Jeta e Ebu Hanifes



Emri i plotë i Ebu Hanifes është Nu'man ibn Thabit ibn Zutah ibn Mah, [1] siç e thekson vepra Tabakatu-l-Fukaha, apo Nu'man ibn Thabit ibn Kavus ibn Hurmuz Merzuban ibn Behram, sipas veprës Hedjet'ul-arifin.

Ai është Imami A'dham - Imami më i madh, udhëheqësi i muxhtehidëve, Ebu Hanifeh El-Kufi El-Bagdadi, një nga katër imamët më të mëdhenj të ehli sunetit. Thuhet se është me prejardhje persiane. [2] Ka lindur në vitin 80 hixhrij/700 në Kufe, në kohën e halifit emevit Abdulmelik ibn Mervanit, ku është rritur dhe ka jetuar, kurse ka vdekur në vitin 150 hixhri/767 në Bagdad. Sipas disa burimeve, gjyshi i Ebu Hanifes ishte me prejardhje mbretërore persiane nga Kabuli. Ky ishte robëruar në Kabul dhe pastaj u soll në Kufe. Babai i Ebu Hanifes ishte pasues i Aliut r.a. Siç e transmeton En-Neveviu, Aliu r.a. e ka bekuar atë dhe pasardhësit e tij. [3] Më vonë, imamizmi, por edhe zejdizmi e kanë përvetësuar Ebu Hanifen, duke thënë se ka qenë nxënës i Xha'fer Es-Sadikut, etj.. [4]

Ebu Hanifeh tërë jetën e vet ia kushtoi diturisë. Ishte i zgjuar dhe punëtor i palodhshëm. Mësonte Kur'anin, Hadithin, gramatikën, poezinë, letërsinë, filozofinë dhe shkencat e tjera të kohës. Ishte hafidh i Kur'anit, sipas kiraetit të Imam Asimit. [5] Fikhun, por edhe dituritë e tjera i mësoi prej Sha'biut, pastaj Hamad ibn Ebi Sulejmanit, i cili i ka mësuar dituritë prej Ibrahim El-Nahi'ij, kurse ky prej Alkames dhe Esvedit, e këta prej Abdullah ibn Mes'udit dhe Aliut, të cilët patën mësuar nga shkolla pejgamberike. Kishte edhe shumë mësues të tjerë. [6]

Në kohën e Ebu Hanifes në jetë ishin katër shokë të Pejgamberit alejhiselam: Enes ibn Maliku, Abdullah ibn Ebi Evfa El-Ensariu, Ebu Tufejl Amir ibn Vasile dhe Sehl ibn Sad El-Sadiu. [7]

Si djalë i ri ka shitur mëndafsh dhe ka hulumtuar dituri, që më vonë t'i përkushtohet studimeve dhe dhënies së fetvave. Tregtia dhe prodhimi me tekstil bënë që Ebu Hanifeh të arrijë sukses në këtë fushë. Mirëpo, preokupimi kryesor i tij nuk ishte tregtia dhe prodhimi i tekstilit, por dituria.

Fillimisht, Ebu Hanifeh ishte shumë i preokupuar me teologji, logjikë, filozofi, doktrinat sektare e të tjera, dhe ka shpenzuar shumë kohë, duke diskutuar me njerëz të ndryshëm. Ndoshta pas preokupimit të gjatë dhe të mundimshëm me teologji e polemika, e braktisi pjesërisht teologjinë dhe filloi të merret me fikh. Edhe në këtë fushë, ndoqi rrugën e shkollës racionaliste. Pas vdekjes së Hammadit, Ebu Hanifeh u zgjodh mësues i shkollës. Si udhëheqës punoi rreth 30 vite. Për të dhe shokët e tij, thuhet se ka trajtuar dhe hulumtuar rreth 60 mijë, ndoshta edhe 83 mijë çështje juridike. Kishte rreth 700 deri 800 nxënës, të cilët u shtrinë nëpër vende të ndryshme dhe punuan punë të llojllojshme. [8] Në këtë mënyrë, ata shtrinë mësimet e shkollës hanefite. Rreth 50 prej nxënësve të tij u bënë gjyqtarë në kohën e abasitëve. Mësimet e tij u miratuan në pjesën më të madhe të botës muslimane: te abasitët, selxhukët, osmanët dhe mogulët. Edhe sot, shumica muslimane në botë ndjek rrugën e shkollës hanefite. [9]

Jezid ibn Umer ibn Hubejre, halifi emevit, kërkoi prej tij, që ta pranojë detyrën e kadiut, mirëpo, ky e refuzoi këtë nga frika e përgjegjësisë së detyrës dhe nga devotshmëria. [10] Pas kësaj, edhe halifi abasit Xha'fer El-Mensur kërkoi prej tij që të bëhet kadi në Bagdad, mirëpo Ebu Hanifeh e refuzoi. I provokuar nga ky veprim i Ebu Hanifes, Mensuri u betua se do ta detyrojë Ebu Hanifen ta pranojë detyrën e kadiut, kurse Ebu Hanifeh u betua se do ta refuzojë atë. Këmbëngulësia e halifit dhe parimësia e Ebu Hanifes rezultuan që halifi Mensur ta burgosi. Sipas shumë versioneve, Ebu Hanifeh vdiq në burg nga vuajtjet dhe mundimet. Por ka edhe mendime Të tjera, se Ebu Hanifeh doli nga burgu para vdekjes. [11]



Autor: Nexhat IBRAHIMI



_________________________

[1] - Shibli Nu'mani, Abu Hanifa - Zivot i djelo, Zagreb, 1996, fq. 17-18.
Shibli Nu'mani shpjegon se nofka (kunja) Ebu Hanifeh, që i përshkruhet Nu'manit, dhe që është edhe më e njohur se vetë emri i tij, nuk buron nga emri i djalit të Ebu Hanifes, sepse ai nuk kishte djalë me emrin Hanif. Nofka e ka prejardhjen nga sintagma Ebu'l-mil-lete el-hanifah e nxjerrë nga ajeti kur'anor, "fe't-tebi'û mil-lete ibrâhîme hanîfen ...", (Ali Imran, 95). Op. cit., fq. 23.
[2] - Sefik Kurdic, Ebu Hanife i namaz u hanefjskom mezhebu, Zenica, 2001, fq. 23-24. Sefik Kurdic, Velikani hadiskih znanosti, Zenica, 2003, fq. 15-59.
[3] - Nerkez Smailagic, Leksikon islama, Sarajevë, 1990, fq. 11. M. M. Sharif, HIF, II, op. cit., fq. 85. Henry Laoust, Raskoli u islamu, Zagreb, 1989, fq. 85.
[4] - Henry Laoust, op. cit., fq. 85, fusn. 68.
[5] - Muhammed Ebu Zehreh, Tarih'ul-medhahib'il-islamijjeh, Kairo, (-), fq. 349.
[6] - Për jetën dhe pikëpamjet fikhore e tjera të Ebu Hanifes në gjuhën shqipe shih: Nexhat Ibrahimi, Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrinës së saj, botimi II, Prizren, 2000/1421 h., fq. 94-105, etj.. M.M. Sharif, II, op. cit., fq. 85-86.
[7] - Disa thonë se Ebu Hanifeh është takuar me më shumë as'habë: me 5 prej tyre, apo edhe me më shumë. El-Havarizmi thekson emrat e as'habëve dhe pohon se Ebu Hanifeh prej tyre ka transmetuar hadithe. Gjerësisht, për kontributin e Ebu Hanifes në hadith, lexo: M. Omerdić, Ebu Hanifin doprinos hadiskoj nauci, Islamska Misao, 21/1980, fq. 15-18.
Janë bërë vërejtje të rënda, në llogari të Ebu Hanifes, se nuk e ka njohur hadithin, mirëpo vërejtjet e tyre, pa dyshim, janë prodhim i fanatizimit sektar, apo i injorancës intelektuale. Ebu Hanifeh e ka vizituar Qaben 55 herë, ka vizituar Medinen shumë herë, ka diskutuar me Malik ibn Enesin dhe dijetarë të tjerë. Si ka qenë e mundur mos ta mësonte asnjë hadith apo shumë pak hadithe? Lexo: Šefik Kurdić, Ebu Hanife, op. cit., fq. 53-84. Lexo për krahasim: Abdulvehab El-Meshedani, Mënyra e të falurit të Pejgamberit a.s. në frymën e mez'hebit hanefij, Gostivar, 1422 h./2001.
[8] - Sefik Kurdic, Velikani hadiskih znanosti, Zenicë, 2003, fq. 23-24.
[9] - M.M. Sharif, II, op. cit., fq. 86.
[10] - N. Smailagić, Leksikon, op. cit., fq. 11.
[11] - N. Smailagić, Leksikon, op. cit., fq. 11.
Ahmed Emin mendon se Ebu Hanifeh vdiq në burg. Duha'l-islam, II, bot. IX, 1979, fq. 183.
Muhammed Ebu Zehreh shtron tri mendime:
1. Vdiq nga torturat në burg.
2. Vdiq i munduar fizikisht nga helmimi.
3. Vdiq në shtëpi nga pasojat e lëndimeve në burg. Muhammed Ebu Zehreh, Ebu Hanifeh, Kairo, 1976, fq. 54-59.
Shih gjerësisht versionet rreth polemikave me Xha'fer El-Mensurin dhe rreth vdekjes së Ebu Hanifes: Shibli Nu'mani, op. cit., fq. 54-55 dhe 56-58.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...