Vizita te Profeti Alejhis-Selam
Është e lavdërueshme (synnet) të vizitohet varri dhe xhamia e Profetit a.s., vendi të cilin e ka ndërtuar, ai bashkë me shokët e tij, dhe ku është falur dhjetë vjet rresht, gjatë tërë kohës së qëndrimit të tij në Medinen e ndritshme.
Përse bëhet kjo vizitë?
1. E bëjmë këtë vizitë sepse Zoti xh.sh., me anë të Profetit a.s., shtoi mëshirën e vet në tërë ghithësinë, meqë Ai Zotëri ka qenë mëshirë e dhuruar çka dëshmon më së miri fjala e tij kur thotë: "In-nema ene ra hmetun mudah", që d.m.th.: "Unë me të vërtetë jam mëshirë e dhuruar".
2. Me anë të këtij Zotrie Allahu xh.sh., na ka treguar rrugën e drejtë, na ka shpëtuar nga ateizmi e paganizmi, nga padituria dhe rënia morale.
3. Me anë të këtij Zotërie Zoti xh.sh. na mësoi Kur'anin e madhërueshëm, i cili ngadhënjeu mbi çdo libër tjetër dhe është më i përsosuri qoftë nga përmbajtja qoftë nga ana gjuhësore. Në të janë përmbledhur dije për mbarë njerëzimin, shpirtërore, trupore, shoqërore etj..
4. Me anë të këtij Zotërie Zoti xh.sh., na ngriti në shkallën e njerëzve me virtyte të larta shpirtërore, morale shoqërore etj..
5. Me anë të këtij Zotërie Zoti xh.sh. na shpalli fenë islame fenë e pastër e të arsyeshme, humane e mëshiruese që u përhap me shpejtësi duke përballuar pengesa të shumta e të rënda. Kjo fe vazhdimisht po shtrihet e po triumfon në tërë botën.
6. Me anë të këtij Zotërie na është mësuar feja islame dhe shpresojmë se Zoti xh.sh., do të na pranojë lutjet tona e do të na gëzojë duke na vendosur në Xhenet së bashku me Profetin a.s. dhe me tërë muslimanët.
7. Duke vizituar atë Zotëri a.s. (në Xhaminë e Medines) shprehim mirënjohjen tonë ndaj mësimeve të tij, me të cilat na ka udhëzuar dhe edukuar. Gjatë qëndrimit tonë në këtë vend na përfytyrohet ai Zotëri në xhami duke u lutur, duke u falur e duke u këshilluar me sahabët, duke dëgjuar e duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Gjithashtu na përfytyrohen shëtitjet e tij nëpër qytet etj..
8. Për më tepër, ai Zotëri edhe vetë ka lënë porosi që ta vizitojmë pas vdekjes. Kjo vizitë konsiderohet si vizitë e bërë gjatë jetës të lavdërueshme në këtë botë.
9. Duke kënduar shumë salavate sherife për të e duke e vizituar atë shpresojmë te Zoti xh.sh. për të na falur mëkatet e bëra në këtë jetë, e gjithashtu, do të na gradojë në jetën e ardhme.
10. Po theksojmë se ai që viziton Profetin a.s. në varrin e tij, vetë Ai Zotëri i përgjigjet vizitorit me përshëndetje. Ai zotëri ka thënë: "Ma min rexhulin jusel-limu alej-je inde kabri il-la red-dell-llahu alej-je ruhi ferudtus-selame" që d.m.th.: "Çdokush që qëndron para varrit tim e më përshëndet duke thënë: "Es-selamu alejke", Zoti xh.sh. më kthen shpirtin për t'iu përgjigjur përshëndetjes së tij". [1]
Kjo vizitë më këtë selam është më e preferueshme nga ato salavate që i bëjmë prej vendeve të largëta, për të cilat Perendia ka angazhuar disa melekë për t'ia përcjellë atij Zotërie. Profeti a.s. ka thënë: "Men sal-la alej-je inde kabri semiëtuhu ve men sal-la alej-je beidan min-ni bul-ligtuh", që d.m.th. "Ai që bie salavat mbi mua te varri im, e ndjej atë e ai që bije salavat mbi mua larg meje (varrit tim), më transmetohet mua".
11. Me të arritur në Medine Mynevere është mirë të lahemi, të veshim rrobet më të mira, të lyhemi me erërat më të mira e pastaj të shkojme në xhaminë e Profetit a.s., ku hyjmë me këmbën e djathtë duke thënë: "Bismil-lah, ves-selatu ves-selamu ala resulil-lah, All-llahum-me-gfir li dhunubi veftah li ebvabe rahmetike".
Të falen dy reqatë namaz në Reuda ose kudo në ambijentet e asaj xhamije me nijet të "Tehij-jetul-mesxhid" (përshëndetje xhamisë).
12. Pastaj duke kënduar salavate me respekt e me qetësi të posaçme, shkojmë e qëndrojmë para varrit të Profetit a.s., ku themi: "Es-selamu alejke ja Resulall-llah, ve rahmetull-llahi ve berekatuhu, esh-hedu en la ilahe il-lall-llah, bel-lagterr-rrisalete, ve ed-dejte-l-emanete ve nasahte-l-um-mete, ve xhahedte fi sebili-l-lahi, hat-ta etakel-jekinë".
Aty bëjmë dua për realizimin e dëshirave tona, bëjmë istigfar dhe përcjellim selamet që na kanë porositur për atë Zotëri. Pastaj lëviz një hap të madh nga e djathta duke u gjendur kështu para varrit të zotëri Ebu Bekrit r.a. të cilit i jap selam e bëj dua' për të. Lëviz një hap të vogël nga e djathta përsëri, ku qëndroj para varrit të Z. Ymerit r.a., të cilit i jap selam dhe përsëri bëj dua' për të. Kthehemi përsëri e qëndroj para varrit të Profetit a.s., ngre duart, bëj dua për të mirën e kësaj jete e të jetës së ardhme për vete e për tërë muslimanët, e lavdëroj atë Zotëri për çka di prej punëve e sjelljeve shembullore të tij.
13. Gjatë kohës së qëndrimit në Medine Mynevere është e pëlqyeshme të vizitohet xhamia e Kubasë [2] dhe fal aty dy reqat namaz për Tehij-jetu-l-Mesxhid (përshëndetje xhamisë). Për këtë Profeti a.s. ka thënë: "Ai që merr abdes në shtëpin e vet, pastaj vjen në xhaminë e Kubasë dhe fal me atë abdes dy reqatë, ajo vizitë i numrohet si të bëjë Umre të plotë". [3] Profeti a.s. gati çdo të shtunë e vizitonte atë xhami dhe ai falej aty.
14. Këtu në Medine është mirë të vizitohen varrezat e quajtura "Bekije" ku gjenden varret e grave të Profetit a.s. e të tri vajzave të tij, të Ibrahimit, si edhe të shumë sahabeve, të dijetarëve dhe të katër udhëheqësve fetar islamë. Ai Zotëri vinte shpesh në "Bekije" për të vizituar të vdekurit e thoshte: "Es-selamu alejkum dare kaumin muëminine ve in-na insha-all-llah bikum lahikun, nes'elul llahe lena ve lekum el-afije".
Kjo lutje thuhet gjithnjë kur vizitohen të vdekurit në varre. Pastaj është mirë të këndohet 11 herë "Kul-huvell llahu" si dhe sureja "Jasin".
15. Është mirë të vizitohen Shuhedatë (dëshmorët) e Uhudit. Në atë luftë kanë rënë 70 dëshmorë, ndër të cilët është edhe xhaxhai i Profetit a.s., Hz. Hamza. Këtu, pas përshëndetjes që përmendëm më parë, është mirë të bëhen edhe dua' të tjera.
16. Është mirë të vizitohet xhamia e dy kibleve (Mesxhidul Kibletejn). Quhet kështu sepse në fillim të Islamit, muslimanët faleshin të drejtuar nga xhamia e Kudsit, e më vonë erdhi urdhri që të drejtohen nga Qabja. Kështu, ata që u gjendën në atë kohë në këtë xhami duke u falur, u informuan se duheshin drejtuar nga Qabja dhe u orjentuan menjëherë nga ajo. Prandaj e ka marr emrin "Xhamia e dy Kibleve". Gjithashtu është e pëlqyeshme të vizitohen dy xhamitë, sidomos Xhamia "El-fet'h", e cila është ngritur lart më se 20 këmbë shkallë. Këto kanë qenë faltoret e ushtrisë islame në betejën e Hendekut.
Gjatë tërë kohës së qëndrimit tonë në Medine Mynevere, falemi me gjematë në xhaminë e Profetit a.s., vizitojmë sa kemi mundësi, këndojmë Kur'an, bëjmë salavatë dhe bëjmë dua dhe istigfar. Kur të afrohet koha për t'u larguar nga Medina për në vendbanimin tonë të përhershëm ose për të vazhduar rrugën për në Mekke, vizitojmë përsëri Profetin a.s., dhe kjo është vizita e ndarjes. Në këtë moment vazhdojmë të këndojmë lutjet që i kemi përmendur aq sa na lejojnë mundsitë. Kështu i lutemi Zotit xh.sh. që të na pranojë Haxhin, duatë, namazet e të na bashkojë me të afërmit tanë, me shëndet e të mira të tjera dhe të na bëjë të mundur (nasib) t'i vizitojmë sërish këto vende të shejta.
Autor: Vehbi Sulejman Gavoçi
_________________________
Shkëputur nga: Vehbi Sulejman Gavoçi, "Shtyllat e islamit" fq. 337-342, AIITC, Tiranë, 1999.
_________________________
[1] - Hadithin e transmeton Ebu Davudi.
[2] - Xhamia e Kubasë është e para xhami që ka ndërtuar Profeti a.s., me të arritur në Medine me rastin e hixhretit (emigrimit) në Mekke.
[3] - Hadithin e transmeton Muslimi.