Mendimi i Ibnul-Kajjimit mbi imitimin-medhhebin
Tash do të cekim atë që e thotë Ibnul-Kajjimi:
Në librin e tij "E'lamul-Muvekiine" (vëll. -III- f. 168, shtëpia botuese: Es-Seade) thotë: "Sqarim në detaje rreth çështjes së imitimit".
Ndarja e imitimit në tri pjesë:
1. - është haram që të flitet për të,
2. - është vaxhib, dhe
3. - lejohet pa qenë obligative.
Pjesa e parë ndahet në tri lloje:
E para: largimi prej asaj që e ka zbritur Allahu dhe mjaftimi me imitimin e baballarëve.
E dyta: imitimi i atij që nuk e di imituesi se është prej atyre që merren fjalët e tij.
E treta: imitimi pas gjetjes së argumentit që kundërshton fjalët e imituesit.
Mandej, Ibnul-Kajjimi gjerësisht ka komentuar dëmet e imitimit të ndaluar të përmbledhura në këto tri lloje. Gjithë atë që e ka thënë në fjalën e tij të gjatë rreth mospranimit të imitimit, ka të bëjë me këto tri lloje që janë të ndara nga pjesa e parë.
Është e mundur që lexuesi sipërfaqësor, të lexojë një pjesë të fjalës së tij të gjatë pa e përcjellur me vëmendje, dhe mendon se ai e ndalon absolutisht imitimin. Mandej, për mospranimin e imitimit në mënyrë absolute, argumenton me disa pjesë të nxjerra nga brendia e tekstit të gjatë, ashtu siç ka bërë autori i broshurës.
Mirëpo, ai që thellohet në të menduarit rreth këtyre teksteve, e di mirë se Ibnul-Kajjimi fjalën e tij të gjatë e ka ndarë në tri pjesë. Krahas tekstit që e cituam më parë, si argument i prerë mjafton fjala e tij në brendinë e librit ku mes tjerash thuhet: "Nëse thuhet: përse është i ndaluar imitimi i kafirave dhe i baballarëve që nuk mendojnë e as nuk janë të udhëzuar, ndërsa në anën tjetër imitimi i dijetarëve të udhëzuar të mos jetë e ndaluar". Bile ka urdhëruar pyetjen e tyre që do të thotë imitimin e tyre, ku Allahu xh.sh. thotë: {فَاسْأَلُواْ أَهْلَ الذِّكْرِ إِن كُنتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ} - "Pyetni dijetarët nëse nuk e dini"? Përgjigjja është, se: "Allahu xh.sh. ka ndaluar imitimin e atij që e ka lënë anash librin e Tij, ndërsa imiton baballarat". Këtë lloj të imitimit se është haram e kanë pranuar gjithë selefet dhe katër imamët. "Ndërsa imitimi i atij që ka harxhuar gjithë potencialin e tij mendor për të kuptuar atë që Allahu e ka zbritur, mirëpo disa gjëra i ka të paqarta dhe imiton atë që është më i ditur se ai, në këtë rast ky lloj i imitimit është i pranuar për të cilën do të shpërblehet", (siç do të sqarojmë kur do të folim për imitimin obligativ dhe atë të lejuar, inshaellah).
Pas kësaj, Ibnul-Kajjimi gjerësisht ka folur për mëkatin e llojeve të imitimit të papranuar, ku ka harxhuar afër njëqind faqe. Me sa duket, se ai pas kësaj fjale të gjatë ka harruar të kthehet për të folur për llojin e dytë e ai është imitimi obligativ, për të cilin kishte premtuar se do të flasë. Pas kësaj kishte kaluar që të folë për tekstet kur'anore dhe hadithet dhe se është e ndaluar të jepet fetva me diçka që vjen në kundërshtim me to, si dhe kishte folur për pozitën e sunnetit prej Kur'anit.
Kush thellohet në temat e Ibnul-Kajjimit në librin "E'lamul-Muvekiin" dhe duron në leximin e tyre dalëngadalë me kuptim, do të vërejë gjëra të çuditshme të këtij lloji. Ai ndonjëherë e ndanë temën në disa pjesë, mandej fillon t'i sqarojë disa prej këtyre pjesëve duke i komentuar gjerësisht. Mandej tërësisht kalon në ndonjë temë tjetër pa i cekur pjesët e mbetura të temës së parë, siç është rasti këtu. Ndonjëherë bie në kundërshtim të çuditshëm, siç është rasti me bisedën e tij të gjatë rreth hileve dhe dispozitave të saj.
Sidoqoftë, në një vend tjetër të librit, njeriu ka folur për obligueshmërinë e imitimit për atë që nuk e ka arritur gradën e muxhtehidit. Në disa pjesë të këtij libri ka folur për kushtet e fetvasë dhe rregullat e saj. Në brendinë e këtyre pjesëve ka folur për rregullat e njeriut të rëndomtë dhe të dijetarit, i cili nuk ka arritur gradën e ixhtihadit dhe se ky dijetar duhet të imitojë ndonjë imam në dispozitat e hallallit dhe haramit. Një dijetar i tillë nuk mund të japë fetva para njerëzve, edhe pse i posedon librat e hadithit dhe e gjen ndonjë hadith që ka të bëjë me fetvanë e tij.
Në vazhdim do t'i cekim disa pjesë prej fjalëve të tij duke sqaruar këtë çështje:
Në vëllimin -IV- f. 175, thotë: "Dobia e njëzetë: Nuk lejohet për imituesin që të japë fetva në fenë e Allahut me atë që ai imiton, në kohë kur ai nuk ka njohuri për atë çështje përpos asaj që e di se është fjalë e atij që e imiton. Ky është ixhma' (konsensus) i gjithë selefëve, i këtij mendimi në mënyrë të prerë janë imam Ahmedi dhe Shafiiu radijeliahu anhuma. Ebu Amr ibn Salahu ka thënë: Ebu Abdullah El-Halimi, imami i shafiive në tokat e Azizë Qendrore, kadiu Ebul-Muhsin Er-Revjani, autor i librit Behrul-Medhheb, etj., në mënyrë të prerë thonë: Nuk lejohet për imituesin që të japë fetva me atë që ai imiton". Mandej Ibnul-Kajjimi ka folur gjatë, duke e përforcuar këtë vendim dhe duke e sqaruar se është i vërtetë.
Në vëllimin -IV- f. 196, thotë: "Dobia e njëzet e një: Nëse ndonjë njeri ka mësuar fikhun dhe ka lexuar ndonjë libër prej librave të fikhut ose më shumë, por megjithatë është i paaftë që të njohë Kur'anin, sunnetin, gjurmët e selefus-salih dhe nxjerrjen e dispozitave me anë të istinbatit, a lejohet imitimi i tij në fetva? Në lidhje me këtë dijetarët kanë dhënë katër ... mendimi më i vërteti është se pyetësi nëse është e mundur që të shkojë e të marrë mendimin e ndonjë dijetari që e udhëzon, nuk lejohet për të që të kërkojë fetva prej atij njeriu, ndërsa këtij njeriu nuk i lejohet që të caktojë veten si mufti në prezencën e këtij dijetari. Nëse nuk ka tjetër njeri përveç tij, derisa njerëzit nuk kanë kë ta pyesin pos tij, atëherë nuk ka dyshim se marrja e mendimit të tij është më mirë se sa të veprohet pa dituri ...".
Në vëllimin -IV- f. 215, thotë: "Dobia e tridhjetë: Nëse njeriu është muxhtehid në medhhebin e ndonjë imami e nuk është i pavarur në ixhtihad, a lejohet për të që të japë fetva me mendimin e këtij imami? Ka dy mendime. Që të dy mendimet janë të shokëve të Shafiiut dhe Ahmedit. Mendimi i parë është se lejohet, e në këtë rast ai i cili e përmban këtë mendim është duke e imituar të vdekurin e jo atë, ndërsa ai vetëm transmeton nga imami. Mendimi i dytë është se nuk lejohet për të që të japë fetva sepse pyetësi është imitues i tij e jo i të vdekurit, ndërsa ai nuk ka bërë ixhtihad për të. Pyetësi i thotë atij: Unë të imitoj në atë që jep ti fetva".
Në vëllimin -IV- f. 215, thotë: "A lejohet që i gjalli të imitojë të vdekurin e të veprojë me fetvanë e tij, pa e ditur argumentin që e lejon veprimin me atë fetva? Ka dy mendime të shokëve të imam Ahmedit. Ata që e kanë ndaluar thonë: Lejohet ndryshimi i ixhtihadit të tij sikur të ishte i gjallë. Mendimi i dytë: Lejohet imitimi i të vdekurit. Me këtë veprojnë të gjithë imituesit në rozullin tokësor. Më të mirën që e posedojnë është imitimi i të vdekurve ... Thëniet nuk vdesin me vdekjen e thënësve sikur që nuk vdesin tregimet me vdekjen e transmetuesve".
Në vëllimin -IV- f. 234, thotë: "Dobia e dyzet e tetë: Nëse ndonjë njeri posedon dy sahihet (sahihun e Buhariut dhe Muslimit) ose njërin prej tyre ose ndonjë libër prej suneneve që përmbanë hadithet e vërteta të Muhamedit a.s., a ka të drejtë që të japë fetva me atë që e gjenë aty?. Mendimi i vërtetë në këtë çështje është se nëse kuptimi i hadithit është i qartë për çdo person që e dëgjon dhe se nuk bartë më shumë se një kuptim, atëherë ka të drejtë që të veprojë me të, të japë fetva, e në këtë rast nuk ka nevojë për mendimin e ndonjë fekihut ose imamit sepse argument është fjala e të Dërguarit të Allahut. Po nëse kuptimi i hadithit nuk është i qartë, atëherë nuk lejohet që të veprojë sipas tij e as të japë fetva me të, derisa të pyesë e të kërkojë sqarimin e hadithit dhe kuptimin e tij ...". Mandej ka thënë: "E gjithë kjo vlen për atë njeri që ka njohuri të përgjithshme por nuk ka njohuri të mjaftueshme në njohjen e imtësirave dhe rregullave të arabishtes dhe të usulistëve. Nëse ai person nuk ka njohuri të përgjithshme, atëherë, obligim për të është ajo që e ka thënë Allahu në Kur'an: {فَاسْأَلُواْ أَهْلَ الذِّكْرِ إِن كُنتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ} - "Pyetni dijetarët nëse nuk e dini". [1]
Në vëllimin -IV- f. 237, duke iu përgjigjur pyetjes: A ka të drejtë që muftiu të japë fetva jo sipas medhhebit të imamit të tij? Duke transmetuar nga Ebu Amr ibn Salah thotë: "Kush gjen ndonjë hadith që kundërshton medhhebin e tij, në kohë kur ky njeri ka arritur gradën e ixhtihadit në mënyrë absolute ose muxhtehid në medhhebin e imamit të tij, në atë lloj ose në atë çështje, atëherë veprimi me atë hadith është më mirë. Nëse nuk ka arritur gradën e ixhtihadit e në zemrën e tij ndien dhembje nga frika e kundërshtimit të hadithit pasi që ka hulumtuar dhe nuk ka gjetur në kundërshtimin e tij përgjigje që e rehaton, atëherë duhet të shikojë: a ka vepruar me atë hadith ndonjë imam i pavarur apo jo. Nëse gjen sedikush ka vepruar me të, atëherë ka të drejtë që të veprojë me atë hadith e kjo do të jetë arsyetim për lënien e medhhebit të imamit të tij në këtë çështje. Vallahu a'lem".
Pas kësaj menjëherë ka thënë: "Dobia e pesëdhjetë: A ka të drejtë që muftiu, i cili i takon medhhebit të një imamit të caktuar, të japë fetva sipas ndonjë medhhebi tjetër nëse vërtetohet tek ai se ky mendim është më i fortë? Nëse i përmbahet mënyrës së imamit të tij në ixhtihad, atëherë ka të drejtë të japë fetva sipas ndonjë medhhebi tjetër, po nëse është muxhtehid mutekajjed, i cili i përmbahet vetëm fjalëve të imamit të tij, për këtë ka disa mendime: thuhet se ky person nuk ka të drejtë që të japë fetva sipas ndonjë medhhebi tjetër, por nëse e bënë atë, atëherë, tregon se e transmeton prej filanit. Mirëpo, mendimi më i vërtetë është se nëse tek ai, mendimi i medhhebit tjetër është më i fortë, në këtë rast është patjetër që ta nxjerrë sipas bazave dhe regullave të imamit të tij sepse të gjithë imamët kanë të njejtat mendime për bazat e dispozitave. Saherë që ndonjëri prej tyre të thotë ndonjë fjalë të dobët në krahasim me të tjerët, atëherë bazat e kthejnë këtë mendim dhe e marrin mendimin më të vërtetë. Ska dyshim se çdo fjalë e vërtetë nxirret në bazë të regullave të imamëve. Nëse muxhtehidit mutekajjed (të kufizuar) i vërtetohet se ky mendim është më i fortë dhe se është nxjerrë në bazë të rregullave të imamit të tij, atëherë ka të drejtë që të japë fetva me të. Ve bil-lahit-tevfik".
Këto ishin disa fragmente prej fjalëve të Ibnul-Kajjimit duke biseduar për fetvanë, kushtet dhe rregullat e saj. A mos po vëren diçka që bën haram imitimin dhe i obligon të gjithë njerëzit që të marrin drejtpërdrejt prej Kur'anit dhe sunnetit? A mos po sheh se e bën haram që njeriu të imitojë një medhheb të caktuar? A mos po vëren se ai urdhëron imituesin që gjatë tërë jetës së tij të kërcejë prej një medhhebi në tjetër?! A nuk po e sheh se secili fragment prej këtyre fragmenteve, në mënyrë të qartë dhe të prerë që nuk pranon kurrfarë dyshimi, thotë se xhahili (i padituri) nuk ka rrugë tjetër pos që të imitojë. Ai person që i përmbahet një medhhebi të caktuar nuk ka të drejtë që t'u japë fetva njerëzve për ndonjë çështje sipas ndonjë medhhebi tjetër, përpos nëse është muxhtehid në atë çështje. Imitimi i të vdekurve është sikurse imitimi i të gjallëve, sepse fjalët nuk vdesin me vdekjen e thënësve të tyre dhe se mbështetja vetëm në librat e hadithit nuk mjafton që imituesi të bëhet muxhtehid?!.
Nëse Ibnul-Kajjimi është i të njëjtit mendim me atë të autorit të broshurës, se imitimi i imamëve është imitim i atyre që gabojnë, ndërsa imitimi i të Dërguarit të Allahut është imitim i atij që nuk gabon dhe se nuk lejohet për asnjë njeri tjetër përpos që të marrë drejtpërdrejt prej atij që nuk gabon, atëherë për çka ai (Ibnul-Kajjimi) imitimin e katër medhhebeve e ka caktuar si temë studimi, për çka imituesit ia ndalon marrjen e dispozitave prej librave të hadithit, e ndalon prej fetvasë dhe e ndalon pyetësin të bazohet në këtë fetva. Po ashtu, imituesit ia tërheq vërejtjen që të mos japë fetva pos sipas medhhebit të imamit të tij, në përjashtim nëse është muxhtehid në atë çështje dhe se për çka e rehaton imituesin se imitimi i muxhtehidit të vdekur është i lejuar e jo i ndaluar?!.
E zgjata shumë duke cituar fragmente nga fjalët e Ibnul-Kajjimit lidhur me këtë çështje për shkak të njohurisë që kam, për fanatizmin e një grupi të jomedhhebistëve për mendimet e lbnul-Kajjimit. Fanatizohen për të më shumë se fanatizmi me të cilin akuzojnë të gjithë muslimanët imitues të medhhebeve të tyre. Nëse mendojnë në këto citate nga Ibnul-Kajjimi ndoshta e zbusin këtë fanatizëm dhe kthehen në rrugën e vërtetë. Ndërsa sa i përket tekstit të cilin e ka zgjedhur autori i broshurës nga e gjithë ajo që e ka thënë Ibnul-Kajjimi në lidhje me këtë çështje dhe e ka nxjerrur nga libri i tij që të mbështetet në të, për supozimin e tij se është haram që njeriu të imitojë një medhheb të caktuar, ky tekst është krejtësisht larg supozimit të tij dhe nuk mund të përdoret për ta vërtetuar atë. Tekstin, të cilin e ka zgjedhur autori i broshurës nga fjalët e Ibnul-Kajjimit, është: "... bile nuk lejohet që njeriu i rëndomtë të ketë medhheb edhe pse ai imiton atë. Njeriu i thjeshtë nuk ka medhheb. Nëse thotë unë jam shafiij, hanefij, hanbelij apo malikij, ose diç tjetër, nuk bëhet ashtu vetëm e vetëm se ka thënë ...". Fjala që ekziston para dhe pas këtij teksti sqaron atë që nuk kundërshton askush, e ajo është se imituesi nuk e ka për obligim që të imitojë gjithnjë një medhheb në të gjitha degët dhe çështjet e tij. Më parë kemi thënë se këtë e pranojnë të gjithë dijetarët dhe e kemi larguar prej temës së diskutimit.
Mirëpo, këtë tekst që e cituam nga Ibnul-Kajjimi është i vetmi që në shikim të parë mund të vërtetojë supozimin e autorit të broshurës për hedhjen e imitimit dhe detyrimin e të gjithë njerëzve për të marrë prej Kur'anit dhe sunnetit. Vetëm se kjo shprehje nuk përmbanë këtë kuptim. Qëllimi i kësaj fjale siç thonë shumë dijetarë, është se njeriu i rëndomtë nëse takon ndonjë mufti që i jep fetva për problemin për të cilën kërkon hukmin e tij, në këtë rast ky person ka për obligim që të marrë mendimin e këtij muftiu dhe se nuk ka të drejtë që të kërkojë prej tij që t'i japë fetva sipas ndonjë medhhebi të caktuar, sepse muftiu është muxhtehid, përndryshe nuk lejohet që të ushtrojë detyrën e muftiut. Muxhtehidi ka të drejtë që t'i përgjigjet pyetësit sipas ixhtihadit të tij e jo të imitojë ndonjë muxhtehid tjetër sikur ai e të japë fetva sipas mendimit të tij. Po, njeriu i rëndomtë ka të drejtë që të pyes se si është mendimi i Shafiiut për shembull në lidhje me problemin e tij.
Po ashtu muftiu ka të drejtë që t'ia transmetojë mendimin e Shafiiut në lidhje me të, në formë të citimit e jo në formë fetvaje. Ndërsa, njeriu i rëndomtë ta detyrojë muxhtehidin që t'i japë fetva sipas medhhebit që i takon ai, nuk e ka këtë të drejtë sepse ai nuk është më shumë se një injorant i cili supozon se posedon njohuri rreth një medhhebi të caktuar. Ai sikur të ishte ashtu, nuk do të kishte nevojë që të pyes e as të kërkojë fetva prej këtij muxhtehidi.
Në lidhje me këtë çështje që nuk pranon dyshim, dijetarët kanë thënë: "Medhhebi i njeriut të rëndomtë është medhhebi i muftiut të tij. Për këtë, njeriu i rëndomtë nuk ka medhheb të caktuar".
Mirëpo, si është puna e këtij njeriut të rëndomtë, kur shikon përreth tij dhe nuk gjenë mufti (d.m.th. muxhtehid absolut), nuk gjenë përpos dijetarë imitues ku secili prej tyre imiton ndonjë medhheb të caktuar. Ai i cili prej tyre është emërtuar me emrin mufti, kjo është vetëm në formë të përgjashmërisë e jo në realitet?. [2] Në këtë rast rregulli "medhhebi i njeriut të thjeshtë është medhhebi i muftiut të tij" siç shihet qartë nuk përputhet absolutisht, sepse ai nuk ka mufti. Në këtë rast ky njeri i rëndomtë ka për obligim që të pyesë ndonjërin prej muxhtehidëve të mëhershëm. Më parë theksuam se dijetarët, ku prijës i tyre ishte Ibnul-Kajjimi, thonë se thëniet nuk vdesin me vdekjen e thënësve të tyre dhe se lejohet që i gjalli të imitojë të vdekurin.
Prej dijetarëve të mëhershëm, më autoritativ për të dhënë fetva janë imamët e katër medhhebeve dhe atë sipas konsensusit të të gjithë dijetarëve, për shkak se këto medhhebe kanë përjetuar shërbime, përmbledhje, pastrime dhe mbështetje të fjalëve te thënësit e tyre në atë mënyrë që nuk ka përjetuar asnjë medhheb tjetër. Njeriu ka të drejtë që të pyesë kë të dojë prej tyre nëpërmjet dijetarëve dhe fukahave të atij medhhebi ose t'i studiojë librat e tij nëse ka mundësi. Mandej ka të drejtë që të imitojë njërin prej tyre në të gjitha çështjet dhe dispozitat, po ashtu ka të drejtë që të kalojë prej një medhhebi në tjetrin me kushtet që i kanë cekur dijetarët, ku një pjesë të tyre e cekëm më parë. Njeriu i rëndomtë -duke e bërë këtë- nuk ka dalur jashtë rregullores "medhhebi i njeriut të rëndomtë është medhhebi i muftiut të tij", sepse ai kur përreth tij nuk ka gjetur asnjë mufti (muxhtehid) dhe është detyruar që të kërkojë fetva prej Shafiiut p.sh., në këtë rast medhhebi i tij është medhhebi i Shafiiut sipas të njëjtës rregullore.
Ky është kuptimi i fjalës së Ibnul-Kajjimit. Mund ta gjeshë gjerë e qartë në të gjitha librat e Usulit në temën e ixhtihadit. Lexo cilin të duash prej tyre do të gjeshë këtë që e tham.
Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI", faqe 52-60. Autor: Dr. Buti.
_________________________
[1] - Krahaso mes kësaj që e thotë Ibnul-Kajjimi rahimehullah dhe asaj qe e supozon autori i broshurës ku thotë se ixhtihadi është i lehtë dhe se nuk ka nevojë përpos që njeriu t'i posedojë librat e sunnetit dhe Muvetain e Malikut. Po ashtu thotë se nëse vëren ndonjë kundërshtim mes haditheve, atëherë ka për obligim që ndonjëherë të veprojë me këtë hadith e herave tjera me tjetrin!!
[2] - Këtë që e thamë e di edhe studiuesi më i vogël që ka mësuar dallimin mes këtyre tri fjalëve: mufti, alim dhe muxhtehid. Mirëpo, "komisioni i caktuar" për përgjigje ndaj librit tonë ka shfrytëzuar këtë të vërtetë shkencore për punë të këqija që nuk e pranon morali i pastër, vetëm e vetëm që të nxisin fitne, pa e diskutuar me një fjalë shkencore ose gjysëm shkencore.