Dezinformimi i Qemajl Morinës imazh i keq për Kosovën!



Mbyllja e xhamisë apo dezinformimi (nostalgjia) i Qemajl Morinës imazh i keq për Kosovën!

Reagim ndaj shkrimit të Qemajl Morinës (Mbyllja e Xhamisë së Marinës imazh i keq për Kosovën!)

Jam dakord me ju se shiriti i policisë jo vetëm në xhaminë e Morinës, por edhe në çdo objekt tjetër jep një sinjal se gjërat nuk janë ashtu si duhet të jenë.

Por, zotëria juaj duke pas parasysh se keni qenë përgjegjës për informim pranë BIK-ut me vite të tëra dhe jeni njëri ndër personat më përgjegjës që në cilësinë e zyrtarëve të BIK në vitin 2001 pas instalimit të dhunshëm të ashtuquajturit imam në xhaminë e Morinës, ju vetë keni qenë në takimin që KBI e Skenderajt kishte organizuar me qytetarët e fshatit Morinë dhe jeni njoftuar nga vendi i ngjarjes për formën se si Kastriot Duka kishte ardhur në xhami sikur të pikte nga qielli dhe pa përfillur aspak kushtetutën e BIK-ut. Prandaj shkrimi i juaj jep me kuptua se ju ose nuk keni dijeni të mjaftueshme për problemin e xhamisë së Morinës ose duke pas parasysh faktin se ju ishit pjesëmarrës në emër të BIK-ut në takimin në fjalë, del se ju qëllimisht po i shtrembëroni faktet nga ndonjë nostalgji që mund ta keni për dukën dhe tipat e ngjashëm me të.

Është e vërtetë së paku sipas të dhënave dhe deklaratave se Duka e përfaqësonte shoqatën bamirëse "RAHMA MERSY" ku donatorët janë nga vendi siç ju e quani vend demokratikë për çfarë edhe nuk kam ndonjë kundërshtim, por ju po harroni se si shoqatë në Kosovë ka filluar të veproj vetëm nga viti 2003, pra dy vite pas instalimit të dhunshëm të Dukës si imam në xhaminë e Marinës. Këtë e konfirmoj edhe vet Khaled Patten në emisioni që ju i dedikoheni. Shtrohet pyetja: Si erdhi Duka në Marinë dhe çfarë ishte qëllimi i tij, nëse vërtet qëllimi i tij ishte humanitar përse shoqata që ai e përfaqësonte "RAHMA MERSY", ndonëse sipas të dhënave në ueb faqen e saj tregon se është themeluar në vitin 1999, përse ajo doli në skenë vetëm nga viti 2003 e këndej?!

Kur ju flisni për iniciativën e dëbimit të hoxhës siç ju e quani, se kjo iniciativë ishte ndërmarrë pas shfaqjes së pamjeve në You Tube, po bëni edhe një lëshim me qëllim apo pa qëllim, duke harruar se kërkesa e KBI-së në Skenderaj ishte bërë në organet përgjegjëse të Komunës që xhamia e Marinës të hynte në juridiksionin e BIK-ut, që nga viti 2001, dhe më pas ishte nënshkruar edhe memorandum mirëkuptimi i datës 17.02.2003 përmes të cilit garantohej se me përfundimin e ndërtimit të xhamisë, kjo xhami do të hynte nën juridiksionin e BIK-ut dhe detyrën e imamit do ta kryen personi zyrtar që emërohet nga KBI-ja, gjegjësisht nga BIK-u. Ndërsa personi që në mënyrë ilegale po kryente detyrën e imamit, pra Kastriot Duka do të dëbohej nga xhamia. Pra kjo ishte marrëveshja me qytetarët dhe udhëheqësit e fshatit dhe si garantuese e kësaj marrëveshje ishte edhe Kuvendi Komunal i Skenderajt. Ju me siguri keni lexuar edhe përmbajtjen e peticionit të organizuar nga OJQ-ja "Prehja" dhe aty fare nuk kërkohet që të mbyllet xhamia, aty kërkohet për largimin e Dukës nga xhamia për shkaqet që përmenden në peticion. Kurse sa i përket qëndrimit të tij legal apo ilegal në Kosovë kam bindjen se ju më së paku keni dijeni për këtë çështje. Por, edhe nëse ishte qëndrim legal, leje qëndrimi që ai kishte, nuk kishte të bënte fare me jetën dhe veprimtarinë fetare.

Sa i përket akuzave të bëra në llogari të Dukës, nuk jam ndonjë ekspert i kësaj fushe që të jap vlerësimin se kush do të duhej të merret me to, por një gjë e di se ato akuza që janë përmendur në peticion, kanë qenë përditshmëri nga shumica e njerëzve të Drenicës e në veçanti nga banorët e fshatit Marinë dhe fshatrave për rreth dhe kanë qarkulluar me vite të tëra. Dhe unë nuk dua ta akuzoj atë për abuzime, por dua ta shtroj një pyetje: Çfarë veprimtarie fetare mund të ushtrohet në xhami deri në orët e vona të natës gjegjësisht deri në ora 01:00-02:00 dhe me prezencë të një numri të vajzave? A thua se çfarë daëveti është bërë aty?? Edhe nëse nuk ka ndonjë të vërtetë rreth akuzave të bëra, vet natyra e qëndrimit në xhami deri në kohët e pa zakonta të bënë të dyshosh. Siç thotë edhe një fjalë popullore "Mos i zbrit nga bishti se dyshimi është me vend".

Kurse sa i përket nostalgjisë që kemi fituar për Halid Paten vetëm nga pamja e tij në një emision në TV Klan Kosova se ai ka përdorur praktikat e modeleve të organizatave krishtere mund të jenë shkas për ju dhe ndoshta edhe mund ta kenë efektin e tyre pozitiv. Por, sikur kjo derë t'u hapej shoqatave humanitare qofshin islame apo krishtere që të veprojnë lirshëm edhe në Kosovë kjo do të ndikonte që në Kosovë më mos të jenë tre fe (ndonëse ato janë dy) siç ju shpesh e përdorni këtë shprehje, por do të krijohen fe e shoqatë! Profesor i nderuar sikur ju vërtet të kishit për qëllim pasqyrimin real të "Dosjes Duka" do të kishit marrë informacione të sakta dhe detale për këtë dosje nga personat që janë në rrjedh të ngjarjes që nga dita e parë e këtij problem, e jo të bëni një elaborat për këtë problem vetëm nga nostalgjia që Halid Paten ua ngjalli juve.

Është e vërtetë se shoqata "RAHMA MARSY" ka dhënë një kontribut të mirë duke ndihmuar qytetarët e Drenicës në veçanti banorët e fshatit Marinë, por ju duhet ta dini mirë se e tërë Kosova e pas luftës është e ndërtuar apo e rindërtuar nga ndihmat që kanë dhënë shtetet mike dhe shoqatat e ndryshme humanitare, dhe ndihmat që ata kanë dhënë dhe po japin për Kosovën nuk ju jep të drejtën që të behën zot shtëpie në Kosovë. Ju e dini fortë mirë se në Kosovë kanë ndihmuar në ndërtimin e xhamive edhe disa shoqata krishtere dhe sikur të shkohej sipas logjikës së investitorit atëherë në xhaminë e fshatit Shqiponjë do të duhej të instalohej imam një prift apo rabin e jo hoxha!

Është e vërtetë se z. Halid Paten së paku sipas informative që ne kemi, ka ndihmuar në ndërtimin e xhamisë së Marinës, por duhet ditur faktin se materialin ndërtimor për ndërtim të kësaj xhamie fillimisht e ka dhënë KFOR-i i Emirateve të Bashkuara Arabe siç ka vepruar edhe me disa xhami të tjera. Pastaj për punën e mëtutjeshme është përkujdesur fillimisht shoqata bamirëse "Kalliri i Mirësisë" e më pastaj edhe "RAHMA MERSY".

Mbyllja e xhamisë së Marinës mund të trumbetoj si një ogurzi për Kosovën në kohën aktuale duke marrë parasysh kontributin tënd dhe bashkëmendimtarëve tuaj me shtrembërim të fakteve rreth problemit të xhamisë së Marinës. Por, një thënie e huaj thotë: "çdo çudi zgjatë tre ditë" ndërsa problemet dhe telashet që ka mbjellë fara e Dukës ka zgjatur me vite dhe do të ketë pasoja edhe më vonë. Prandaj njerëzit e provincës kanë qenë shumë të aftë t'i peshojnë gjërat sikur çdo herë, e edhe prapë do të jenë, këtë gajle po ta marrë unë dhe mos e rëndo vetën pa nevojë.

Besoj se shkrimi i juaj ka qenë lëshim i pa qëllimit si shkak i nostalgjisë për Halid Paten dhe shumë shpejt do të kalon, dhe nuk do të ndikoj që si një intelektual i dëshmuari ta përsërisni një gabim të tillë.

Ju përshëndes sinqerisht!



Autor: Nexhmi MAKSUTI, mars 2010,
(Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Skenderaj).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...