Mekka dhe Medina



Mekka dhe Medina janë vendet më sakrale të myslimanëve, por Arabia Saudite, pas themelimit të saj në vitin 1932, 'Nuk konsiderohet djepi civilizimit Islam'! Islami ka lindur në Meke dhe eshte përmbyllur si shpallje hyjnore në Medine.

Meka është i njohur si vendi i fillimit të shpalljes së Kuranit (mehbitul-vahji). Në atë kohë, por edhe shumë shekuj të tjerë me radhë, Arabia Saudite nuk ka qenë e njohur me emrin e sotëm, por me emrin krahinor Hixhaz dhe Nexhd.

Pas kalimit në amshim të të dërguarit Muhamed, qendrat më të njohura për zhvillimin dhe kultivimin e mësimeve islame janë zhvendosur jashtë rajonit të Hixhazit si: 'në Damask-Sham, Badgad, Kufe, Shiraz-Persi, Granada dhe Kordovë-Andalusia Kajravan-Tunis, Kairo dhe Istanbul'. Hizhazi si krahinë, afërsishtë mbi 1300 vite, apo më saktësisht deri në gjysmën e shekullit XX-të, nuk ka pasur asnjë qendër, institut apo universitet për studimin e Islamit, e as edhe të ndonjë fushe tjetër shkencore. Gjithçka deri në këtë kohë, sa i përket Islamit ka qenë vetëm interpretim dhe narracion i formës gojore.

Vlen të rithekësohet se edhe themeluesi i shkollës fetare juridike hanbelite, të cilën e përfaqëson Arabia Saudite sot, ka lindur dhe ka vdekur në Bagdad.

Në shtetin modern të Arabisë Saudite, gjinden dy vendet më të shenjta myslimane, Qabja në Meke dhe xhamia e të dërguarit Muhamed në Medine, dhe këtë askush nuk e vë në dyshim si dhe e as rolin shpirtëror që kanë për besimtarët.

Mirëpo, duhet të ditur se universitetet dhe akademitë e para eduaktivo mësimore në shtetin modern të Arabisë Saudite, janë themeluar vetëm pas viteve 1950-ta të shekullit të kaluar, dhe atë nga mësues, pedagog dhe ekspertë, të cilët vinin jashtë shtetit të sotëm saudit, kryesishtë nga Egjipti, Siria, Iraku, Sudani, si dhe nga India.

Arabia Saudite, vetëm pas zbulimit të naftës dhe rritjes së shpejtë ekonomike, arriti që të zgjerojë ndikimin e saj në rajon dhe më gjerë,duke përhapur shkollën e saj fetare të themeluar nga studiuesi me origjinë irakiane Ahmed bin Hanbel (780-855), të cilën si shkollë dhe version interpretues, autoritetet fetare saudite e kishin mishëruar me formën e interpretimit lokal të vendasit të tyre Abdul Wehabit, i lindur në provincen Nexhd (1703-1792), si dhe me mësimet dhe fetvat e Ibni Tajmijes (1263-1328) dhe të Ibni Kajjim el-Xhevzij (1292-1350), e që të dy poashtu ishin të lindur e të vdekur në Damask, gjegjësisht Sham.

Ky ishte një sqarim i shkurtër historik faktik, dhe vetëm sa për njohuri e si përkujtim, përndryshe ky elaborim në asnjë mënyrë nuk nënkupton nënvlerësim të këtij shteti të fuqishëm ekonomik dhe politik, e as rolin e tij që ka në rajon dhe më gjerë.



Autor: Xhabir HAMITI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...