Vështrim konstruktiv për dhe kundër lëvizjes vehabiste



Vehabistët, krahas kundërshtarëve ushtarakë, kishin edhe kundërshtarë doktrinarë. Qysh me paraqitjen e tyre u paraqit një numër i madh shkrimesh që kundërshtonin parimet e tyre, sidomos me prejardhje egjiptiane, osmane dhe të vendeve të tjera. [76]

Në to kryesisht theksoheshin mangësitë e kësaj lëvizjeje, eksagjerimet e tyre në politik, vrazhdësinë, ngurtësinë dhe ekskluzivitetin e tyre teorik dhe praktik. Madje, Ed-Dahlani, mufti i Mekes, paraqitjen e vehabistëve e quajti hiq më pak se "fitne". [77]

Një tjetër dijetar arab paraqitjen e lëvizjes vehabiste e shikon: "Potez i suksesshëm që Perëndimi e tërhoqi ishte themelimi i një lëvizjeje fetare e cila në formën e saj të jashtme do të dukej islame, e në esencë detyra e kësaj lëvizjeje do të ishte që vendet perëndimore, nëpërmjet saj, ta marrin pushtetin mbi muslimanët dhe ta rrënojnë hilafetin". [78]

Në një burim tjetër, bashkëkohës të lëvizjes vehabiste, lexojmë: "Kur shteti osman u shkatërrua, i cili ishte ruajtës i islamit dhe shërbëtor i alimëve të ehli sunetit, duke iu nënshtruar planeve shekullore të franmasonëve, misionarëve dhe politikës poshtëruese të Perandorisë Britanike, e cila për këtë qëllim ka vënë në lëvizje të gjitha forcat materiale, jomedhhebistët panë mundësinë. Ata me gënjeshtra dhe strategji djallëzore filluan t'i sulmojnë alimët e ehli sunnetit dhe ta shkatërrojnë islamijjetin përbrenda e sidomos në vendet siç është Arabia saudite, ku alimët e ehli sunnetit nuk guxojnë të flasin haptazi. Pasuria e shumtë që vehabistët e kanë shpenzuar për këtë qëllim, ka ndihmuar që ky agresion të përhapet nëpër tërë botën, ... njerëz të caktuar, me dije të vogël ose pa të, që nuk i frikësohen Allahut, kanë fituar pozita dhe shtëpi për banim si kundërvlerë për ndihmesën e tyre këtyre agresorëve". [79] Argumentet dhe kundërargumentet kryesisht janë ato që disa shekuj më herët i janë bërë shkollës hanbelite. Për shkak të qëndrimit tradicionalist në të kuptuarit e çështjeve të besimit, ata janë akuzuar për antropomorfizëm [80] dhe ultrakonzervatizëm. [81]

Vehabizmi ndër synimet e tij kishte edhe pengimin e kelamit dhe të filozofisë islame, por pos që këtë në masë të madhe e arriti në Siujdhesën Arabe, me mjete të dhunshme dhe kërcënuese, këtë nuk arriti ta bëjë në Egjipt, Turqi, Iran, Indi dhe në vendet tjera islame dhe në diasporën islame nëpër botë. Nuk arriti ta pengojë as sufizmin dhe shi'izmin, e edhe më pak depërtimin e ideve dhe sistemeve perëndimore, nëpërmjet formave të ndryshme: ushtarake, politike, ekonomike, arsimore, kulturore, humanitare, etj..

Ndonëse nuk mendojmë të ndalemi në komentim më të gjerë, megjithatë tendenca e vehabistëve për eliminimin e medhhebeve dhe moszgjedhja e mjeteve për zhdukjen e tyre na detyron të konstatojmë se angazhimi i tyre "ka qenë" dhe "është" i paarsyeshëm. Për shembull, me rastin e komentimit të një hadithi mbi ardhjen e sërishme të Isait a.s. në tokë, grupi i zjarrtë i jomedhhebistëve (me N. Albanin e famshëm në krye) pohon: "Kjo qartë tregon në atë se Isai a.s. do të gjykojë sipas sheriatit tonë, d.m.th. sipas Kur'anit dhe Sunnetit, e jo me diçka tjetër, siç është Inxhili, fikhu hanefij apo diç e ngjashme", dhe me këtë komparacion ai fikhun hanefij e krahason me Inxhilin, etj.. [82]

Disa mendojnë se urdhëri i sulltanit për t'iu kundërvënë lëvizjes vehabiste ishte i motivuar për dy shkaqe kryesore:

1. Frika e sulltanit për pushtetin e tij dhe për hilafetin e tij, nëse vjen deri te ndikimi dhe zgjerimi i kësaj lëvizjeje edhe në pjesët tjera të perandorisë.
2. Mosrehatia dhe antipatia e muslimanëve për shkak të vrazhdësisë së lëvizjes vehabiste në raport me muslimanët tjerë që nuk i përkisnin lëvizjes së tyre, në luftën e tyre të rreptë kundër "risive" dhe "idhujtarisë". [83]

Atyre u zihet për të madhe që në emër të eliminimit të bid'ateve, me rastin e pushtimit të Medinës, e rrënuam kuben mbi kaburin (varrin) e Muhammedit a.s., e plaçkitën huxhren (lokacionin ku gjendej trupi i Muhammedit a.s. dhe çdo gjë që kishte aty. [84]

Po ashtu, janë rrënuar tyrbet dhe nishanet në varrezat më të njohura, siç janë Bekia medinase, varrezat e luftëtarëve të Uhudit, me ç'veprim është kryer urbicid. [85]

Shejh Jusuf Rifai ka numëruar dhjetëra shembuj të rrënimeve të pashembullt ndaj kujtimeve të personaliteteve më të dashura ndër muslimanët nga ana e vehabistëve:

- Në vend të varrit të Emines, nënës së Muhammedit a.s. në Ebva, sot qëndron rezervoari për benzinë.
- Në vend të shtëpisë së Hatixhes r. anha sot gjendet tregu i kafshëve.
- Në vend të shtëpisë së Muhammedit a.s. sot është nevojtorja (WC) publike.! [86]

Është mendim i shkencëtarëve se shumica e kundërshtimeve të masave dhe intelektualëve muslimanë ishin kundër aktiviteteve politike të vehabistëve dhe kundër militantizmit ekstrem të tyre. [87] Ata pohojnë se shpallja e luftës së shenjtë kundër të gjithë atyre që nuk ishin me ta, ishte jashtë çdo mase. Ata ku depërtonin, shkretëronin, plaçkitnin në emër të presë së luftës dhe mbysnin të gjithë kundërshtarët, sepse i shpallnin për renegjatë, heretikë.

Disa madje pohojnë se qëndrimi militant dhe jotolerant i vehabistëve ndihmoi në vetëhumbjen e tyre. [88]

Kishte edhe aso shkrimesh e deklaratash që e përkrahnin lëvizjen vehabiste. Lëvizja vehabiste krahas dhunës, vrazhdësive dhe ngurtësive të mëdha që janë të dukshme gjatë gjithë kohës së veprimit të tyre, kohëve të fundit ka përkrahësit e saj, të cilët pohojnë se kjo lëvizje ka dhënë kontribute të shumta:

- Vehabizmi ka meritë në përhapjen e njohjes së islamit në viset shkretinore të Arabisë, banorët e të cilave vise ishin të lënë pasdore skajshmërisht. [89]
- Vehabizmi u bë sinonim i lëvizjeve përtëritëse, pastruese të fesë në shekujt XVIII, XIX dhe në fillim të shek. XX, dhe reaksion i rreptë ndaj degradimit moral nga primesat degraduese dhe shtresimet e shumta dhe të ndryshme. [90] Mendohet se islami arab kishte rënë në pozita të ulta. Madje edhe qytetet kryesore, Meka dhe Medina, po përjetonin një degradim shoqëror, moral, fetar dhe intelektual. [91]
- Përkrahësit e vehabistëve theksojnë një karaktersitikë tjetër të natyrës socio-religjioze të vehabistëve, të cilët afër lumenjve dhe burimeve kanë themeluar kooperativa bujqësore, të cilët kanë ekonomizuar, por njëkohësisht edhe kanë qenë si armatë emergjente, në rast nevoje. Disa kritikë dhe analistë thonë se në pikëpamje të organizimit të brendshëm të lëvizjes, ndonëse i luftonin skajshmërisht, vehabistët i ngjasonin organizimit të sistemit të tarikateve sufiste, ndonëse përmbajtja e tyre ishte tradicionale, ortodokse. [92]
- Insistimi vehabist në përdorimin e arsyeshëm të ixhtihadit dhe gjykimi i tyre i taklidit ka vepruar si forcë çliruese dhe sigurisht ka ndikuar në rrjedhën e mëtejshme të zhvillimit islam më shumë e cilado forcë tjetër e asaj kohe dhe ka ndikuar fuqishëm edhe në forcat tjera të kohës që do të pasojë. [93]
- Përkrahësit e vehabizmit theksojnë se vehabizmi ka insistuar në esencë e jo në formë, idealitetin e tij e jo realitetin, ka insistuar në atë çka duhet bërë e jo në atë çka kanë bërë muslimanët gjatë historisë. [94]

Si përfundim mund të thuhet se lëvizja vehabiste në fillim kishte çdo karakteristikë të lëvizjes së mirëfilltë. Ai fillimisht nuk kishte karakteristika dhe atribute sektariste, frakcioniste, ekskluzive, anatemuese dhe urbicidale e gjenocidale, por bënte pjesë brenda shkollës sunnite hanbelite. Mirëpo, ballafaqimi me jetën dhe veprimi tejet rigoroz dhe përjashtues i tyre e futi këtë lëvizje më tepër në rradhën e sekteve se sa të shkollave (medhhebeve) islame, si në rrafshin fetar ashtu edhe në atë politik, duke lënë anash ixhtihadin aq të propaganduar nga ata dhe duke ndjekur rrugën e formalizmit ekstrem. Megjithatë, është për të shpresuar se shekulli XXI do të shënojë dalje nga ku qorrsokak i vehabizmit.



Autor: Nexhat S. IBRAHIMI,
Boton: Zëri islam - Prizren, 2004.



_________________________

Shkëputur nga Artikulli: "Natyra e Vehabizmit".

[76] - Për aktivitetin politik të Muhammed ibn Abdulvehhabit dhe dinastisë saudite ka shumë vepra, por vlen të lexohet vepra: Confession by British spy (përkthimi arabisht: Itarafat el-xhasus el-inklizi, e nga ky: Mudhekkeratu Mister Hempher, i botuar në Kairo, Daru'l-kitab'is-sufi).
Përkthimi në gjuhën shqipe: Dëshmitë e spiunit anglez Mister Hempher alias Muhammed efendi. Thuhet se Muhammed Ibn Abdulvehhabi ishte njoftuar me këtë spiun anglez, në Irak, Basra, në vitin 1122 hixhrij e pas, special të dërguar për këtë qëllim dhe vazhdoi të shoqërohet deri në themelimin e lëvizjes vehabite.
Për ata që njohin turqishten shih përkthimin në turqishte: Siddik Gümüs, Ingiliz casusunun i'tiraflari ve Ingilizlerin Islam Düsmanligi, Istanbul, 2000.
[77] - "Fitneja e tyre ishte fatkeqësi që e pësuan ithtarët e Islamit dhe nga shkaku i tyre është derdhur shumë gjak, është grabitur shumë pasuri dhe me paraqitjen e tyre është shkaktuar dëm i madh ... ". Dehlan, etj., op. cit., fq. 31.
[78] - Abdulkadim Dhel-lum, Komploti kundër shtetit islam, në: Dehlan, etj., op. cit., fq. 37.
[79] - Gjerësisht: Mevlana Halid-i Bagdadi, op. cit., fq. 119.
[80] - H. Laoust, op. cit., fq. 296. Dehlan, etj., op. cit., fq. 31.
[81] - F. Rahman, op. cit., fq. 276.
[82] - Shprehjet dhe tendencat e këtilla janë të shumta. Shih: Muhammed Seid Ramadan El-Buti, El-la medhhebijjetu - ahtaru bid'atin tuheddidu'sh-sheriat'il-islamijjeti, Damask, pa vit botimi, fq. 91, por edhe tërë libri. Shih edhe përkthimin në gjuhën shqipe të këtij libri, Jomedhhebizmi, Tetovë, 2002.
[83] - Muhammed El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, op. cit., fq. 11.
[84] - Dehlan, etj., op. cit., fq. 24.
Lammens, Islam: Beliefs and Institutions, p. 184, në: Muslim Movements and Schisms, www.http:/answering-islam.org.uk/Gilchrist/Voll/9d.html.
[85] - Dehlan, etj., op. cit., fq. 68-69.
[86] - Shejh Jusuf Rifai, Nasihatu ulemai Nexhd, sipas: Dehlan, etj., op. cit., fq. 69.
[87] - F. Rahman, op. cit., fq. 278.
[88] - F. Karcic, Drustveno pravni ..., op. cit., fq. 64. Lexo: Dehlan, etj., op. cit., fq. 48.
[89] - Mehmed Handžic, Obnavljanje islama, në: Takvim 1400, Sarajevë, 1980, fq. 112. Mustafa Ceric, Suvremena duhovna kretanja u islamskom svijetu, në: Problemi suvremenog pristupa islamu, Zbornik Radova Drugog Simpozija Zagrebacke Dzamije, Zagreb, 1409/1989, fq.79.
[90] - F. Rahman, op. cit., fq. 275-276.
[91] - F. M. Denny, op. cit., fq. 761. Edhe Muhammed Kutub e numëron vehabinjt si lëvizje,e cila kishte për qëllim pastrimin e islamit nga supersticioni që ishte i pranishëm ndër muslimanët si islam. Muhammed Kutb, Jesmo li mi muslimani, Sarajevë, 1997.
Mani' Ibn Hammad El-Xhuhenij, El-Mewsuatu el-mujessiretu fi el-edjani ve'l-medhahibi ve'l-ahzabi'l-measireti, pjesa I, botimi III, Rijad, 1418, fq. 170-171.
[92] - F. Rahman, op. cit., fq. 277-278.
[93] - M. Ceric, op. cit., fq. 79.
[94] - M. Ceric, op. cit., fq. 79.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...