Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit në këndvështrimin historik dhe shkencor



I dashuri ynë, zotëria i bijve të Ademit, Pejgamberi a.s. ishte njeri, por jo si gjithë njerëzit e tjerë. Historia e jetës së tij nuk është si historia e asnjë njeriu tjetër mbi sipërfaqen e tokës. Kjo sepse ai është shembulli më i mirë dhe drita udhëzuese për mbarë njerëzimin. Prandaj, çdo aspekt, moment dhe çast i jetës së tij është udhëzim, mësim dhe këshillë për këdo që do të marrë udhëzim, këshillë dhe mësim. Prej këtu, del dhe kuptojmë rëndësinë e jetës së ndritur të këtij Profeti, që ishte vula e gjithë Pejgamberëve dhe mëshira e dhuruar gjithë botëve.

Është detyrë për çdo mysliman, i cili me dëshirë, bindje dhe vullnet të plotë pason këtë Pejgamber të madh, të kujtojë dhe përkujtojë, vetes dhe të tjerëve, sa më tepër që të jetë e mundur pjesë nga jeta e tij ndritur.

Sa më shumë që ta studiojmë jetën e të Dërguarit a.s. aq më tepër do ta duam, do ta nderojmë dhe do ta pasojmë. Sepse jeta e tij nuk është dhe nuk i ngjan jetës së asnjë krijese tjetër. Atë Allahu i Madhëruar e bërë "siraxhen munira - dritë ndriçuese" dhe mëshirë për mbarë botët.

Ka disa prej vëllezërve tanë që janë sprovuar me debate rreth përkujtimit, apo jo të ngjarjeve historike në përgjithësi dhe veçanërisht të ngjarjeve të mëdha nga jeta e Pejgamberit a.s. Sikur ngjarjet historike të mos kishin rëndësi dhe sidomos ato që flasin për Beni Israilët, Allahu nuk do t'i kishte përmendur dhe vulosur në Kur'an duke thënë: "Me të vërtetë në tregimin e tyre ka mësim për të zotët e mendjes". [1] A mund të themi që të marrim mësim vetëm prej Pejgamberëve të mëparshëm dhe të lëmë mësimet që dalin prej ngjarjeve të mëdha të Pejgamberit tonë a.s.? A të përmendet milingona e Sulejmanit a.s. dhe lopa e Beni Israilëve, e të mos përmenden dhe përkujtohen mrekullitë e të Dërguarit tonë, Muhamedit a.s.? Kjo gjë nuk lejohet të thuhet dhe as të pranohet prej asnjë myslimani.

Prandaj ne duhet ta përkujtojmë një prej ngjarjeve më të mëdha nga jeta e Pejgamberit tonë, e cila është ngjarja dhe në të njëjtën kohë mrekullia e Israsë dhe Miraxhit.


Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit

Mrekullia e udhëtimit tokësor (Isra) dhe atij qiellor (Miraxh), edhe sot pas 15 shekujsh mbetet një ngjarje shumë e rëndësishme, me mësimet dhe refleksionet që na sjell, si në aspektin historik, por edhe në atë shkencor.

Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit është e përbërë nga dy pjesë. Pjesa e parë, e cila përbëhet nga shpejtësia e jashtëzakonshme me të cilën Pejgamberi a.s. bëri udhëtimin tokësor (Isra) nga Qabja në Mekë për në xhaminë Aksa në Kudsin Sherif (Jeruzalem). Pastaj, edhe një herë me këtë shpejtësi, pjesa e dytë e mrekullisë, e udhëtimit hapësinor (Miraxh) nga toka, xhamia Aksa, për në qiell, që sado të mund të përparojë shkenca dhe teknologjia, nuk mund t'i përcaktojë se sa të mëdha ishin këto shpejtësi dhe as nuk do të arrijë ndonjëherë të njohë diçka rreth kësaj force, shpejtësie dhe mënyrës se si ndodhi ky udhëtim, vetëm aq sa na është treguar në Kur'anin Famëlartë.

Ja se si përshkruhet ky udhëtim në Librin e Allahut: "Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit gjer në Mesxhidi Aksa, rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi, Shikuesi". [2]

Ky udhëtim është kryer me trup dhe me shpirt, në një pjesë të natës mes Qabes në Mekë për në xhaminë Aksa në Kuds (Jeruzalem). Udhëtimin me trup dhe me shpirt, dhe jo vetëm me shpirt (në gjumë, në ëndërr etj.) e mbështesim në këto argumente:

Allahu e fillon ajetin me fjalën "Subhane" (Pa të meta është Lartmadhëria e Atij) dhe përdormi i fjalës "Subhane", është parapërgatitje për lexuesin se më pas do të lexojë një gjë të çuditshme për mendjen njerëzore. Allahu xh.sh. e pastron veten e Tij nga dobësia, mungesa e pafuqisë, ortakëria se ndokush mund të sjellë diçka të ngjashme me Të, etj..

Përdormi i fjalës rob, "që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës", dhe rob nuk i thuhet dikujt vetëm në qoftë se është me trup dhe me shpirt.

Udhëtimi ishte me trup dhe me shpirt, sepse po të ishte vetëm me shpirt, në gjumë në ëndërr nuk do të konsiderohej mrekulli dhe as nuk do të gjente përgënjeshtrimin dhe mohimin nga ana e idhujtarëve të Mekës për këtë ngjarje.

Në hadithin e saktë që transmeton ngjarjen, Pejgamberi a.s. na tregon për mjetin e udhëtimin me të cilin përshkoi distancën dhe hapësirën qiellore, që quhej Burak.


Çfarë ishte "buraku"?

Pasi Pejgamberi a.s. përfundoi udhëtimin e tij dhe u kthye në Mekë, ai u tregoi njerëzve për çfarë i kishte ndodhur gjatë një pjese të natës. "Pastaj Xhibraili a.s. më solli një kafshë të bardhë, e cila quhej Burak… hidhte hapin aq sa hidhte shikimin". [3]

Kjo kafshë ishte mjeti me të cilin Pejgamberi a.s. bëri udhëtimin e tij tokësor dhe qiellor. Por çfarë thonë komentuesit për të? Përveç mendimit tradicional për të, që është një kafshë, ka edhe një mendim tjetër, që ndoshta është edhe më i pranueshëm për natyrën e kësaj mrekullie, që Burak, u quajt kështu prej thellësisë së bardhësisë dhe shkëlqimit të saj, ashtu siç është edhe vetëtima, pasi Burak vjen nga fjala Berk, që në gjuhën arabe do të thotë vetëtimë. Kështu që Pejgamberi a.s. udhëtoi me anë të kësaj dukurie nga Meka në Kuds dhe pastaj nga Kudsi në qiell me shpejtësinë e dritës (me anë të vetëtimës). Pastaj, me të mbërritur në xhaminë Aksa, Pejgamberi a.s. fali si imam dy rekate namaz në prani të Pejgamberëve të tjerë dhe më pas bëri Miraxhin, ngjitjen në qiell.


Miraxhi - ngjitja në qiell

Universi, të cilin njeriu mund të shikojë vetëm një pjesë të vogël të tij, është shumë herë më i gjerë dhe më i madh, por kaq arrin kapaciteti dhe mendja njerëzore të shikojë dhe perceptojë. Shkencëtarët llogarisin që në univers ndodhen të paktën 125 miliardë galaktika. Çdo galaktikë përbëhet nga 100-400 miliardë yje. Planeti ynë Tokë ndodhet në galaktikën Rruga e Qumështit, e cila është 100.000 mijë vjet drite e gjerë dhe 1.000 vjet drite trashësi dhe që ka formën e një pjate.

Se ku fillon qielli i parë dhe ku mbaron, atë nuk e di kush përveç Atij që e krijoi gjithë këtë madhështi vetëm duke i thënë "kun fe-jekun" - "bëhu" dhe ajo "u bë" menjëherë. Një udhëtim në gjithë këtë hapësirë edhe me hipotezat dhe teoritë e shkencës së sotme, të cilat janë të pamundura që të realizohen praktikisht, nuk mund të ndodhë, përveç me forcën dhe fuqinë e Atij, i Cili vetë e krijoi këtë hapësirë.

Atyre që mohojnë mrekullinë e Israsë dhe Miraxhit, u themi që të lexojnë dhe të kërkojnë për ngjarje të tjera, që kanë ndodhur gjatë historisë së njerëzimit dhe janë të regjistruara në librat e historisë njerëzore, por veçanërisht ato mrekulli të cilat Kur'ani Famëlartë i ka regjistruar.

Por, si ka ndodhur ky transportim në atë distancë të madhe, akoma edhe sot nuk dihet gjë se në çfarë mënyre dhe forme ndodhi.

Shndërrimi i materies në energji dhe i energjisë në materie: Ajo që mund të na ofrojë kuptimin e udhëtimit të Pejgamberit a.s. në këto distanca super të largëta është shndërrimi i materies në energji, pastaj shndërrimi i energjisë në materie. Sipas zbulimeve të reja shkencore kjo gjë është e njohur, apo e mundur teorikisht, por është vetëm çështje teorie dhe e pamundur të realizohet praktikisht.

Tani, le të hyjmë në Miraxh, ose në ngjitjen nga sipërfaqja e tokës në shtresat qiellore, duke përshkuar dhe depërtuar distancat tokësore, planetare dhe yjore, deri atje ku njeriu dhe mendja e tij, por edhe e asnjë krijese tjetër, nuk kanë më njohuri.

Surja Nexhm, në të cilën përshkruhet Miraxhi, tregon për udhëtimin qiellor ku thuhet: "Pasha yllin kur ai bie! Shoku juaj (Muhamedi) as nuk është njeri që ka humbur, e as që ka devijuar. Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur'ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet. Atë ia mësoi Ai, fuqiforti, (Xhibrili). Që ka mendje precize dhe që u përqendrua në formën e vet (reale). Dhe ai (Xhibrili) ishte në horizontin e lartë. Pastaj u lëshua dhe iu afrua. E ishte afër sa dy harqe (dy kute) apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që ia shpalli. Zemra nuk mohoi atë që pa. A po i bëni polemikë atij për atë që ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. (E ka parë) tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është xhennetul Me'va (kopsht strehimi). Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet". [4]

Për ta afruar më afër mendjes njerëzore këtë mrekulli të jashtëzakonshme, patjetër duhet t'i qasemi teorisë së astrofizikës, teorisë së udhëtimit në hapësirë me shpejtësi të mëdha, që i afrohen shpejtësisë së dritës.

Në vitin 1905, Ajnshtajni, në teorinë e tij të relativitetit bashkoi vendin me kohën. Ai tha se nuk mund të flasim për kohën pa marrë parasysh vendin dhe as për vendin pa marrë parasysh kohën. Sa kohë që çdo gjë është në lëvizje, patjetër ajo mban me vete edhe kohën e saj dhe sa më shpejt të lëvizë, aq më shumë koha tkurret (zvogëlohet), në krahasim me kohërat e lidhura me lëvizjen, të cilat janë më të ngadalta se ajo.

Përfundimi: Koha tkurret (zvogëlohet) me rritjen e shpejtësisë dhe shpejtësia rritet me shtimin e fuqisë.

Kështu materialistët janë të bindur se shpejtësia, koha dhe fuqia janë gjëra të lidhura me njëra-tjetrën. Por, në qoftë se ekziston ndonjë krijesë më e fuqishme se njeriu, e për besimtarët ekzistojnë krijesa të tilla, (ndoshta jo nga lloji i njeriut, si p.sh. xhin, ose engjëj), atëherë ai lëviz me ligje të tjera, të ndryshme nga ligjet njerëzore, duke përshkuar distanca, duke kaluar pengesa dhe duke bërë gjëra të tjera që njeriu nuk i imagjinon dot.

Megjithëse shpejtësia e dritës në boshllëk, është shpejtësia më e madhe e njohur deri tani, shkenca moderne nuk mohon ekzistencën e ndonjë shpejtësie tjetër më të madhe se shpejtësia e dritës në boshllëk, edhe pse akoma nuk e ka arritur një gjë të tillë, ndonëse shpejtësia e grimcave Beta në ujë arriti t'ia kalojë shpejtësisë së dritës, por vetëm në ujë dhe jo në boshllëk.


Çfarë rëndësie ka kjo ngjarje mrekulli?

Të kuptuarit e rëndësisë së përkujtimit të kësaj mrekullie, apo mësimet që nxjerrim prej saj janë qëllimi i Israsë dhe Miraxhit. Këtë shkurtimisht po e përmbledhim si më poshtë:

1. - Mesxhidul Aksa: Duke ditur se Pejgamberi a.s. udhëtoi nga Qabja në Mesxhidul Aksa, kjo nënkupton rëndësinë e Xhamisë Aksa për myslimanët dhe se kjo xhami është Kibla e parë e myslimanëve dhe xhamia e tretë e shenjtë për ta.

2. - Feja e Allahut është një: Falja e dy rekateve namaz me Pejgamberët e tjerë në xhaminë Aksa dhe takimi me ta në çdo qiell tregon se feja e Zotit është një dhe e vetme, se pejgamberët janë vëllezër, të gjithë janë dërguar prej Allahut xh.sh. dhe ne nuk bëjmë dallime mes tyre. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Shembulli im dhe shembulli i profetëve përpara meje është sikur shembulli i një njeriu që ndërtoi një shtëpi, e përsosi, e zbukuroi dhe e plotësoi, përveç një tulle në një qoshe. Njerëzit filluan ta vizitonin, të mahniteshin dhe thoshin: Ah sikur kjo tullë të vendosej këtu e të plotësohet ndërtimi i saj! Pejgamberi a.s. tha: Unë jam kjo tullë"! [5]

3. - Namazi: Siç e dimë dhe kemi mësuar namazi u bë obligim në Miraxh, pra në qiell dhe kjo nënkupton se namazi është miraxhi i besimtarit dhe kushdo që dëshiron të bëjë miraxh, nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se të marrë abdes dhe të falë namaz.

4. - Besa me Allahun dhe Beni Israilët: Në Kur'an surja që përshkruan udhëtimin nga Qabja në Mesxhidul Aksa quhet Isra dhe pikërisht në këtë kapitull Allahu xh.sh. flet për Beni Israilët, për ngritjen dhe rënien e tyre dhe të çdokujt që thyen besën me Allahun xh.sh.

Në përfundim: E gjithë ngjarja e Israsë dhe Miraxhit transmetohet me argumente të pakundërshtueshme dhe të sakta, e këto janë Kur'ani Famëlartë dhe thënie të sakta të Pejgamberit a.s. Në Islam, në fenë e Allahut, nuk na lejohet të flasim vetëm se me argumente bindëse, bazuar në atë që thuhet në Kur'an: "Thuaj: Jepni argumentet tuaja, nëse jeni të sinqertë".

Gjithashtu, nuk mundemi kurrë ta përshkruajmë në mënyrë të plotë në pak rreshta këtë mrekulli të jashtëzakonshme të zotërisë sonë, Muhamedit a.s..



Autor: Lavdrim HAMJA



_________________________

[1] - Jusuf: 111.
[2] - Isra: 1.
[3] - Buhariu dhe Muslimi.
[4] - Nexhm: 1-18.
[5] - Transmeton Buhariu, Muslimi, etj..

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...