Nuk kemi nevojë për sekte e ideologji të huaja ...!



Paraqitjet e deklarimet mediatike të Ikballe Hudutit, duhet parë si një përpjekje për faktorizimin e sektit shiit në Kosovë.

E pranojmë, demokracia i ka edhe këto anë, por shoqëria jonë edhe ashtu akoma amorfe, nuk ka nevojë për këso ideologji të huaja.

E kam thënë dhe njëherë tjetër, në këtë botë të internetit është e pamundur që të ndalen rrugët e infiltrimeve perverse.

Por, ne mund ta mbrojmë veten tonë, duke u kapur fortë për yndyrën tonë kulturore, për traditën tonë fetare sunite të drejtimit hanefij / maturidij.

Rreziku i sekteve, e që janë shumë, mbi të gjitha injekton pasoja kulturore afatgjate, që çojnë në dezintegrimin e kombit dhe ymetit në një vend të caktuar.

Shto këtu faktin se mund të përmbajnë dhe implikime politike të shteteve prej nga vijnë, siç është shiizmi.

Njëri sekt fton në 'martesa të përkohshme', tjetri fton në luftimin e mevludit, tjetri i shpall muslimanët qafira për shkak të bidatit të supozuar, tjetri i jep zor martesës me vajzën e axhës, tjetri kundër netëve të mëdha, etj. etj..

Çka janë këto marrëzira? E kemi lodhur popullin me qasje polarizuese në emër të fesë.

Të gjitha, ama të gjitha janë pretendime ideologjike dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me parime fetare standarde (aslije), përreth të cilave bashkohet ymeti islam.

Çka po synojnë akterët me këto tema, që po i agjitojnë me kaq shumë pasion???

Metodologjia e Kur’anit, e Pejgamberit a.s. dhe e shokëve të tij, në procesin e vetëdijësimit fetar të njerëzve, ishte krejt ndryshe.

Ymeti shumë ka vuajtur prej këtyre çarjeve ideologjike.

Shkencat fetare islame moti janë kodifikuar, nuk ka hapësirë për zbulime.

Zbulimet tona duhet orientuar në dy fusha të përhershme:

1). Unitetin e ymetit, që është farz prej Zotit, e kjo bëhet duke mos i bërë element përçarës gjërat që as nuk të shtijnë në fe, e as nuk të nxjerrin prej saj, dhe

2). Përzgjedhjen e metodologjisë adekuate për shpjegimin e fesë në akëcilën shoqëri, në pajtim me zhvillimet shkencore, teknike e teknologjike. Këtu është gara më e madhe.

Këto dy pika janë kritere, për aq sa dështojmë në maksimalizimin e tyre, po për aq e kemi dëmtuar emanetin e Zotit!



Autor: Dr. Orhan BISLIMAJ

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...