jetuar në mesin tuaj (as nuk ditur as nuk kam lexuar), a nuk mendoni?", (Junus, 16).


Kush mund të ndërmjetësojë?

Ndërmjetësuesit janë disa dhe ata përmenden edhe në Kur'an por sqarohen edhe në hadithe të shumta. Kryesisht, shprehja shefa'at përdoret në aspektin eskatologjik, por edhe në disa raste e shohim edhe në aspektin botëror. Në pamundësi që t'i theksojmë të gjitha rastet, në vazhdim po i theksojmë vetëm disa kategori pa hyrë në hollësi.

Ndër ata të cilët mund të ndërmjetësojnë te Zoti i madhërishëm, me lejen e Tij, përmenden melekët:

{وَكَم مِّن مَّلَكٍ فِي السَّمَاوَاتِ لَا تُغْنِي شَفَاعَتُهُمْ شَيْئًا إِلَّا مِن بَعْدِ أَن يَأْذَنَ اللَّهُ لِمَن يَشَاءُ وَيَرْضَىٰ.}, "E sa engjëj ka në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk bën dobi vetëm pasi që All-llahu të japë leje për atë që dëshiron dhe me të cilën është i kënaqur", (En-Nexhm, 26).

Pejgamberët e Zotit gjithashtu përmenden si ndërmjetësues:

{وَمَا أَرْسَلْنَا مِن قَبْلِكَ مِن رَّسُولٍ إِلَّا نُوحِي إِلَيْهِ أَنَّهُ لَا إِلَٰهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدُونِ . وَقَالُوا اتَّخَذَ الرَّحْمَٰنُ وَلَدًا ۗ سُبْحَانَهُ ۚ بَلْ عِبَادٌ مُّكْرَمُونَ.}, "Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni! E ata thanë: "I Gjithëmëshirshmi ka fëmijë!" Larg asaj qoftë madhëria e Tij! Ja ata janë rob të ndershëm!", (El-Enbija, 25-26).

Pas melekëve dhe pejgambereve si ndërmjetësues përmenden edhe besimtarët:

{وَلَا يَمْلِكُ الَّذِينَ يَدْعُونَ مِن دُونِهِ الشَّفَاعَةَ إِلَّا مَن شَهِدَ بِالْحَقِّ وَهُمْ يَعْلَمُونَ.}, "Ata që i adhuruan pos Tij, nuk mund të ndërmjetësojnë (të bëjnë shefaat), përveç kush dëshmoi të vërtetën, e ata e dinë", (Ez-Zuhruf, 86).

Meqë çdo besimtar është dëshmues i të vërtetës, ky ajet mund të merret lirisht si ajet që ka të bëjë me ndërmjetësimin.

Një ajet tjetër i cili qartë flet për ndërmjetësimin e besimtarëve të mirëfilltë është:

{لَّا يَمْلِكُونَ الشَّفَاعَةَ إِلَّا مَنِ اتَّخَذَ عِندَ الرَّحْمَٰنِ عَهْدًا.}, "Nuk ka të drejtë në ndërmjetësim askush, përveç atij që e ka lejuar i Gjithëfuqishmi", (Merjem, 87), meqë për çdo besimtar të mirëfilltë mund të thuhet se për Zotin është i mirë.

Hadithi gjithashtu flet për ndërmjetësimin e Zotit, me anë të melekëve, pejgamberëve dhe besimtarëve. Hadithi që theksohet te Buhariu, që ka të bëjë me shefa'atin (ndërmjetësimin) pikërisht flet dhe e konfirmon këtë konstatim.

Madje, Allahu xh.sh., në kuadër të mëshirës dhe mirësisë së pakufishme të Allahut të madhërishëm, ju lejon muslimanëve që nëpërmjet lutjeve dhe ibadeteve, në mënyrën rigorozisht islame dhe ekskluzivisht në emër të Tij, të kërkojë falje për veten, prindërit e tij dhe për muslimanët e tjerë:

{رَبَّنَا اغْفِرْ لِي وَلِوَالِدَيَّ وَلِلْمُؤْمِنِينَ يَوْمَ يَقُومُ الْحِسَابُ .}, "O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!", (Ibrahim, 41).


Ndërmjetësimi i Zotit

Siç kemi treguar, duke u thirrur në leksikun arab, domethënia e fjalës shefa'at është ofrimi i ndihmës nga ana e dikujt që gjendet në pozitë më të lartë në dobi të tjetrit që është në pozitë më të ulët dhe i cili ka nevojë për ndihmë.

Në Kur'an fjala është përdorë pikërisht për këtë qëllim. Ideja e ndërmjetësimit e cila nga një anë e përshkruan qenien e zemëruar të vendosur ta kryejë ndëshkimin, kurse në anën tjetër ndonjë lutës që lutë për falje për mëkatarin - kjo fotografi nuk e manifeston konceptin kur'anor për ndërmjetësimin, respektivisht konceptin islam për shefa'atin. Sepse këtu ndërmjetësuesi i vërtetë vetë Zoti, nuk është Zoti i zemëruar i cili është i detyruar ta dënojë mëkatarin për atë që ai e ka bërë, respektivisht për atë që nuk e ka bërë (sikur për shembull në krishterizëm për të ashtuquajturin mëkati i lindjes), por është i Mëshirshmi ndër më të mëshirshmit, i cili në mëshirën e Tij ndaj njerëzisë shkon aq larg sa do ta lirojë nga zjarri edhe atë që kurrë nuk ka bërë asnjë të mirë.

Ndërmjetësimi i Zotit së këndejmi është ndihma e mëshirshme e Zotit e cila iu mundëson mëkatarëve t'i shmangen pasojave të këqija që asaj çfarë kanë bërë, kur të gjitha mjetet e tjera do të mungojnë.


Ndërmjetësimi i melekëve

Për ndërmjetësimin e melekëve flitet në Kur'an:

{الَّذِينَ يَحْمِلُونَ الْعَرْشَ وَمَنْ حَوْلَهُ يُسَبِّحُونَ بِحَمْدِ رَبِّهِمْ وَيُؤْمِنُونَ بِهِ وَيَسْتَغْفِرُونَ لِلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّنَا وَسِعْتَ كُلَّ شَيْءٍ رَّحْمَةً وَعِلْمًا فَاغْفِرْ لِلَّذِينَ تَابُوا وَاتَّبَعُوا سَبِيلَكَ وَقِهِمْ عَذَابَ الْجَحِيمِ . َبَّنَا وَأَدْخِلْهُمْ جَنَّاتِ عَدْنٍ الَّتِي وَعَدتَّهُمْ وَمَن صَلَحَ مِنْ آبَائِهِمْ وَأَزْوَاجِهِمْ وَذُرِّيَّاتِهِمْ ۚ إِنَّكَ أَنتَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ . وَقِهِمُ السَّيِّئَاتِ ۚ وَمَن تَقِ السَّيِّئَاتِ يَوْمَئِذٍ فَقَدْ رَحِمْتَهُ ۚ وَذَٰلِكَ هُوَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ.}, "Ndërsa ata (engjëjt) që e bartin Arshin dhe ata që janë përreth tij, lartësojnë me falënderim Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe i luten Atij t'i falë ata që besuan (duke thënë): "Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo send, andaj falu atyre që u penduan dhe ndoqën rrugën tënde, e edhe ruaj ata nga dënimi i Xhehennemit! Zoti ynë, shtiji në Xhennete të Adnit, të cilët ua ke premtuar, ata edhe kush ishte i mirë, prej etërve të tyre, grave të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je ngadhënjyesi, i urti! dhe i mbron ata prej të këqijave, pse atë që Ti e mbron atë ditë prej të këqijave, Ti e ke mëshiruar atë, e ai është shpëtimi i madh", (El-Gafir, 7-9).

Dhe:

{تَكَادُ السَّمَاوَاتُ يَتَفَطَّرْنَ مِن فَوْقِهِنَّ ۚ وَالْمَلَائِكَةُ يُسَبِّحُونَ بِحَمْدِ رَبِّهِمْ وَيَسْتَغْفِرُونَ لِمَن فِي الْأَرْضِ ۗ أَلَا إِنَّ اللَّهَ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ.}, "Qiejt e lartë mbi ta (ose qiejt njëri mbi tjetrin) gati pëlcasin (nga madhëria e Zotit ose nga thëniet e çoroditura të idhujtarëve). Ndërkaq, engjëjt vazhdimisht madhërojnë (bëjnë tesbih) duke falënderuar Zotin e tyre dhe kërkojnë falje të mëkateve për ata (besimtarët) që janë në tokë. Ta dini se All-llahu është Ai mëkatfalësi, Mëshiruesi!", (Esh-Shura, 5).

Lexuesi do të vërejë se në fragmentin e parë flitet për melekët sikur për ata që kërkojnë mëshirën e Zotit të veçantë për besimtarët, ndonëse baballarët, pasardhësit dhe gratë e tyre më vonë janë udhëzuar, kurse në fragmentin e dytë flitet se melekët lusin për mëshirë për besimtarët sikur edhe për mosbesimtarët.

Ndërmjetësimi i melekëve së këndejmi është i përbashkët si për besimtarët ashtu edhe për mosbesimtarët. Raporti shpirtëror ndërmjet melekëve dhe njeriut, siç ka mundur të shihet nga kapitulli për melekët, është i tillë që ata e nxisin njeriun drejt veprave fisnike dhe të mira, dhe së këndejmi ndërmjetësimi i melekëve në lidhje me ata të cilët kanë bërë ndonjë vepër të mirë, pa marrë parasysh se a janë ata besimtarë të ndonjë pejgamberi apo nuk janë. Edhe ky lloj ndërmjetësimi ka formën e lutjes që Zoti i madhërishëm të dhurojë mëshirë dhe falje për krijesat e Tij.


Ndërmjetësimi i pejgamberëve dhe besimtarëve

Mëshira e Zotit po ashtu manifestohet nëpërmjet shefa'atit të pejgamberit. Fillet e shefa'atit të Muhammedit a.s. lidhen me shefa'atin e pejgamberit të parë Ademit a.s.. Njerëzit e tij, të dërrmuar e lodhur nga gjendja e tyre e vështirë, iu drejtuan atij për ndërmjetësim te Krijuesi. Mirëpo ai refuzoi dhe i drejtoi që ata t'i drejtohen Nuhit a.s., pejgamberit të parë të mirëfilltë dhe njërit prej pejgambereve kyç, mirëpo, edhe ky refuzoi. Kështu me radhë të gjithë pejgamberët refuzuan ndërmjetësimin deri sa kjo kërkesë të arrijë te Muhammedi a.s. dhe ai të angazhohet në këtë pikëpamje.

Muhammedi a.s. thotë për veten:

[أنًّ أوَّلُ شَافِع وَ أوَّلُ مُشَفًّع .], "Unë jam ndërmjetësuesi i parë dhe i ndërmjetësuari i parë".

Po ashtu, është e gabueshme të supozohet se shefa'ati pejgamberik do të bëhet vetëm në Ditën e Gjykimit, apo se ai është i kufizuar më lutjen për falje të vdekurve.

Përmendet se Muhammedi a.s., sipas transmetimit të Aishes r. anha, doli nga shtëpia dhe shkoi në varrezat e Baki el-Garkad që nga Allahu të lutet për falje edhe për të vdekurit. Po ashtu përmendet edhe istigfari i Muhammedit a.s. në salat'ul-xhenaize.

Dijetarët mendojnë se ndërmjetësimi (shefa'ati) i Muhammedit a.s. bazohet edhe në ixhma', duke u bazuar në ajetin 5 të sures Ed-Duha apo në ajetin 79 të sures El-Isra'.

Shefa'ati pejgamberik manifestohet edhe në ndryshimin të cilin ata e sjellin në jetën e një populli, duke e çliruar nga prangat e të keqes dhe duke e udhëzuar në rrugë të drejtë. Kështu është thënë se pejgamberi i Zotit, Muhammedi a.s. është dërguar që t'i pastrojë njerëzit, (2,151.).

Fjala arabe për pastrim është juzekki, kurse ajo është nxjerr nga fjala zekka, kuptimi burimor i së cilës është përparimi i arritur me bekimin e Zotit. Kurse pastrimi i habitshëm i botës islame, përparimi i tyre material, mendor, moral dhe shpirtëror, është dëshmia më e qartë i shefa'atit të Pejgamberit të Zotit Muhammedit a.s.. Ai vazhdimisht është lutur për mirëqenien e pasuesve të tij, kurse për duanë e tij është thënë se ka qenë "mbështetje" për ata për të cilët është lutur (Et-Tewbeh, 103). Atij gjithashtu i është urdhëruar të bëjë "istigfar" për ta (3,158. 4,64. 24,62. 47,19. 60,12.), kurse këtu kishte të bëjë, sikur edhe në rastin e melekëve, për zotimin, shefa'atin në dobinë e tyre.

Shefa'ati i besimtarëve është i natyrës së njëjtë. Besimtarët të cilët gjenden në shkallë më të lartë shpirtëror u ndihmojnë atyre në nivel më të ulët, me shembullin e tyre dhe me lutjet e tyre. Shefa'ati është theksuar shprehimisht në Kur'an:

{مَّن يَشْفَعْ شَفَاعَةً حَسَنَةً يَكُن لَّهُ نَصِيبٌ مِّنْهَا ۖ وَمَن يَشْفَعْ شَفَاعَةً سَيِّئَةً يَكُن لَّهُ كِفْلٌ مِّنْهَا ۗ وَكَانَ اللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ مُّقِيتًا.}, "Kush ofron ndihmë të mirë, do të ketë pjesë nga ajo, dhe kush ofron ndihmë të keqe do të ngarkohet me të. All-llahu është i plotfuqishëm ndaj çdo sendi", (En-Nisa', 85).

Fjala origjinale që këtu u përdorë është shefe'a, kurse kuptimi është në atë se njeriu që jep shembull të mire dhe të tjerët këtë e përcjellin dhe nxjerrin mësim nga kjo do të shpërblehet për këtë.


Ndërmjetësimi në Ditën e Gjykimit

Nga e ekspozuara është e qartë se mësimi mbi shefa'atin në islam ka për synim të ofrojë paraqitjen për mëshirën e pakufishme të Zotit. Shefa'ati kryhet në rend të parë në jetën e kësaj bote.

Ekzistojnë melekët e Zotit të cilët nxisin njerëzit të bëjnë mirë dhe t'i luten Zotit të madhërishëm, që të shpëtohen nga mëkatimi, dhe që mëshira dhe bekimi i Zotit t'i përfshijë.

Ekzistojnë Pejgamberët e Zotit të cilët janë të udhëzuar me synim të qartë t'i lirojnë njerëzit nga prangat e mëkateve dhe për udhëzimin e tyre në rrugë të drejtë kurse të cilët me shembullin e tyre dhe me lutjet e tyre i kanë nxjerr njerëzit nga terri i të keqes në dritën e mëshirës dhe bekimit të Zotit. Ekzistojnë besimtarë të cilët kanë arritur shkallë të caktuar të përsosurisë dhe të cilët, duke ndjekur hapat e pejgamberëve të mëdhenj, ndërmjetësojnë për ata të cilët në këtë rrugë kanë mbetur.

Shefa'atit të Pejgamberit të Zotit Muhammedit a.s. në këtë ditë i është dhënë rëndësia më e madhe, ashtu që asnjë pejgamber tjetër nuk do të mundet në këtë aspekt të bëjë asgjë deri sa Muhammedi a.s. nuk bie në sexhde para Zotit xh.sh., duke e falënderuar me fjalët më të madhërishme dhe duke e lutur me lutjet më të përzemërta. Atëherë Allahu xh.sh. do t'i thotë:

"O Muhammed, ngrite kokën tënde dhe fol, dëshirat tua do të plotësohen, dhe ndërmjetëso dhe ndërmjetësimi yt do të pranohet", (Bu. 81, 51).

Nuk është e çuditshme që ndërmjetësimi i Pejgamberit të Zotit Muhammedit a.s. do të pranohet aq ngrohtë në Ditën e Gjykimit, sepse edhe në këtë jetë shefa'ati i tij është aq superior.

Lulëzimi material, moral dhe shpirtëror, i cili është bërë nën ndikimin e Pejgamberit të Zotit Muhammedit a.s., ishte i madh "më i suksesshmi ndër të gjithë pejgamberët dhe personalitetet fetare", (Enciklopedia Britanike, zëri: Kur'ani).

Zoti xh.sh. e ka shprehur mëshirën e tij për njerëzinë nëpërmjet melekëve, nëpërmjet pejgamberëve dhe nëpërmjet pasuesve të mirëfilltë dhe ndihma të cilën ata e ofruan për gjininë njerëzore është vetvetiu dëshmi se ata në botën e ardhme do të ofrojnë ndihmë të ngjashme.

Por, meqë mëshira e Zotit nuk ka kufij, madje edhe ata të cilët kanë gabuar kundrejt thirrjes së melekëve në këtë jetë, kundrejt thirrjes së pejgambereve të Zotit, e edhe kundrejt thirrjes së pasuesve të tyre të mirë, madje edhe ata, si thotë një hadith, të cilët nuk kanë bërë asnjë të mirë do të ngrohen me mëshirën e Më Të Mëshirshmit nga të gjithë të mëshirshmit, dhe se, pasi janë liruar nga pasojat e këqija të asaj çka kanë vepruar, do të vendosen në shtegun e ngritjes së pakufizuar të cilat do të krijohen para njerëzisë në Ditën e Ringjalljes.


Mendimi i disa shkollave e sekteve besimore për shefa'atin

Shkollat besimore të ehli-sunnetit gjithashtu e trajtojnë çështjen e shefa'atit, ndërmjetësimit apo të ndërhyrjes për dikë të nevojashëm. Shkolla hanefite e miraton institucionin e ndërmjetësimit, kurse Imam Ebu Hanifeh si në veprën Fikh'ul-ekber ashtu edhe në veprën Kitab'ul-vasijjeh pohon se: "ndërmjetësimi (shefa'ati) i pejgambereve të Zotit dhe ndërmjetësimi i Pejgamberit tonë alejhiselam për pasuesit e tij mëkatarë, sidomos për ata, të cilët kanë bërë mëkate të rënda (dhe që i kanë merituar dënimet), është e vërtetë (e konfirmuar)".

Edhe Imam Nesefiu pohon se: "ndërmjetësimi (esh-shefa'atu) i të dërguarve të Zotit të madhëruar dhe besimtarëve të mirë për mëkatarët e mëdhenj është konfirmuar në bazë të transmetimeve të sakta" për të vazhduar se: "besimtarët-mëkatarë të mëdhenj nuk do të mbesin amshueshmërisht në xhehenem".

Edhe Fahruddin Rraziu, me bindje esh'arite në besim, e pranon ndërmjetësimin dhe atë me metodë të dyfishtë, tradicionale fetare dhe racionale, përkundër bindjeve mu'tezilite.

Grupimi mu'tezilit e hedhë poshtë shefa'atin, sepse sipas tyre, ky institucion kundërshtohet me drejtësinë hyjnore (el-adl), dhe se do ta anulonte kuptimin e shpërblimit dhe dënimit, të dhënies së llogarisë dhe drejtësisë së gjykimit të Zotit. Sipas tyre, pranimi i shefa'atit do të çonte drejt dyshimit në korrektësinë e vlerësimit të Zotit për besimin dhe afarizmin e njerëzve gjatë kësaj jete dhe se: "askush nuk mund të shpëtojë nga zjarri njëherë i hedhur në të".

Hasan Kafija Prushçak, dijetar boshnjak i shek. XVII, në bazë të argumenteve fetare kur'anore dhe hadithore, thotë se kemi disa lloje shefa'atesh:

1. Shefa'ati vetëm për Muhammedin a.s., e jo edhe për pejgamberët e tjerë.
2. Shefa'ati i Muhammedit a.s. për ata që tashmë janë të barazuar me vepra të mira dhe të këqija.
3. Shefa'ati i Muhammedit a.s. për ata që tashmë janë drejtuar për në zjarr, e me ndërmjetësimin e Muhammedit a.s. nuk hyjnë në të.
4. Shefa'ati për ata që u ngrihet grada e xhenetit edhe pse ata nuk e kanë merituar atë me shpërblimin e tyre. Në këtë pajtohen edhe mu'tezilitët.
5. Shefa'ati i Muhammedit a.s. për ata njerëz që hyjnë në xhenet pa llogari.
6. Shefa'ati i Muhammedit a.s. për t'ua lehtësuar dënimin atyre që e kanë merituar, siç është rasti me ndërmjetësimin për axhën Ebu Talibin.
7. Shefa'ati i Muhammedit a.s. për hyrjen e të gjithë besimtarëve në xhenet.
8. Shefa'ati për bërësit e mëkateve të mëdha, të cilët tashmë kanë hyrë në xhehenem, e nga i cili do të dalin. Në këtë shefa'at do të marrin pjesë krahas Muhammedit a.s. edhe engjëjt, pejgamberët e tjerë dhe besimtarët. Këtë shefa'at Muhammedi a.s. do ta përsërisë katër herë.


Në vend të përmbylljes

Allahu xh.sh. e ka krijuar njeriun qenie të lirisë, por edhe të harresës, pasionit, dobësisë, mangësisë dhe të dobët/ të luhatshëm kundrejt joshjes shejtanike, prandaj e ka të vështirë që t'i përgjigjet saktë dhe të vendoset drejt kundrejt vetes, Allahut dhe ahiretit. Si rezultat i kësaj pamjaftueshmërie, kurse si rezultat i mëkateve të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, njeriu duhet të pendohet (tevbe) dhe të kërkojë falje (istigfar):

{إِلاَّ الَّذِينَ تَابُواْ وَأَصْلَحُواْ وَاعْتَصَمُواْ بِاللّهِ وَأَخْلَصُواْدِينَهُمْ لِلّهِ فَأُوْلَـئِكَ مَعَ الْمُؤْمِنِينَ وَسَوْفَ يُؤْتِ اللّهُ الْمُؤْمِنِينَ أَجْرًا عَظِيمًا.}, "Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t'ju japë shpërblim të madh besimtarëve", (En-Nisa', 146).

Në institucion tjetër i faljes së Allahut ndaj njeriut është edhe shefa'ati (ndërmjetësimi), një e vërtetë e pakundërshtueshme besimore dhe një e drejtë e pejgamberëve, e engjëjve, e dijetarëve, e shehidëve, por edhe e të afërmve për të dashurit e tyre, e sidomos e drejtë e Muhammedit a.s., që me lejen e Allahut, të mund të ndërmjetësojnë, të mund të zotohen për falje, duke iu lutur Zotit të madhërishëm.

Detyra e muslimanëve është të besojnë dhe veprojnë në detyrat fetare islame, por njëkohësisht të besojmë edhe në shpresën se ndërhyrja për falje është realitet absolut, pa ndikuar që besimi në ndërmjetësim të bëhet motiv për përtaci dhe neglizhencë fetare për besimtarët në këtë botë.



Autor: Nexhat IBRAHIMI,
(Revista ETIKA, nr. 26 dhe 27 - 2010.)



Literatura:

1. Ebu Hafs Umer En-Nesefij, Besimi islam sipas Imam En-Nesefiut, Prizren, 2003.
2. Grup autorësh, Bazat e besimit islam, Prishtinë, 2002.
3. Imam Ebu Hanifeh, Fikh'ul-ekber - Thelbi i besimit islam, Prizren, 2005.
4. Islamska Misao - revistë fetare e shkencore, nr. 159, Mars 1992, Sarajevë.
5. Muhammed Ali, The Religion of Islam, botim i UAR, National Publication, Cairo, pa vit botimi.
6. Muhammed Gazali, Besimi i muslimanit, Shkup, 1421/2001.
7. Nerkez Smailagic, Leksikon islama, Sarajevë, 1990.
8. Nexhat Ibrahimi, Zhvillimi i sekteve në historinë e mendimit islam, Tetovë, 2007.
9. Orhan Bislimaj, Akaidi hanefij, Prizren, 2008.
10. Sulejman Omer El-Eshkar, Dita e fundit, Shkup, 1421/2001.
11. Teufik Muftic, Arapsko-srpsko-hrvatski rjecnik, pjesa I, Sarajevë, 1973.
12. Xhuma Emin, Dvadeset principa razumijevanja islama - komentar Dvadeset principa od Hasana el-Bene, Sarajevë, 2006.
13. Zekerija Bajrami, Çështjet kelamistike të Fahruddin Raziut në veprën 'El-Mealim', Shkup, 2007.
14. Zuhdija Adilovic, Hasan Kafija Prushçak i njegovo djelo 'Svjetlost istinske spoznaje o temeljima vjere', Zenica, 2004.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...