Arsyet pse hoxha nga Peja humbi padinë në gjykatë



Gjykata Themelore e Prishtinës ka nxjerrë aktgjykim ku e ka refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e ish-kryeimamit të Pejës Enes Goga me objekt shpifje dhe fyerje kundër të paditurve: gazetarit Visar Duriqi, portalit "Express" dhe portalit "Zëri".

Gjyqtarja Rrezarta Sylejmani Voca e ka refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e Enes Gogës që të vërtetohet se gazetari Visar Duriqi ka shpifur ndaj Enes Gogës në shkrimet: "Inteligjenca Ndërkombëtare: Wahabistët e Pejës merreshin me haraç e drogë - kishin edhe kampe rekrutimi", "Nëna e kryeimamit radikal, Enes Goga pa mbulesë" të publikuara me 30 Shtator dhe 7 Tetor të vitit 2014 në portalin "Express".

Gjithashtu paditësit i është refuzuar në tërësi kërkesa që Media Work (e cila në tekstin e padisë referohet si pronare e të drejtave autoriale e gjithë materialit dhe fotografive të portalit "Express") t'ia paguajë 10.000 Euro dëmshpërblim, plus kamatën ligjore deri në pagesën definitive, të njëjtit.

Po ashtu sipas aktgjykimit është refuzuar kërkesëpadia që të vërtetohet se portali Zëri ka fyer Enes Gogën në shkrimet: "Kryeimami i Pejës si Shehrezadia", "Enes Goga si sheik në xhaminë e Devollëve" të publikuara me 20 dhe 23 Gusht të vitit 2014.

Rrjedhimisht është hedhur poshtë kërkesa që ky portal t'ia paguajë në emër të dhimbjeve shpirtërore, cenimit të autoritetit dhe fyerjeve të pretenduara 10.000 Euro të tjera ish-kryeimit.

E përveç mos realizimit të kërkesave të veta, Enes Goga në rastin e plotfuqishmërisë së këtij vendimi do të ua paguajë shpenzimet procedurale palëve të paditura, përkatësisht 1.934 Euro Visar Duriqit dhe portali "Express" si dhe 613.6 Euro poralit "Zëri".

Fillimisht pjesë e padisë së ushtruar nga paditësi ishte edhe gazeta "Bota Sot".

Por gjykata me aktvendimin e datës 13.11.2023 ia kishte lejuar precizimin e kërkesëpadisë kryeimamit dhe e kishte konsideruar të tërhequr kërkesëpadinë në raport me të paditurën "Bota Sot".



Përgatiti: kallxo

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...