Medreseja, domosdoshmëri e kohës apo një traditë e kahmotshme
I. Drejtë bankave shkollore
Detyra dhe qëllimi kryesor i jetës njerëzore është të kërkojë qëllimin e saj. Përpjekja për te arritur këtë, e njohur si edukim është një proces përsosjeje përmes së cilës ne fitojmë në dimensione shpirtërore, intelektuale dhe fizike të qenies sonë. Prandaj, një përpjekje e tillë fillon nga gjiri familjar, për të vazhduar drejtë bankave shkollore, për ta pasuruar botën tonë racionale dhe e gjitha kjo varet nga një arsim i mirëfilltë.
Rinia është e ardhmja e një vendi dhe arsimi është mekanizmi që e skalitë atë për një të ardhme më të mirë për vetveten dhe shoqërinë. Ndonëse dituria është një vlerë në vetvete, qëllimi i të mësuarit është për t'i bërë dijet udhërrëfyese të jetës dhe për të ndriçuar rrugën e përsosjes njerëzore. Prandaj një shkollë e mirë nuk është një ndërtesë ku është dhënë vetëm teori, por një institucion ose laborator ku nxënësit janë përgatitur për jetën.
Shkolla i përgatitë nxënësit që të mund të lexojnë, mendojnë dhe flasin si brenda ashtu edhe jashtë saj. Për këtë arsye, ndonëse duket se ka zënë vetëm një pjesë të jetës, në të vërtetë shkolla dominon të gjitha kohët dhe ngjarjet. Dhe jetët tona si nxënës ndikohen nga ajo se çka ne sot mësojmë nëpër shkolla duke lënë gjurmë nëpër mendjet tona. Nga të gjitha ato njohuri që ne i absorbojmë, me po ato njohuri ne e shohim dhe e projektojmë të ardhmen e vetvetes dhe shoqërisë. Shkolla është shpirti i një kombi, dhe po nuk pati shkollë s'ka progres, kulturë dhe identitet. Prandaj, një komb pa arsim është si një trup pa shpirt. Por, çfarë mund të thuhet për vendin tonë që si asnjëherë më parë në kemi shkolla duke filluar nga ato me të ulëtat e deri tek ato universitaret por,si kurrë më parë për shoqërinë tonë flasin për kaq shumë dije sterile, rini pa ambicie, shthurje, dekadencë morale e shumë e shumë skenarë të tilla që shumë përflitet por asnjëherë s'mundohen të japin shpjegime të arsyeshme.
II. Pse e gjithë kjo?
Ndonëse sot është shumë më lehtë për të ndjekur rrugën e dijes dhe pavarësisht se me të kaluarën, niveli sasior i shkencës është rritur dukshëm, kjo duket se shumë pak i ka ndihmuar shoqërisë sonë për të ngritur një nivel me të lartë kulturor e shkencor. Dhe për më keq, problemet e shoqërisë sonë janë bërë shumë më të shpeshta duke mos u anashkaluar as rinia jonë.
Max Weber shprehet: "Shkenca kurrë nuk i ka dhënë vlera, virtyte, përmbajtje, kuptim dhe synim jetës. Këtë e ka bërë vetëm religjioni, kurse shkenca është një mjek i jetës". Këtu luan rol edhe shteti kur dihet se një pjesë e madhe e përgjegjësisë i takon vetë shtetit që të pajisë rininë me vlera pozitive të niveleve më të avancuara dhe të vazhdojë ta shndërrojë shoqërinë në përcjellësin e vlerave shpirtërore tek të rinjtë. Por duket çartë se diç e tillë tek ne nuk po ndodhë kur dihet se shteti ynë laicizmin po e pranon si parim të vetin duke krijuar kështu një mur të madh që një pjesë e madhe e të rinjve të mos njohin të vërtetat islame. Madje, parimet laike janë future edhe nëpër shkolla. Sot ne literaturën tonë shkollore gjen vetëm teori boshe, gati të papërvetësueshme që më shumë zgjojnë konfuzion ne mendje dhe errësojnë zemrat. Shkencat që nuk e drejtojnë nxënësin drejtë vlerave shpirtërore, e cila nuk hedhë dritë mbi misteret e natyrës njerëzore dhe nuk ndriçon hapësirat e errëta të ekzistencës nuk mund të vlejë asgjë më shumë se një grumbull plehrash që i sjellin njeriut kënaqësi kalimtare.
Ja si e përshkruan Platoni shoqërinë pa virtyte: "Dhe nuk ka si ndodhë ndryshe njerëzit që nuk njohin urtësinë dhe virtytin ata janë vazhdimisht në mes kënaqësive ... dhe do të kenë vetëm kënaqësi të përziera me vuajte, fantazma të kënaqësisë së vërtetë, skica që nuk marrin ngjyrim ...". Dhe e gjitha kjo për shkak të animit tonë nga materializmi shkencor burim i secilës është bota perëndimore. Teksa ata natyrën e shohin si një akumulim të gjërave që nuk kanë vlera të tjera veç pikëtakimit me nevojat fizike, por në fakt natyra është më shumë se një grumbull material, ajo ka një shenjtëri të përcaktuar sepse është arena në të cilën janë manifestuar emrat e Zotit. Prandaj edhe kur flasim për të rinjtë dhe problemet e tyre janë si pasoj që shkollat tona ende se kanë mbushur vakuumin tonë shpirtëror dhe patjetër se ky vakum duhet mbushur disi, atëherë rrugët e vetme janë të mendojmë për kënaqësitë duke ndjekur rrugët e diskotekave, kafeneve, narkotizmit, shthurjes amorale etj., kjo sepse rinia jonë nuk ka ku të mësojë vlera morale.
Duke imituar gjithnjë perëndimin madje edhe në arsim ne kemi këtë gjendje që më së miri e ka thënë dijetari Jusuf el-Kardavi: "Ata ankohen për shkak të boshllëkut, brengës dhe jetës së pakuptimtë. Për këtë shkak jeta e tyre është e ngjashme me mënyrën nomade të ekzistencës, ngase ky civilizim bashkëkohor nuk u ka ofruar inspirim shpirtëror, nuk e ka mbushur boshllëkun dhe vakuumin fetar. Ata nuk e kanë kuptuar me të zanafillën e tyre. Tek kokat e tyre ende sillen pyetjet e përhershme: prej nga janë dhe për se shkojnë". Dita ditës e këtillë gjendje po shfaqet edhe tek ne. Por atëherë nga duhet të shkojmë?
III. Së bashku drejtë medresesë
Nuk duhet harruar se mendjet njerëzore kanë kuptim kur ato janë të mbushura me shkenca ekzakte por që asnjëherë s'duhet harruar që nxënësit kanë nevojë për njohuri fetare ngase ato u japin kuptim dijeve shkencore. Siç citon dijetari i hershëm Said Nursi: "Drita e zemrës janë shkencat fetare islame, drita e logjikës është arti dhe shkencat tjera, me bashkimin lind e vërteta, kurse me ndarjen lindë dyshimi dhe urrejtja". Shkenca gjithmonë I ka pasur dyert e hapura në medrese, por për dallim nga shkollat e tjera medresetë u mësojnë talebeve (nxënësve) të tyre edhe qëllimin e dijes dhe moralin, sepse shkenca pa moral në vend që të shërbejë në të mirë të njerëzimit ajo përdoret për qëllime të këqija sikurse krijimi i bombave atomike, armëve, e mjeteve të ndryshme që janë në dëm të njerëzimit. Ja pra ky është civilizimi i këtij shekulli me arritjet më të larta shkencore që njeriun e sotëm çdo ditë e më shumë po e bënë më të pasigurt.
Prandaj Muhammed Asadi thotë: "Superioriteti i ndonjë kulture apo civilizimi ndaj ndonjë tjetri nuk konsiston në posedimin e sasisë më të madhe të njohurisë shkencore (ndonëse kjo është mjaft e dëshiruar), por në energjinë e tij etike, në aftësinë më të madhe të shpenzojë e të koordinojë aspekte të ndryshme të jetës njerëzore. Në këtë aspekt Islami e tejkalon çdo kulturë tjetër". Vlerat fetare si të domosdoshme i kanë shtyrë që edhe në kohët më të hershme të hapin shkolla të njohura si medrese që edhe populli ynë të ketë një kulturë dhe identitet të tijin. Madje, vetëm në qytetin tonë të Prizrenit ka pasur shumë të tilla me xhamia ku njeriu qetësonte shpirtin me ibadet, në medresetë ku ndriçoheshin mendjet dhe bibliotekat ku zgjeroheshin kufijtë kulturor. Të tilla si xhamia, medreseja dhe biblioteka e Suziut (1513), xhamia, medreseja, biblioteka e Sinan Pashës (1615), biblioteka, hamami i Gazi Mehmet Pashës (1573). Prioriteti i medresesë për të qenë vend kulture e dijesh vazhdon edhe sot drejt kauzës së saj të kahmotshme.
Teksa populli ynë po vuan nga padrejtësia, shfrenimi e dekadenca ka mbetur një shpresë që të vijë një brez i ri që ta rimëkëmbin këtë popull. Dhe nëse kanë qenë pikërisht medresetë ato vende që kur vendit tonë i kanosej rreziku i asimilimit e zhdukjes së tërësishme u ngritën pikërisht hoxhallarët të cilët u bënë fryma e këtij vendi dhe jam i bindur se edhe sot kjo shkollë s'do ta lerë popullin në këtë gjendje dhe me anë të nxënësve të saj duke i edukuar e arsimuar, duke ua mësuar qëllimin e jetës dhe misionin e tyre në këtë botë, duke ua mbjellë dashurinë për vatanin këta nxënës mbetën shpresa e vetme për të parë ditë më të mira. Dhe deshëm apo nuk deshëm, na pëlqeu apo jo vetëm nxënës të mbushur me vlera absolute islame dhe me shkencë do ta nxirrnin kombin tonë nga letargjia dhe dijet sterile.
IV. Përfundim
Nuk është e lehte për asnjë shkollë ta përgatitë brezin i cili do të quhet heronjtë e së ardhmes por, me sa duket, asnjë shkollë tjetër nuk e ka marrë më seriozisht se sa medresetë që ta përgatisin këtë brez sepse para së gjithash shoqërisë duhet mbjellë vlera morale dhe për këtë duhet gatishmëri dhe vetë sakrifikim për këtë brez. Rinia është guximi i së kaluarës, shpresa e së sotmes dhe e ardhmja e së nesërmes por, po nuk u edukua varroset e shkuara, përdhoset e tashmja dhe tjerrët e ardhmja.
Autor: Haki SAHITAJ
Burimet për konsultim:
Çfarë brezi po rrisim, çfarë të ardhme po ndërtojmë?, Revista Etika, nr. 50, Shkodër.
M. Fethullah Gylen, Ese, Perspektiva, opinione.
M. Fethullah Gylen, Statuja e shpirtrave tanë.
Muhammed Asad, Islami në udhëkryq, Zëri Islam, Prizren, 2002.
Muhedin Ahmeti, Sfidat e rinisë bashkëkohore në kohën e globalizimit.
Nexhat Ibrahimi, Medreseja, digë e identitetit fetar dhe kombëtar gjatë historisë, ne: www.zeriislam.com