Ju keni fenë tuaj, e unë kam fenë time
Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.) për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Vëllezër besimtarë!
Nuk mund ta fsheh pakënaqësinë dhe zhgënjimin tim, që e fitova në ditët e kaluara kur isha duke u shoqëruar me fëmijët tanë në shkollë. Përkatësisht, shumica e fëmijëve (faleminderit Allahut, jo të gjithë) zbuluan se prindërit e tyre ende i festojnë krishtlindjet, dhe në shtëpitë e tyre e dekorojnë pemën e Krishtlindjes. Zhgënjimi im ishte edhe më i madh, kur kuptova se një numër i fëmijëve shkonin edhe në mësimbesim, por që më 25 dhjetor do të marrin dhurata nga prindërit e tyre.
Më duhet ta them se sa i indinjuar isha, kur disa fëmijë arabë me krenari më thanë se Shën Nikolla do të shkojë te shtëpitë e tyre dhe do t'u sjellë atyre dhurata!!! Dhe çfarë mund të them, kur pashë sesi fëmijët muslimanë këndonin këngë kishtare dhe bënin kryqin, pastaj e aktronin Shën Nikollën, Shën Luciusin, meqë rast, prindërit e tyre jo vetëm që u kishin dhënë për këtë miratimin shkollave të tyre, por ata, edhe po mburreshin me këtë, në profilet e tyre në Facebook.
Nuk mund të rri pa e përmend komentimin që kishte bërë një grua nga xhemati ynë, e cila kishte postuar një video të fëmijës së saj duke kënduar në kishë, dhe me atë rast kishte shkruar se sa e "bekuar" që ndjehej. O Allah, na fal! Natyrisht, fëmija i saj nuk vjen në mësimbesim dhe nuk merr pjesë në korin e xhamisë.
Vëllezër të dashur!
Unë e di, dhe jam plotësisht i vetëdijshëm, se ku dhe në cilat kushte po jetojmë, por nga këndvështrimi i Islamit, këto gjëra janë të papranueshme. Unë e di, që fëmijët tanë në kopshte dhe shkolla detyrohen të këndojnë këngë për Shën Nikollën, se duhet ta vizatojnë atë, dhe nga personat që luajnë rolin e tij të marrin dhurata.
Këto dhe gjëra të ngjashme janë pjesë e kurrikulës shkollore, me të cilat shteti dëshiron kryesisht t'i edukojë fëmijët e tyre të krishterë, por në të njëjtën kohë, edhe t'i integrojë, dhe nëse është e mundur, t'i asimilojë fëmijët tanë muslimanë. Këtij programi nuk mund t'i shmangen fëmijët tanë, sepse shteti ka plotësisht të drejtë ta bëjë programin shkollor dhe thjesht t'ua ofrojë: "Urdhëroni! Dhe kujt nuk i pëlqen, le të shkojë ku të dëshirojë".
Unë këtë e kuptoj plotësisht dhe këtu nuk po shoh asnjë problem. Mirëpo, unë problemin e shoh tek ne prindërit, të cilët i kemi lejuar fëmijët tanë që të shkojnë në kisha, dhe të cilët ju blejmë pako, sepse nuk duam t'i "ndajmë fëmijët". O njerëz! Si nuk po duam t'i ndajmë ata, kur neve Allahu i Plotfuqishëm na ka ndarë para 15 shekujve, dhe na ka urdhëruar që t'u themi jomuslimanëve: "Ju keni fenë tuaj, e unë kam fenë time!", (el-Kafirun, 6).
A mos vallë, edhe në Ditën e Gjykimit, kur Allahu i Madhëruar do t'i ndajë xhenetlinjt nga xhehenemlint, përsëri do të thoni: 'O Allah, lë të qëndrojmë me të krishterët, mos na ndaj'!?
Vëllezër të nderuar!
Ne duhet të bëjmë dallim mes tyre dhe neve! Ne duhet ta vendosim një vijë dhe të themi: 'Ky është kufiri, të cilin nuk e kalojmë'! Kjo është e drejta jonë. Ne këtë mund ta bëjmë, dhe ne këtë kemi të drejtë ta bëjmë. Fëmijët tanë janë fëmijët tanë. Ne nuk guxojmë t'ua lëmë të tjerëve që të na i edukojnë. Ne jemi të detyruar t'u sqarojmë atyre se çka i përket Islamit dhe çka jo.
Ne jemi të detyruar këto ditë, t'i informojmë ata se kush ka qenë Shën Nikolla, se ai nuk ka asnjë lidhje me Islamin, se Jezusi, në të vërtetë, është pejgamberi ynë Isai (a.s.), i cili nuk ishte zot, por një njeri i zakonshëm, se nëna e tij Maria, në të vërtetë është Merjemja jonë, e cila nuk ishte nëna e zotit, por një grua e zakonshme, e cila e lindi Isain (a.s.), me vullnetin e Allahut, pa burrë.
Vëllezër besimtarë!
Unë i bëj thirrje vetes time dhe juve:
- Le të jemi ata që jemi, edhe kur jemi të rrethuar me atë që nuk jemi!
- Le të jemi musliman gjithmonë dhe kudo!
- Le t'i përmbahemi Rrugës së duhur! Kjo do të thotë, le t'i përmbahemi litarit të Allahut (Kuranit), Sunetit dhe Xhematit! Çdo devijim mund të na çojë vetëm në mëkat, para së gjithash në kufër (mosbesim) dhe më pas në shirk (politeizëm), domethënë, në shkatërrim në të dy botët.
- Le të mos luajmë, sepse mund të humbasim gjithçka!
Në lidhje me këtë, dëshiroj të ju paralajmëroj, dhe t'ua kujtoj se prerja e bredhit dhe vendosja e një dhurate nën të, nuk është as zakon origjinal i krishterë, por trashëgimi e paganëve babilonas (politeistë), se 25 dhjetori nuk e shënon ditëlindjen e Isait (a.s.), por të Horusit, biri i zotit egjiptian të diellit Ra, si dhe se 1 janari, nuk e shënon vitin e ri, por shënohet për nder të zotit romak Janus, nga i cili është emëruar muaji Janar.
Vëllezër të dashur!
Le të jemi krenarë që jemi muslimanë, ndjekës të fesë së Zotit, dhe le ta mbajmë fenë tonë si thesarin tonë më të madh. Besoni, sot ne mund të mos jemi të vetëdijshëm çfarë vlere kemi në duart tona, dhe sa begati na ka dhënë Allahu i Plotfuqishëm, kur na ka bërë të lindemi në familje muslimane dhe të rritemi si muslimanë.
Por dijeni me siguri, se do të vijë dita kur do të jemi të vetëdijshëm për këtë, dhe do ta falënderojmë Allahun e dashur, që kemi jetuar dhe vdekur si muslimanë, dhe jo si të krishterë ose si jo-muslimanë të tjerë. Ajo është Dita e Gjykimit, kur, siç thotë Allahu i Madhëruar në fillim të sures el-Hixhr: "Shpeshherë mohuesit do të dëshironin që të ishin muslimanë".
I lutemi Allahut të dashur, që neve dhe familjet tona të na udhëzojë në Rrugën e drejtë.
Amin.
Autor: Hfz. Midhat ef. SEJFIÇ
Përshtati: Miftar AJDINI