Manifestimi i Mevludit - domosdoshmëri kohe dhe jo risi e dëmshme
Një kohë të gjatë vazhdon të trazohet pluhuri rreth Mevludit, bën apo nuk bën, është risi apo nuk është risi, bëhet mëkat me këndimin e tij apo nuk bëhet, etj. etj., kjo çështje sidomos nxitet dhe sforcohet nga jomedhhebistët.
Shkrimi është i shkurtër dhe nuk mund t'i trajtojë të gjitha këto pikëpamje, por do të përpiqet t'i fokusojë disa aspekte që duken më të rëndësishme.
Temë qendrore e tërë këtij diskutimi është nocioni i risisë, bid'atit, i cili pa nevojë diskutohet dhe pa nevojë humbet energji në sharjet e ndërsjella. Pa nevojë është diskutimi në aspektin që ndodh shumë herë ndër ne, kurse nuk është pa nevojë vetë mevludi dhe diskutimi për të. Respektivisht, i panevojshëm është konteksti i diskutimit, por jo vetë tema, sepse në thelb nuk ka tema të gabueshme, tabu-tema, por ka akcese të gabueshme dhe metodologji të gabueshme.
Gjuhësisht bid'at është çështje e futur, e prodhuar rishtazi. Termonologjikisht, bid'at është ajo që është futur në fe pasi që feja është mbyllur, është plotësuar, bid'at është ajo që nuk e ligjëson shkronja e Kur'anit as e përcakton Pejgamberi a.s., bid'at është risi apo devijim nga praktika e zakonshme fetare ose jetësore islame. Nisma e këtij diskutimi zë fill sidomos në perceptimin e hadithit të Muhammedit a.s.:
"Men ahdethe fi emrina hadha ma lejse minhu fe huvve redd - Ai që fut në çështjen (fenë) tonë diç që nuk është nga ajo, kjo do të refuzohet (nga ana e Allahut)".
"Kul-lu muhdethetin bid'atun ... - Çdo risi është bid'at ...".
Perceptimi dhe pastaj komentimi i ngurtë i këtyre haditheve ka ngritur pluhurin dhe ka ngritur barriera drejt të kuptuarit të rrugës së drejtë. Metodologjia e komentimit të hadithi është nxjerr nga konteksti ka shkaktuar gjithë këtë rrëmujë dhe përçarje të papashme. Këtë problem e patën parasysh edhe as'habët, ndaj edhe reagimi i tyre ishte i matur.
Ja disa shembuj:
- 1. Namazi i teravisë
Gjatë kohës së Omerit r.a. futet falja e namazit të teravisë me xhemat prej 20 rekatesh. Gjatë kohës së Muhammedit a.s. namazi i teravisë falej individualisht ... Omeri r.a. për këtë risi tha: "Ni'metil-bid'atu hadhihi - Sa i bukur është ky bid'at"!
Analiza e këtij pohimi tregon se Omeri r.a. i vlerësoi të mirat dhe të këqijat (eventuale) të këtij tubimi të muslimanëve dhe konstatoi se kjo praktikë e cila nuk ishte e pranishme në kohë të Muhammedit a.s. shkon në dobi të muslimanëve. Edhe pse ishte e qartë se ky veprim ishte bid'at (risi), asnjë nga as'habët nuk e kundërshtoi këtë praktikë.
- 2. Ndarja e presë së luftës
Gjatë kohës së Omerit r.a. kufijtë e shtetit musliman u shtrinë në shumë drejtime. U pushtua Siria, Iraku dhe vende të tjera. Deri atëherë ishte zakon që preja e luftës të shpërndahet ndër luftëtarët dhe kjo argumentohej me ajetin 41 te sures El-Enfal. Kështu është vepruar edhe me prenë e luftës pas pushtimit të Hajberit në kohën e Muhammedit a.s.. Omeri r.a. e analizoi territorin e ri, i cili ishte bujqësor dhe Arabinë i cili ishte vend jobujqësor kurse banorët e saj merreshin me tregti e luftëra, por jo me bujqësi.
Ndarja e tokës ndër luftëtarët pa prirje dhe send për bujqësi do ta dëmtonte bujqësinë dhe kultivimin e kulturave bujqësore dhe do të bënte që luftëtarët ta tregtojnë tokën bujqësore dhe nga kjo tregti do të kenë dobi vetëm individët. Për këtë arsye, ai vendosi që tokën tua lë pronarëve dhe në këtë vendim e përkrahën Osmani r.a., Aliu r.a., Talhaja r.a. dhe Ibn Omeri r.a..
- 3. Ezani i dytë në namazin e xhumasë
Deri para sundimit të Osmanit r.a. ishte zakon që para namazit të xhumasë të këndohej një ezan. Por, Osmani r.a. e futi leximin edhe të ezanit të dytë. Kjo traditë mbeti deri në ditët tona dhe nuk pati kundërshtime nga njerëzit eminentë të kohës së tij apo më vonë, pos individëve.
Mund të konkludohet se as'habët, tabiinët dhe shumica e dijetarëve me famë gjatë historisë islame hadithet mbi qortimin e bid'atit i kanë kuptuar ashtu që bid'at të papranuar i kanë quajtur ata bid'ate të cilët kundërshtoheshin me bazat e sheriatit, siç është bid'ati i mohimit të kaderit të Zotit, shpallja për mosbesimtar të personit që bën mëkat të madh etj..
Në këtë aspekt do të duhej kuptuar edhe shënimin e mevludit, regaibit, mi'raxhit, kadrit, dhiarin në fund të namazit, duanë pas namazit etj..
Këtë mendim tonin e vërteton edhe hadithi vijues:
"Men senne fil islami sunne hasene fe lehu exhruha ... - Kush e vendosë në Islam një traditë të mirë (sunnet), do të ketë shpërblim për të, madje edhe shpërblimet e atyre që do ta praktikojnë pas tij pa ua munguar asgjë në shpërblimet e atyre, ndërsa kush vendosë në Islam ndonjë traditë të keqe, do të bartë për këtë barrën e të keqes të të gjithë atyre të cilët do ta praktikojnë pas tij pa u munguar asgjë në barrët e tyre".
Kjo tregon se bid'ati ndahej në bid'at të mirë, të lavdëruar (hasen) dhe bid'at të keq (sejjieh).
Konkretisht, këndimin e Mevludit i pari e futi El-Muzaffer Ebu Se'id Kevkeberi në fillim të shekullit të shtatë hixhrij. Kjo metodë e manifestimit të dashurisë ndaj Muhammedit a.s. dhe e ringjalljes së sirës (jetëshkrim) së tij shumë shpejt u bë e dashur përgjatë botës myslimane. Kjo metodë u shtri jo vetëm me rastin e ditëlindjes së Muhammedit a.s. por edhe në rastet e dasmave, lindjes së fëmijëve, shkuarje-ardhjes nga haxhi, ndejeve pasmortore, ndërtimit të shtëpisë së re etj. etj..
Këtë praktikë të re e përshëndeti një numër i madh dijetarësh, si Askalaniu, Sujutiu etj..
Prandaj, bid'at, risi në kuptimin e mirëfilltë quhet çdo risi që kundërshton frymën e Islamit e jo a ka qenë apo jo një veprim i caktuar në kohën e Muhammedit a.s.. Kjo tregon se manifestimi i mevludit nuk është risi (bid'at) i qortuar, por domosdoshmëri kohe, metodë jashtëzakonisht e përshtatshme për prezantimin e mësimeve islame, e sidomos për prezantimin e jetës dhe veprës së Muhammedit a.s. ndër shtresat e popullsisë që për formë të mësimit kanë zgjedhë formën e mevludit (Leximin e Kur'anit, recitimin e ca fragmenteve nga ndonjë tekst mevludi, këndimin e ndonjë ilahije e kasideje, pyetje-përgjigjeve dhe përmbajtjeve të tjera që mund të bëhet sipas aftësisë së imamit dhe kërkesave të xhematit).
Kjo formë është tradicionale dhe depërton atje ku e ka vështirë të depërtojë punëtori fetar në raste të tjera. Personalisht nuk kam asnjë dilemë a duhet të organizohet mevludi, por dilemën e kam si ta bëjmë organizimin e mevludit më efikase, më të drejtpërdrejtë, më të frytshme. E gjithë forca duhet të jepet në këtë rrafsh: si të organizohet një mevlud me përmbajtje më cilësore.
Përgatiti: Nexhat IBRAHIMI