Mendimet e dijetarëve rreth Ibni Tejmijes



Pyetja:

Ç'thonë dijetarët rreth Ibni Tejmijes?


Përgjigjeja:

Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Para se t'i përgjigjemi pyetjes, është e nevojshme që të kuptojmë se ekstremizmi dhe jomaturia nuk janë të pëlqyeshme në Sheriat. Islami është një fe e maturisë dhe mëson pasuesit e saj duhet të jenë të matur dhe mesatar, në të gjitha sferat e jetës. Të qenit ekstrem në një mënyrë ose tjetër do të binte në kundërshtim me mësimet e pastërta të Allahut të Gjithëmëshirshëm dhe Të Dërguarit të Tij (s.a.v.s.).

Allahu i Madhëruar thotë: "Dhe ashtu ju kemi bërë një bashkësi të drejtë që të jeni dëshmitarë kundër njerëzve, dhe Profeti do të jetë dëshmitar kundër jush ...", (El-Bekare, 143).

I Dërguari s.a.v.s. thotë në një Hadith: "Keni kujdes nga ekstremizmi në fe, pasi që ata para jush u shkatërruan për shkak të kësaj", (Sunen Nesa'i, Musned Ahmed dhe të tjerët).

Kështu që, Islami është rruga e mesme në mes të teprimit dhe lënies (shkujdesjes). Është shtegu që shtrihet në mes të ashpërsisë që gjendet në Sheriatin e Musait a.s. për vrasjen e vetës në shenjë pendimi, pagimi i çerekut të pasurisë nga pasuria për Zekat dhe çështje të ngjashme, dhe në tolerimin e tepruar që gjendet në Sheriatin e Isait a.s. (të krishterëve) sikurse lejimi i alkoolit, mos-konsiderimi si të papastërta i rrobave që preken nga ndyrësirat dhe çështje të ngjashme.

Është shtegu që shtrihet në mes të Ekstremizmit dhe Neglizhencës që është e pranishme në disa sekte të devijuara. Shtegu që shtrihet në mes të atyre që mohojnë fatin plotësisht (Kaderijët) dhe atyre që konsiderojnë se fati është përgjegjës i plotë mbi veprimet e qenieve njerëzore (Xheberijët). Shtegu që gjendet në mes të ideologjisë së Havarixhëve (që konsideronin se mëkatarët janë jashtë Islamit) dhe Murxhitëve (të cilët konsideronin se mëkatet nuk luajnë rol në Imanin e dikujt), dhe në mes të qëndrimit antropomorfist (mushebbiha) të cilët përngjasuan Cilësitë dhe Veprimet e Allahut xh.sh. me krijesat e Tij dhe atyre që tërësisht refuzuan Cilësitë e Allahut të madhëruar (Mu'tezilët).

Islami është poashtu një fe që gjendet në mes të Ligjit dhe Shpirtërores, në mes të Intelektit dhe dashurisë, dhe në mes të teologjisë dhe spiritualitetit. Refuzon qëndrimin e Jehudëve që pretendojnë se çdo gjë është e bazuar në intelekt dhe arsye dhe konceptin e të krishterëve që pretendojnë se gjithçka është e bazuar në dashuri dhe dhembshuri. Në vend të kësaj, Islami na mëson që pasuesit e tij duhet të kombinojnë në mes të shtigjeve të Imanit dhe Ihsanit, dhe në mes shtigjeve të ligjit dhe shpirtit. Ky është shtegu i drejtë që përmendet në suren hapëse të Kur'anit që ne e këndojmë për çdo ditë në Namazet tona: "Drejtona në rrugën e drejtë", (El-Fatiha, 6), (Shih: Mulla Xhiwun, Nur El-Enwer ala metn El-Menar, fq: 5-6).

Kështuqë, është vitale të kesh një qasje (qëndrim) të balancuar (mesatar) në të gjitha aspektet e fesë tonë. Fatkeqësisht, disa njerëz kalojnë në ekstremizëm në njërën mënyrë ose tjetrën. Disa marrin në konsiderim të kuptimit të jashtëm (tekstual) të Ligjeve Hyjnore dhe me këtë refuzojnë dimensionin shpirtëror dhe të brendshëm të ligjit Islam, ndërsa disa të tjerë, besojnë se dashuria dhe shpirti janë gjithçka. Të dy këto qëndrime janë jo-korrekte siç e shpjeguam më sipër.

Në lidhje me Imam Ibn Tejmijen (Allahu e mëshiroftë), disa Musliman e konsiderojnë atë gjënë më të mirë që ka ndodhur në Historinë Islame. Atë e konsiderojnë si Shejhul Islam, dhe i japin qëndrimeve të tij përparësi ndaj qëndrimeve të gjithë Imamëve të tjerë Muxh'tehid. Ata e konsiderojnë atë imun ndaj gabimeve dhe mëkateve, dhe si pasojë (besojnë se) qëndrimet e tij konsiderohen si finale dhe absolute në të kuptuarit e Islamit. Ndërsa në anën tjetër, disa Muslimanë e konsiderojnë atë si të dalë tërësisht prej Ehlu Sunetit dhe Xhematit. Disa madje shkojnë në ekstrem sa që e konsiderojnë atë jashtë Islamit!

Njëherë një vëlla në islam, më pyeti çka mendoj për Ibn Tejmijen (Allahu e mëshiroftë) dhe unë iu përgjigja se unë i njoh (vlerësoj) veprat e tij dhe kam respekt për të, ndonëse nuk pajtohem disa qëndrime të tij. Pastaj më pyeti se çka mendoj për Ibn El-Arabiun (Allahu e mëshiroftë) dhe unë iu përgjigja se ai është njëri prej autoriteteve të Islamit në fushën e spiritualitetit (përshpirtshmërisë) dhe Ihsanit. Ky pastaj më tha: "Si është e mundur që ti të respektosh të dy personalitetet. Ti ose pranon Imam Ibn Tejmijen dhe refuzon Shejh Ibn El-Arabiun, ose pranon qëndrimet e Shejh Ibn El-Arabiut dhe e refuzon Imam Ibn Tejmijen". I thash: "Më vjen keq që më duhet të them se i dua dhe i respektoj të dy këta personalitete, të pëlqeu apo jo kjo ty". Këtu nuk janë dy grupe për mua që të përfshihem me njërin, iu përgjigja, dhe nëse i takoj njërit grup automatikisht jam jashtë grupit tjetër.

Është fakt se ka Musliman që i bëjnë Tekfir (akuzë për Mosbesim) Shejh Ibn El-Arabiut dhe konsiderojnë Imam Ibn Tejmijen si dijetarin më të madh në histori, derisa të tjerët e konsiderojnë Imam Ibn Tejmijen Kafir, ndërsa Shejh Ibn El-Arabiun e konsiderojmë figurë autoritative në të gjitha aspektet (fushat) e Islamit. Të dy këto qëndrime janë të pabalancuara dhe jo-korrekte.

Qëndrimi i shumicës së dijetarëve të këtij umeti, të kaluarës dhe të tashmes, në lidhje me Imam Ibn Tejmijen (Allahu e mëshiroftë) është që ata e respektojnë atë si dijetar dhe i vlerësojnë veprat e tij, por nuk pajtohen me qëndrimet e tij, ku ai vendosi të shkoj kundër qëndrimeve të shumicës së dijetarëve të Ehlu-Sunetit dhe Xhematit. Këtë pikëpamje e kanë shumica e dijetarëve bashkëkohorë, atyre nga nën-kontinenti Indian dhe atyre të botës Arabe dhe muslimane.

Imam Taqi ad-Din Ibn Tejmije El-Harrani ishte një dijetar i famshëm Hanbeli i Tefsirit të Kur'anit, Hadithit dhe Fikhut. Posedonte një stil shkrimi imponues dhe një memorie të mprehtë dhe ishte një shkrues elokuent veprat e të cilit arrijnë në disa. Vendimet e tij ligjore (fetvatë) janë të shtypura në shumë vëllime dhe veprat e tij në refuzimin e Shi'itëve dhe çështjeve tjera s'kanë të krahasuar. Shumë Ulema, si Imam Dhehebiu dhe të tjerët, kanë fjalë të mira dhe e lavdërojnë atë.

Pavarësisht kësaj, Imami bëri gabime të rënda në çështje të ndryshme të Doktrinës së Besimit (Akaidit) dhe Jurisprudencës (Fikhut). Ai morri qëndrime në Fikh të cilat ishin në kundërshtim me qëndrimet e katër shkollave të ligjit Islam (Medh'hebet). Ai kryesisht ishte pasues i shkollës (medh'hebit) Hanbeli, por ai kishte qëndrime që binin në kundërshtim me qëndrimet e këtij Medh'hebi, kështu që Ulemaja nuk e konsiderojnë atë si autoriteti final i kësaj shkolle.

Ngjashëm, disa qëndrime të tij në lidhje me Doktrinën e Besimit të përmendura në librat e tij, si El-Akide El-Wasitijje, ishin shkak për shumë polemika dhe ai me të drejtë është refuzuar nga dijetarët si Imam Subki, Ibn Haxher El-Hejtemi dhe të tjerët. Ai dalloi me Ulematë tjerë në shumë çështje siç është Lejimi për të udhëtuar ekskluzivisht për të vizituar varrin e të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) dhe çështje të tjera të ngjashme. Qëndrimi i tij në lidhje me Cilësitë e Allahut u bënë shkak që ai të burgoset në Kajro dhe Damask, dhe ulemaja shpjegoi perceptimin e tij të gabueshëm.

Njëri ndër dijetarët e mëdhenj të Hadithit dhe Akaidit nga nënkontinenti Indian, Imam Enver Shah El-Kashmiri (Allahu e mëshiroftë) e ka refuzuar Imam Ibn Tejmijen në shumë prej veprave të tij duke përfshirë komentimin e Sahihut të Imam Buhariut, Fejd'h El-Bari. Në njërën prej librave të tij në gjuhen Urdu, ai thotë: "Ibn Tejmije dhe të tjerë iu afruan antropomorfizmit, për shkak se morën kuptimin literal (fjalëpërfjalshëm) të disa ajeteve të Kur'anit", (Malfuzat Muhaddith Kashmiri (Urdu), fq: 242).

Ai më tutje konstaton se, Imam Ibn Tejmije dhe Ibn El-Kajjim (nxënësi i tij) nganjëherë refuzonin hadithe autentike kur ato ishin në kundërshtim me qëndrimet e tyre. Ka shumë shembuj të këtillë. Imam Ibn Haxher El-Askalani poashtu e ka kundërshtuar Ibn Tejmijen për refuzim të haditheve autentike (sahih) kur ato ishin kundër qëndrimeve të tij. Shejh Abdul-Aziz El-Dehlawi (Allahu e mëshiroftë), pasi e studioi veprën Minhexh El-Sunneh të Ibn Tejmijes, ishte jashtëzakonisht i hidhëruar nga nënvlerësimi i Ehlu Bejtit (familjes së Pejgamberit s.a.v.s.) dhe të Sufive.

Imam Enver Shah El-Kashmiri pastaj përmendi se mësuesi i tij, Shejh Mevlana Husejn Ahmed El-Medani (Allahu e mëshiroftë) ishte mjaft i papajtueshëm në lidhje me Ibn Tejmijen. Atij madje nuk i pëlqente që titulli "Shejhul Islam" të përdorej për të, madje ai ishte i inatosur me Shejh Muhamed Zekerija El-Kandehlawi (Allahu e mëshiroftë) për shkak se përdori këtë titull për Ibn Tejmijen në njërën prej veprave të tij.

Ai pastaj vazhdon e thotë se qëndrimi më i balancuar (mesatar) në lidhje me Ibn Tejmijen është qëndrimi i Imam Dhehebiut, Imam Ibn Haxher El-Askalanit dhe të tjerëve, në atë që të përfitoni nga veprat e tij të mëdha dhe të gjëra, por të jeni të kujdesshëm nga qëndrimet e tij të izoluara që arrijnë në disa, tek çështjet e Besimit (usulit) dhe pjesërisht në çështjet e jurisprudencës Islame (Fikh). Ky është qëndrimi i dijetarëve tanë (të Deobandit), (Malfuzat Muhaddith Kashmiri, fq: 413-414).

Shejh Taki Usmani (Allahu e mëshiroftë) gjithashtu përmend një qëndrim të ngjashëm në lidhje me Ibn Tejmijen. Ai deklaron: "Sa i përket qëndrimeve të Alameh Ibn Hazm, Alameh Ibn Tejmije dhe Alameh Ibn El-Kajim, me gjithë respektin për pozitën dhe gradën e tyre të lartë, ata kanë zgjedhur qëndrime të caktuara që janë në kundërshtim me shumicën e dijetarëve të këtij Umeti...", (Fiqhi Maqat, 2/21).

Njëri nga dijetarët e famshëm në të gjithë botën, Shejh Ebu Hasan El-Nedwi (Allahu e mëshiroftë) i dedikoj një kapitull të tërë nga vepra e tij jetës dhe arritjeve të Ibn Tejmijes. Vepra e shejhut të respektuar në gjuhën Arabe "Rixhal El-Fikr We El-Da'wa" u hedh një shikim jetëve dhe arritjeve të figurave si Omer ibn Abdul-Aziz, Hasan El-Basri, Imam Ahmed ibn Hanbeli, Imam Ebu El-Hasan El-Esh'ari, Imam El-Gazali, Xhelalu-Din er-Rumi e të tjerë, dhe poashtu për Ibn Tejmijen. Kjo na kthen prapa tek ajo që thamë më herët, për të pasur një qasje të balancuar, prandaj Shejh Nedwi reflekton për jetën dhe veprat e ndriçuesve të mëdhenj të spiritualitetit islam (tesavufit) dhe poashtu gjen hapësirë ne veprën e tij për Ibn Tejmijen.

I njëjti qëndrim është marrë poashtu nga shumë dijetarë Arab. I ndjeri, dijetari i njohur i Fikhut Hanefi dhe principeve të Jurisprudencës Islame, Imam Muhamed Ebu Zehra (Allahu e mëshiroftë) nga Egjipti thotë në veprën e tij Tarikh El-Medhahib El-Islamije: "Themeluesi i lëvizjes Vehabiste, Muhamed ibn Abdulvehabi, studioi veprat e Imam Ibn Tejmijes në thellësi dhe u bë edhe më ekstrem. Ai i vendosi qëndrimet e Ibn Tejmijes në praktikë (zbatim) në vend se t'i mbante në teori. Si pasojë, ata (Muhamed ibn Abdulvehabi dhe ndjekësit e tij) shkatërruan shumë varreza të Sahabëve dhe e zgjeruan domethënien e inovacionit (bidatit) në një formë (kuptim) të padëgjuar më parë ...", (Tarikh al-Medhahib El-Islamije, fq: 199).

Thënë këtë sipër, i njëjti autor (Imam Ebu Zehra) pastaj dedikoi një kapitull të tërë jetës dhe veprave të Imam ibn Tejmijes. Ai së pari përpiloi një seri prej katër librave duke hedhur dritë në jetët dhe veprat e katër Imamëve Muxh'tehid (Ebu Hanife, Shafi'u, Maliku dhe Ahmedi), dhe pas kësaj, ai përpiloi edhe një seri prej katër librave që përfshinin biografitë e Imamëve të tjerë, përfshirë Ibn Tejmijen.

Imam Zahid El-Kewtheriu (Allahu e mëshiroftë) është i njohur për Hanefizmin, Sunni-zmin dhe kundërshtimin e Vehabijve, sidoqoftë njëri nga studentet e tij kryesorë Shejh Abdel-Fetah Ebu Guda (Allahu e mëshiroftë) jo vetëm që rrëfen dhe citon prej Imam Ibn Tejmijes në shumë prej veprave të tij, por edhe ka redaktuar dhe publikuar njërën prej veprave të tij të titulluar "Risalat al-Halal We El-Haram" (Libri i të lejuarës dhe të ndaluarës, dhe disa principe të transaksioneve monetare), dhe në kopertinën e librit (dhe brenda poashtu) e përmend emrin e Ibn Tejmijes me titullin "Shejhul-Islam".

Shumë dijetarë të tjerë bashkëkohorë të botës Arabe, nga Damasku dhe vendet tjera, poashtu kanë marrë të njëjtin qëndrim. Dijetarët si Shejh Muhamed Se'id Ramadan El-Buti, Shejh Wehba El-Zuhejli, Shejh Mustafa El-Bugha, Shejh Mustafa El-Khin, Shejh Abel-Latif El-Farfur dhe shumë të tjerë e citojnë shpesh Ibn Tejmijen në veprat e tyre, por me kujdes dhe mprehtësi, dhe paralajmërojnë të tjerët për qëndrimet e mbyllura dhe kontroverse.

Kështu që, si përfundim, qasja e balancuar në lidhje me figurën e Ibn Tejmijes është se ne vlerësojmë shërbimet e tij të gjëra që i bëri fesë. Ne i vlerësojmë të arriturat dhe përfitojmë nga veprat e tij që janë në pajtim me rrjedhën e përgjithshme të Ehlu-Sunetit dhe Xhematit dhe Islamit Sunit, dhe refuzojmë ato që nuk janë në pajtim me shumicën e Dijetarëve të këtij Umeti. Ne e respektojmë atë si dijetarë, prandaj shmangim mohimin e tij në tërësi, por nuk e konsiderojmë atë autoritet in çështjet e Imanit, kredos së besimit dhe jurisprudencë. Ne ia lëmë në dorë Allahut qëndrimet e tij kontroverse në lidhje me Doktrinën Besimore, dhe përqendrohemi në atë që ne duhet të mësojmë dhe dimë. Ky është qëndrimi i drejtë dhe i balancuar të cilit i janë përmbajtur shumica dërmuese e dijetarëve kur bëhet fjalë për personalitete kontroverse.

Dhe Allahu e di më së miri.



Përgjigjet: Muhamed ibn Adam
Përktheu: Fatih IBRAHIMI
Burimi: http://www.central-mosque.com/biographies/staymiyya.htm

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...