Në 'shtetin' e ISIS-it nuk ka asgjë islame dhe as shqiptare



"Ata që marrin për mik e mbrojtës Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, (ta dinë se) pa dyshim, pala e Allahut do të jetë fituese", (El Maide, 56).

Lindja dhe zhvillimi i fesë islame u mundësua përmes Shpalljes së Kuranit dhe Sunetit të Pejgamberit tonë Muhamedit a.s.. Ngritja intelektuale, respekti, dashuria, bashkëjetesa dhe paqja, janë disa nga kodet kryesore që ndihmuan në përhapjen e kësaj feje dhe në përqafimin e saj prej miliona e miliona njerëz të përkatësive të ndryshme etnike, anekënd botës. Pa dyshim, kjo ishte ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme e njerëzimit. Një ngjarje me të tilla dimensione dhe me atë sukses aq madhështor është e papërsëritshme dhe e fundit e mbarë njerëzimit.

Zhvillimi i fesë islame pati etapat e veta të suksesshme vetëm atëherë kur kundrohej si fe universale, e shenjtë dhe e Allahut xh.sh.. Jo rrallë herë, përgjatë historisë, sa herë që iu nënshtrua tendencave për t'u përceptuar si ideologji, u bë objekt sulmi. Prandaj kemi edhe atë frazën "islamin njihe përmes Kur'anit dhe Sunetit të Muhamedit a.s., dhe jo përmes muslimanëve, sepse, në mesin e tyre ka injorantë, ka të pandershëm, të pamoralshëm, mercenarë, njerëz të shitur për të keqinterpretuar këtë fe, njerëz që përmes pamjes së jashtme dhe sjelljes së tyre të ngjallin iritim dhe antipati kundër islamit".

Së fundmi, për fatin e keq të muslimanëve të mirë që janë me miliarda të tillë, kjo tendencë ka marrë hov dhe, në emër të islamit po kryhen veprime dhe po zhvillohet një propagandë nga më të egrat dhe më të ndyrat kundër kësaj feje. Një grup rrebelësh, kriminelësh dhe antiislamistë të përbetuar, u ka vajtur mendja që të krijojnë "shtet islamik" duke operuar e vepruar mizorisht në disa vendbanime irakiane dhe të Sirisë. Ata në atë pjesë të shteteve arabe kanë instaluar "sheriatin" e tyre duke thirrur dhe duke pranuar në radhët e tyre mbrojtës të këtij "sheriati" kriminelë nga e tërë bota, njerëz të pistë që nëpër shtetet e tyre kanë probleme me ligjin por, ka edhe nga ata që, të manipuluar deri në palcë kalojnë vullnetarisht në taborrin e mercenarëve.

Tërë bota demokratike është ngritur kundër ISIS-it, tërë bota arabe e lufton këtë organizatë terroriste, nuk ka njeri normal që shpreh simpatinë ndaj veprimeve të pjesëtarëve të kësaj organizate të cilët, dita ditës po shpërfytyrohen në xhelatë të regjur. Në bazë të të dhënave nga shërbimet inteligjente me relevancë botërore flitet se, në radhët e ISIS-it që po na u angazhuaka për një shtet të mirëfilltë islam (!), ka rusë e pjesëtarë të tjerë të ish-Bashkimit Sovjetik, ka serbë anglezë, ka holandezë, francezë, italianë, gjermanë pra, ka edhe shqiptarë, të cilët e kanë kënaqur me islamin në vendet e tyre dhe tani ka ngelur që të flijohen për "shtetin islamik".

Asnjë nga produksionet propagandistike më të zhvilluara në botë nuk do të mund ta lakuriqësonin qëllimin e këtyre terroristëve se sa vetë klipet e tyre që i bëjnë për të dëshmuar se çfarë xhelatësh dhe çfarë kriminelësh që janë. Me plotë gojën "Allahu ekber", pra, në emër të Allahut. ia heqin kokën krijesës së Allahut, mëkëmbësit të Tij në këtë botë! Madhështia e islamit, veç tjerash, reflektohej edhe nga sjelljet jashtëzakonisht humane dhe të papara deri atëherë në historinë e njerëzimit të Muhamedit a.s. në raport me robërit e zënë gjatë luftimeve me armiqtë e atëhershëm të islamit. Veprimet kriminele, amorale, imorale, jonjerëzore, shtazarake e të paimagjinueshme nga truri i shëndoshë, flasin se pjesëtarët e ISIS-it nuk janë asgjë tjetër përveç armiqtë më ogurzi dhe më të pashpirtë të islamit.

Sot, kur pothuajse në të gjitha shtetet e botës, pra edhe në ato arabe, funksionojnë qeveritë dhe parlamentet, të cilat sjellin dhe miratojnë ligje, të cilat ngrejnë iniciativa dhe që realizojnë ide madhore shtetërore e kombëtare. Dhuna nuk pranohet, lufta nuk pranohet, me përjashtim nëse zhvillohet për t'u çliruar nga robërimi. Sot, pas çlirimit të Kosovës, nuk ka shtet në botë që është i robëruar. Dikush mbase ka menduar se, përmes "shpalljes së shtetit islamik", përmes luftimit shumë të arsyeshëm të kësaj ideje. do të arrihet ajo "luftë e qytetërimeve", lufta e të gjithëve kundër islamit. Këtyre planifikusve naivë nuk u doli hesapi i shtëpisë në pazar! Mbarë bota, të gjithë popujt, pavarësisht ngjyrave dhe përkatësive fetare, u rreshtuan në luftë kundër kësaj "murtaje" që po u kanoset, sidomos muslimanëve në emër të "islamit".

Shtetet perëndimore me në krye Amerikën kësaj radhe janë bërë palë më e sinqertë e mbarë botës arabe dhe myslimane për t'i shpëtuar nga këta xhelatë. Detyrimisht, të gjithë këta shtete dhe këta popuj vendosin që secili në radhët e veta dhe brenda territorit të vet t'i luftojë pjesëtarët dhe adhuruesit e kësaj organizate terroriste. Për më tepër, si popull mik, për hir të aleancës historike amerikano-shqiptare, duke e ditur se në krye të luftimit të kësaj të keqe janë SHBA-të, populli ynë e ka obligim moral që të jetë në krah të kësaj aleance. Nuk guxojmë që të manipulohemi nga disa njerëz të kotë, nga disa injorantë në shpirt dhe të bëhemi palë e atyreve që i luftojnë vlerat perëndimoe, vlerat njerëzore por edhe vlerat islame.

Vetë Presidenti amerikan, Barak Obama, i është drejtuar mbarë botës duke i lutur që në asnjë mënyrë mos ta përceptojnë islamin si fe radikale, në asnjë mënyrë nuk guxojnë ta identifikojnë fenë islame me organizatën terroriste ISIS. Edhe vetë Ati i Shenjtë pat deklaruar se do ta mërzis pamasë çdo kush që do ta identifikojnë islamin me këtë organizatë monstër.

Ne, bota myslimane që jemi të mishëruar me vlerat perëndimore, pra, edhe ne shqiptarët myslimanë, këtë angazhim të botës perëndimore më në krye SHBA-në, duhet ta llogarisim si një aleancë shumë të sinqertë që janë në mbrotje të botës myslimane si dhe të vlerave islame. Pse mos t'i llogarisim si miq të islamit kur këtë e thotë edhe vetë ajeti kuranor: "Ata që marrin për mik e mbrojtës Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, (ta dinë se) pa dyshim, pala e Allahut do të jetë fituese", (El Maide, 56).

Së këndejmi, duke shprehur keqardhje për ato familje që u keqtrajtuan e që u trishtuan gjatë aksionit policor në kapje të propaganduesve si dhe pjesëtarëve të ISIS-it në Maqedoni, duke shprehur revoltë kundër vandalizmit të ushtruar mbi disa xhami por edhe nëpër shtëpitë e myslimanëve tanë, megjithatë, duhet të jemi në krah të kësaj fushate. Sepse, nuk kemi bij të tepërt që t'ua falim xhelatëve dhe manipulantëve që vrasin e presin në emër të islamit. Sepse, dihet fare mirë se kush mund të jenë të thirrur për ta shpallur një shtet për islam dhe dihen normat dhe parimet se si bëhet ky ndryshim i sistemeve shoqërore. Në atë "shtet islamik" të ISIS-it nuk ka asgjë islame, as shqiptare, as boshnjake e as turke. Në atë "shtet" ka vetëm akte terroriste, ka amoralitet, ka manipulime, ka mercenarizëm, ka turp e tmerr për çdo fe e për çdo komb.

Duke shprehur keqardhje për njerëzit e manipuluar, duke refuzuar çdo përgjegjësi të veprimeve private të individëve të papërgjegjshëm, të cilët, duke e anashkaluar jetën fetare institucionale për interesa jo vetëm të dyshimta por aspak islame e shqiptare, si kryetar i të gjithë myslimanëve të vendit, i ftoj të gjithë pjesëtarët e fesë sonë që të jenë të matur, të kujdesshëm dhe për asnjë çmim të mos pranojnë të bëhen pre e këtyre matrapazëve. Me garanci të plotë dëshirojmë që edhe një herë t'i dëshmojmë aleancës perëndimore se jemi miq dhe bashkëluftëtarë kundër kësaj të keqe që duhet të llogaritet si e keqja më e madhe e njerëzimit të ditëve të sotme.



Autor: H. Sulejman Rexhepi

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...