Festimi i 1 Majit
Një nga veçoritë të cilët i kishte Pejgamberi jonë salallahu alejhi ve selem, është se Zoti atij ia tregoj disa ngjarje të së ardhmes, disa paralajmërime për popullin tonë, një ndër ato është edhe paralajmërimi se ky Ummet do të ndjek Ehlu-l-Kitab-ët hap pas hapi, saqë nëse ata tentojnë të depërtojnë në vrimën e hardhucës, myslimanët do t'i ndjekim.
Transmeton Ebu Seid el Hudriju se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: "Do të ndiqni rrugët e popujve që kanë qenë para jush, pëllëmbë pas pëllëmbe, hap pas hapi, aq sikur ato të hynin në vrimë të hardhucës, ju do t'i ndiqnit pas! I thanë: o i Dërguari i Allahut, a e ke fjalën për jehudët dhe krishterët? Tha: E kë tjetër!". [*] Këtë fenomen më së miri dhe më qartë e vërejmë në mesin tonë në kohën e sotme, ku shohim se si muslimanët solidarizohen me jobesimtarët në gjithçka, saqë edhe festat e tyre na duken se janë tonat. Ata as që duan të dëgjojnë se ekziston feja jonë, e lëre më festat tona, kurse ne ua festojmë të gjitha festat e tyre.
Një ndër ato festa, është edhe dita e 1 Majit, ku kjo ditë është e shpallur si ditë jo pune nga shumë shtete, andaj, edhe muslimanët tonë të shkretë në këtë ditë dalin në parkun e Shkupit apo Sarajit, sikur të jenë të obliguar nga Zoti e respektojnë daljen atë ditë, por vallë, a e kemi menduar ndonjëherë se çka është kjo festë? Prej ku e ka fillimin?
Në vijim do të cekim se si ishte zanafilla e kësaj dite.
Dita e 1 Majit
Dita e një majit tradicionalisht është festuar tek populli gjerman me qindra vite më parë, ku dita e 1 Majit ishte një ditë e rëndësishme në shtetet komuniste. Si fillim zyrtar, llogaritet prej nga takimi i Socialistëve të cilët e mbajtën një mbledhje më 1889 dhe e shënuan këtë ditë si ditë e punëtorëve. [1]
Sistemi i kaluar komunist, i cili sistem i ka kushtuar rëndësi të madhe kësaj feste (1 Majit) me qëllim që ta largojë popullin nga festat me bazë fetare dhe t'i zëvendësojë me festa pagane dhe që bazohen në hamendje. Një gjë e tillë është bazuar në ideologjinë marksiste. [2]
Por, vallë, a është e vërtetë se kjo festë u kushtohet punëtorëve, apo është për qëllim ndonjë punëtor tjetër, si punëtorët e rendit të Mendjendriturve?
Realiteti mbi 1 Majin
Në Evropën e lashtë, dita e një Majit është llogaritur si dita e parë kur fillon koha e ngrohtë dhe dita e luleve, kurse Romakët vallëzonin në shenjë falënderimi ndaj zotit të natyrës e quajtur Flora, kurse Druidët kanë ndezur zjarre si shenjë falënderimi ndaj zotit Bela. Kurse kah shekujt mesjetarë, evropianët zbukuronin shtëpitë me lule, kanë venduar një dru në oborr dhe kanë luajtur valle rreth saj. Sipas paganëve evropian, në këtë ditë bëhen rituale falënderimi ndaj zotit të pjellshmërisë, lëshohet muzikë dhe ka gëzim të madh për shkak gjelbërimit të natyrës. Muaj Maj sipas tyre është muaji i gjallërisë, është dita më e lumtur pasi është dita e shumimit. Shumë njerëz e kanë adhuruar natyrën dhe tokën në të kaluarën, ashtu siç ka edhe sot, por shumica e veprojnë këtë pa e ditur, shembull konkret është mu 1 Maji. Në të kaluarën, ndër disa popuj, llogaritej 1 Maji si festë e shtrigave dhe satanistëve. [3]
Kjo datë është edhe data e themelimit të organizatës sekrete, Illuminati (Mendjendriturit), e themeluar nga Adam Vajshop, pra, më 1 Maj të vitit 1776 themelohet kjo shoqatë, e cila emrin e merr nga grupe njerëzish që i kanë takuar misticizmit Babilonas. Pra, Komunizmi e festoi 1 Majin, ditëlindjen e Illuminati-ve, nga shkaku se përkrahësi i Komunizmit, Karl Marksi, ishte anëtarë në këtë shoqëri. [4]
Nëse hymë në analiza më të thella rreth kësaj date, do të shohim se kjo ditë është ditë e paganëve, andaj çka e lidh muslimanin me këtë festë, vallë ne duhet t'i largojmë traditat e paganëve apo t'i kultivojmë, saqë edhe nëse dikush donë t'i eliminoj ato, muslimanët tonë janë ata që e pengojnë eliminimin e tyre, fatkeqësisht, duke i festuar për çdo vjet.
Andaj, bëjmë vërejtje deri te të gjithë besimtarët musliman, të cilët e shohin këtë fenomen në mesin e tyre, le të mundohen t'a largojnë sa kanë mundësi, e nëse nuk munden të bëjnë asgjë më tepër, së paku t'a urrejnë me zemër, mos ju afrohet atyre dhe mos lejon që familja e tij të afrohet në këto festa dhe kremtime. Dhe t'i lutemi Zotit që shoqërinë tonë ta pastroj nga këto rituale dhe festa pagane të cilat janë mbjell në shoqërinë tonë nga shumë sisteme dhe organizata.
Autor: Shaban TAIRI
_________________________
[*] - Sahih Buhari, kitab ehadithul enbija, bab 50, nr. 3456, Sahih Muslim, kitabul ilm, bab 3, nr. 2669, në tjetër rivajet vjen: A Persianët dhe Bizantinët? (Sahih Buhari, kitabu teuhid, bab 14, nr. 7319, Sunen Ibn Maxheh, kitabul fiten, bab 17, nr. 3994, Ahmedi në Musned, nr. 9826).
[1] - "May Day Parade in East Berlin", Microsoft Encarta Encyclopedia 2000. © 1993-1999 Microsoft Corporation.
[2] - Revista "Paqja", nr. 14 fq. 22, tema: viti i ri.
[3] - Për më tepër, shih: Masonski i okultni simboli - Dr. Keti Barns, fq. 237-238, si dhe "Kodi i Da Vinçit", nga Dan Brown, i cili jep një përshkrim të vogël në fq. 127, Botimet Dudaj, 2003, Kodet Magjike, - Texe Marrs, fq. 611-612, "Sekreti më i madh" - David Icke, fq. 366, Rrethi i intrigës, Texe Marrs, fq. 254-255.
[4] - Shih: "Komploti botëror" - Nikolla M. Nikolov, fq. 47, dhe fq. 168, "Kush e sundon botën" - Jim Marrs, fq. 321.