Dyshohet si përkrahës i lëvizjes 'Vehabi'
Imami kontravers i Elbasanit
Ministria e Brendshme e Kosovës ka njoftuar ditën e djeshme se ka arrestuar dhe më pas dëbuar drejt Shqipërisë të vetëshpallurin imam të Skenderajt, Kastriot Duka. I quajtur edhe Xhemal, Kastriot Duka njihet si një nga sensibilizuesit më të devotshëm të përhapjes së fesë në Elbasan dhe disa rrethe të tjera, ndërkohë që historia e përzierjes së tij me xhaminë e Marinës në komunën e Skenderajt ka nisur të acarohet prej shumë ditësh. Banorët e zonës ka firmosur një peticion me mbi 6000 firma për largimin e tij nga xhamia e Marinës, ndërsa autoritetet shtetërore kosovare e kanë motivuar arrestimin dhe dëbimin e tij prej shtetit të tyre për faktin se ka shkelur legjislacionin vendas.
Dëbimi dhe dyshimi
Policia dhe Ministria e Brendshme Kosovare duket se e kanë mbyllur me kaq pse-në e largimit të tij nga vendi i tyre, ndërsa janë të tjerë zëra që "dëbojnë" prej Skenderajt imamin nga Elbasani. Kundër tij dhe pretendimeve të tij është ngritur përveç se lokaliteti edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës. Të dhënat që shoqërojnë lajmin e arrestimit dhe të dëbimit të Dukës, imam i vetëshpallur i Marinës, lidhen me dyshime të forta se imami është përkrahës i lëvizjes "vehabi", lëvizje që mendohet të ketë nisur pas luftës dhe se në themel ka ekstremizmin. Ministria e Brendshme e Kosovës, prej kohësh ka nisur të mbaj nën mbikëqyrje këtë lëvizje, e cila mendohet te jetë në organizata të vogla që ende nuk janë formësuar totalisht. vehabi është sekt i myslimanëve sunitë, ndërsa në Kosovë ende nuk ka informacione të sakta në lidhje me përhapjen e kësaj lëvizjeje, pavarësisht frikës që ekziston për të.
Kundër imamit të Elbasanit
Banorët e Skenderajt kanë hedhur në një peticion plot 6 mijë firma ku kanë kërkuar edhe largimin e imamit prej aty. Dy ditë më parë nën dyshime të forta për aktivitete të paligjshme Inspektoriati komunal i Skenderajt në bashkëpunim me policinë e Kosovës ka mbyllu xhaminë e Marinës, xhami në të cilën shërbente pikërisht imami, Xhemajl Duka. Ndërkohë që kundër tij përveç këtyre firmave mësohet se është ngritur edhe bashkësia islame, ndërsa vazhdohet të kërkohen fakte mbi aktivitetin e tij në këtë xhami si dhe në lidhje me përkrahjen e lëvizjes vehabi në Kosovë. Sërish referuar medieve vendase, ku historia e imamit të Elbasanit ka qenë edhe kryefjalë e ditës, saktësohet se kundër aktivitetit të këtij imami janë ngritur edhe banorët e Marinës pasi imami praktikonte veshjen me shami të vajzave në moshë 6-7 vjeç. Duka i Elbasanit e ka hedhur poshtë këtë fakt me argumentin se vajzat visheshin në prani të prindërve të tyre.
Përgatiti: fakti, mars 2010.