Ku është Allahu xh.sh.?



Pyetja:

Si duhet të përgjigjet një musliman nëse pyetet se ku është Allahu i Plotfuqishëm, meqë kjo çështje brenda ummetit është një konfuzion i madh akideor, duke u nisur edhe nga fakti se dikush thotë se Ai është mbi arsh, dikush mbi qiej, dikush kudo, etj., etj.?!

Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

Çështja se "ku është Allahu xh.sh.?", është diçka që kurrë nuk është debatuar ose bërë çështje diskutimi në mes muslimanëve përgjatë shekujve me radhë. Fatkeqësisht, nga shkaku i injorancës së thellë rreth fesë sonë, disa muslimanë të caktuar e shpenzojnë kohën e tyre të çmuar duke argumentuar mbi çështje të vogla e të parëndësishme, si dhe çështje që nuk duhet diskutuar për to, ndërsa i harrojnë përgjegjësitë dhe detyrat e realta të tyre.

Besimi (akidja) që dikush duhet të ketë lidhur me Zotin dhe Krijuesin e tij është se Allahu xh.sh. është Një, askush dhe asgjë s'është i ngjashëm me Të, asgjë nuk mund ta pushtojë e përshkojë Atë, nuk ka Zot tjetër përveç Tij dhe Ai është i Përjetshëm pa fillim dhe i Përhershëm pa mbarim. Ai as që do të zhduket e as që do t'i vije fundi ndonjëherë dhe asgjë nuk mund të ndodhë pa dëshirën e Tij. Asnjë imagjinatë nuk mund ta konceptojë Atë dhe asnjë të kuptuar nuk mund ta përfshijë Atë. Ai është i ndryshëm nga çdo krijesë e krijuar prej Tij.

Allahu i Gjithëfuqishëm thotë për Veteveten e Tij: "... Asnjë send nuk është si Ai ...", (Kur'an, Esh-Shura: 11). "Dhe Atij askush nuk i është i barabartë", (Kur'an, El-Ihlas: 4).

Në saje të këtyre ajeteve, si edhe ajeteve të tjera kur'anore dhe teksteve të hadithit, njëri nga besimet më kryesore që një musliman duhet të ketë lidhur me Allahun Fuqiplotë është ai se asnjë krijesë nuk është e ngjashme me të. Nëse Allahu xh.sh. konsiderohet të jetë i ngjashëm ose i përngjashëm ose të ketë ndonjë cilësi të krijesave të Tij, atëherë kjo do të përbënte kufr (mosbesim).

Imam Abu Hamid El-Gazali (Allahu xh.sh. e mëshiroftë) deklaron: "Kushdo që mendon se Allahu xh.sh. posedon trup të përbërë nga organe, atëherë ai është idhujtar ... Kushdo që adhuron një trup, konsiderohet mosbesimtar nga ixhmai (konsensusi) i të gjithë dijetarëve, pra i dijetarëve të hershëm (selefit) dhe të mëvonshëm (mute'ahirunëve)", (Ilxham'ul-Avam an Ilm'il-Kelam, 6-8).

Nëse dikush beson se nuk ka asgjë të ngjashme me Allahun e Madhërishëm në asnjë aspekt, atëherë kjo akide është korrekte dhe nuk ka nevojë për diskutime dhe argumentime. Unë besoj se nuk ka ndonjë musliman që vërtetë beson se Allahu xh.sh. është i ngjashëm me krijesat e Tij në çfarëdo mënyre, prandaj diskutimet dhe argumentimet duhet të shmangen. Po, nëse dikush beson se Allahu xh.sh. ka duar, këmbë, fytyrë, etj., ... pra të ngjashme me të krijesave të Tij, atëherë pa pikë dyshimi ky person do të del nga hapësira e Islamit.

Lidhur me pyetjen se "ku është Allahu xh.sh.?".

Së pari: duhet të kihet parasysh se kjo nuk është një çështje për të cilën do të pyetemi në Ditën e Gjykimit. Ne kemi nevojë për njerëz që vërtet mësojnë rreth gjërave themelore islame, në vend se të jepen në këto çështje që nuk iu takojnë. Ata që argumentojnë dhe shkaktojnë përçarje përmes çështjeve të tilla, pa dyshim se janë injorantë madje edhe ndaj gjërave themelore të namazit, zekatit, haxhit, etj., ... "Ne vërtet duhet të zgjohemi dhe të kuptojmë se qenka ditë!".

Së dyti: kjo pyetje në vetvete është gabim. Ne pyesim lidhur me vendndodhjen e një personi që jeton brenda kohës dhe hapësirës. Për shembull, unë përfshihem në kohë, d.m.th., unë jetoj brenda kohës, si dhe kam një trup që ka nevojë të mbushë ca hapësirë.

Megjithatë, Allahu i Gjithëfuqishëm dhe i Lartmdhërishëm është Krijuesi i kohës dhe hapësirës. Nëse ne e kufizojmë atë me kohën dhe hapësirën, atëherë kjo do të nënkuptonte se ne po e përgjasojmë me krijesat e Tij duke i përshkruar Atij trup, meqë hapësira është e kufizuar. Nëse dikush do të thoshte se Allahu i Plotfuqishëm është gjithkund, atëherë kjo do të ishte gabim, meqë 'gjithkund' është e kufizuar dhe përfundon diku, ndërsa Allahu xh.sh. është i pakufizuar.

Ngjashëm, të thuhet se Allahu xh.sh. është në tokë, qiell, hënë, diell, Arsh (Fron), etj., është poashtu gabim, meqë këto gjëra janë të kufizuara dhe të kufizohet Allahu i Madhërishëm me ndonjë gjë të krijuar është kufr.

Imam Tahaviu (Allahu xh.sh. e mëshiroftë) deklaron në veprën e tij të mrekullueshme "El-Akidet'ut-Tehavijje": "Ai (Allahu xh.sh.) është përtej të pasurit kufij në qënien e Tij ose të qenurit i kufizuar ose të pasurit pjesë (anë) a gjymtyrë. As që është i përfshirë nga gjashtë drejtimet siç janë të përfshira të gjitha krijesat e Tij", (fq. 9).

Imam Nesefiu (Allahu xh.sh. e mëshiroftë) ka deklaruar: "Ai (Allahu xh.sh.) nuk është trup (xhism) e as atom (xhevher) e as diçka e formësuar (musavver) e as diçka e kufizuar (mahdud) e as diçka e numërueshme (ma'dud) e as diçka e ndashme ose pjesëtuar e as diçka e kombinuar (muterekkeb) e as që i vie fundi ndonjëherë. Ai nuk përshkruhet përmes esencës (el-ma'hije) ose përmes cilësisë (el-kejfijje) e as që zë vend në hapësirë (el-mekan) dhe koha (ez-zeman) nuk ndikon tek Ai. Asgjë nuk i përgjason Atij, që do të thotë, asgjë s'është si Ai", (shih Sa'd'ud-Din et-Taftazani & Nexhm'ud-Din En-Nesefi, Sherh'ul-Akaid'in-Nesefijje, 92-97).

Në përfundim, ne duhet të kemi akiden (besimin) se Allahu i Madhërishëm është i pastër nga hapësira dhe koha. Është gabim të thuhet se Ai është gjithkund dhe po ashtu është gabim të besohet se Ai është në (ose mbi) diçka, meqë gjithçka është e kufizuar, kurse Allahu xh.sh. është i pakufizuar. Megjithatë, ne duhet të besojmë se dituria e Tij përfshinë gjithçka dhe Ai di, sheh dhe dëgjon gjithçka.

E Allahu i Gjithdijshëm e di më së miri!



Përgjigjet: Mufti Muhammed ibn Adem El-Kevtheri,
Dar'ul-Ifta, Leicester, UK.
Shqipëroi: Daim Abazi

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...