Vahabitë e Prizrenit hetohen për shumë vepra



Katër prej pesë të arrestuarve ditë më parë në Prizren, nën dyshimin se kishin lidhje me sektin islamik-vahabi, dhe se po përgatisnin vepra penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, mësohet se muaj më parë kanë marrë pjesë në një samit ndërkombëtar të sektit islamik, që është mbajtur në Bosnjë dhe Hercegovinë nën drejtimin e një iraniani dhe një sauditi.

Një burim brenda policisë ka bërë të ditur për "Kohën Ditore" se informatat për pjesëmarrjen në këtë samit të sektit islamik të katër të arrestuarve tashmë i ka ofruar për autoritetet kosovare Interpoli, çka ka rezultuar që para tre muajve policia t'i fillojë hetimet për zbardhjen e veprimtarisë së tyre në Kosovë.

Ky burim brenda Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se edhe autoritetet e Bosnjë Hercegovinës kohë më parë kanë arrestuar persona pjesëmarrës në këtë samit të sektit islamik.

Sipas policisë, pesë të arrestuarit kishin lidhje me shoqatën kulturore "Sinqeriteti" në Prizren, zyrat e së cilës janë bastisur gjithashtu, ku janë sekuestruar prova materiale.

Sipas informatave që ka mbledhur inteligjenca, dyshohet se udhëheqësi i kësaj shoqate ka lëshuar Kosovën, edhe pse ai nuk ka qenë cak i bastisjeve dhe arrestimeve që janë kryer ditë më parë, ka bërë të ditur një zyrtarë policor, në kushte anonimiteti.

Këtyre pesë të arrestuarve Gjykata e Qarkut në Prizren ua ka vazhduar paraburgimin edhe për një muaj.

Ndërkohë, të hënën mësohet se edhe EULEX-i ka mbajtur një takim me drejtorin e Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, lidhje me këtë rast.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale, toger Hazir Berisha, ka bërë të ditur se hetuesit policorë po vazhdojnë ekzaminimin e provave materiale, dhe se gjer më tani kanë gjetur prova të mjaftueshme për mbajtjen e tyre nën arrest.

"Hetuesit në bashkëpunim edhe me sektorët e tjerë po punojnë për ndriçimin e të gjitha rrethanave në lidhje me këto raste. Hë për hë kemi prova të mjaftueshme se këta kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Është gjetur sasi e konsiderueshme e armëve të zjarrit, të cilat ndalohen me ligjin penal të Kosovës", ka deklaruar Berisha, duke shtuar se kanë sekuestruar pajisje edhe në objektet e kësaj shoqate dhe se kanë mbledhur edhe dëshmi të tjera.

"Ne kemi pasur informacione tre muaj më përpara, se katër nga këta pjesëtarë kanë qenë pjesëmarrës të një samiti në Bosnje, i cili është mbajtur nga një sekt fetar atje, dhe ne i kemi përcjellë dhe i kemi vëzhguar këta persona. Se çka do të del më tutje, është mirë t'i lihet prokurorisë", është shprehur Berisha.

Personat e arrestuar, sipas policisë, janë shtetas kosovarë, ku tre prej tyre i përkasin nacionalitetit boshnjak: Idriz Biljibani, Mustafa Ymeri dhe Ismajl Skenderi, dhe dy janë shqiptarë: Hadith Miftari dhe Armend Kalenderi.

Besohet se ky grup ka lidhje me sektet islamike-vahabi, që veprojnë në komunën e Prizrenit.

Komandanti i Policisë Rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi, nuk e ka përjashtuar mundësinë se të arrestuarit mund të jenë të involvuar në rastin e rrahjes së besimtarit protestant Besim Ajeti.

Kryeimami i degës së Bashkësisë Islame të Kosovës në Prizren, Ali Vezaj, ka pohuar se ky institucion është në dijeni për veprimtarinë e kësaj shoqate, porse me BIK-un nuk kanë zhvilluar kontakte zyrtare. "Ata nuk kanë vepruar nën hierarkinë e Bashkësisë Islame", ka theksuar Vezaj.

Në muajin gushtë të vitit të kaluar, policia e Kosovës me informatat që kishte ofruar FBI-ja e SHBA-së, në xhaminë e "Jeni Mahallës", kishte arrestuar katër përsosna, në mesin e tyre edhe një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Dibra, nën dyshimin se kishin lidhje me organizatat terroriste.

Drejtori i policisë rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi ka deklaruar se pistat e hetimit do të shkojnë në të gjitha drejtimet dhe do të verifikohen edhe lidhjet e mundshme me rastet e mëhershme.



Përgatiti: koha, maj 2010.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...