Hanabilet dhe teshbihizmi në kohën e re dhe bashkëkohore



Teshbihizmi hanabilist do të vazhdojë të jetë prezent edhe në kohën e re dhe bashkëkohore. Ai do të arrijë të dalë sërish në skenë në fillimin e shekullit XIX i përvetësuar nga Muhammed ibën Abdulvehhabi, që ta vazhdojë më tej zhvillimin e tij nën emrin e vehabizmit. Vehabizmi është vazhdimësi e mësimit të hershëm teshbihist hanabilist në kohën e re dhe bashkëkohore. [143]

Elementet e tij janë të qarta në përmbajtjen e ideve dhe mësimeve të Abdulvehhabit dhe mendimtarëve të kohës së re dhë bashkëkohore të vehabizmit si: 'Ibrahim Fekiu, Kasimiu, Hilali, Ahmed Shakiri, Bin Bazi, Albani, Uthejmini, Zuhejr Shavishi e emra si këta', të cilët janë trupëzim i ideve të Ibën Tejmijes dhe marionetat e fjalës së tij.

Personalitetet e vehabizmit do të bëjnë gjithçka që është e mundur për propagandimin e mësimit teshbihist në shoqërinë Isiame: 'dekadat e fundit të gjysmës së parë të shekullit të kaluar do të formojnë shoqata', si "Ensaru Sunneti Muhammedije" në Egjipt, do të shtypin gazeta, si: "Mexhelletu El-Hedj En-Nebevi", revista e shoqatës "Ensaru Sunneti Muhammedije" në Egjipt, do të botojnë libra të autorëve teshbihist të hanbelizmit te hershëm dhe të vonshëm, si: "Kitabu Sunne" të Abdullah ibën Hanbelit, "Nekd ala Merisi" të Seid Darimiut, "Teuhid" të Ibën Huzejmes, do të futen në debate të ashpra në gazetat e kohës me dijetarët e ehli sunetit maturidi e esh'ari ku do t'i paraqesin mësimet e tyre dhe do të nxjerrin në sipërfaqe mësimin teshbihist që kishin dhe përmbajtjen e tij. [144]

Vite më vonë e deri më sot me të madhe shtypen libra të Ibën Tejmijjes, të Ibën Kajjimit e të Abdulvehabit, komenti i "Akides Tahavije" i Ibën Ebi Izzit, i cili shtrembëron kuptimet e tekstit, [145] duke nxjerr përfundime që nuk i ka për qëllim autori, si dhe vepra nga më të ndryshmet. Mund të themi se një aparaturë e tërë saudiane e institucioneve të larta arsimore është vënë në shërbim të ideve dhe mësimeve të teshbihizmit hanbeli në krye më Ibën Tejmijjen si figura më e pasur e tij.

Një numër i madh i dezertacioneve të magjistraturës dhe doktoraturës në universitetet saudiane merren me mësimin hanabili dhe mendimtarët e tij me qëllim që lexuesit t'i paraqitet sa më e pasur dhe e thellë ideja e hanabilizmit dhe mësimi i tij.

Gumëzhijnë raftet e bibliotekave nga vepra me tituj pompoz të quajtur akideja e selefit, sunetit, grupit të shpëtuar, akideja vasitije, akideja e filan muhadithit, akideja e bidatxhive, "kuburistët-varrexhitë" e tituj të kësaj natyre që nuk kursejnë asnjë fjalë për të paraqitur mendimet e Ehli Sunnetit, maturidi dhe esh'ari si heretizëm e bidat që duhet çrrënjosur.

Për të parë këtë, mjafton të lexohet parathënia e librit kryesor të tyre "Akidetu Tahavijje", [146] një libër që e komentojnë si duan ata dhe komentatori i tyre Ibën Izzi, e shkruar nga emri më i dalluar i kësaj rryme, Shejh Nasiruddin Albani, [147] apo një punim posdiplomik mbi maturiditë, i botuar në tre vëllime i mbrojtur në një nga universitetet saudiane, që të bën të pyetesh si është e mundur që në një universitet të lejohet të kalojë një vepër e mbushur me sharje e shprehje banale drejt një mendimi që merret objekt studimi, ku pritet të mbretërojë studimi objektiv shkencor, edhe pse trajtohet një shkollë, mendim dhe mësim kundërshtar?

Vazhdimësia e teshbihizmit hanabilist në kohën tonë jeton me vehabizmin, i cili i përtërin mendimet, veprat, njerëzit dhe luftën e tij: 'stërgjyshërit e vjetër hanabilist të djeshëm, jetojnë përmes nipave të rinj vehabist sot'! Mu për këtë mendoj se kjo vazhdimësi e shkollës në kohën tonë e filluar nga shekulli i XlX-të me daljen e Abdulvehabit në skenë mund të quhet si një periudhë e re e zhvillimit të saj ideor me emrin neohanabilizëm ose si neohanbelizëm.

Kur jemi te hanabilizmi, ose hanbelitë mushebihist në të kaluarën dhe sot, duhet ta themi atë që imami i madh i Ehli Sunnetit, kolosi i medhhebit maturidi, Imam Ebu Muin Mejmun Nesefiu, e thotë për keramistët në librin e tij të madh "Tebsiretu'l-Edille", kur flet për grupacionet e teshbihizmit dhe ndarjen e tyre në dy grupe në krahasim me mospajtimet e tyre me ehli sunetin.

Imam Ebu Muin Nesefiu atje thotë: "Mospajtimi ynë me grupet e ndryshme të teshbihizmit në fund kufizohet vetëm në dy grupe: 'Një grup na kundërshton ne edhe në vetë termin "trup" (xhism), edhe në kuptimin e tij'. Kështu ata pretendojnë se Allahu i Lartëmadhëruar është i përbërë, i ndashëm në copë dhe në pjesë. Kështu mendojnë shumica e fraksioneve të jehudizmit, të cilët thonë se Allahu është trup i përbërë në formë njeriu, në pamje të një plaku me flokë dhe mjekër të bardhë, si dhe një numër i madh i rafidive, si: 'Hisham ibën Hakemi, Hisham ibën Salim Xhevaliki dhe Davud Xhevaribi', të cilët po ashtu thonë se Allahu është si njeri, derisa disa prej tyre thanë se ka flokë të zinj prej dritës së zezë, e disa prej tyre thanë se është një djalë i ri me fytyrë pa qime, me flokë të përdredhura ... Kështu si këta do të thotë edhe Mukatil ibën Sulejmani, autori i tefsirit. Të gjithë këta na kundërshtojnë edhe në term, edhe në kuptimin e tij Fraksioni i dytë janë kerramitë. Këta na kundërshtojnë ne vetëm me termin "trup" dhe thonë se "Allahu është trup", kurse formalisht mbështesin qëndrimin tonë ndaj kuptimit të termit trup dhe thonë: "Kur themi se Allahu është trup, nuk kemi për qëllim se ai është i ndashëm në copë, në pjesë dhe është i përbërë. Me të ne kemi për qëllim të themi se "qëndron nga vetvetiu". Me këtë, mospajtimi ynë me ta mbetet vetëm në shprehje gjuhësore. Mirëpo unë kam mendimin se keramitë e vonshëm janë ata të cilët hoqën dorë nga pohimi i "përbërjes" pasi që e panë se kjo është e paqëndrueshme. Ndërsa mendimtarët e hershëm të tyre e pohonin këtë, sepse përcillet qartë nga ata se "Allahu preket me Arshin", kurse nuk ka dyshim se Arshi është trup i përbërë, i ndashëm në copa dhe pjesë, që nuk mund ta prekë sipërfaqen e tij të sipërme gjë tjetër përveç një trupi të përbërë ku çdo pjesë e këtij trupi takon një pjesë të tij". [148]

Këtë qëndrim Imam Ebu Muin Nesefiu do ta përsërisë edhe kur do të fillojë të demantojë qëndrimet e kerramive në kapitullin ku demanton qëndrimin e muxhesimistëve të cilët e kundërshtojnë Ehli Sunnetin vetëm në terminologji. Këtu Imami thotë: "Mendimi im është se me përdorimin e këtij termi ata kanë për qëllim të pohojnë atë që nënkupton ai, do të thotë: 'trup dhe përbërje', mirëpo kur kundërshtarët e nxorrën në shesh paqëndrueshmërinë e këtij mendimi në mënyrë që kerramitë nuk mundën ta mohonin, u kthyen dhe shpallën se ata me këtë term, emër, nuk kanë për qëllim atë kuptim, por se dëshirojnë një kuptim të termit të cilin munden ta mbrojnë si të vërtetë, si: 'ekzistimi, qëndrimi nga vetvetiu, apo fakti se ai vepron'. Kështu ata i komentuan thëniet e të parëve të tyre, që në këtë mënyrë t'i mbulojnë të metat e atyre që i kanë marrë si imam për veten. Argument për këtë ështe se kerramitë thonë se Allahu preket me tërë sipërfaqen e epërme të Arshit, me gjithë gjerësinë që ka ajo, dhe tepron në të katër anët e saj. Një dukuri si kjo nuk mund të përfytyrohet në diçka tjetër përveç se me një trup të përbërë". [149]

Me tërë këtë, dua të bëj të qartë se muxhesimitë, teshbihistët apo hanabilistët në të kaluarën, apo vazhduesit e tyre në kohën tonë, çfarëdo emri që ne t'u japim, apo që e zgjedhin ata për vete, ose kundërshtojnë Ehli Sunnetin gjuhësisht (ontologjikisht) e terminologjikisht, ose vetëm gjuhësisht (ontologjikisht). Mirëpo në të dy rastet ata bien ndesh me Ehli Sunnetin, sado që rasti i dytë është më i lehtë.

Prandaj, nëse ata përcaktohen për mundësinë e dytë, atëherë nuk di pse duhet të jenë aq të detyruar të ndjekin ende sot mendimet e lashta të atyre që i kanë marrë për imam nga grupi i parë dhe të ngarkohen me tërë atë barrë të rëndë me përjekje të vazhdueshme për t'i mbuluar të metat e tyre duke përshtatur e zbutur fjalët dhe mendimet e tyre, që këta vetë, i besojnë se janë gabim!



Autor: Imam ibën EL-XHEUZI
Përktheu: Mr. Ahmed MEHMEDI



_________________________

Shkëputur nga Libri: "Flakja e dyshimeve të Teshbihizmit", i Autorit: "Imam Allame Hafidh Ebu Ferexh Abdurrahman ibën El-Xheuzi", faqe: "80-87".

[143] - Kështu do të mendojë edhe Prof. dr. Ali Sami Neshshar në librin "Neshetu'l-Fikri El-Felsefi fi'1-Islam".
[144] - Sulejman Ibën Abdulvehhab: "Es-Savaik El-Ilahijje fi'r-Reddi ala El-Vehabijje", Xhemil Zehavi Zade: "El-Fexhru's-Sadik", Imam Kuetheri: "Mekalat Keutheri", esetë: "Fitnet e Muxhessimive", "Alarmimi i ummetit ndaj thirrësve të paganizmit", "Akideja e Tenzihut", "Lufta e fundit mes Islamit dhe paganizmit", "Rreziku i të menduarit se Allahu është në një anë", "Lidhur me nxehjen e Kasimiut sot", etj., Jusuf Dixhevi: "Mekalat", Selame Azzami: "Furkanu'l- Kur'an", Abdurrahman Halife: "El-Mushebihetu ve'l- Muxhessime", Husejn Sami Bedevi: "El-Huxhetu Ed-Damigatu li Shubuhati EI-Muxhessimeti Ez-Zaiga", Hasan Hizbik: "El-Mekalat el-Vefijje".
[145] - Prof. dr. Muhammed Sejjid Musejjer: "Et-Temhid fi Diraseti'l - Akideti'l - Islamijje", fq. 184-186, Allame Abdulgani Gunejmi: "Sherhu Akideti Tahavije".
[146] - "Akidetu Tahavijje" është libri më i njohur i akides së Ehli Sunnetit, medhhebit hanefi, që tregon akiden e Imam Ebu Hanifes, Ebu Jusufit dhe Muhammedit. Mirëpo, teshbihistët, që herët e deri sot, mundohen ta përvetësojnë duke i shtrembëruar qëllimet e tekstit dhe duke nxjerrë përfundime që nuk i pranon autori, siç vepron Ibën Ebi Izzi te çështja e anës "xhihe", "feukijjes", "teselsulul havadith", "hululul havadith", ndarja e teuhidit, etj.. Mu për këtë komentet e mushebihistëve dhe vehabistëve ndaj kësaj vepre madhore të Imam Ebu Xha'fer Tahavit janë të papranueshme. Komentet e drejta të veprës janë ata që i kanë bërë dijetarët e Ehli Sunnetit nga medhhebi hanefi të cilët e përcjellin veprën me zinxhir deri te vetë autori, Imam Tahaviu, gjeneratë pas gjenerate. Një nga komentet e mira të kësaj vepre është komenti i Shejh Gunejmit.
[147] - Ibën Ebi Izz: "Sherh Akideti Tahavijje", tahkik: Shejh Nasiruddin Albani. Lexo parathënien sa për ilustrim.
[148] - Imam Ebu Muin Nesefi: "Tebsiretul Edille", vëll. l, fq. 119, 120.
[149] - Imam Ebu Muin Nesefi: "Tebsiretul Edille", vëll.l, fq. 134.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...