Tematika e ilm'ul-kelamit



Çdo i interesuar me të drejtë do të pyeste: cilat janë temat me të cilat preokupohet shkenca e ilm'ul-kelamit? Edhe pse në shikim të parë mund të duket përgjigjja e lehtë, prapë se prapë çështja është e ndërlikuar dhe varet nga shumë faktorë.

Përpjekja për t'i përmbledhur këto probleme në numër të caktuar është treguar e paqëndrueshme. Në këtë ka ndikuar edhe struktura e vetë Kur'anit, i cili në vete përmban më pak se 600 ajete me tematikë juridike, kurse të gjitha të tjerat janë të natyrës së besimit, moralit dhe temave të afërme, siç janë Allahu dhe çështja e tewhidit, pejgamberisë, e idhujtarisë, shpirtit, ahiretit, i'xhazit, etj.. Secila nga këta tema implikon edhe një varg nëntemash mjaft të rëndësishme.

Autori i njohur i veprës enciklopedike Atlasi kulturor në Islam, Ismail R. Al-Faruqi and Lois Lamya Al-Faruqi, preokupimet e para ideore të muslimanëve i përmbledh në tri fusha apo në tri probleme kryesore:

1. Natyra e iman-it (besimit) dhe statusi i mëkatarit të rëndë (sahib el-kebireh),
2. Determinizmi dhe indeterminizmi (paracaktimi dhe liria), dhe
3. Natyra e atributeve hyjnore.

Dy temat e para pasuan si rezultat i përçarjes së muslimanëve në lidhje me pretenduesit për sundim (halifati) dhe konfliktet e dhunshme që pasuan. Për t'u dhënë statusin e mëkatarëve të mëdhenj, së pari duhej shikuar çështjen nëse iman-i është i pajtueshëm me mëkatin. Patën apo nuk patën faj mëkatarët e rëndë duhej marrë qëndrim rreth çështjes së determinizmit dhe e vullnetit të lirë.

Problemi i tretë erdhi nga një burim i jashtëm për Islamin. Muslimanët arabishtfolës nuk kishin vështirësi në të kuptuarit e Kur'anit në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme. Domethëniet kur'anore mbusheshin dhe shkëlqenin me fjalët dhe shprehjet e tyre, tepër të qarta për të qenë të pakuptuara. Por kur muslimanë të tjerë synuan që t'i kuptojnë tekstet, rruga e perceptimit të menjëhershëm intuitiv nuk ishte e hapur për ta. Pengese për këtë ishin kategoritë e të kuptuarit që ata trashëgonin nga gjuhët e tyre jo-arabe dhe religjionet e tyre jo-islamike. Një gjendje e tillë e kërcënoi tevhid-in, esencën e Islamit, kur ajo preku atributet hyjnore.

Njëri ndër dijetarët më të mëdhenj të shekullit XX, shejh Abdulhalim Mahmudi, mendon se temat kryesore të periudhës së hershme të kelamit janë problemi i predestinimit (mushkilet'ul-kaderu), problemi i atributeve të Allahut (mushkilet'us-sifatu), ekzistimi i Allahut (wuxhud'ull-llah) etj..

Muhammed Abduhu gjithashtu përmend disa nga temat më parësore, si: përcaktimi i Njësisë së Zotit, pastaj theksimi i natyrës së Qenies së Tij, krijimi i botëve, theksimi se Ai është vendi i vetëm të cilit mund t'i ankohemi dhe i Vetmi të cilit mund t'i drejtohemi. Mirëpo, me kalimin e kohës kemi gjendje të re. El-Havarizmi, për shembull, këtë spektër të gjerë temash e kufizon në dymbëdhjetë probleme:

1. Krijimi i trupave si përgjigje ndaj materialistëve,
2. Konfirmimi se bota e ka krijues Allahun si përgjigje dualistëve etj.,
3. Krijuesi nuk i ngjason askujt dhe asgjësë si përgjigje rrymave të ndryshme antropomorfiste, nominaliste etj.,
4. Çështja e mundësisë apo pamundësisë së të shikuarit të Krijuesit në këtë botë dhe në botën tjetër,
5. Tema e cilësive të Krijuesit dhe perceptimi i tyre,
6. Krijimi i njeriut si akt i Krijuesit apo si krijim vetvetiu,
7. Kush është autor i veprave, Krijuesi apo njeriu,
8. Bindja se Krijuesi e dëshiron të keqen dhe përgjigjja në këtë,
9. Pozita e mëkatarit të madh dhe perceptimi i imanit dhe përbërjes së tij,
10. Dëshmimi i pejgamberisë si përgjigje disa feve joislame,
11. Dëshmimi i pejgamberisë së Muhammedit a.s.,
12. Çështja e imametit dhe kush ka të drejtë në të.

Mirëpo, krahas problemeve të përgjithshme, mund të thuhet se secila kohë bartë edhe problemet e veta. Veprat e Ebu Hanifes, të Imam El-Maturidiut, të El-Esh'ariut dhe të tjerëve gjithashtu tregojnë preokupimin e tyre për problemet e kohës së tyre.

Për tërë këtë mund të përmblidhet se paralel me zhvillimin e Islamit, është zhvilluar dhe ka ndryshuar edhe tematika e ilm'ul-kelamit. Fillimi karakterizohej me individualitin e Allahut, me atributet dhe aktet e Allahut, kurse pas depërtimit të filozofisë islame në botën muslimane, tematika e ilm'ul-kelamit përbëhej prej ekzistencës. Në këtë periudhë çështjet e filozofisë u ndërthurën me çështjet e kelamit dhe anasjelltas. U ndërlidh edhe shkenca e logjikës dhe me shprehjet e veta tregon se ka rol në kelam, si shprehjet: adem dhe ma'dum (nihilo, hiç), nadhar (mendim, kundrim), delil (provë, argument) etj. etj..

Karakteristikë tjetër e tematikës së ilm'ul-kelamit është edhe ndarja në tematikë të drejtpërdrejtë të bazave të fesë, të cilat i quajmë "çështje themelore të kelamit" (mesail we mekasid) dhe në këtë grup bëjnë pjesë çështjet si: Allahu është Një dhe ekziston, ringjallja pas vdekjes është e vërtetë, dhe në tematikë të tërthortë, të cilat i quajmë "pretekste, çështje pretekstuale e kauzistike" (vesail) dhe në këtë grup bëjnë pjesë çështjet si: në gjithësi ka një ndryshim dhe shndërrim të vazhdueshëm, gjithësia është shfaqur pas, kështu që një gjë e tillë duhet të ketë krijues, janë njohuri ndihmëse që shërbejnë për vërtetimin e njohurive themelore. Çështjet themelore, bazore të besimit kanë mbetur gjithnjë të pandryshueshme, kurse çështjet e tërthorta, ndihmëse ndryshojnë në varësi me lëvizjet ideore në periudhën përkatëse.

Mirëpo, në shekujt e fundit tematika iu përshtat nevojave dhe sfidave të reja. Sërish e kemi aktuale çështjen e ekzistimit të Zotit dhe të fesë në përgjithësi. Lëvizjet e reja materialiste të personifikuara në materializëm, evolucionizëm, pozitivizëm, frojdizëm, shekullarizëm, laicizëm, modernizëm, nacionalizëm, sollën sfida të reja. Dijetarët modernë muslimanë, duke e pasur parasysh shembullin e Ebu Hanifes, të Maturidiut dhe të dijetarëve të tjerë, iu përveshën studimeve dhe ofruan përgjigjet e tyre. Xhemaluddin Afganiu me veprën e tij Er-Rredu ale'd-dehrijjin, Muhammed Abduhu me Risalet-ut-tewhid, Muhammed Ikball me Ripërtëritjen e mendimit fetar në Islam, iu përgjigjen rrymave antifetare dhe antiislame, por iu dhanë muslimanëve edhe mekanizma mbrojtës.

Mirëpo, gjatë dekadave të fundit, si pasojë e perceptimit antropocentrik të botës, gjendja po ndryshon në mënyrë radikale. Ky perceptim i botës solli krizën e identitetit religjioz, respektivisht solli rrëgjimin e religjionit te njeriu në përmasa kulturore, solli krizën e formave tradicionale të religjiozitetit njerëzor, krizën e autoritetit tradicional, solli ngadalësimin e rolit social, shoqëror, kulturor dhe politik në shoqëritë moderne shekullare qytetare. Nëse nuk ringjallet karakteri religjioz, sakral, hyjnor dhe trashedental në familje dhe institucione, kriza e tillë nga globalizmi nga një anë dhe pluralizmi dhe individualizmi nga ana tjetër, do ta fundosë njeriun në dëshpërim dhe humbje të paimagjinuar. Ndaj, është detyrë e akaidologëve / kelamistëve dhe shkencëtarëve të fushave të përafërme që t'i zbulojnë shkaqet që sollën deri këtu dhe të ofrojnë orientime të mundshme në kapërcimin e krizës së identitetit islam, kundrejt çështjes së zanafillës së njeriut, krizës së seksualitetit njerëzor, krizës së ambientit, inxhinieringut gjenetik, ushqimit gjenetikisht të modifikuar, abortimit, klonimit, eutanazisë, transplantimit të organeve njerëzore, zgjerimit të kozmosit, gjetjes së zanafillës së ekzistencës etj..



Autor: Nexhat IBRAHIMI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...