Huaja-Borgji dhe dispozitat e tij në të drejtën islame
Transmetohet se i Dërguari a.s. ka thënë: "A e dini se çfarë është obligimi ndaj fqinjit? Kur ai të të kërkojë ndihmë, ndihmoje atë, nëse kërkon hua prej teje, duhet t'i japësh".
Borxhi-huaja është prej çështjeve të njohura në mesin e njerëzve dhe se në drejtën islame edhe vepër e lejuar dhe konsiderohet si vepër e rekomanduar (mendua) duke u mbështetur në tekstet kuranore dhe në hadithet e të Dërguarit a.s. Ligjshmërinë e borxhit e gjejmë në ajete kuranore, në hadithe, në konsensusin e dijetarëve (ixhma).
Allahu i Lartësuar ka thënë: "O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga mesi juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar All-llahu. Le të shkruajë, e atij le t'i diktojë ai që merr borxhin, le t'i frikësohet All-llahut, Zotit të tij e të mos lërë mangët asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh, është i paaftë mendërisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për shkak se, nëse njëra prej tyre gabon, t'ia kujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë tek Allahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosndryshimit. Vetëm nëse është tregti e menjëhershme (dora-doras), që e praktikoni midis jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton as shkruesit as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin), ai është mos respekt juaji (ndaj dispozitave të Allahut). Kini frikë Allahun, sepse Allahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), Allahu është i gjithëdijshëm për çdo send". (El Bekare, 282).
Dhe në ajetin: "... huazoni (jepni sadaka) për hir të Allahut hua të mirë", (El Muzemmil, 20). I Dërguari a.s. ka thënë: "Në natën e Israsë e kam pa se në derë të Xhenetit shkruante: Lëmosha shpërblehet dhjetëfish, kurse dhënia e huas (borxhit), shpërblehet tetëmbëdhjetë fish. E unë i thashë Xhibrilit a.s.: Për ç'arsye huaja është më e vlefshme se lëmosha? Ai më tha: Arsyeja është se lypësi lyp edhe kur ka, ndërsa ai që kërkon borxh, kërkon vetëm atëherë kur të ketë nevojë". Ndërkaq, për sa i përket ixhmait (konsensusit të dijetarëve), të gjithë janë të mendimit se lejohet marrja e huas dhe se shoqëria do të veprojë duke marrë hua prej kohës së të Dërguarit a.s., e deri në fundin e kësaj jete. Pra, të gjithë muslimanët janë të pajtimit për ligjshmërinë e huas, se lejohet të kërkohet borxh dhe se, ai që kërkon hua, nuk ka kurrfarë mëkati.
Dhënia e borxhit konsiderohet vepër e rekomanduar për atë që e jep, dhe lejohet ta marrë huamarrësi për nevojat e jetës së tij. Ndonjëherë ndodh që marrja e borxhit të jetë e ndaluar, si p.sh.: kur huamarrësi merr hua për të bërë ndonjë vepër të ndaluar, si f.v. për të pirë alkool apo për të luajtur bixhoz, etj..
Norma e marrjes së borxhit mund të jetë edhe mekruh (vepër e urryer), si p.sh. kur merr borxh dhe nuk e harxhon për diçka që është e dobishme dhe në interes të dobishëm. Po ashtu mekruh konsiderohet kur dikush merr hua duke e ditur se nuk ka mundësi për ta kthyer. Lejohet të merret borxh për ta blerë kurban, me kusht që marrësi të ketë mundësi për ta kthyer borxhin.
Disa rregulla që duhet zbatuar për huan
Për çështjen e huas duhen pasur parasysh doemos këto rregulla:
1. Ai që merr hua, nuk duhet të kërkojë borxh përveçse kur ka nevojë të madhe, si p.sh. për t'u shëruar, për ndonjë operacion ose për të paguar diçka që është e domosdoshme për jetën, si p. sh. sigurimi i lëndëve të ngrohjes gjatë kohës së dimrit.
2. Huamarrësi duhet të mos e teprojë me shpenzime duke ngrënë ushqime të shijshme dhe që nuk janë të domosdoshme për konsumim.
3. Huamarrësi duhet të jetë i bindur se do të ketë mundësi t'ia kthejë borxhin atij që ia ka dhënë, në kohën e caktuar, ngase ndryshe në këtë mënyrë huamarrësi bën mëkat, sepse bëhet shkaktar që të tjerët të mos japin më hua. "Dhe nuk japin as sendin më të vogël (as hua)", (El Maun, 7). Pra, borxhi duhet kthyer në kohën e duhur, në mënyrë që të tjerët të kenë vullnet për të dhënë hua.
Regjistrimi i borxhit
Sipas së drejtës islame, kërkohet që borxhi të regjistrohet ose të merret diçka peng apo ndonjë gjë e ngjashme, me qëllim që të mbrohet dhe të ruhet e drejta e atij që jep hua-borxh. Allahu i Lartësuar për këtë thotë: "O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë ... në qoftë se gjendeni në udhëtim dhe nuk gjeni shkrues, atëherë merrni peng (paradhënie ose kapar)", (El Bekare, 282 dhe 283). Shkrimi/Regjistrimi i borxhit nuk është vetëm për shkak të pasigurisë, po qëllimi kryesor është nëse ndodh vdekja e ndonjërit, atëherë borxhi nuk humbet, sepse është i evidencuar me shkrim.
Shënim: kur ndodh që të ketë mospajtime rreth vlerës dhe sasisë së borxhit në mes të dhënësit dhe marrësit, atëherë merret fjala e marrësit, por duke u betuar në Allahun se po thotë të vërtetën.
Garancia e huas
Garancia e pasurisë që është dhënë hua, bëhet nga huamarrësi, prandaj ky e ka për obligim të garantojë pasurinë që merr hua. Pra, huamarrësi nga çasti që merr diçka hua a borxh, ai është edhe garantues i asaj pasurie.
- Pronësia e huas-borxhit: Borxhi-huaja bëhet pronë e huamarrësit prej çastit kur ta marrë në duart e veta. Të këtij mendimi janë Ebu Hanifja dhe imam Muhamedi, kurse, sipas malikitëve, huaja-borxhi bëhet pronë e huamarrësit prej çastit të bërjes së aktit, edhe nëse ai nuk e ka marrë ende.
- Vendi ku duhet të kthehet borxhi: Sipas unanimitetit të dijetarëve të katër medhhebeve, huaja-borxhi duhet të kthehet në vendin ku është marrë, nëse ka mundësi, ndonëse është i vlefshëm kthimi i tij në cilindo vend. Lejohet kthimi i borxhit në çdo vend, veçse duke u plotësuar kushtet e duhura.
- Borxhi nga i cili ka përfitim: Sipas mendimit mbizotërues tek hanefitët, është e ndaluar të kihet përfitime nga dhënia e borxhit-huas, nëse kjo kushtëzohet, e nëse nuk kushtëzohet, atëherë lejohet të kihet përfitime prej tij. Po qe se ndodh t'i jepet huadhënësit dhuratë, lejohet, por, nëse kushtëzohet dhënia e dhuratës, kjo është mekruhi tahrimen (mekruh i rëndë). Sipas malikitëve, është e ndaluar rreptësisht që të kihet përfitime nga dhënia e borxhit, si p.sh., të hahen ushqime tek ai që i është dhënë hua nga huadhënësi, për shkak se i është dhënë borxh. Po ashtu ndalohet dhënia e dhuratës për atë që është huadhënës, nëse huamarrësi me atë dhuratë ka për qëllim ta shtyjë afatin e pagesës së borxhit. Sipas shafiitëve dhe hanbelitëve, nuk lejohet të ketë kurrfarë përfitimi nga dhënia e borxhit, si p.sh. t'i jepet dikujt hua që t'ia shesë shtëpinë e më pastaj t'ia kthejë më shumë. Kjo është e ndaluar sipas këtyre dijetarëve.
- Dhurata në rastin e dhënies së huas: U përmend më lart se, sipas hanefitëve, nëse kushtëzohet dhënia e dhuratës, është vepër shumë e urryer (mekruhi tahrimen), e nëse nuk kushtëzohet, lejohet. Ndërkaq, malikitët janë të mendimit se është e ndaluar rreptësisht të jepet dhuratë për huadhënësin. Këta mendimin e tyre e mbështesin në hadithin e të Dërguarit a.s., i cili ka thënë: "Kur ndokush prej jush jep hua, të mos marrë dhuratë". Po ashtu shënohet se i Dërguari a.s. e kishte ndaluar të merrej dhuratë kur të jepet borxh, ngase veprimi i tillë është i afërt me kamatën. Umer bin Abdulazizi dhënien e dhuratës për huadhënësin e ka konsideruar si ryshfet.
- Nxitja për të dhënë hua dhe për të kthyer borxhin: I Dërguari a.s. i nxiste njerëzit për të dhënë hua dhe po ashtu kërkonte të paguhej borxhi me kohë. Transmetohet se i Dërguari a.s. ka thënë: "A e dini se çfarë është obligimi ndaj fqinjit? Kur ai të të kërkojë ndihmë, ndihmoje atë; nëse kërkon hua prej teje, duhet t'i japësh ...". Po ashtu transmetohet nga Ibn Abbasi r.a. se i Dërguari a.s. ka thënë: "Çdo dhënie e huas është lëmoshë".
- Frikësimi nga marrja e borxhit: Se nuk duhet nxituar për të marrë borxh përveç në raste kur njeriu ka nevojë të domosdoshme, këtë e shohim nga thëniet e të Dërguarit a.s.. Në një rast i Dërguari a.s. ka thënë: "Borxhi është flamuri i Allahut në tokë, e kur do Ai që të poshtërojë robin e Tij, atë flamur ia vendos në qafë". [1] Transmetohen nga Amer bin el-Asi r.a., se i Dërguari a.s. ka thënë: "Allahu ia fal dëshmorit të gjitha mëkatet përveç borxhit". Po ashtu në një transmetim të dobët thuhet se i Dërguari a.s. ka thënë: "Nuk ka brengë përveç brengës për dhënien e borxhit, dhe nuk ka sëmundje të rëndë përveç dhimbjes së syrit". Sipas këtyre haditheve, bëhet e qartë se duhet nxituar për pagimin e borxhit dhe duhet të ruhemi nga marrja e borxhit pa pasur nevojë.
- Borxhliu gjykohet sipas nijetit të tij: Ai që merr borxh, duhet ta ketë nijetin për ta paguar (kthyer) atë që prej çastit kur e merr borxhin, ngase në këtë mënyrë ai fiton mëshirën dhe ndihmën e Allahut. Në një transmetim, i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Për atë që merr borxh me qëllimin e vetëm që ta paguajë atë, Allahu cakton disa engjëj që ta ruajnë dhe të luten për të, derisa ta paguajë borxhin".
Disa nga të parët (selefitë) merrnin borxh edhe pa pasur nevojë, vetëm për të arritur që atyre t'u caktoheshin engjëj që të luteshin për ta. Po ashtu transmetohet nga Mejmunete r.a., e cila ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin a.s., se ka thënë: "Ai që merr borxh me dëshirë që ta paguaj (ta kthejë), atë e ndihmon Allahu i Madhërishëm".
Shpirti i besimtarit është i varur për shkak të borxhit: Transmetohet nga Ebu Hurejrete r.a., se i Dërguari a.s. ka thënë: "Shpirti i besimtarit është i varur për shkak të borxhit të tij, derisa të paguhet borxhi". [2] Transmetohet nga Aliu r.a. se, kur vinte ndonjë xhenaze te i Dërguari a.s. ai në fillim pyeste mos i vdekuri kishte borxh. Nëse i thuhej se kishte borxh, ai ndalej dhe nuk ia falte namazin. Nëse i thuhej se nuk kishte borxh, ia falte namazin. Kishin sjellë një herë një xhenaze dhe i Dërguari a.s. ishte bërë gati për t'ia falur xhenazen, por, kur pyeti mos i vdekuri kishte borxh, e ata i thanë se kishte borxh dy dinarë, atëherë u tërhoq i Dërguari a.s. dhe u tha shokëve të tij: "Faljani namazin e xhenazes"! E Aliu r.a. tha: "Unë po e marr përgjegjësinë për ta paguar borxhin e këtij të vdekuri" - dhe atëherë i Dërguari a.s. doli dhe ia fali namazin e xhenazes, e më pastaj i tha Aliut: "Allahu të shpërbleftë me të mira, Allahu e largoftë prej teje atë që të bëhet peng sikurse largove këtë borxh prej vëllait tënd. Nuk ka asnjë të vdekur që vdes, e që ka borxh, e të mos jetë peng i borxhit të tij. Prandaj ai që i largon këtë mundësi të bërjes peng, Allahu atë e shpëton në Ditën e Kiametit". E disa që ishin të pranishëm, thanë: A është kjo e veçantë vetëm për Aliun apo në përgjithësi për të gjithë muslimanët? I Dërguari a.s. tha: "Kjo është për secilin musliman". Nga kjo rregull kuptohet qartë se është vepër e rekomanduar që t'i paguhet borxhi atij që ka vdekur me ndonjë borxh të pashlyer.
- Transferimi i borxhit tek tjetri: Kjo mënyrë e pagesës së borxhit realizohet kur obligimi i pagesës së borxhit i bartet tjetrit. Kjo mënyrë transferimi në të drejtën e Sheriatit konsiderohet veprim legal. Transmetohet se i Dërguari a.s. ka thënë: "Vonesa e pagesës së borxhit nga i pasuri që ka pasuri, është zullum, e po qe se ndonjërit prej jush i ofrohet mundësia e pagesës së borxhit duke u transferua tek tjetri, le ta pranojë këtë transfer, nëse personi ka mundësi ta paguajë borxhin". Pra, në këtë rast vlen të përmendet se duhet marr leje nga borxhdhënësi për transferimin e borxhit tek tjetri.
- Lutjet e rekomanduara për të eliminuar borxhin: Pa dyshim që lutjet drejtuar Allahut janë gjëja më e rëndësishme që të na mundësohet pagesa e borxhit. Transmetohet nga Ebu Seid el-Hudariu r.a., i cili ka thënë: Një ditë i Dërguari i Allahut a.s. kishte hyrë në xhami, ku ishte i ulur njëri prej ensarëve, i cili njihej si Ebu Umamete. Në atë rast i Dërguari a.s. i pati thënë: "Çfarë ke që po qëndron ulur në xhami, kur nuk është koha e namazit"? Ai u përgjigj: Më ka kapluar mërzia e borxheve, o i Dërguari i Allahut! "Ki mendjen, a dëshiron të të mësoj ty diçka që, kur ta thuash, Allahu i Lartësuar do të largoj prej teje mërzinë dhe do të a mundësojë të paguash borxhet" - i tha. Ai u përgjigj: "Po, si jo"! Atëherë i Dërguari a.s. i tha: "Kurdo që të zgjohesh në mëngjes dhe kurdo që të biesh në gjumë", thuaj: "O Zoti im, kërkoj mbështetje tek Ti, që të më largosh brengën dhe pikëllimin, kërkoj mbështetje tek Ti, që të më mbrosh prej plogështisë dhe përtacisë, kërkoj mbështetje tek Ti, të më largosh frikën dhe koprracinë, kërkoj mbështetje tek Ti, të më ndihmosh të paguaj borxhet dhe të më mbrosh nga shtypja e njerëzve". Tha: E thashë këtë dua, dhe Allahu më mundësoi të paguaj borxhet dhe më largoi mërzinë.
Pergaditi: Mr. sci. Flamur SOFIU
_________________________
[1] - Transmetojnë Ahmedi dhe el-Hakimi.
[2] - Transmeton Ahmedi.