Kur vehabistët kërkojnë demokraci në Shqipëri!



Komuniteti Musliman Shqiptar ka qenë që në fillimet e tij objekt i synimeve politike të grupimeve të ndryshme në Shqipëri. Një nga këto grupe që gjithnjë kanë dashur të marrin në dorë KMSH kanë qenë dhe hoxhallarët e edukuar në Arabinë Saudite apo në vende të tjera arabe por që kanë adoptuar atë ideologji. Shumica e këtyre hoxhallarëve sot gjenden të grupuar në organizatën Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë.

Problemet që dalin nga ky synim i këtyre hoxhallarëve janë dy. E para, për shumë prej këtyre hoxhallarëve nuk dihet se cilat janë standarded edukative që ata kanë plotësuar për tu quajtur hoxhallarë. E dyta, hoxhallarët që i përkasin këtij sekti dhe formimi shpesh dalin në forume publike ku proklamojnë besimin e tyre në demokraci. Në fakt një prej vërejtjeve të tyre për KMSH-në është se ky institucion nuk ka demokraci pasi nuk përfshin brenda tij shumicën e këtyre hoxhallarëve. Por nga ana tjetër vetë këta hoxhallarë vehabistë nuk besojnë aspak në demokraci.

Le të marrim dy shembuj duke e filluar nga e pika e dytë. Presidenti i Lidhjes së Hoxhallarëve (LHSH), Justinian Topulli, në një postim të tijin në Facebook rreth vizitës së presidentit turk Erdogan, kërkon që KMSH të bëhet më gjithëpërfshirëse. "Hermetizmi dhe homogjeniteti që buron nga sektarizmi, qoftë ky ideologjik apo klanor, sado punë madhështore të bëj, dhe sado imazh dhe fasadë brilante të ketë nuk ka prej tij bereqet kur mbështetet mbi mungesën e legjitimitetit të përfaqësimit", shprehet Topulli duke ju referuar faktit që ai dhe shumica e hoxhallarëve vehabistë janë të përjashtuar nga instancat kryesore të KMSH-së.

Dihet se KMSH është e përbërë nga anëtarë të lëvizjes Gylen. "Unë jam kundra çdo revanshi", shprehet Topulli duke shtuar, "gjithpërfshirja bëhet me mjete demokratike". Në shumicën e rasteve hoxhallarët vehabistë nuk njihen fare nga KMSH, siç është rasti i vetë Topullit, e në ndonjë rast disa nga këta hoxhallarë janë punëtorë të thjeshtë të KMSH që marrin ndonjë rrogë si imamë xhamish, shumica në zona rurale.

Por ajo që është e rëndësishme është fakti se hoxhallarët vehabitë nuk kanë forcë brenda KMSH-së. Pikërisht kjo është arsyeja se përse presidenti i Lidhjes së Hoxhallarëve, Topulli, kërkon demokraci në KMSH. Por a beson në demokraci vetë Topulli dhe bashkëpunëtorët e tij? Përgjigja është aspak. Ndërsa vetë Topulli dhe bashkëpunëtorët e tij kërkojnë demokraci në KMSH, organizata që ai drejton nuk është aspak demokratike, megjithëse në pamje të parë duket si e tillë. I vetmi president që kjo shoqatë ka patur që në themelimin e saj në vitin 2010 është vetë z. Topulli.

Në zgjedhjet e fundit të mbajtura në prill 2015, z. Topulli u zgjodh pasi u caktua si kandidati i vetëm në zgjedhje i propozuar nga Këshilli i Përhershëm i organizatës dhe jo nga asambleja e përgjithshme. Sipas statutit të organizatës, Këshilli i Përhershëm përbëhet nga themeluesit e shoqatës dhe nga ata që ky këshill propozon për tu bërë pjesë e tij.

Pra, megjithëse z. Topulli mburret se është zgjedhur sipas parimit një anëtar një votë dhe me vota të fshehta, kur kandidatët propozohen nga Këshilli i Përhershëm (i cili në vetë konceptimin e tij si i përhershëm është krejtësisht anti-demokratik) dhe kur kanditati për president i organizatës është vetëm një person, vetë z. Topulli, atëherë vota e pjesës tjetër është e kotë dhe fiktive. Ky proces bëhet edhe më qesharak kur dihet se anëtarët e Këshillit të Përhershëm janë bashkëpunëtorë dhe shokë të ngushtë të Topullit që ndajnë me të idetë vehabiste.

Një tjetër faktor që tregon se sa demokratike është Lidhja e Hoxhallarëve është dhe fakti se brenda saj jo vetëm që nuk ka por as që mund të ketë persona që mendojnë ndryshe nga Topulli dhe bashkëpunëtorët e tij. Kjo gjë ndalohet me statut pasi brenda kësaj organizate duhet ndjekur vetëm versioni i fesë Islame që Topulli dhe shokët e tij kanë sjellë nga Arabia Saudite. Ja se si përshkruhet roli i presidentit të organizatës në statutin e saj: "Të paralajmërojë dhe mbrojtjë besimtarët nga sektet dhe dhe besimet e devijuara dhe rrymave destructive, për zbarpsen e çdo dyshimin apo diziformimi dhe helm që hidhet ndaj Islamit, Profetit të Tij (Paqia dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi Atë), shërbyesëve të këtij besimi, duke shpalosur qëndrimin e Islamit ndaj tyre".

Pra askush që nuk e mendon si kryetari (të cilin ne preferojmë të quajmë 'presidenti' pasi është një titull që tingëllon më demokratik sesa kryetar dhe ja këshillojmë edhe z. Topulli që t'ja shtojë këtë metodë strategjisë së tij) dhe shokët e tij nuk mund të jetë pjesë e kësaj organizate dhe madje mund të cilësohet si sekt i devijuar dhe destruktiv. Kjo gjë është e njohur gjerësisht në xhematin musliman dhe të gjithë e dinë se z. Topulli me shokët e tij i përkasin një rryme të caktuar, asaj vehabite, dhe nuk pranojnë të tjerë brenda tyre.

Topulli e përshkruan kështu veten e tij në websitin e LHSH: "Kryetari i Shoqatës "Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë" si përfaqësuesi më i lartë shpirtëror i shoqatës, me qëndrimin dhe aktivitetin e tij synon në ngritjen në një shkallë më të lartë të nivelit teologjik e formimit organizativ e profesinal të anëtarëve të saj në njohjen e thellë, kuptimin e plotë dhe shpjegimin me argumente të "KURANIT" dhe të "HADITHIT" si dhe dhënien e një ndihme morale dhe ekonomike hoxhallarëve për plotësimin e misionit të tyre".

Jo vetëm është Justiniani lideri shpirtëror, pra një lloj ajatollahu, i shoqatës, por ai ka si qëllim edhe "Ndërtimin e një strukture shpirtërore referuese Islame, për besimtarët muslimam shqiptarë për të gjallëruar në një stad më të lartë statusin shpirtëror të Hoxhallarëve e besimtarëve musliman, si dhe për interpretuar dhe dhënë zgjidhjen e duhur fetare, në përputhje me zgjidhjet që afron KURANI dhe Tradita Profetike".

Pra muslimanët shqiptarë nuk duhet të kenë si referencë KMSH-në por LHSH-në dhe liderin shpirtëror të saj. Ajo që nuk dihet është se kush ja ka dhënë të drejtën këtyre personave që ti imponohen xhematit të gjerë musliman si liderë shpirtërorë ndërkohë që veprojnë me një organizatë private. Akoma më keq, si mund të jenë liderë shpirtërorë të muslimanëve persona të cilët nuk pranojnë asnjë lloj diversiteti por kërkojnë të imponojnë vetëm doktrinën e tyre? Përse i jep vetes pamje shenjtori z. Topulli duke përdorur terma të tillë si "lider shpirtëror" (ndërkohë që vetë vehabistët kritikojnë sekte të tjera pikërisht për këtë arsye)? Përse e ndan shpirtëroren duke e cilësuar vecanërisht nga truporja kur një gjë e tillë nuk lejohet në doktrinën Islame sunite të cilën z. Topulli pretendon se zbaton?

Duket se Topulli e drejton shoqatën e tij sipas dëshirës dhe po pregatitet që mandatet dy vjecare për kryetar ti zëvendësojë me mandate pesë vjecare. Për të zënë këtë pozicion, sipas një kushti të vendosur, kryetari duhet të ketë gradën master. Kjo mund të duket si kërkesë legjitime por koincidenca në këtë rast është fakti se vetë presidenti Topalli mori gradën master nga universiteti i Henri Cilit (i njohur për korrupsionin e tij) vetëm pak kohë më parë. Ndërkohë, në mesin e hoxhallarëve dhe shokëve të z. Justinian janë shumë të paktë ata që kanë një gradë të tillë e madje mundësia është që asnjëri nuk ka një master brenda Këshillit të Përhershëm përvec tij gjë që e bën Justinianin edhe më të dalluar si kandidat për kryetar nga të tjerët.

Por ndërsa paraqitet si demokrat i flaktë dhe si person që kërkon rritjen e standardeve edukative dhe përgjegjësisë mes hoxhallarëve, nuk dihet nëse shokët dhe bashkëpunëtorët e tij i plotësojnë vetë ato. Shumë nga hoxhallarët anëtarë të LHSH kanë mbaruar shkolla në vende arabe pa asnjë lloj standardi. Diplomat e tyre janë të panjohura nga KMSH dhe madje nuk janë të diplomuar për fe Islame por në degë të tjera. Disa kanë studiuar vetëm gjuhë arabe dhe me sa duket kjo u jep të drejtën që ta quajnë veten hoxhallarë. Kjo është si të thuash që po dite italisht mund të bëhesh prift!

Ky është për shembull rasti i sekretarit dhe shokut të ngushtë të z. Topulli, Genc Plumbi. Plumbi ka studiuar në Arabinë Saudite për ekonomi islame. Në botë ka plot persona që kanë studiuar ekonomi islame pasi kjo është një fushë legjitime dhe me përfitim. Muslimanët kanë disa rregulla, si p.sh. ndalimi i interesit, të cilat duhet ti ndjekin dhe ekonomistë që i njohin këto rregulla janë të nevojshëm. Edhe në Perëndim ka ekonomistë që studiojnë ekonominë islame, ashtu siç ka cifutë dhe jo cifutë që studiojnë ekonominë e cila merr në konsideratë rregullat e Dhjatës së Vjetër. Kjo nuk i bën ata as hoxhallarë dhe as rabij. Por cuditërisht Plumbi e quan veten hoxhë, prezantohet në komunitet si hoxhë dhe bën pjesë në Lidhjen e Hoxhallarëve, madje si sekretar i saj!

E ndërsa këto karaktere shpallen si përkrahës të flaktë të demokracisë askush nuk i ka dëgjuar ndonjëherë që të kërkojnë demokraci edhe në vendin ku ata kanë studiuar. Përse nuk del Lidhja e Hoxhallarëve me deklaratë ku ti kërkojë mbretit të Arabisë Saudite që të lerë fronin dhe të krijojë një shtet demokratik siç z. Topulli dhe LHSH kanë në Shqipëri? Por siç tregohet në komunitetin e gjerë musliman, dicka e tillë është e pamendueshme për "demokratët" e LHSH-së. Sipas tregimeve të tyre, më herët vetë Topulli dhe anëtarë të tjerë të LHSH-së kanë qenë kundër cdo procesi demokratik duke ndaluar edhe pjesëmarrjen e muslimanëve në zgjedhje apo në shoqata. Por sot, papritur, ata janë transformuar në demokratë të flaktë që kërkojnë edhe hapjen e KMSH-së.

E vërteta është se qëllimi i Topullit me kompani është që të fusin këmbët dhe të marrin në dorë funksione të rëndësishme në KMSH për të rritur pushtetin e tyre. Ata nuk kanë hallin e demokracisë e as të gjithëpërfshirjes por të kontrollit të pozicioneve kyce që do tu lejonin zgjerimin e axhendës së tyre.

Në fakt KMSH do të bënte mirë që të vendoste standarde se kush mund të quhet hoxhë në Shqipëri dhe kush jo, tu kërkonte diplomat, specializimet dhe notat atyre që janë vetëshpallur hoxhallarë, ti certifikojë ata dhe të mos lejojë shpërdorimin që i bëhet këtij titulli nga persona të ndryshëm. Termi hoxhë do të thotë mësues feje dhe jo kushdo duhet të ketë zotësinë të përdorë këtë titull përvec personave vërtet kopetentë.

Ndoshta është e vërtetë që KMSH-ja ka nevojë për demokraci dhe përfshirje të xhematit në një proces më të hapur zgjedhor. Por ajo që është e sigurtë është fakti se KMSH-në nuk mund ta bëjë më demokratike pjesëmarrja në të e z. Topulli dhe grupit të tij vehabist.



Autor: Blendi QEHAJAI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...