Nata e bekuar e Kadrit



Ekziston një ndërlidhje magjike në mes tri kuptimeve: Njeri, Kur'an dhe Ramazan ose Ramazan, Kur'an dhe Njeri. Renditja e parë është nga Qielli drejt Tokës, ndërkaq renditja e dytë është nga Toka drejt Qiejve të shpirtit tonë. Në skajet e këtij segmenti, të quajtur Nata e Kadrit, qëndrojnë dy "njerëz", Ademi a.s. dhe Muhammedi a.s..

Po t'i analizojmë ajetet që kanë të bëjnë me krijimin e njeriut, shohim se Ramazani është rikujtim i momentit të shfaqjes dhe përmendjes për herë të parë të krijesës njerëzore. Ademi në praninë e Krijuesit të tij, pa asnjë nevojë njerëzore dhe me kapacitetin e njohjes së të gjitha gjërave, qëndron në mes engjëjve dhe djallit. Refuzimi i djallit për t'iu përulur Ademit, nën arsyetimin se "Unë jam më i mirë se ai, mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta", përbën karakterizimin e parë fizik, material, të njeriut (përkundër engjëjve që kishin karakterizimin shpirtëror dhe brengën e çrregullimit). Pastaj, Djalli u pëshpëriti, për t'ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: "Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm".

Nga historia e Xhennetit, ku njeriu i posedonte të gjitha dhe për shkak të një cytjeje dhe harrimit e humbi kuptimin për to, shfaqet historia e një Ademi, i cili përkundër gjithë emrave që i dinte në praninë e Krijuesit të tij, në Tokë harroi dhe pastaj "mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin". Në këtë skenë të Ademit a.s. - njeriut, që i di "emrat e çdo gjëje" dhe cytjes së djallit, na shfaqet Ramazani si një "undo" në momentin e "para-pemës" për ta pamundësuar ose "lidhur" Djallin. Në aspektin "qiellor" Ramazani e kthen njeriun në momentin e krijimit të tij, ku në praninë e Allahut ai i njeh emrat e të gjitha gjërave.

Në planin tokësor shfaqet një renditje tjetër e komunikimit të Qiellit me Tokën: Ramazani, Kur'ani - një formë tjetër e njohjes ademiane dhe në shpellën Hira - Njeriu, Muhammedi a.s. Urdhri Hyjnor, me ndërmjetësimin e Xhibrilit a.s. drejtuar Muhammedit a.s., me fjalën "Lexo" është një rishfaqje e skenës qiellore, ku Ademi a.s. i shqipton emrat e gjitha gjësendve. Harrimi që në vetvete bart njeriu bën që Muhammedi a.s. ta pyes "Çka të lexoj"? Vijimi i Xhibrilit a.s. "Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte", e vë Muhammedin a.s. në pozicionin e Ademit a.s..

Në Shpellën Hira sërish kemi Urdhrin e Allahut a.s. për njohjen, kemi njeriun e krijuar nga "një droçkë gjaku" dhe engjëllin Xhibril, por mungon Djalli?! Ai nuk mungon, por vendi i tij nuk është në shpellë. Ai shfaqet në momentin e ndërprerjes së komunikimit tonë me Zotin, në refuzimin e përuljes ndaj vlerave dhe diturisë dhe në shfaqen e superioritetit në karakterizimin fizik të gjërave.

Në frymën e këtyre dy ngjarjeve, Ramazanit si privim nga fizikja (mburojë ndaj djallit) dhe Nata e Kadrit, në veçanti, si rikujtim se nuk jemi të vetmuar në Tokë, na bëjnë me dije se fati i Ademit a.s. vazhdon akoma më tej. Njeriu edhe këtu në Tokë ndodhet ndërmjet engjëjve dhe Djallit. Njeriu siguron përuljen e qiellit me njohjen e tij dhe kufizon veprimin e Djallit me agjërimin e tij. Ndërkaq, Nata e Kadrit është siguria që Ademi a.s. e ndjen në praninë e Allahut dhe mallëngjimi i Muhammedit a.s. për urdhrin "Lexo ...". Për besimtarët kjo natë është sinjal individual se sa njerëzor kemi mbetur ose jemi bërë në intervalin kohor njëvjeçar dhe, varësisht nga rezultati, do të varet edhe fati jonë në të ardhmen.

Në urdhrin "O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen. Dhe madhëroje Zotin tënd! Dhe rrobat tua pastroi"! Muhammedi a.s. ndjeu ëmbëlsinë dhe Mëshirën e Allahut xh.sh. ngjashëm si kërkimi i faljes së Ademit a.s. pas harrimit.



Autor: Ramadan ALITI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...