Hixhreti - Një ftesë e përditshme për besimtarët e vërtetë
Jeta e njeriut të parë në tokë filloi me hixhret (emigrim). Ademi a.s. me anën e hixhretit solli udhëzimin e parë në tokë, njohuritë e para mbi jetën dhe botën. Kjo si duket paralajmëronte se hixhreti do të jetë pjesë përbërëse e rrugës jetësore të të gjithë bartësve të porosive dhe shpalljeve të Zotit. Çdo pejgamber i Zotit ka pasur odisenë - hixhretin e vet.
Janë të mirënjohura emigrimet e shumë pejgamberëve, sikurse janë: emigrimi i Ibrahimit, Musait, Jusufit, Isait a.s. e të tjerëve. Të gjithë këta transmetues të Shpalljes së Zotit kanë kaluar rrugën e mundimshme të hixhretit, sepse ajo ka qenë strategji e domosdoshme e misionit të tyre profetik. Çdo luftë ndërmjet së mirës dhe së keqes vihet në lëvizje në mënyrë dinamike e jo statike. Hixhreti është pasojë e patjetërsueshme e luftës dinamike ndërmjet së mirës dhe së keqes, së vërtetës dhe së pavërtetës, diturisë dhe injorancës.
Hixhreti - emigrimi i myslimanëve nga Meka në Medine - konsiderohet, me të drejtë, si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë islame. Rrëfimi për hixhretin është rrëfim për viktimat e vetëdijshme të myslimanëve me qëllim ruajtjen dhe lartësimin e Fjalës së Zotit.
"Ata të cilët besojnë, emigrojnë dhe luftojnë në rrugën e Allahut, edhe ata që japin strehim dhe ndihmojnë, ata janë me siguri besimtarë të vërtetë - për ata ka falje dhe shpërblim fisnik", (8: 74).
Një natë Pejgamberi ynë u ngrys, por nuk u gdhi në shtëpinë e vet, u detyrua të braktisë vatrën familjare dhe vendlindjen e vet. Kishte arsye: 'kontradiktat përjashtojnë njëra-tjetrën dhe nuk mund të bashkëjetojnë në të njëjtin vend'. Nuk shkon drejtësia me dhunën, morali me jomoralin, e vërteta me të pavërtetën, drita me errësirën, etj.. Dhe pikërisht për këtë, Muhamedi a.s. u detyrua të linte Mekën, ku mbizotëronte padrejtësia, imoraliteti, mashtrimi, errësira, primitivizmi dhe injoranca.
Pejgamberi i madh e vështronte jetën në lëvizje e jo në ngurtësinë e saj, prandaj në luftën e vet kundër paganizmit përdori strategjinë e lëvizjes. Duhej të gjendej vend më i përshtatshëm, që të lëshonte rrënjë Islami, tokë më pjellore, që të mbillej e vërteta. Duhej të gjendej edhe një bazë e fuqishme, një vendqëndrim i sigurt, që grushtit të paganizmit t'i përgjigjej me grusht.
Banorët e Mekës braktisën shtëpitë e tyre, vendlindjen e tyre dhe çdo gjë që kishin, për të dëshmuar se nuk ka çmim që të mos e paguanin dhe sakrificë që të mos bënin për fenë e tyre dhe për realizimin e fjalës së Zotit në planetin tonë.
Hixhreti paraqet kulmin e sprovës e të sakrificës materiale. Vetë Pejgamberi a.s. e theksoi këtë veçori të hixhretit dhe i njohu hapur meritat e muhaxhirëve. Njëherë, pyetjes së dikujt se në ç'mënyrë mund ta fitonte shkallën e lartë të muhaxhirëve, ai u përgjigj: "Muhaxhir është kushdo që braktis çdo që e ka ndaluar Allahu dhe përqafon atë që ka urdhëruar Ai".
Me këtë Pejgamberi i Zotit a.s. e zgjeroi nocionin dhe kuptimin e hixhretit edhe nga ana shpirtërore e njeriut. Emigrimi nga një jetë me gjynahe, në jetën e kompletuar moralo-etike, synimi drejt idealeve të larta, drejt vlerave të përjetshme njerëzore, kjo është rruga shpirtërore e hixhretit. Kjo është rruga e formimit të figurës morale njerëzore, e denjë për dashurinë hyjnore e botërore.
Gjurmët e hixhretit nuk shkojnë vetëm nga Meka në Medine, por ajo që është edhe më e rëndësishme, gjurmët e tij shkojnë drejt afirmimit të plotë të virtyteve të njeriut. Gjurmët e hixhretit i mbuloi era e parë e shkretëtirës, por gjurmët historike të shpirtit të ndritshëm të Pejgamberit të Zotit - Muhamedit a.s. nuk do t'i fshijë asgjë, sa të jetë jeta e bota.
Hixhreti i dha nxitje të fuqishme pjekurisë shpirtërore dhe kulturore, përsosmërisë etike dhe idesë për themelimin e bashkësisë islame. Ai e çliroi njeriut nga shfrytëzimi, idhujtaria, primitivizmi, supersticioni dhe robëria ndaj epsheve.
Me hixhretin bota hyri në kontakt me valën e re të Islamit, i përfaqësuar me madhështinë e tij të vërtetë, i çliruar nga të gjitha forcat e diskriminimit racor e klasor, nacionalizmit shovinist dhe ekstremizmit. Principi i tij suprem është besimi në të vetmin Zot, me të Cilin askush nuk është i barabartë.
Faktor i rëndësishëm në qëndrimin korrekt në Islam dhe njerëzor, përveç bindjes fetare, është baza moralo-etike, e cila në të vërtetë ndërlidhet, përkatësisht buron nga vetë besimi. Ky formim moral ndikon dukshëm në njeriun dhe veprimet e tij: drejtësia, sentimentalizmi, toleranca, morali, fisnikëria, nxitja e forcave të mira dhe kundërshtimi i dukurive negative, etj., janë instrumente kryesore të sjelljes së tij.
Prandaj hixhreti është fitore e vërtetë, shpresë e madhe për një të nesërme më të mirë në të cilën bashkësia njerëzore do të gjejë veten dhe rrugën e vet të vërtetë.
Kultura islame me hixhretin u bë e veçantë, ndërsa ngjarjet e lidhura me këtë rast, do të jenë burim frymëzimi për myslimanët, për harmoninë reciproke dhe vëllazërimin islam.
Shteti islam, i udhëhequr nga idealet e hixhretit dhe falë zbatimit të Kur'anit e të Sunetit, përjetoi ngritje e lulëzim dhe në një periudhë shumë të shkurtër u bë fuqi kryesore shkencore e kulturore e botës.
Në qoftë se bota islame e dëshiron sërish përparimin dhe rëndësinë e vet në ngjarjet botërore, duhet të riaktivizojë rolin e fesë dhe kthimin e burimeve të sheriatit në jetën e individit dhe të shoqërisë. Përdorimi i kalendarit të hixhretit nuk do të thotë të shënuarit e ditëve, muajve dhe viteve, por rigjallërimi i faktorëve, të cilët e nisën historinë e myslimanëve dhe këto krijuan bashkësinë - shtetin, ndërsa Islamin e bënë fe botërore e me mësimet dhe parimet e tij - fe njerëzore.
Fillimi i çdo viti të ri të hixhretit na përkujton emigrimin e Pejgamberit a.s. dhe në mënyrë të veçantë vlerat e mëdha morale e shpirtërore të kësaj ngjarjeje.
Hixhreti është karakteristikë e jetës së gjallë, krijuese, jetës që shkon gjithmonë përpara, jetës në perspektivë, duke i shndërruar pengesat në shkallë progresi. Hixhreti ka në vetvete idenë e lëvizjes, të aksionit, të ndryshimeve, të rimëkëmbjes, ka idenë e ripërtëritjes së mendimit islam në çdo moment dhe periudhë historike. Në rrugën e hixhretit nuk ka vend për përtaci, as letargji, sepse hixhret kanë bërë vetëm mendjet e larta, vetëmohuese e flijuese dhe gjigantët moralë - prej Ademit deri te Resuli i madh, Muhamedi a.s..
Autor: Muhidin AHMETI