Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967)



Në historinë e njerëzimit ka ndodhur shpesh që libra me rëndësi madhore, të mos lexohen apo të injorohen nga publiku i gjerë. Kjo gjë ka ndodhur në ditët e fundit edhe në Shqipëri me librin "Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967)" me autor Ali Musa Bashën. Libri në fjalë pati një promovim të pazëshëm nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë dhe shoqata Ardhmëria në datën 22 shtator 2011, në sallën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Nga fjalimet që unë kam lexuar në internet që i janë bërë promovimit të librit, të lihet shumë për të dëshiruar. Megjithatë, përveç promovimit në rrethet e ngushta muslimane të Tiranës, jashtë tyre, libri i Ali Bashës ka kaluar pa u vënë re.

Në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën, lexueshmëria dhe fama që një libër përfiton, në shumicën e rasteve nuk varet nga përmbajtja e tij, por nga promovimi që mediat dhe grupet e interesit i bëjnë apo ndonjëherë edhe nga emri i autorit. Te ne në Shqipëri psh. në vitin 2008 libri racist dhe fyes i fondamentalistit ortodoks Ben Blushi, "Të jetosh në ishull", pati shitje të madhe edhe pse ky libër nuk kishte as art, as gjuhësi për të gëzuar promovimin e shitjet që pati. Mediat pro-socialiste të Tiranës dhe rrjeti i Sorosit që komandohet nga Piro Misha dhe Fatmir Toçi i bën gjithë atë reklamë, pasi libri i Benit ishte në njëfarë mënyre një formë e sofistikuar kaurësh për të fyer muslimanët. Piro Misha jo vetëm që përdori mediat e Tiranës dhe klanet ortodokse-socialiste për të promovuar këtë libër, por shkroi deri në Greqi në gazetën "To Vima" ku i mburrte kaurëve të Greqisë këtë roman fyes dhe racist kundër Islamit dhe muslimanëve shqiptarë. Ndërsa në Shqipërinë tonë që ndjen dhe kupton pak, publiku, e sidomos muslimanët që janë shumica e popullit, në vend që të protestonte kundër fyerjeve që Beni i Kiços i bënte shumicës së shqiptarëve, e bleu librin në masë. Magjia e propagandës mediatike i kishte bërë të besojnë se libri ishte i mirë, dhe mileti e blinte librin tamam si mbreti i asaj përrallës së Hans K. Andersenit, të cilin rrobaqepësit e marrosën duke e bindur se ishte i veshur me një kostum të artë, dhe kështu e nxorën cullak jashtë shtëpisë.

Por, libri i Ali Bashës nuk është paçavure si romanet që boton Piro Misha dhe Fatmir Toçi. Nuk është as demagogji si librat që prodhojnë "intelektualët" e Tiranës. "Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967)" është një nga librat më të mirë që janë botuar në Shqipërinë e paskomunizmit, jo pse ky libër flet për "ne", pra "shumicën" muslimane. Rëndësia e këtij libri lidhet me faktin se ai tregon në mënyrë të detajuar, duke u mbështetur në dokumenta arkivorë dhe origjinalë historinë e Shqipërisë nga vitet 1912, kur Shqipëria u shpik nga Fuqitë e Mëdha të Evropës e deri në 1967 kur komunistët finalizuan vendosjen e pushtetit të tyre absolut në vend dhe ndaluan fetë me ligj. Ndryshe nga libra të tjerë historik që kemi lexuar deri më sot për Shqipërinë, fjala bie si me librin "Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005" nga Kastriot Dervishi apo serialet e "Historisë së Popullit Shqiptar" që botohen nga Akademia e Shkencave në Tiranë apo librat fyes që nacional-komunistë si Kristo Frashëri botojnë kundër muslimanëve të Tiranës, të cilët rrëfejnë historinë dhe trimëritë e pushtetarëve kombëtaristë, apo sajojnë mite e përralla shqiptarësh që janë ilirë e arbnorë e përleshen me turqit, libri i Ali Bashës sjell një realitet tjetër.

Për ata që dinë të lexojnë dokumentat origjinalë që autori sjell, ky libër tregon historikun e ndërrimit mendor dhe identitar në Shqipëri - nga islamizmi dhe osmanizmi për në nacionalizëm dhe shqiptarizëm. Pra ky libër u tregon shqiptarëve seç ndodhi me ata, apo më saktë me pjesën muslimane të tyre që nga koha kur Shqipëria u shpik si shtet e deri në kohën kur "shqiptaria" laike arriti kulmin me shtetin ateist të Enver Hoxhës. Ky libër mund ti japë përgjigje edhe atyre studiuesish që habiten kur shohin që Tirana e vitit 1936 i ngjante aq shumë Teheranit, ndërsa në vitin 1967 i ngjante Moskës dhe Bukureshtit. (E kam fjalën këtu për veshjen e njerëzve dhe mentalitetin e tyre, pse nga infrastruktura, rrugët dhe mënyra sesi njerëzit i japin makinave, Tirana i ngjan më shumë Kampalës).

Ali Musa Basha, autori i këtij libri është djali i Hafiz Musa Bashës dhe nipi i Haxhi Ali Elbasanit (rahmet pastë). Hafiz Musa Basha ka qënë një prej drejtuesëve të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë në kohën e pushtimit nazist, një nga themeluesit e Komunitetit Musliman në vitin 1923, kryetar bashkie i Elbasanit dhe nga viti 1945 deri në 1954 ka qenë kryetar i Komunitetit Musliman. Ndërsa Haxhi Ali Elbasani ka qenë kryetari i klubit osmanist të Aksarajit në Stamboll, deputet i Elbasanit në parlamentin osman dhe një nga ulematë më të mëdhenj të Shqipërisë Osmane. Ndërsa vetë Ali Basha ka qenë kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman dhe shkrues i disa librave për Islamin në Shqipëri. Pra nga biografia më lart, kuptohet që autori nuk vjen nga një familje e rëndomtë, por nga një familje hoxhallarësh me pushtet të cilët kanë patur influencë dhe dije të madhe mbi punët e fesë në Shqipëri. Haxhi Ali Elbasani psh. të cilin e tall kauri Andon Zako Çajupi në komedinë "Pas Vdekjes" sëbashku me doktor Adhamudhin, ka qenë personi më me influencë në Shqipërinë Osmane. Shqiptaristët e Tiranës kërkuan aprovimin e tij përpara se të çonin flamurin kuq e zi në Tiranë në 1912. Ai ka qenë një nga krerët ideologjikë të lëvizjes së Ehlil Kijamit, të njohur ndryshe me termin përbuzës që i ka dhënë historiografia nacionaliste, si rebelizmi i Haxhi Qamilit. Ndërsa Musa Basha ka qenë një nga hoxhallarët më me influencë në Shqipërinë e pas-çlirimit.

Kjo kronologji historike e familjes Basha, ka qenë ndoshta një nga faktorët më me rëndësi që kanë shtyrë Ali Bashën të shkruaj këtë libër, i cili, mesa di unë, i ka marrë rreth dhjetë vite punë arkivore. Në prezantimin e librit në Tiranë, Aliu tregoi se një nga arsyet që e shtynë të bëj këtë libër ishte edhe se kishte hasur shumë pasaktësi në librat e tjerë që janë shkruar për Islamin në Shqipëri. E për të korigjuar këtë mangësi i ishte futur punës kërkuese në Arkivin e Shtetit. Edhe pse me shëndet të dobët, pa mbështetje financiare nga ndonjë institucion, Aliun e kam parë me sytë e mi sesi rrëmonte arkivat e Tiranës. Duke kopjuar me dorë dhe me fotokopje dokumente origjinale ai ka bërë një punim dhe xhihad të atillë intelektual, për të cilin, ndërsa katolikofili Bamir Topi nuk do ta shpallte nder të kombit - siç ka bërë me Kristo Frashërin - unë sugjeroj që Universiteti Bedër i Komunitetit Musliman ti japi titullin doktor i shkencave dhe muslimanët e Shqipërisë ti luten Allahut që ta çoj në xhenet.

Po për çfarë flet libri "Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967)"? Libri nis rrëfimin e tij që nga viti 1912, kur Fuqitë e Mëdha të Evropës vendosën të bashkojnë disa kaza dhe nahije të vilajeteve osmane të Janinës dhe të Shkodrës dhe ti bëjnë ato shtet. Autori, i cili ndryshe nga Haxhi Aliu - vetë duket se mbron nacionalistët - tregon sesi nisi historia e shqiptarisë dhe "Islamit shqiptar". Ai tregon me dokumenta sesi një grup hoxhallarësh me në krye Vehbi Dibrën i kthyen shpinën osmanëve dhe u bënë me nacionalistët, Ismail Qemalin, Vidin, austriakët, Kongresin e Lushnjes dhe më pas me cubin e Matit që u bë mbret, Zogun. Në anën tjetër libri tregon rezistencës e muslimanëve osmanistë të cilët nuk donin të pranojnë simbolet kristjane që Fuqitë e Mëdha i imponuan shqiptarëve, si shqiponjën ortodokse me dy krerë, gërmat latine, idenë e Shqipërisë laike, shqiptarinë e pafe, etj.. Autori tregon rëndësinë që patën austro-hungarezët në krijimin e një "Islami shqiptar" i cili nënkuptonte ndarjen e muslimanëve nga institucioni i shenjtë i Kalifatit. Kapitulli i dytë tregon periudhën 1920-1925, kur pas Kongresit të Lushnjes, Shqipëria arriti të formohet si shtet. Në këtë periudhë kur u hodhën themelet e laicizimit (apo fetarisht ta themi qafirizimit) të Shqipërisë autori tregon sesi vendit iu imponua feja e Evropës - laicizmi.

Më pas tregohet si u formua Komuniteti Musliman nga Zogu dhe sesa jo-legjitim dhe anti-Islamik ishte bidati që bënte risia e kësaj organizate. Edhe pse autori është mbështetës i Komunitetit Musliman, nëpërmjet dokumenteve që ai sjell, lë të lexohet rezistencën që pati krijimi i këtij institucioni në mesin e besimtarëve dhe ulemave shkodran dhe në vende të tjera. Kapitulli 3 deri në 9 tregon reformat që ndërmori pushteti zogist në Shqipëri për "të prishur" Islamin apo siç vegla e Zogut në KMSH, Salih Vuçiterni quante "reformim të Islamit". Për ata që dinë të lexojnë dokumentat që autori sjell (pasi në shumicën e rasteve ai nuk bën komente) kapitujt në fjalë tregojnë sesi Komuniteti Musliman i cili u prit me entuziazëm nga hoxhallarët nacionalistë të cilët menduan se me KMSH-në dhe Be Zogun në krye, do e bënin Islamin të lulëzonte, në fund të sundimit të Zogut, KMSH-ja përfundoi në një institucion të dërrmuar financiarisht që jo nuk mundi të mbronte Islamin, por nuk kishte para as të mbante stafin e saj me bukë pasi vakëfet iu konfiskuan nga shteti dhe nga vetë mbreti që ndërtonte vila në toka vakëf. Në këto kapituj, tregohet edhe ardhja në Shqipëri e ideve laiciste, komuniste dhe sulmet që qeveritarë kuislingë si Mustafa Kruja i bënin Islamit në favor të fesë së Italisë, Katoliçizmit.

Dokumentet që autori sjell tregojnë konfliktet brenda muslimanëve, debatet në KMSH dhe jashtë saj, botimet e muslimanëve me gërma latine, përdorimin e fesë nga regjimet politike zogiste, fashiste, naziste, dhe me pas komuniste, dhe mënyra sesi këto regjimet e përdorën dhe manipuluan fenë Islame për qëllimet e tyre. Libri na ndihmon të kuptojmë edhe sesi shumë hoxhallarë, të etur për para dhe pushtet u çuan kundër ligjeve të Islamit - siç ndodhi në vitin 1927 dhe 1928 - kur heqja nga ana e Zogut e sheriatit dhe zëvendësimi i tij me "sheriatin laik" - kodin civil - u prit me përshëndetje nga hoxhallarët që u bënë oportunistë dhe vegla të Zogut.

Faza finale e librit tregon rrjedhën e Islamit në Shqipëri pas vendosjes së regjimit komunist, nënshtrimin që Enver Hoxha, ashtu si edhe Zogu më parë i bëri Islamit dhe kthimin e Komunitetit Musliman në një vegël të tij dhe Partisë së Punës.

Libri "Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri" është një libër që na ndihmon të kuptojmë jo vetëm arsyen pse Tirana sot nuk duket si Teherani, apo pse Bamir Topi i deklaron delegatëve të Papës se është janë më Papën dhe jo më Babën (sulltanin), por në të njëjtën kohë ai rrëfen përleshjen e nacional-laicizmit me Islamin në Shqipëri. Një gjë të mirë që ka ky libër, është, se autori, jep rrallë mendimet e tij dhe më shumë citon. Ky fakt na ndihmon që të lexojmë dokumente parësore të cilat na shpjegojnë proçesin e modernizimit shqiptar, i cili, siç pak nga ne e dinë, ishte i dhimbshëm dhe i dhunshëm. Ai, siç po bëhet edhe sot në Kosovë, u ndërtua në luftë kundër osmanizmit dhe Islamit, duke favorizuar Perëndimin dhe në njëfarë mënyre Katoliçizmin.

Në Tiranë, nacional-laicistët shqiptarë jo vetëm që ndaluan sheriatin, ndanë muslimanët nga "Papa" i Stambollit, hoqën ferexhetë, mbyllën xhami dhe medrese, u hoqën çallmat dhe xhybet hoxhallarëve, zëvendësuan fesin me kapelen e republikës dhe ndryshuan orën, kohën, vitin, shkollat, kandarët, xhadetë e veshtjet nga alla-turka në alla-franga, por ndryshuan edhe mendjet e njerëzve. Nëse në shtetin osman, Islami, pra besimi në Allah, në Pejgamber dhe në kalif ishin shtyllat e besimit qytetar, tani, me krijimin e komb-shtetit laik, kombi zëvendësoi Zotin dhe "zoti suprem" i kombit u bë mbreti, presidenti, ducja e udhëheqësi legjendar. Zogu e krijoi KMSH-në në emër të kombit, edhe pse e përdori atë për qëllimet e tija. Të njëjtën gjë bën fashistët dhe më pas komunistët. Sllogani "feja e shqiptarit është shqiptaria" të cilën pati si devizë Rilindja kombëtare, ishte arsyeja pse Islami u zhduk në Shqipëri, pse u ndërtua KMSH-ja dhe pse në vend u ndërmorrën reformat ekstreme që kulminuan në vitin 1967 kur shqiptarët u bënë si jexhuxh-maxhuxhët që përmend Allahu në Kuran dhe i shpallën luftë Zotit.

Libri i Ali Bashës (duke mënjanuar ndonjëherë komentet e tij) na ndihmon për të kuptuar pse ne shqiptarët jemi kështu si jemi sot dhe pse xhahilë si Piro Misha, Ismail Kadareja, Veton Surroi dhe Arbën Xhaferri lavdërojnë Zogun dhe duan që shteti ynë (apo edhe ai në Kosovë) t'u rrijë me kërbaç në dorë muslimanëve e tu heqi ferexhetë, dhe pse kur SHIK-u merr në pyetje hoxhallarët tanë me mjekra i pyet: Kë doni më shumë, kombin apo fenë. Libri "Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967)" është një libër tragjik. Ai mundet të na shpjegojë edhe përse hanëmet e Shqipërisë, sot, janë shndërruar në çupka si ato të Big Brotherit dhe kanë për mite të tyre jo hazreti Fatimenë, por Karla Brunin. Libri në fjalë duhet lexuar, pasi ndihmon për të kuptuar transformimet qytetërimore më të cilat u përball Shqipëria dhe shqiptarët në shekullin e prapë të XX.



Autor: Olsi Jazexhi

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...