Bajrami i zymtë



Kurban Bajrami që kaloi, në botën islame u shënua me dy ngjarje jo të barabarta për nga pesha, por gjithsesi ogurzeza, u shënua nën hijen e mesazhit ndjellakeq për botën islame e jo ashtu si duhet të festohet: "duke përhapur fjalët e mirësisë, të respektit, të dashurisë, të afrimit e mirëqenies së gjithëmbarshme".


- E para: që e tronditi botën e ndërgjegjshme por jo edhe ata që dinë të vrasin e varin kaubojçe, ishte varja e ish presidentit të Irakut, në ditën, që sipas meje e shënon ngjarjen e dytë ogurzezë të botës islame, të Arafatit apo të Bajramit?!

Përderisa nga njëra anë të gjitha qeveritë e reja me rastin e marrjes së pushtetit nga ish diktatorët e tyre gjënë e parë që e bëjnë është shfuqizimi ose së paku orvatja e tyre për t'i gjetur rrugët për shfuqizimin e dënimit me vdekje, madje edhe në vendet ku me vite të tëra ka sunduar tirania e diktatura, dhe përderisa thuajse në asnjë vend në botë, bile edhe në ato ku dënimi me vdekje është akoma në fuqi, ky dënim është tërhequr nga arena publike në vendet e posaçme për ekzekutim - larg syrit të popullit, nga ana tjetër, në botën islame ndodh e kundërta e saj.

Në Irak pas rrëzimit të një diktatori, ngrihet autoriteti i një shteti të okupuar nga jashtë ... Ata që ngrihen kundër diktaturës, me rastin e marrjes së pushtetit në dorë, bëhen më diktatorë se ai që e akuzojnë dhe e dënojnë për diktaturë e masakër kundër njerëzimit. Ata që vazhdojnë ta akuzojnë ish diktatorin për shpërdorim të fesë gjatë kryerjes së masakrave, të njëjtën, po bile edhe më keq se ai, janë duke e bërë sot si me ish diktatorin si me popullin irakian, të mbështetur nga forcat që dje e bënë Sadamin diktator e që sot po e zhdukin, jo për shkak të vlerësimit objektiv të seriozitetit të fajit me të cilin ngarkohej Sadami, po për shkak se ai ishte pala që e humbi luftën në Irak, andaj edhe u gjykua sipas "drejtësisë së fituesit", do të thoshte Dr. Stephen Zunes në artikullin e tij për të përditshmen "Zaman": "Diktatorët që i do dhe ata që i var SHBA-ja". Në të njëjtin artikull ai shprehet për qëndrimin indiferent të SHBA-ve ndaj disa diktatorëve e kriminelëve të luftës edhe më të mëdhenj se Sadami, si Suharto në Indonezi, gjeneral Augusto Pinocheti në Kili, Ariel Sharoni në Izrael, Charles Taylori në Liberi ...

Po ç'të thuhet për tmerrin që e përjetojnë muslimanët në atë ditë të madhe, kur menjëherë u paraqitën pamjet më sadiste që mund të shihen në ndonjë mjet komunikimi?! Thamë, thuajse nuk ka mbetur asnjë vend në botë, në të cilin dënimi me vdekje të ekzekutohet përpara syve të botës. Mirëpo, kjo ndodh në Irak përmes incizimeve dhe emetimit të atyre incizimeve në televizion e internet, çka ia tejkalon shumëfish ekzekutimit përpara një grupi të caktuar njerëzish. Ajo më komikja është se sot qeveria kukull e Irakut ka ngritur padi kundër incizuesit dhe emetuesit të atyre pamjeve të helmëta, me çka dëshiron t'i hedhë hije vetë fajit, vetë varjes ...

Lidhur po me rastin e varjes së ish presidentit irakian, ju porosis t'i lexoni (në gjuhën angleze) dy artikuj të korrespondentit të gazetës "The Independent", Robert Fisk: "A dictator created then destroyed by America", ("Një diktator i krijuar dhe pastaj i shkatërruar nga Amerika") dhe "He takes his secrets to the grave", ("Ai i mori në varr sekretet e tij"), si dhe mjaft artikuj të tjerë të kësaj natyre nga autorë muslimanë e jomuslimanë.


- Ngjarja e dytë: dorën në zemër jo me peshë sa e para, thashë ishte dita kur u ekzekutua ish kryetari irakian, ishte ajo ditë e Arafatit (Arifes) apo dita e Bajramit të Kurbanit?! Ishte dita që për një pjesë të botës islame, si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Omani, Jemeni, Katari, Bahrejni, Jordani, Egjipti, Kosova, Bosnje e Hercegovina ..., ishte dita e parë e Kurban Bajramit, kurse për pjesën tjetër, si Indonezia, Malajzia, Bangladeshi, Irani, Turqia, Maqedonia, Shqipëria, Maroku, Tanzania, Afrika e Jugut, Guajana ... si dhe për shumë qendra e institucione islame, shkencore e hulumtuese, duhej të ishte dita e Arafatit.

Në fakt, se ky bajram (festë) nga ky aspekt do t'i ngjante shumë bajrameve të tjera të kaluara, u bë e qartë nga dita 20 dhjetor 2006, kur Këshilli i Lartë Juridik i Arabisë Saudite e shpalli 21 dhjetorin si ditën e parë të muajit dhul-hixhxheh (muaji i 12 hixhrij), çka nënkuptonte se dita kur hanxhinjtë do të dilnin në Arafat do të ishte 29 dhjetori, kurse dita e parë e Kurban Bajramit 30 dhjetori, e shtunë ... (Në qoftë se dëshironi ta lexoni këtë në origjinal, klikoni këtu!).

Ky vendim e befasoi shumëkënd, ngase binte ndesh me "Kalendarin e Mekkes" - (Takvimu Ummil-Kura), me vendimet e astronomëve nga Arabia Saudite, si dhe me llogaritjet e shumë institucioneve e qendrave të tjera islame që merren me lëvizjet e hënës dhe me përcaktimin e kalendarëve islamë, si: "The Islamic Crescent Observation Project (ICOP) - (El-Meshru'ul-Islamijj lirasadil-ehilleh)", "The Fikh Council of North America", The Jordanian Astronomical Society (JAS) - (El-Xhem'ijjetul-Felekijjetul-Urdunijjeh)", "The Arab Union for Astronomy & Space Science (AUASS)", "Türkiye Cumhuriyeti Diyanet Isleri Baskanligi Hilali Tespit Komisyonu", ...

Për habi, më herët Këshilli i Lartë Juridik i Arabisë Saudite zyrtarisht shpall dhe kërkon nga njerëzit që hënën e re të muajit dhul-hixhxheh ta kërkojnë të martën 19 dhjetor 2006 (madje edhe në Saudi sipas kalendarit të Mekkes kjo datë i binte 28 dhul-ka'deh), të mërkurën 20 dhjetor dhe të enjten 21 dhjetor. Ky Këshill, këtë e ka sqaruar me faktin se fillimin e muajit dhul-ka'deh e kishte përcaktuar në bazë të shikimit të vetëm një dëshmitari të vetëm të hënës së re për atë muaj, (Për këtë shiko deklarimin e këtij Këshilli, klikoni këtu!). Këtu vlen të theksohet se Këshilli i Lartë Juridik është deklaruar se hëna e re për muajin dhul-ka'deh është parë vetëm nga një dëshmitar ditën e hënë më 20 nëntor. Kjo mjafton dhe tepron bile për të treguar seriozitetin dhe besueshmërinë e këtij Këshilli në përcaktimin e fillimeve dhe fundeve të muajve hënorë. Në fakt në atë ditë hëna ka perënduar para diellit në mbarë botën, andaj edhe në mbarë botën islame.

Vërtet ishte një vendosmëri zhgënjyese e këtij Këshilli të Lartë që hënën e re ta kërkonte të martën, dy ditë më parë, kur ajo nuk ka mund të shihet as edhe të mërkurën bile. Më pastaj, edhe pse hëna e re nuk ka qenë parë në qiell, ky Këshill deklaron se disa persona të drejtë e kanë parë hënën e re të mërkurën, më 20 dhjetor dhe se fillimi i muajit dhul-hixhxheh ishte dita e enjte, 21 dhjetori, kurse Bajrami do t'i binte të shtunën, 30 dhjetor. Kjo nuk është hera e parë që autoritetet saudite ta shpallin shikimin e hënës së re atëherë kur ajo nuk shihet askund, thuhet në deklaratën zyrtare të "The Islamic Crescent Observation Project (ICOP)", i cili është një projekt global që për qëllim primar të tijin ka mbledhjen e informatave lidhur me observimin e hënës së re në vise e rajone të ndryshme të botës. Rreth këtij projekti veprojnë mbi 300 astronomë e shkencëtarë përkatës.

Nga ana tjetër, edhe për dr. Zeki el-Mustafa, drejtor i Departamentit të astronomisë në qytetin mbreti Abdulaziz për shkencë dhe teknologji në Riad - (Kismul-Felek bi-Medinetil-Melik Abdil Aziz lil-Ulum vet-Teknuluxhijeh bir-Rijad), që është prononcuar për IslamOnline.net, hëna e re nuk ka mund të shihet të mërkurën, 20 dhejtor. Ai thotë: "Hëna e re e dhul-hixhxhes nuk mund të shihet të mërkurën, sepse atë ditë hëna do të perëndojë para diellit ... Fillimi i muajit të ri do të jetë të premten, e jo të enjten ... Kushdo që pretendon se e ka parë hënën e re të mërkurën, ai duhet të ketë gabuar ...", (Ja teksti i plotë i deklaratës së tij në: www.islamonline.net).

Sipas kësaj shihet se Këshilli i Lartë Juridik i A. Saudite nuk i beson as institucionit të vet amë që është kompetent për këto punë, (Shih web faqen e kësaj qendreShih web faqen e kësaj qendre), e çfarë të thuhet për institucionet, qendrat dhe mendimet e dijetarëve të tjerë muslimanë, që gjithashtu e kanë dert çështjen e përcaktimit të kalendarëve islamë, sepse edhe ata e duan Islamin sa saudianët, mos ndoshta edhe më tepër.

Logjikisht parashtrohet pyetja: "Pse ky Këshill dhe njerëz e qendra të tjera që i shkojnë pas atij, nuk i besojnë shkencës, precizitetit të arritjeve shkencore?! Përse në disa punë janë ose paraqiten kaq konservatorë, e në disa të tjera nuk ua shkon dot me prirjet moderne?!".

Meqë ky Këshill dhe të tjerët sikurse ky: "në përcaktimin e fillimit dhe mbarimit të muajve islamikë për bazë e marrin qëndrimin që hëna të shihet nga disa individë me sy të zhveshur, dhe meqë nuk i merr në konsideratë llogaritjet astronomike, atëherë pse të njëjtën nuk e bëjnë edhe me përcaktimin e kohëve të namazit?!". Pse edhe kohët e namazit nuk i përcaktojnë në bazë të lëvizjeve të diellit, porse e preferojnë kalendarin ku janë të shënuara madje edhe me minuta kohët e fillimit dhe mbarimit të një namazi?! Përse, sipas kësaj logjike, namazin e sabahut, të drekës, të ikindisë ... nuk i falin duke dalë për çdo herë jashtë e ta shikojnë diellin se në ç'pozitë është dhe në bazë të tij e të hijes së tij ta falin namazin, po mbështeten në kalendarët e përpiluar po nga muslimanët, ku për secilën kohë të namazit edhe atë për një vit të tërë, janë shënuar me precizitetin më të madh çdo orë e minutë se kur duhet të falen pesë vaktet?!

Kjo tregon një gjë, se: "ky Këshill është nën ndikimin e plotë të rrymës fetare vehhabijje", e cila Islamin e kupton në mënyrë të fjalëpërfjalshme, në mënyrë literale, ku nuk ka vend shkenca, ku nuk ka vend arsyeja e shëndoshë dhe ku veprohet sipas kuptimit të jashtëm të çdo thënieje kur'anore dhe sunnetike, pa i marrë në konsideratë kuptimet e brendshme, kuptimet figurative dhe alegoritë e format e tjera të shprehjes. Ky është një botëkuptim tejet-tejet i ngurtë dhe i kufizuar i Islamit. Për shumëkënd, kjo është një tradhti që i bëhet Islamit.

Po më në fund, "çfarë të thuhet për ata që një herë ishin përcaktuar që dita e parë e Kurban Bajramit të ishte të dielën, dhe e ndërruan këtë me të shtunën", edhe atë duke u deklaruar se këtë ndryshim e kishin bërë në koordinim me Këshillin e lartë (suprem) juridik (për fetva) të Arabisë Saudite, kur dihet se Këshilli i lartpërmendur këtë qëndrim e ka marrë dhe e ka publikuar një javë para se këta ta bëjnë hapin e fundit të tyre dhe kur dihet se këta për këtë qëndrim të Arabisë Saudite kanë qenë njoftuar qysh atë ditë përmes mediave dhe përmes udhëheqësve të haxhilerëve?!

Domosdo detyrohesh të mendosh për prapaskena jo të ndershme dhe për manipulime me qëllime personale, grupore ose pse jo edhe politike.

Më në fund po pyes, me mbjelljen e kësaj hutese dhe përçarjeje, sidomos në mesin e muslimanëve shqiptarë që jetojnë në Perëndim, qarqet e caktuara çka fituan? "Më shumë fituan sevap pse e ndoqën Saudinë vehabiste dhe e morën Bajramin një ditë më parë apo fituan më shumë gjynah", për shkak të mbjelljes së hutimit e në veçanti të përçarjes që nuk është dëgjuar të ketë qenë e pranishme më parë në mesin e shqiptarëve muslimanë?! ...



Autor: Mr. Rejhan NEZIRI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...