Vlera e dhjetë ditëve të muajit Dhulhixh-xhe



Hyrje

Është fakt i pa kontestuar se koha sipas argumenteve dhe parimeve autentike islame është sendi më i shtrenjtë për njeriun, e që nuk mund ta blejë me asgjë. Njeriu në përgjithësi, e besimtari islam në veçanti, është i obliguar që me veprimtarinë e tij konstruktive tij të përditshme të shfrytëzojë kohën në maksimum.

Mirëpo, dëshira e Allahut Fuqiplotë ishte që, disa kohë të kenë vlera më të mëdha në aspektin e vlefshmërisë së veprimtarisë, andaj besimtari islam këto kohë duhet ti shfrytëzoj për përfitime jo vetëm individuale por edhe shoqërore. Në mesin e kohëve të dalluara për veprimtari dhe adhurime të veçanta janë edhe dhjetë ditët e muajit Dhulhixh-xhe, që kryesisht kanë të bëjnë me kushtin e pestë islam haxhin.


Vlera e muajit Dhulhixh-xhe

Muaji Dhulhixh-xhe është muaji i dymbëdhjetë sipas kalendarit islamik. Dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixh-xhe përveç që ndërlidhen me kryrjen e kushtit të pestë islam haxhit, shtohen edhe disa aktivitete tjera islame, siç është agjërimi i ditës së Arefatit për ata që nuk janë në haxh, e që është dita e nëntë e muajit Dhulhixh-xhe, dita e kurban bajramit, që muslimanët që kanë mundësi sakrifikojnë me therrjen e kurbanëve përmes së cilëve solidarizohen me skamnorët, shtohen tekbirët tekbire këto të quajtura (tekbiru et-teshrik) pas çdo namazi farz duke filluar nga dita e nëntë, apo më mirë thënë nda dita e arefatit dhe përfundojnë ditën e katërt të kurban bajramit me namazin e iqindisë, dhe një sërë aktivitete tjera të besimtarëve islam.

Nëse hulumtojmë në Kur'anin Fisnik për vlerën e këtij muaji, vërejmë se Allahu Fuqiplotë betohet në dhjetëshin e parë të muajit Dhulhixh-xhe, e kjo ngritë vlerën e këtij muaji, sepse Allahu Fuqiplotë nuk betohet në sende që nuk kanë vlerë. Aallahu xh.sh. thotë: "pasha agimin dhe pasha dhjetë netët", El-Fexhr: 1-2. Imam Taberiu në tefsirin e tij shpjegon, se betimi i Allahut në ajet "pasha dhjetë netët" ka për qëllim dhjetë netët e para të muajit Dhulhixh-xhe, e këtë e vërtetonë edhe konsensusi i dijetarëve islam. Këtë e vëreton edhe Ibni Kethiri në tefsirin e tij, ku thotë se, me këtë betim janë për qëllim dhjetë netët e para të muajit Dhulhixh-xhe, pastaj transmeton edhe mendimin e shumë komentuesve siç është Ibni Abasi, Ibni Zubejri, Muxhahidi dhe shumë të tjerë. Në një hadith me transmetim nga Xhabiri r.a. thuhet: dhjetëshi i përmendur, është dhjetë ditëshi i Dhulhixh-xhes, kurse shprehja "vitri - tek" në ajet ka për qëllim ditën e Arefatit, e shprehja "Shefi - çift" ka për qëllim ditën e kurban bajramit, Imam Ahmedi.

Andaj, duke marrë parasysh vlerën e ktyre ditëve Allahu xh.sh. Këto ditë i quan ditë të caktuara, që ne duhet ti shfrytëzojmë në maksimum. Allahu xh.sh. thotë: "Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara", Haxh: 28. Në shkoqitjen e këtyre ajeteve, komentuesi më i njohur i Kur'anit Ibni Abasi r.a. thotë se "ditët e caktuara" që përmendet në Kur'an, janë dhjetë ditët e muajit Dhulhixh-xhe.

Vlerën e këtyre dhjetë ditëve, gjejmë edhe disa hadithe të Pejgamberit s.a.v.s., e në mesin e tyre është edhe hadithi i transmetuar nga Ibni Abasi r.a. i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. Ka thënë: "Nuk ka ndonjë ditë pune më të mirë që është më e dashur te Allahu se sa këto ditë", domethënë ditët e Dhulhixh-xhes. Të pranishmit kur dëgjuan këtë fjali nga Pejgamberi a.s. i thanë: "A as xhihadi në rrugën e Allahut"? Pejgamberi a.s. Tha: "As xhihadi në rrugën e Allahut".

Në një hadith tjetër të transmetuar nga Xhabiri r.a., Pejgamberi s.a.v.s. Ka thënë: "nuk ka ditë më të vlefshme tek Allahu se sa ditët e Dhulhixh-xhes". Një njeri i pranishëm i tha: "O i Dërguari i Allahut, ato ditë janë më të vlefshme, apo ditët që i kalon në xhihad në rrugën e Allahut"? Tha: "Ato janë më të vlefshme se sa kalimi i tyre në xhihad në rrugën e Allahut", Ibni Hibani.

Imam Ahmedi regjistron një hadith me transmetim nga Ibni Omeri r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. Ka thënë: "nuk ka ditë më të mëdha e as punë më të dashura tek Allahu se sa këto dhjetë ditë, andaj shtoni sa më shumë në këto ditë shehadetin, tekbirin dhe tahmidin - falënderimin".


Karakteristikat dhe veprimtaria e këtyre ditëve

Ska dilemë se këto ditë të madhërishme që i ka vlerësuar dhe ngritur Allahu xh.sh. janë ditë që ne duhet ti shfrytëzojmë me veprimtari konstruktive për shkak të karakteristikave të këtyre ditëve dhe bereqetit të veprimtarisë gjatë këtyre ditëve. Në vazhdim do të përmendim disa karakteristika dhe veprime që besimtarët islam duhet të angazhaohen sa më shumë me to, gjatë këtyre ditëve.

- Karakteristikë themelore e këtyre ditëve është se Allahu xh.sh. është betuar në këto dhjetë ditë, e kjo nënkuptonë vlerën e këtyre ditëve.

- Këto dhejtë ditë të muajit Dhulhixh-xhe në Kur'an përshkruhen si ditë të caktuara, ditë të veçanta që nënkupton se edhe shpërblimet janë të veçanta për veprimtarinë tonë gjatë këtyre ditëve. Në këto ditë kemi edhe disa ibadete të veçanta siç është tekbiri gjatë ditëve të teshrikut, therrja e kurbanëve dhe më e veçanta e këtyre dhjetë ditëve është dita e Arefatit, ditë kjo për të cilën Pejgamberi a.s. Ka thënë: "Nuk ka ndonjë ditë tjetër që Allahu xh.sh. liron të dënuar nga Zjarri i xhehenemit më shumë se ditën e Arefatit", Muslimi.

- Në dhjetë ditëshin e parë të muajit Dhulhixh-xhe, respektivisht me ditën e tetë e cila quhet "jevmu tervije" fillon zbatimi i haxhit, dhe këtë ditë haxhit bnëhen gati për të dalë në Arefat.

- Dita e dhjetë e muajit Dhulhixh-xhe është dita e kurban Bajramit, ku besimtarët islam përveç faljes së namazit të bajramit, për hir të Allahut therrin kurbanët e tyre dhe solidarizohen me skamnorët dhe jetimët. Për këtë ditë Pejgamberi a.s. Thotë: "prej ditëve madhështore te Allahu xh.sh. është dita e kurban bajramit-dita kur therren kurbanët", Ebu Davudi.

- Këto dhjetë ditë të muajit Dhulhixh-xhe, janë dhjetë ditët më të vlefshme të vitit. Lidhje me këtë është pyetur Shejh Ibni Tejmije, se cilët janë ditët më të vlefshme, dhjetë ditët t muajit Dhulhixh-xhe apo dhjetë ditët e fundit të muajir ramazan? Ibni Tejmije është përgjigjur: Ditët e dhjetë ditëshit të parë të muajit Dhulhixh-xhe janë më të mira se sa ditët e dhjetëditësihit të fundit të muajit Ramazan, kurse netët e dhjetëditëshit të fundit të muajit Ramazan janë më të vlefshme se netët e dhjetëditëshit të muajit Dhulhixh-xhe.

- Shkaku i vlerfshmërisë së ëtyre dhjetë ditëve të muajit Dhulhixh-xhe, sipas dijetarëve islam, është se këto dhjetë ditë bashkojnë të gjitha llojet e ibadeteve duke filluar nga haxhi, namazi, agjërimi, sadekaja, kurbani etj, që këto adhurime të gjitha nuk bashkohen në asnjëkohë tjetër përveç në muajdin Dhulhixh-xhe.


Veprat e preferuara gjatë këtyre ditëve

Meqë kjo kohë është me vlera të veçanta, gjithsesi duhet shfrytëzuar këto momente me vepra konkrete që të përfitojmë prej tyre. Nga veprat më të preferuara gjatë këtyre ditëve janë:

- Shtimi i dhikrit dhe përmendjes së Allahut xh.sh. duke filluar nga dëshmia - shehadeti, leximi i Kur'anit dhe formave tjera të dhikrit. Kjo përfitohet nga porosia pejgamberike ku thotë: "shtoni sa më shumë në këto ditë shehadetin, tekbirin dhe tahmidin - falënderimin", Ahmedi.

- Shtimi i namazeve nafile gjatë këtyre ditëve, sepse namazet nafile zëvendësojnë apo përmirësojnë të metat e namazeve farze. Namazet nafile janë dëshmi që dëshmojnë për dashurinë e njeriut ndaj Krijuesiot të tij dhe ndaj Pejgamberit a.s.. Në një transmetim nga Thevbani r.a. i cili thotë: e pyeta Pejgamberin a.s. Për këtë çështje, a ai më tha: "Sa më shumë të bësh sexhde për Allahun e Madhrishëm, sepse ti nuk do të bëshë ndonjë sexhde për Allahun, e vetëmse ke për tu ngritur në derexhe, dhe do të shlyej nga ti nga një mëkat", Muslimi. - Agjërimi i këtyre ditëve, e me theks të veçantë agjërimi i ditës së Arefatit për ata që nuk janë në haxh. Në hadithin e transmetuar nga Ebu Seid el Hudriju r.a., Pejgamberi a.s. Ka thënë: "Nuk ka një rob të Allahut i cili agjëron një ditë për hir të Allahut, e vetëm se Allahu xh.sh. do ta largojë fytyrën e tij nga zjarri i xhehenemit për 70 vite", Buhari-Muslim. Kurse për agjërimin e ditës së Arefatit Pejgamberi a.s. Ka thënë: "Agjërimi i ditës së arefatit ti falë mëkatet e një viti që ka kaluar dhe një viti që vjen pas", Muslimi.

- Tekbirët teshrik pas çdo farzi që fillojnë me namazin e sabahit ditën e tetë të Dhulhixh-xhes dhe përfundojnë me ditën e katërt të bajramit me namazin e iqindisë.

- Prerja e Kurbanëve ditën e bajramit dhe shpërndarja e mishit të tyre për hir të Allahut xh.sh. Gjatë këtyre ditëve është mirë që besimtarët islam të aktivizohen edhe më shumë në sferlën e solidaritetit përmes shpërndarjes së sadekave ndaj atyre që kanë nevojë dhe jetimëve.

- Gjithsesi gjatë këtyre ditëve përveç lutjeve, nuk duhet ahrruar edhe pendimin si formë më e mirë e rehabilitimit të njeriut dhe përmirësimit të gjendjes së tij jo vetëm nga sfera e besimit, por edhe atë morale.



Autor: Jusuf ZIMERI [*]



_________________________

[*] - Drejtor i sektorit Fetaro-Arsimor pran Riasetit të BFI.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...