Larg jeni ju nga rruga e Pejgamberit s.a.v.s.
Është raportuar se dijetari i shquar Esh-Sha'ravi, një herë kishte treguar:
Me një rast debatova me një musliman ekstremist, dhe e pyeta: "A është e lejuar (hallall) vendosja e eksplozivit dhe hedhja në erë e një klubi nate në një vend musliman, apo është e ndaluar (haram)"?
Ai më tha: "Sigurisht se është e lejuar (hallall), ashtu siç është e lejuar të vritën të gjithë ata që janë në atë klub".
Unë i thashë atij: "Nëse i vrasësh derisa janë duke bërë mëkat ndaj Allahut, ku do të përfundojnë ata"?
Ai u përgjigj: "Dihet se ku do të përfundojnë, në zjarrin e xhehennemit".
Unë e pyeta: "Po shejtani, ku dëshiron që ata të përfundojnë"?
Ai u përgjigj: "Shejtani dëshiron që ata të përfundojnë në xhehennem".
Atëherë unë i thashë atij: "Do të thotë, ti dhe shejtani e keni të njëjtin qëllim, që njerëzit të shkojnë në zjarr".
Pastaj ia theksova hadithin, në të cilin thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. e kishte vizituar një djalë hebre, i cili ishte sëmurë, dhe i cili nganjëherë i kishte shërbyer Pejgamberit s.a.v.s..
Kur kishte hyrë në shtëpinë e tij, kishte qëndruar pranë shtratit të djalit dhe i kishte thënë: "Thuaj: La ilahe il-lAllah"!
Djaloshi e kishte shikuar babain e tij, ndërsa Pejgamberi s.a.v.s. ia kishte përsëritur ato fjalë. Në fund, babai i tij i kishte thënë: "O bir, dëgjoje Ebul-Kasimin (Pejgamberin s.a.v.s.)".
Dhe kur djali e kishte shqiptuar shehadetin, Pejgamberi s.a.v.s., shumë i lumtur, kishte deklaruar: "Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili e shpëtoi nga zjarri", (Buhariu).
Shiko se çfarë dallimi është në mes teje dhe atyre që janë si ti dhe Pejgamberit s.a.v.s., i cili ka bërë përpjekje maksimale për t'i shpëtuar njerëzit nga zjarri i xhehennemit.
Biri im, larg jeni ju nga rruga e Pejgamberit s.a.v.s.!
Përshtati: Miftar AJDINI