Veprat e Ebu Hanifes



Divergjencat e shkaktuara pas vdekjes së Osmanit r.a. dhe ardhjes së Aliut r.a. për halif, rebelimi i Muaviut kundër Aliut r.a. dhe problemet e tjera të asaj kohe, shkaktuan paraqitjen e katër sekteve të mëdha (shi'ite, harixhite, murxhite dhe mu'tezilite) dhe shpjegime të ndryshme të shtyllave të fesë dhe shoqërisë islame.

Ndonëse shumica e besimtarëve ishin në rrugë të drejtë, megjithatë, Ebu Hanifeh ishte ndër të parët prej dijetarëve të mëdhenj, që ka paraqitur në formë të shkruar parimet e besimit islam kundrejt mësimeve sektare dhe heretike në rritje. [1]

Ebu Hanifeh, ndonëse ka punuar dhe zgjidhur shumë çështje shkencore, është e qartë se nuk ka shkruar. Megjithatë, disa nga veprat hanefite i përshkruhen atij. Shibli Nu'mani thekson se vetëm tri vepra janë të Ebu Hanifes: Fikh'ul-ekber, El-Alimu we'l-muteal-limu dhe Musned. [2] Ibn Nedimi (vdiq më 10 Sha'ban 385/ 17 Shtator 995) pohon se veprat që i përshkruhen Ebu Hanifes, qoftë të shkruara nga dora e tij, qoftë të diktuara nga ai te nxënësit e tij, janë:

1. El-Fikh'ul-ekber. [3] Veprën e transmeton Ali ibn Ahmed El-Farisiu nga Nusajr ibn Jahja, e ky prej Ebu Mukatil, ky prej Isam ibn Jusufit, ky nga Hammad ibn Ebi Hanifeh, ky nga babai i tij. Tash Kupri-zade në Miftah'ul-Se'adeh thotë: "Ebu Hanifeh ka folur për kelamin sikur në traktatin Fikh'ul-Ekber dhe Kitab'ul-alim we'l-mute'al-lim dhe në to ka sqaruar numrin më të madh të çështjeve të ilm'ul-kelamit". Disa thonë se këto vepra nuk janë të Ebu Hanifes, por të Ebu Hanife El-Buhariut. Mirëpo, këto janë trillime të mu'tezilitëve, të cilët pohonin se Ebu Hanifeh është pasues i doktrinës së tyre. Al-lame El-Bezazi thekson se i ka parë këto dy libra të shkruara me dorën e Imam Kuderiut dhe në to shkruan se janë nga Ebu Hanifeh. Në këtë pajtohen shumë dijetarë, sikurse janë: "Fahr'ul-islam Bezdeviu dhe Imam Abdulaziz El-Buhariu". [4]

Vepra Fikh'ul-ekber e Ebu Hanifes konsiderohet vepra e parë e shkruar në mbrojtje të ehli sunetit (selefinjve: as'habëve, tabiinëve dhe tebei tabiinëve). [5]

2. El-Alimu we'l-muteal-limu. Veprën e transmeton Imam'ul-huda Ebu'l-Mensur El-Maturidiu, nga Ebu Bekr Ahmed ibn Ishak El-Xhuzxhaniut, nga Muhammed ibn Mukatil Er-Raziut, nga Ebu Mukatil Hafsa El-Samarkandiut, nga Ebu Hanifeh. [6] Vepra është shkruar në formë pyetjesh dhe përgjigjesh. [7]

3. Risaletun ila Uthman El-Betti. Ka mendime se Fikh'ul-ebsat është libri, trajtesa e vetme nga penda e Ebu Hanifes, që është ruajtur deri sot, dërguar Uthman El-Betit. [8]

4. Err-Rreddu ale'l-kaderijjeh.

5. El-Ilmu sharkan we garben (të cilat kryesisht përfshijnë veprat e akaidit dhe da'ves). [9]

6. El-Musned. Musned-i është përmbledhje hadithesh të rregulluara sipas emrave të transmetuesve, ashtu që në një kaptinë të përmenden hadithet e transmetuesit të caktuar. Ekzistojnë disa musnede, të cilët i përshkruhen Ebu Hanifes. Në disa burime, theksohen madje 15 prej tyre. Të gjitha këto i tuboi Imam Havarizmi dhe kjo vepër u shtyp në Indi, në vitin 1332. Sot është i njohur Musnedi i Ebu Hanifes, të cilin e tuboi Abdullah ibn Muhamed El-Buhari (vdiq 340 h.), i përpunoi Imam El-Haskafi (vdiq 650 h.) kurse i komentoi Mula Ali El-Kari (vdiq 1014 h.).

Mendohet se pjesën më të madhe të Musnedit e shkroi Ebu Jusufi, kurse pjesën e mbetur Imam Muhammedi, të cilët e quajtën El-Athar. [10]

7. Kitab'ul-risala. [11]

8. Kitab'ul-wasijjeh. [12] Mendohet se Kitab'ul-wasijjeh është zgjerim i Fikh'ul-ekberit të hershëm dhe Fikh'ul-ebsat.

9. Fikh'ul-ebsat. Kjo vepër është e pabotuar deri vonë, ndërsa përmban çështje të besimit që Ebu Hanifeh ia ka dhënë nxënësit të tij Ebu Mutij El-Balhiut (vdiq 799). Në këtë vepër, gjenden gati të gjitha pikat e Fikh'ul-ekber të hershëm (i cili ka vetëm dhjetë parime fetare).

Fikh'ul-ebsat përmban edhe një varg thëniesh për çështjet fetare, që përfoleshin në kohën e Ebu Hanifes. [13]



Autor: Nexhat IBRAHIMI



_________________________

[1] - M.M. Sharif, II, op. cit., fq. 88.
[2] - Shibli Nu'mani, op. cit., fq. 99.
[3] - Ebu Hanifeh me emërtimin fikh'ul-ekber ka nënkuptuar ma'rifet'un-nefsi ma leha we ma alejha (Njohje e individit, gjërat në favor dhe kundër vetes) që d.m.th. "besimi islam, morali etika dhe misticizmi dhe e drejta jurdike ose veprimi". Sipas: Bekir Topaloglu, Hyrje në kelam, Prishtinë, 2002, fq. 48.
[4] - Et-Taftazanij, Sherh'ul-akaidu'un-nesefijjeh, op. cit..
Shprehja Fikh'ul-ekber, që fjalëpërfjalshëm domethënë 'Fikhu më i madh', tregon për prioritetin e shkencës së akaidit kundrejt shkencave të tjera. Imam Taftazaniu thotë: "Dije se disa nga dispozitat e sheriatit kanë të bëjnë me kualitetin e veprës dhe emërtohen me emra dytësorë praktikë, kurse të tjerët kanë të bëjnë me kualitetin e besimit dhe bindjes dhe emërtohen me emra themelorë. Shkenca që merret me llojin e parë, quhet Ilm'ul-sheraia ve'l-ahkam d.m.th.: Shkenca mbi dispozitat e sheriatit. Shkenca që merret me llojin e dytë, quhet Ilm'ul-tewhid ve'l-sifat d.m.th.: Shkenca mbi njësinë dhe cilësitë e Zotit". Sipas: Saduddin Mes'ud ibn Umer Et-Taftazanij, Sherh'ul-akaid'in-nesefijjeh, op. cit.
Krahaso mendimet rreth kritikës shkencore dhe historike për Fikh'ul-ekberin: Shibli Nu'mani, op. cit., fq. 99, 102-103.
[5] - Mevlana Halid-i Bagdadi, I'tikadnama (Iman i islam), USA, 1999, fq. 114 e tutje.
[6] - Et-Taftazanij, Sherh'ul-akaidu'un-nesefijjeh, op. cit..
Mendohet se nuk ekziston tërë vepra, por pjesë të saj, që burojnë nga Ebu Hanifeh. Sipas: N. Smailagić, Leksikon, op. cit., fq. 12.
[7] - Shibli Nu'mani, op. cit., fq. 99.
[8] - Sipas: N. Smailagić, Leksikon, op. cit., fq. 11. Shih rreth karakterit të veprës: Shibli Nu'man, op. cit., fq. 109-110.
[9] - Ibn Nedim, El-Fihrist, fq. 285, sipas: Muhammed Ebu Zehreh, Ebu Hanifeh, op. cit., fq. 188.
[10] - Ebu Zehreh, Ebu Hanifeh, op. cit., fq. 191-193. Po ashtu: Mehmed Handzić, Uvod u tefsirsku i hadisku znanost, bot. III, Sarajevë, 1972, fq. 80. (Ekziston edhe përkthimi shqip i veprës së M. Hanxhiqit, Shkup, Logos-A, 1998.)
Rreth Musnedit lexo: Shibli Nu'mani, op. cit., fq. 99-102.
[11 - Këtë traktat, prej Imam Ebu Hanifes, e transmeton Nusajr ibn Jahja, e ky prej Muhammed ibn Sema' prej Ebu Jusufit, e ky prej Ebu Hanifes. Me këtë sened transmetohet edhe El-Vasijja. Sipas: Kemaluddin Ahmed Bejadi, Isharat'ul-Meram min Ibarat'il-Imam, Kairu 21 prill 1949.
[12] - Ekziston përkthimi në gjuhën shqipe: Edukata islame, nr. 37-38/1983, Prishtinë, fq. 51-56.
[13] - Veprën e transmeton Ebu Zekerija Jahja ibn Mutarif prej Nusajr ibn Jahja nga Ebu Muti' Hakem ibn Abdullah El- Belhiu nga Ebu Hanifeh. Kemaluddin Ahmed Bejadi, Isharat'ul-Meram.
N. Smailagic, Leksikon, op. cit., fq. 11-12.
Këtë vepër e përmend edhe A. Smajloviq, por me emrin El-Fikh'ul-ebsut. Ahmed Smajlović, Akaidologija, I, material i pabotuar për Fakultetit e Shkencave islame, në Sarajevë.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...