Veshja islame e femrës dhe koha në të cilën jetojmë
Veshja e femrës para të huajve dhe jashtë shtëpisë duhet t'i plotësojë këto kushte:
1. Mbulesa e femrës duhet ta përfshijë tërë trupin, bazuar në ajetin Kur'anor: "le t'i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre...", (El-Ahzab, 59).
2. Mbulesa të mos jetë e tejdukshme, ngase nuk mund të mbulohesh me një mbulesë që është e tejdukshme, e nëse vepron kështu, atëherë ajo mbulesë bëhet vetëm sa për sy e faqe, e në realitet ajo është e zbuluar. Muhammedi (s.a.v.s.) ka thënë: "Në fundin e ummetit tim do te ketë gra të mbuluara, por të zbuluara. Kokat e tyre do t'i kenë sikur gungat e deveve. Mallkoni ato, sepse ato do të jenë të mallkuara. Ato nuk do të hyjnë në Xhennet, e as qe do ta ndiejnë erën e tij, kurse era e tij ndihet aq larg", (Tefsir Ibn Kethir)!
Pra, ky është argumenti se veshja e një teshe te tejdukshme konsiderohet si mëkat i madh.
3. Mbulesa duhet të jetë e gjerë, sepse qëllimi i saj është pengimi i fitnes (ose nxitjes së epsheve ndër meshkuj) si dhe fshehja e formës së trupit.
Usame ibn Zejdi r.a. thotë: "Muhammedi s.a.v.s. më dhuroi një veshje të trashë egjiptiane, të cilën ia kishte dhuruar Dihjetul-Kelbiu, e unë ia dhashë gruas sime që ta veshë. Një ditë Muhammedi s.a.v.s. më tha: Përse nuk po të shoh duke e veshur atë veshje egjiptiane"?
- I thashë: "Ia dhashë atë gruas sime". Ai tha: "Urdhëroje që të veshë diçka nën të, se kam frikë mos po ia përshkruan formën e eshtrave të saj". [1]
4. Mbulesa të mos jetë e parfumosur: Ekzistojnë një varg hadithesh që flasin rreth ndalesës së parfumosjes së grave kur ato dalin jashtë shtëpive të tyre. Ne do t'i theksojmë këtë që vijon:
Ebu Musa el Eshariu ka thënë: I Dërguari i All-llahut (salAllahu alejhi ves-selem) ka thënë: "Çdo grua e cila parfumohet dhe gjatë kalimit pranë njerëzve ata ndiejnë aromën e saj, është zinaqare".
Zejneb el-Thakafijjeh transmeton se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "Nëse ndonjëra prej jush (grave) shkon në xhami, mos të prekë ndonjë parfum". [2]
5. Mbulesa të mos i përngjajë veshjes së burrave: Ebu Hurejra r.a. ka thënë: "I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) mallkoi mashkullin i cili vesh rrobat e femrës dhe femrën që vesh rrobat e mashkullit".
Abdullah ibn Amr ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) duke thënë: "Ata nuk janë nga ne, gratë që imitojnë burrat dhe burrat që imitojnë gratë". [3]
Nga kjo që u theksua më lartë, qartë kuptojmë se mbulimi i femrës duhet t'i përfshijë këto që vijon:
- të jetë i mbuluar tërë trupi, përveç pjesëve që janë të dukshme, e ato janë fytyra dhe duart,
- rrobat duhet të jenë të gjëra dhe të mos puqen për pjesët e trupit,
- rrobat duhet të jenë të dendura dhe të mos jenë të tejdukshme,
- veshja nuk bën të jetë për ekspozim dhe mburrje,
- rrobat të mos jenë të parfumosura,
- rrobat të mos u ngjasojnë atyre të meshkujve dhe të pabesimtarëve.
Intelektuali dhe mendimtari islam prof. dr. Bekir Topaloglu në lidhje me mbulesën e femrës në librin e tij "Gruaja në Islam" thotë: "Thënë shkurt, gruaja muslimane është e obliguar t'i mbulojë të gjitha pjesët e trupit, përveç fytyrës dhe duarve deri në zokth të dorës. Kjo s'është e thënë të bëhet me çarçaf. Përkundrazi, kjo duhet të jetë si shembull për gratë tjera - pastër e thjeshtë dhe bukur e mirë. Një grua e këtillë përhap respekt e jo epsh ndjellës. Këtë grua e lartëson Islami, e për të shpalli se Xhenneti është nën këmbët e saj".
Aisheja rrëfen për besimtarët e kohës së saj, se si i kanë respektuar urdhrat e Allahut, duke i braktisur shprehitë e vjetra dhe modën: "Për Zotin, unë nuk kam parë gra më të virtytshme se gratë ensare, në pikëpamje të besimit në librin e Zotit dhe bindjes se Ai e ka zbritur Kur'anin. Kur zbriti ajeti për mbulim, erdhën burrat e tyre tek ato dhe filluan të lexojnë ajetet që i zbriti Allahu. Të gjithë i lexuan këto urdhra për gratë, vajzat, motrat dhe personat tjerë. Të gjitha, pa përjashtim, u mbuluan me mbulesat e veta të leshta ose nga pambuku, duke i respektuar urdhrat e Allahut - dhe për namazin e mëngjesit të mbuluara qëndruan prapa të Dërguarit Allahut (s.a.v.s.) dhe dukeshin sikur në kokat e tyre të qëndronin laraska". [4]
Megjithëse islami ua lejon femrave mbajtjen e gjërave që janë të ndaluara për meshkujt, meqë ato i takojnë vetëm natyrës femërore, ajo nuk i lë gratë të bëhen të lira e të enden vërdallë. Islami lejon femrës t'i mbajë ato sende që i takojnë natyrës së saj, por në të njëjtën kohë ia tërheq vërejtjen që të mos bëjë asgjë që mund ta shkatërrojë atë natyrë. [5]
Mënyra në të cilën gruaja duhet të vishet, të zbukurohet, të ecë, madje edhe të shkojë, është një çështje shumë delikate, ndërsa feja islame i kushton rëndësi të veçantë këtij problemi. Qëndrimi i islamit lidhur me këtë përqendrohet në mirëqenien e përgjithshme të të gjitha femrave. Islami i këshillon (dhe i urdhëron) që veçanërisht t'iu ndihmojnë grave ta mbajnë e ta zhvillojnë dinjitetin dhe nderin e tyre, të jenë larg fjalëve të kota apo pëshpëritjeve e fjalëve qëllimkëqija dhe larg mendimeve të dyshimta. [6]
Veshja e femrës para femrave
Veshja e muslimanes është një çështje shumë delikate, posaçërisht për kohën tonë, ku shumë shoqëri dhe rrethe trupin e femrës e konsiderojnë si një nga metodat më të suksesshme për t'i arritur qëllimet e tyre.
Sot kemi një shpejtim të pabesuar të kreativitetit dhe modës rreth veshjeve të femrës, sa që vështirë që mund të përcillet nga dikush. Prandaj, është e pamundur që femra muslimane të mos ndikohet nga ky ndryshim, qoftë edhe në formë indirekte. Kjo sjell edhe interesimin dhe pyetjet e shpeshta rreth veshjeve të femrave muslimane.
Këtu do të bëjmë fjalë për këtë çështje, gjegjësisht rreth çështjes së të zbuluarit të femrës para femrës, apo çfarë i lejohet t'i shihet nga trupi i saj, femrës muslimanë para femrave. Gratë e besimtarëve në kohën e Muhammedit (salAllahu alejhi ue selem) arritën kulminacionin e dëlirësisë, ndershmërisë, turpit dhe modestësisë, e tërë kjo me bekimin e besimit që kishin në zemrat e tyre.
Këto gra vishnin rrobe me të cilat mbulonin pjesët e trupit të tyre si para burrave të huaj, ashtu edhe para të tjerëve, prandaj nuk njihet nga asnjëra prej tyre se kanë veshur rrobe që nuk mbulojnë pjesët e trupit të tyre kur kanë ndenjur në tubime me gratë apo edhe me meshkujt që i kanë mahrem (që nuk iu lejohet të martohen me ta, si: babai, vëllai, xhaxhai, etj.).
Këtë praktikë e kanë vazhduar edhe gratë e gjeneratave, të cilat kanë ardhur më pas deri në kohët tona, ku shumë prej grave e kanë marrë urdhrin kuranor për t'u mbuluar ashtu siç ka kërkuar Allahu i Lartëmadhëruar: "Kur thirrën besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te Allahu dhe te i dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: "Dëgjuam dhe respektuam"! Të tillët janë ata të shpëtuarit", (Nur, 51).
Në vazhdim ne do të përmendim se si është dispozita islame rreth veshjes së femrës para femrave. Nga thëniet e dijetarëve (fukahave) rreth auretit (ajo që është e ndaluar të shihet) të femrës para femrës kuptojmë se ata e ndajnë këtë çështje në dy raste:
A). Në raste të zakonshme, në ndeja dhe tubime, femrës muslimane nuk i lejohet t'i duken nga pjesët e trupit të saj, përveç atyre gjërave që janë të natyrshme të duken si: koka, flokët, qafa, duart së bashku me krahët, këmbët së bashku me kërcirin. Kurse pjesët tjera si: gjoksi, barku, beli, shpina, kofsha, etj., nuk lejohet të ekspozohen.
Prandaj, veshjet me të cilat shihen apo janë shumë të ngushta që i tregojnë pjesët e trupit nuk lejohet të vishen (edhe para grave). E njëjta vlen t'i shihet femrës kur është në prezencën e meshkujve që janë mahrem të saj, (burrat me të cilët nuk lejohet të martohet ajo si: babai, vëllai, xhaxhai, etj.). Prandaj, veshja e fustaneve të ngushta apo të shkurtra, rrobave që janë të tejdukshme apo të ngushta dhe tregojnë formën e pjesëve të trupit, janë të ndaluara dhe nuk i lejohet femrës muslimane që e konsideron vetën se pason urdhrin e Allahut dhe porositë e Muhammedit (s.a.v.s.) të veshë rrobe të tilla edhe para grave.
E njëjta dispozitë vlen edhe për veshjen e pantallonave para grave, për shkak se pantallonat, edhe nëse themi se mbulon pjesët e trupit, nuk i plotëson kushtet themelore të mbulesës. Nga këto kushte është edhe të mos jetë rroba e ngushtë që tregon formën e trupit, duke ia bashkangjitur kësaj se ajo është e njohur si veshje e burrave. Argumentet për këtë janë:
1. Fjala e Allahut të Lartëmadhëruar: "Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vendosin shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, baballarëve të vet ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmenden) ...", (Nur, 31).
Nga ky ajet kuranor kuptojmë atë që ka qenë praktikë e grave të sahabëve, se femrës i lejohet të zbulojë para mahremëve të saj (meshkujve që e ka të ndaluar të martohet me to) ato pjesë që zakonisht i zbulon gruaja, kur gjendet në shtëpinë e saj si: flokët, duart dhe krahët, qafën, këmbët. Gjithashtu, në ajet vërejmë se së bashku me mahremët përmenden edhe gratë që nënkuptojmë se e njëjta dispozitë vlen edhe para grave.
2. Në sahihun e Muslimit transmetohet se Muhammedi (slAllahu alejhi ue selem) ka thënë: "Dy grupe njerëzish prej banorëve të zjarrit nuk i kam parë akoma, disa burra që mbajnë shkopinj (kamxhik) si bishtat e lopëve e godasin njerëzit me ta dhe gra që janë të veshura, por të zhveshura, përdridhen dhe bëjnë njerëzit të dridhen, kokat e tyre janë si gungat e deveve të dobëta, nuk kanë për të hyrë në Xhenet dhe nuk do ta ndjejnë aromën e tij dhe pse ajo ndjehet nga një largësi e madhe".
Në hadith flitet për një grup të femrave që veshin rrobe, por ato rrobe nuk e mbulojnë trupin, pra ajo është e veshur por në realitet e zhveshur, sikur ajo që vesh rrobë të tejdukshëm, apo të ngushtë dhe vizaton pjesët e trupit, apo rrobe të shkurtra që nuk i mbulon trupin.
Ky hadith është i përgjithshëm, prandaj në të hyjnë gratë që vishen me rrobe të tilla, pa marrë parasysh para burrave apo grave (besimtare).
Një gjë e tillë është e ndaluar dhe nuk lejohet të bëjmë lehtësime në këtë.
3. Usame ibn Zejdi ka thënë: Muhammedi (s.a.v.s.) ka thënë: "Më dhuroi një manto koptijane të cilën ia kishte dhuruar Dihjetul Kelbiu, kurse unë ia dhashë gruas time që ta veshë". Një ditë Pejgamberi (s.a.v.s.) më tha: "Përse nuk e vesh manton koptijane"? I thashë: "E veshi gruaja ime". Ai tha: "Urdhëroje që të veshë diçka nën të, se kam frikë mos po ia përshkruan formën e eshtrave të saj".
Veshja koptiane ishte një veshje që bëhej në Egjipt. Imam Sheukani thotë se nga ky hadith nxjerrim se gruaja nuk lejohet të vesh rrobe që e tregon formën e trupit të saj.
4. Gjithashtu një nga ndalesat më të rëndësishme në jurisprudencën islame është edhe çështja e mosgjasimit të veshjes së mosbesimtarëve. Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: "Ai që i përngjan një populli, është prej tyre".
Transmetohet nga Abdullah ibn Amri, i cili ka thënë: "Pejgamberi (s.a.v.s.) pa tek unë dy rrobe të verdha dhe tha: "Këto janë tesha të jobesimtarëve, mos i vish"!
Nga ky hadith kuptojmë se si Muhammedi (salAllahu alejhi ue selem) e ndalon sahabiun në veshjen e rrobave të jobesimtarëve. Kurse, këto rroba që nuk mbulojnë trupin e femrës si: fustanet e shkurtra, pantallonat, bluzat me të cilat zbulohet barku, etj., janë veshje që janë të njohura te jobesimtarët, muslimanët janë larg nga ato.
B). Në raste të domosdoshme apo të nevojshme dhe pa qëllim lejohet të duken edhe disa pjesë të tjera të trupit. Si rast i domosdoshëm mund të ilustrojmë si rastin e sëmundjes, si shkuarja te gjinekologia apo ndonjë mjeke tjetër. Kurse, si rast të nevojshëm apo pa qëllim mund të themi, nëse femra i jep gji fëmijës në prezencën e ndonjë femre, nuk detyrohet ajo që të fshihet, apo në rast të ndërrimit të ndonjë rrobeje, apo disa raste të tjera si: zbulimi i disa pjesëve të femrës para motrës së saj, apo ndonjë të afërme, etj.. [7]
Në fund i këshillojmë motrat muslimane që janë të mbuluara apo dëshirojnë të mbulohen të kenë frikë Allahun në veshjet e tyre dhe të mos mashtrohen me ato veshje që tani, për fat të keq, janë bërë përditshmëri e popullit tonë. Të jenë të vendosur në principet islame dhe të krenohen me to edhe pse ndoshta dikush na sheh me sy të ngecjes dhe prapambeturisë, se ajo krenari për të cilën mashtrohen se e kanë është kalimtare, kurse ajo që është tek Allahu është e përhershme dhe nuk humb kurrë.
Burri është kryesues i familjes
Nga aspektet që burrit i ofrojnë dominim në familje është vet fakti se ai e mban statusin si krye i pari i familjes. Ashtu siç çdo organizim shoqëror e ka të parin e vet, po ashtu edhe familja e ka udhëheqësin dhe kryetarin e saj. E ai është burri.
Kur'ani Famëlartë ka përcaktuar që në familje këtë funksion ta ketë mashkulli, pra burri. Allahu i Lartësuar në Kur'an ka thënë: "Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerë ...", (en-Nisa, 34).
I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "Çdo njëri prej jush është bari dhe çdo njëri prej jush është përgjegjës për tufën e tij. Imami (prijësi) është bari dhe është përgjegjës për tufën e tij. Burri është bari në familjen e vet dhe përgjegjës për tufën e tij, gruaja në shtëpinë e bashkëshortit të vet është përgjegjëse për tufën e saj ...".
Allahu ka dashur që natyrshëm gruaja t'i ketë disa kufizime qenësore, gjë që burri nuk i ka. E, pikërisht për këto, burri është epror i bashkëshortes: "... e burrave u takon një përparësi ndaj tyre (grave)", (El-Bekare, 228). Kjo epërsi e burrit, nuk është e fituar nga ana e tij, por është autorizim nga Krijuesi. Si e tillë nuk është themeluar për t'i bërë privilegj burrit, ndonëse pa e mohuar edhe këtë, por më shumë për t'i dhënë përgjegjësi atij. Nga kjo nënkuptojmë se burri ka përgjegjësi të plotë për aktivitetet e gruas (bashkëshortes/bashkëshorteve) së tij, andaj ai duhet të kujdeset për të, sepse i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) gjatë ligjërimit (hutbes) lamtumirës në Arafat ka porositur: "Ju porosis që ndaj grave të jeni të kujdesshëm, sepse ato janë nën betimin tuaj dhe nuk e kanë të lejuar që të bëjnë çfarëdo qoftë vetë. Allahu ua ka dhënë gratë në emanet dhe Ai ju ka lejuar që t'u afroheni ...".
Gjithashtu, burrit iu është dhënë e drejta që - në rast nevoje - të ndërmarrë edhe masa diciplinore ndaj asaj gruaje që tregon shenja kryelartësie apo mosrespektim.
Allahu në Kur'an ka porositur: "Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që All-llahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj të fshehtës. E ato që u keni dro kryelartësisë së tyre, këshilloni, madje largohuni nga shtrati (e më në fund), edhe rrahni (lahtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. All-llahu është më i larti, më i madhi", (En-Nisa, 34).
Prej këtu, burri e gëzon të drejtën e tij të rezervuar edhe për dukjen (pamjen) dhe përcaktimin e veshjes së bashkëshortes së tij sipas rregullave të normave islame.
Nga ajo që u tha më lartë, u vërtetua se burri është i pari i familjes dhe mban përgjegjësi për bashkëshorten e tij në të gjitha aspektet, pra edhe për veshjen ose zhveshjen e saj.
Çfare është Dejuth dhe kush mund të jetë ai?
Sjellja dhe koncepti i veshjes së gruas ndodh sipas miratimit të burrit, e kjo do të thotë se edhe zhveshja e saj ndodh me dijen e tij. Këtu fillon përgjegjësia e burrit për veshjen e keqe të gruas apo për lakuriqësimin e pjesëve vitale të trupit të saj. Ai është përgjegjës për lejimin e një veshje të këtillë dhe mospengimin e saj. Sepse, burri ashtu sikurse di të ngrejë zërin e tij kundër ndonjë veprimi të gruas në cilësinë e saj si amvise, po ashtu ai di dhe duhet ta ngritë zërin edhe kundër veshjes jo të hijshme dhe veshjes ekstravagante apo veshjes që është tërheqëse për sytë e mashkullit.
Pra, ai duhet ta ndalojë atë lloj të veshjes, sepse faji kryesor qëndron tek burri i cili nuk e obligon bashkëshorten e tij që të duket si i ka hije besimtares së devotshme, madje burri në Ditën e Gjykimit do të ketë dënim të rëndë.
Bashkëshorti i cili pajtohet me veprimet e pahijshme të gruas së vet, ka rënë në mëkat edhe nga aspekti i mosruajtjes së familjes së tij nga ato veprime që Allahu i ka cilësuar se janë të ndaluara dhe shpijnë në zjarr të xhehennemit. Kundrejt kësaj, Allahu i Lartësuar ka urdhëruar në Kur'an: "O ju që besuat, rune veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët ...", (Et-Tahrim, 6).
Porosia e ajetit pikërisht i adresohet të parit të familjes - burrit.
Transmeton Abdullah Ibn Omeri (r.a.) se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "Tre vetave Allahu ia ka ndaluar xhennetin: konsumuesit të alkoolit i cili vdes pa u penduar, fëmisë që nuk i përmbush detyrimet e veta ndaj prindërve dhe dejjuthit (joxhelozi ndaj familjes së vet) që e miraton të keqen (ndyrësinë) në familje".
Çfarë është dejuth dhe kush mund të jetë ai? Shprehja dejuth si nocion identifikon mosxhelozinë e burrit ndaj bashkëshortes së vet për diçka që natyrshëm duhet të xhelozojë. Fjala dejjuth (e që në gjuhën shqipe kjo fjalë njihet si dojuz dhe është epitet shumë i keq) në hadithe të Muhammedit (salAllahu alejhi ves-selem) ka për qëllim pikërisht atë burrë i cili nuk xhelozon ndaj bashkëshortës së vet kur është fjala për lëvizjet, aktivitete dhe veshjen e saj amorale dhe që janë në kundërshtim me parimet islame.
Pra, nocioni dejjuth nënkupton burrin i cili nuk xhelozon ndaj familjes së vet, e as nuk turpërohet. Prandaj, në gjuhën arabe dejjuth quhet "bashkëshorti i gruas së pandershme".
Ndërkaq, dejjuthizmi ka të bëjë me qëndrimin e secilit bashkëshort që e miraton zhveshurinë ekstreme të gruas së tij dhe nuk e kundërshton atë, e as që xhelozon pa marrë parasysh se burrat e huaj, pa pasur asnjë qëllim, shohin pjesët vitale të trupit të saj. Për këtë qëndrim të shëmtuar, bashkëshorti është fajtor i drejtpërdrejtë, sepse ndikimi i tij në familje duhet të jetë i pashmangshëm dhe autoritativ.
Këto argumente duhet të pranohen nga vet fakti se ato për shoqërinë janë të dobishme, e në radhë të parë për gruan, sepse, mbulesa nuk është vetëm për arsye individuale, por ajo bëhet mbi të gjitha për ta ruajtur moralin publik, respektivisht për të penguar rënien e moralit dhe përhapjen e imoralitetit. Veç kësaj, bashkëshortja me veshje të pahijshme dhe joislame shndërrohet në një ikonë destruktive edhe për fëmijtë të cilët janë të prirur për t'i ndjekur prindërit. Në të gjitha rastet, jo vetëm bashkëshortja, por edhe bashkëshorti për shkak të pozitës së tij qendrore në familje, nuk mund të shfajësohet dot nga përgjegjësia, në të kundërtën ai (burri) do të binte në statusin e dejuthit, siç edhe ka thënë i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.).
Urtësitë e mbuleses islame
Urtësinë për të cilën është caktuar mbulesa e femrës më së miri na e tregon fjala e Allahut ku thotë: "O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t'i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. All-llahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues", (El-Ahzab, 59).
Si çdo ajet i Kur'anit, edhe këto ajete e kanë shkakun e zbritjes së tyre. Ky ajet (që ka të bëjë me mbulesën e femrës) është shpallur atëherë kur disa gra ishin të ekspozuara fyerjeve të hipokritëve. E pasi iu tërhoq vërejtja, ata thanë: "Menduam se ato janë robëresha". [8]
Kaptina el-Ahzab, e cila posedon 73 ajete, është shpallur në Medinë, pas kaptinës Ali Imran. [9] Ky ajet tregon qartë se është i obligueshëm mbulimi i tërë bukurisë dhe zbukurimeve të gruas dhe të mos shfaqë asnjë pjesë të këtyre pjesëve para meshkujve jo-mahram (të huaj), përveç asaj pjese që duket pa dashje, me ç'rast nuk ka mëkat në këtë, nëse nxiton t'a mbulojë atë. El-Hafidh ibn Kethir ka thënë në Tefsirin e tij: "Kjo do të thotë se ato nuk duhet të zbulojnë asnjë pjesë të zbukurimeve të tyre para jo-mahremëve, përveç asaj që është e pamundshme të fshihet".
Ibn Mesudi ka thënë: "Sikurse pelerina dhe menteli që vishnin gratë e arabëve një veshje e jashtme që mbulonte çfarëdo qoftë që vishnin gratë, përveç asaj që dukej përfundi veshjes së jashtme. Nuk ka mëkat për gruan sa i përket kësaj, sepse kjo është e pamundur të fshihet", sepse përndryshe nuk mund të mbulojë si duhet. Veshja transparente apo e tejdukshme e bën gruan më tërheqëse dhe më të bukur". [10]
Ibn Abd el-Barr ka thënë: "Ajo që Pejgamberi (SalAllahu Alejhi ve Selem) ka pasur për qëllim me këtë, janë gratë që veshin rrobe të materialit të hollë, të cilat përshkruajnë dhe nuk mbulojnë. Ato janë të veshura me emër, por në realitet janë lakuriqe".
Pasi që çdo dispozitë dhe urdhër Hyjnor në vete ngërthen urtësinë e publikimit të saj, atëherë gjithsesi edhe urdhri për mbulesën e femrës e mban urtësinë e vet. Ndër ato ne do t'i numërojmë:
1. Urtësia e mbulesës së femrës qëndron në fshehjen e trupit të tërësishëm të saj. Me bartjen e mbulesës (hixhabit) femra nuk zgjon epshet e huaja, e as që provokon. Në rast se ajo merr pjesë në ndonjë aktivitet shoqëror, bashkëpunon me gjininë e kundërt, në atë rast ajo do të shikohet vetëm si një partner në aktivitet dhe nuk do të keqtrajtohet ashtu siç keqtrajtohen mosbartëset e mbulesës. Madje, këtu ndoshta edhe hapet një pyetje tjetër, se a ka të drejtë gruaja të punojë në ato mjedise ku janë gjini të përziera, që do të thotë se një gjë e këtillë do të ishte e ndaluar!
2. Mbulesa e femrës mban edhe një urtësi tjetër të rëndësishme: ajo në fillim nuk duket provokuese, nuk nxit epshe, por vazhdimisht e mban stabil dhe i ruan ndjenjat dhe prirjet intime, si dhe ndjenjat për krijimin e familjes dhe kujdesin ndaj saj, ndërsa lakuriqësia, fillimisht është provokuese, por së shpejti bëhet banale, humbje dhe shkatërrim i prirjeve seksuale dhe ndjenjave të tjera për familjen. [11]
3. Urtësia qëndron në atë se Islami mbron dinjitetin e femrës duke caktuar rrugët të cilat garantojnë largimin e ndjenjës së poshtërimit, pra këtu mbulesa qëndron në mbrojtjen e personalitetit të saj.
4. Urtësia qëndron në ndihmën e cila i ofrohet meshkujve që të shohin femrën si qenie njerëzore, si vetë ata, si qenie e cila posedon aftësi intelektuale, shoqërore, kulturore, dhe mos ta shikojnë atë si mjet e cila nxitë epshe.
Disa njerëz, sidomos në Perëndim, do përpiqeshin ta përqeshnin argumentin e modestisë për qëllim mbrojtjeje. Argumenti i tyre është se mbrojtja më e mirë është përhapja e edukimit, sjelljes së qytetëruar dhe vetëpërmbajtjes. Ne do thuanim: "Në rregull, por jo e mjaftueshme". Nëse "qytetërimi" mjafton për mbrojtje të grave, atëherë përse gratë në Amerikën e Veriut nuk guxojnë të ecin vetëm në një rrugë të errët, madje as përgjatë një vendparkingu të zbrazët? Nëse arsimimi është zgjidhja, atëherë përse një Universitet si i Queen's ka një walk home service për studentet në qytezën studentore? Nëse "vetëpërmbajtja" është përgjigja, atëherë përse vetëm në SHBA ndodh një përdhunim në çdo 12 minuta? Përse rastet e bezdisjes seksuale në vendin e punës për çdo ditë publikohen nëpër media?
Një përmbledhje e të akuzuarve për sulme seksuale në këto pak vitet e fundit përfshin oficerë marine, menaxherë, profesorë universitetesh, senatorë, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, madje edhe udhëheqësit kishtar të Vatikanit. Këtu është e nevojshme jo vetëm mbulesa e trupit, por edhe mbulesa e zemrës dhe moralit.
Mbulesa në traditën kombëtare shqiptare
Shoqëria shqiptare për një kohë të gjatë kishte një jetë patriarkale, ku lidhja dhe solidariteti brenda familjes ishte shumë e fortë. Respekti ndaj vlerave tradicionale ishte në një nivel shumë të lartë. Kjo e kishte e ndihmuar ruajtjen e substancës kombëtare (më vonë edhe atë fetare islame), e cila shekuj me radhë ishte kërcënuar nga okupatorët e ndryshëm ...
Në traditën kombëtare shqiptare shekullore, personaliteti i femrës është ruajtur me vëmendje të veçantë. Ajo konsiderohej si një qenie sakrale e cila ruhej me fanatizëm ... Kur kemi fjalën te mbulesa e femrës, atëherë do të konstatojmë se gjatë historisë disa raporte kanë ndryshuar mjaft). [12] Kah fundi i shek. XX dhe në fillim të shek. XXI në shoqërinë shqiptare ndryshuan mjaft gjëra, e ndër to mori hov edhe "liria personale e femrës", me këtë kuptojmë edhe përhapjen e amoralitetit, e për mbulesën të mos flasim. Kjo na jep të kuptojmë se dukuria në fjalë ndodhë pikërisht në "oborret" tona shqiptare, afër dhe rreth nesh, aty ku gjendet edhe femra jonë shqiptare, aty ku lëviz vajza shqiptare e cila tradicionalisht asnjëherë nuk mbahet mend që ajo të nëpërkëmbet, madje në të kaluarën nuk publikohej aq lehtë edhe emri i gruas.
Sot nuk është ashtu, madje nuk është fenomen i rrallë që shpeshherë nëpër lokale të ndryshme, butiqe, zyre, etj. - me qëllim të "punësimit", kërkohen vetëm femra. Me një fjalë, sot ekzistojnë qarqe të shumta komerciale tek të cilat femra duhet ta luajë vetëm rolin e "kukullës që flet" dhe e cila shërben vetëm për t'u shitur malli ose për t'u reklamuar. [13]
Si mbrojtje nga e gjitha ajo që është e shëmtuar dhe që femrën e shpie drejt shfrenueshmërisë, paraqitet islami me normat dhe dispozitat e tij. Të gjitha dimensionet që kanë të bëjnë me femrën, arsimimin, edukatën, barazinë dhe me mbulesën e saj, qartë paraqiten në burimet islame.
Epilog
"Nuk është e pëlqyeshme që bijat e Izraelit të lëvizin jashtë me koka të pambuluara ... i mallkuar qoftë ai burrë që lejon t'i shihen flokët e gruas së tij ... gruaja që nxjerr flokët e saj për vetzbukurim, sjell varfëri", (Dhiata e re, Letra e parë drejtuar bashkësisë së Korintit, 11:3-10).
Stereotipi që sot mbisundon në mendjet e shumë njerëzve bashkëkohorë në lidhje me mbulesën e femrës, e që njëkohësisht konsiderohet edhe si simboli më i madh i shtypjes dhe i nëpërkëmbjes së fem¬rës muslimane, nuk ekzistoi në librat origjinale judeo-kristijane. Aty qartë shihet se islami asnjëherë nuk e shpiku mbulesën e femrës. Përkundrazi, islami atë e gjeti si traditë dhe më pas përmes Shpalljes e korrigjoi dhe e konfirmoi atë, sepse sipas traditës hebreje për femrën e zbuluar pasonte ndëshkim "nëse gruaja nuk mbulohet, le t'ia presin flokët, por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kokën".
Stereotipat e gabuara për islamin dhe rolin e femrës në islam, erdhën si rezultat i mendimeve të disa njerëzve se gruaja nuk ka nevojë të arsimohet, e ajo detyrohet të mbulohet, etj.. Nuk mund të jetë e vërtetë ajo që thuhet se islami me urdhrin që të mbulohet gruaja atë e ka bërë krijesë të pav¬lerë, ia ka marrë të drejtën dhe lirinë e saj... Përkundrazi, feja is¬lame me urdhrin për mbulim dëshiron ta mbrojë gruan, ta ngritë vlerën e saj dhe të tregojë se ajo është personalitet që meriton respekt. Cipa e hollë që i mbulon dëshirat e këqija dhe të ulëta të njeriut është turpi. Kur të hiqet ajo perde, njeriu duket si një shtazë e egër. Turpi është stolia e njeriut, njerëzia e njeriut. E për gruan turpi është begatia më e çmuar ...
Mbulesa islame është vetëm shenjë modestie për arsyen e vetme të të mbrojturit të grave - të gjitha grave. Filozofia islame e mbulesës së femrës qëndron në atë se është gjithmonë më mirë të jesh e sigurt, se sa e sulmuar. Ç'është e vërteta, Kur'ani në këtë mënyrë interesohet për ta mbrojtur qenien e femrave dhe reputacionin e tyre, sa që një burrë që guxon të akuzojë pa të drejtë një grua për pandershmëri, do të dënohet rreptësishtë.
Mbulesa është element bazë prej ku edhe fillon devotshmëria dhe virtyti i lartë njerëzor, e kundërta e kësaj është lakuriqësia. Moszbatimi i mbulesës si normë islame në një aspekt nënkupton animin e individit kah epshet dhe dëshirat e shfrenuara. Ata që e mohojnë këtë vlerë islame, shërbehen me pretekstin se kjo gjë paraqet një vlerë tipike orientale, e asgjë më tepër, me këtë duke e konsideruar veten si të qytetëruar dhe të kulturuar ...
Autor: Behxhet Jashari
Burimet:
ABDULATI, Hamude, "Islami në fokus", Logos/A, 2000, Shkup.
GHOLAM, ALI, "Kultura e zhveshjes dhe zhveshja e kulturës", Drita e Jetës, Gjilan, 2004.
MORINA, Qemajl, "Roli i familjes në shoqërinë islame", Takvim, 2003, Prishtinë.
RAMIQ, dr. Jusuf, "Shkaqet e zbritjes së Kur'ani Kerimit", Ilmije, Shkup, 1990.
ZUHEJLI, Vehbe, "Fikh'ul islami ve edil-letuhu", III, Darul fikr, Damask, 1989.
Dituria Islame, nr. 150, 2003, Prishtinë.
www.bismilah.kurandhesunet.net/FETVA/Gruaja_dhe_Familja/Hixhabi_Autentik/
TOPALLOGLLU, Bekir, "Gruaja në islam", Universiteti Marmara-Fakulteti teologjik, Stamboll, 1997.
HOFMANN, Murad Wilfried, "Islam u trečem mileniju", Libris, Sarajevo, 2004.
_________________________
[1] - Transmetuar nga el-Dijaa' el-Makdisi në el-Hadith el-Mukhtaarah, 1/442 dhe nga Ahmedi dhe el-Bejhekiu me isned Hasen, marrë nga www.bismilah.kurandhesunet.net/FETVA/Gruaja_dhe_Familja/Hixhabi_Autentik/
[2] - www.bismilah.kurandhesunet.net/FETVA/Gruaja_dhe_Familja.
[3] - www.bismilah.kurandhesunet.net/FETVA/Gruaja_dhe_Familja.
[4] - TOPALLOGLLU, Bekir, "Gruaja në islam", Universiteti Marmara-Fakulteti teologjik, Stamboll, 1997, f. 177.
[5] - ABDULATI, Hamude, "Islami në fokus", Logos/A, 2000, Shkup, f. 217.
[6] - ABDULATI, Hamude, f. 217 dhe HOFMANN, Murad Wilfried, "Islam u trečem mileniju", Libris, Sarajevo, 2004, f. 80-81 e më tej.
[7] - Më gjerësisht shih: ZUHEJLI, Vehbe, "Fikh'ul islami ve edil-letuhu", III, Darul fikr, Damask, 1989, f. 565.
[8] - RAMIQ, dr. Jusuf, "Shkaqet e zbritjes së Kur'ani Kerimit", Ilmije, Shkup, 1990, f. 180.
[9] - Tefsir Ibn Kethir.
[10] - www.bismilah.kurandhesunet.net/FETVA/Gruaja_dhe_Familja.
[11] - Dituria Islame, nr. 150, 2003, Prishtinë.
[12] - MORINA, Qemajl, "Roli i familjes në shoqërinë islame", Takvim, 2003, Prishtinë, f. 124.
[13] - GHOLAM, ALI, K.